E merkure, 13.11.2024, 06:15 AM (GMT)

Mendime

Jeton Ameti: Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore

E merkure, 05.08.2009, 06:02 PM


Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore

Nga Jeton Ameti


Riaktualizimi dