E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Molla Rama

E merkure, 12.08.2009, 05:25 PM


Molla Rama

Nga Edison Ypi

Një mollë në ditë doktorin e mban larg! Kjo dihet. Duke mos marrë parasysh; Se vet’ doktori nuk ha as kokërr ulliri e jo më kokërr mollë, se jo të gjithë e duan doktorin larg, se për ata që doktorin e duan larg nuk mjafton një mollë e vetme, por duhet nga një mollë përditë, pra shumë mollë, del pyetja: A është molla rama vërtet mollë, dhe, për më tepër, mollë e tillë, pra që doktorin ta mbajë larg? Nëse s’është, çfarë duhet bërë? Nëse molla rama mollë është, sa larg është e aftë ta mbajë doktorin? Dhe ku larg? Mbrapa, përpara, majtas ...djathtas, poshtë apo lart?
Këto pyetje ishin shkëndijat pas të cilave plasi sherri.
Të parët që e morën fjalën ishin ca gjytyrymë që thanë se molla rama është një mollë si gjithë mollët për të cilën nuk duhet menduar gjatë por secili duhet të mprehë dhëmbët në mënyrë që kush të mundet ta kafshojë dhe ta hajë sa më tepër për hesap të vet.
Por kjo u kundërshtua rreptë nga disa të tjerë merhumë që thanë se nuk është mirë të futet në stomak diçka rreth së cilës dihet pak ose aspak. Sepse, shtoi njëri prej tyre, nuk duhet të ngutemi të quajmë mollë një gjë vetëm sepse është e rrumbullt dhe ka këto apo ato përmasa, apo ta zëmë, vetëm sepse nuk është dardhë me bisht prapa, patate gungse, shegë e kuqe, panxhar sheqeri, karotë, pras, apo ndonjë gjë tjetër e këtij karakteri. Këto fjalë e futën debatin në një përpjekje edhe më të thellë lidhur me zhbirilimin e identitetit të frutit të mollës, zanafillës së tij. Në këto e sipër u përmend Eva dhe Adami, mëkatet dhe virtytet, si të njërit dhe të tjetrit, çfarë mund të mësojmë a të kemi parasysh ne të kohëve moderne nga fataliteti i të parit mëkat mollacak. Në vazhdim të tij, një gërxho më pas, si provë finale për të vërtetuar nëse molla rama është a s’është mollë përmendi rrëshqitazi Vilhelm Telin. E bëri këtë duke lënë të nënkuptohej në këtë mënyrë se, përtej rreziqeve, eksperimenti duhej përsëritur. Gërxhos iu hodhën menjëherë në fyt me një mori pyetjesh skeptike; Kush ndër ne guxon të rrezikojë ta vërë mollën rama majë kokës së vet për të vërtetuar një gjë kaq të thjeshtë?! Cili nga ne mund të jetë një Vilhelm Tel me aftësi shënuese aq të spikatura sa ky eksperiment të përfundojë pa rrezik?! Po sikur të mos jetë mollë, si mund ta dimë çfarë do ndodhi pas goditjes? A di kush të na thotë çfarë drejtimi do marri shigjeta në një eventualitet të tillë dhe sa do rrezikohej koka? Ta zëmë se është mollë, po kush na siguron se pas goditjes me shigjetë molla rama do ndahet në mes dhe jo në tresh, më katërsh, apo në më tepër copa, ose nuk shkatërrohet fare dhe na lë shëndenë? E kuptoni në çfarë telashesh na fusni me këto që thoni? Këto fjalë i dhanë edhe një herë hov diskutimit mbi identitetin; Është a s’është mollë molla rama? Dhe u ngrit një qukapik me sqep e tha; Mos u çudisni. Ajo që kini përpara nuk është mollë, është Jupiteri, planeti i largët. Njëlloj si gjërat që nga larg duken të bukura por kur u afrohesh tmerrohesh, edhe gjërat e mëdha nga sa më afër t’i shohësh aq më të vogla duken. Ato dy gropëzat lart dhe poshtë janë të shkaktuara nga tërheqja jo e njëjtë gravitacionale si pasojë e shpërndarjes jo homogjene të lëndës brenda kësaj që juve ju duket mollë por në fakt është planet. Sa duket karakteri shkencor i këtij vlerësimi nxiti një turivarur që tha; Ndoshta nuk do më besoni mua fytyrëvrerosurin, por ja ku po ua them me sigurinë më të madhe se kjo kokërr molle që ju e quani molla rama së cilës keni kaq kohë që i vini rrotull dhe s’i jepni dot dum, është si molla që i ra mbi kokë Isak Njutonit, i cili, pas atij eventi në dukje aq të rëndomtë, bëri zbulimin epokal në Fizikë. Po dua të them se edhe kjo mollë, në thelbin e vet, përmban një risi’ të madhe. Ik o turiqen i lojtur se s’ua kemi ngenë dënglave të tua shkencore, u dëgjuan një kor zërash prej të cilëve u dallua zëri i një skuthi që tha: Dëgjoni, molla rama nuk është mollë sepse është mollë, por sepse më tepër se mollës nuk i ngjan asgjëje tjetër. Kjo i qetësoi disi të pranishmit dhe j’a ndërroi drejtimin bisedës duke e kthyer atë nga supozimet e përçartuna në reflektime më konkrete. Si rrjedhim më pas u shtruan pyetjet nëse e ashtuquajtura molla rama është vërtet mollë apo vezë rosaku, kokërr qepe, top golfi apo top ping-pongu ? Pas kësaj ardhjeje në vete, një riosh me pamje babaxhani me zë të shtruar, duke treguar bishtin e mollës si fitil ndezës, tha se molla rama nuk është aspak mollë, por bombë dore. Kjo bëri që të pranishmit të llahtariseshin befas me me njërin sy nga bishti i mollës rama që nxirrte tym, dhe tjetrin sy nga dera gati për t’ia mbathur. Dhe do kishin ikur të gjithë nga frika, nëse dikush tjetër që deri atë moment kishte ndejtur i heshtur u ngrit e tha; Molla rama nuk është asnjë nga këto variante që thoni ju. Molla rama është batiskaf zhytës, nga ata që me një ekip ekspertësh brënda shërbejnë për zbulimin e sekreteve të thellësive të oqeaneve. Sa duket ishte dashur ky supozim deri-diku paqësor që diskutimet të ndërronin përsëri drejtim, nga ai i identitetit të mollës rama tek utiliteti i saj. Lidhur me këtë disa të tjerë me rradhë u hodhën e thanë atë që tashmë ishte thënë por mesa dukej nuk i ishte dhënë rëndësia e duhur; se e vetmja gjë që mund të bëhej me mollën rama është të hahet. por edhe ky gjykim grykësish u hodh menjëherë poshtë nga disa të tjerë të cilët e kundërshtuan egërsisht ngrënien me argumentin se nuk mund të futet në stomak një diçka së cilës, të paktën deri tani, i njihej vetëm rrumbullakësia dhe aspak brendia. U duk sikur këto fjalë e kthyen diskutimin edhe një herë tek identiteti, pra në një qorrsokak prej ku nuk mund të dilej dot më. Por jo. Sepse në vazhdim u ngrit një turithatë që tha se objekti i rrumbullakët që ndodhej përballë, mund të ishte vërtet frut, pra diçka që hahet, ama ka frut e frut, prandaj duhet bërë kujdes. Sepse ka frut Perëndie, por ka edhe frut teknologjie. Kjo i ndau përfundimisht më dysh të gjithë; Adhuruesit e katundeve, fushave, traktorëve, të mbjellave, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, dishepujt e pa epur të Photoshopit, fejsbukut, gmalit. Dhe, sipas preferencave të njërës dhe tjetrës palë, vazhduan propozimet. Propozime dhe pyetje nga më të ndryshmet lidhur me identitetin e errët të dikurshëm dhe utilitetin e tashëm të pa qartë të mollës rama, por këtë herë më shtruar. Njëri me turi kërmilli u ngrit e tha, apo më mirë pyeti, se ku bie përtej dhe këndej së majtës dhe së djathtës së kësaj molle përderisa dihet që rrumbullakësia nuk ka as të majtë as të djathtë por vetëm brenda dhe jashtë? Kjo pyetje bëri goxha përshtypje sa i përket fantazisë së shquar të të shquarit pyetës. Një tjetër tërhoqi vëmendjen ndaj faktit se kjo mollë nuk është rrugë, të cilën kush nuk e ka e do, dhe mes atyre që e duan, kush e ndërton e vjedh. Një hundëshkabë provoi ta prekte mollën rama me gishtërinj. Por sa i afroi gishtërinjtë, mollëzat nisën t’i djegin dhe nisi t’i ftohë me pështymë. Pastaj hundëshkaba rrëmbeu një pirua dhe bëri t’ia ngulte mollës. Por piruni rrëshqiti mbi mollë si mbi një sferë çeliku. Provoi edhe me thikë, por pa asnjë rezultat. Ky mossukses i fundit u dha shkak shpërthimit të fantazive si këto; Ta heqim që këtu këtë të mallkuar se do çmendemi fare duke u marrë me të. Ta heqim, por si ?! Duke e rrokullisur në rrumbullakësinë e vet. Jo duke e rrokullisur se do duhen vite deri sa ta hedhim në det. Epo mirë, i vemë rrota për më kollaj dhe më shpejt. Jo - jo, as rrokullisje as rrota, duhet ta djegim. Gjeni një komardare. Hidhjani komardaren mollës si kaubojsat i hedhin litarin kalit, pra në mënyrë të tillë që molla të mbetet në mes. Vijani flakën komardares dhe keni për të parë si do digjet molla dhe bashkë me mollën edhe dyshimet tona. Nga ngjyra e tymit dhe analiza të tjera laboratorët do na thonë gjithçka rreth mollës dhe në këtë mënyrë do zhduket çdo mister. Mos harroni se më ’97-ën kështu janë djegur njerëzit, e jo më tani mollët. Këtyre nuk ua vuri njeri fort veshin dhe muhabeti u shndërrua në një katarakt pyetjesh nga ato të fillimit; Si mund të hahet molla rama, duhet ngrënë apo gëlltitur, e qëruar apo e pa qëruar, me ngulje dhëmbësh apo me prerje me thikë, para apo pas buke, a bën të shoqërohet me pije, pijet a mund të jenë të gazuara, a mund të serviret nëpër gostira dasma, sebepe, a mund të hahet e shtrydhur, nëse po, me mbetjet e shtrydhjes çfarë mund të bëhet, në cilin vakt mund të hahet ajo mollë, a këshillohet muzikë gjatë asaj ngrënieje, cilave mosha u bën mirë ta hanë mollën rama, pse përdoret shprehja kuq si molla, dhe jo kuq si rama, apo verdh’ si dardha, si lidhen të tëra këto me...
O të lidhshin dreqërit, ulëriti një teptil. Ore, keni a s’keni sy në ballë?! Shiheni mirë mollën rama. Atje poshtë tek ajo pulla e vogël e hirtë! E patë? Molla rama ka krimba brenda.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora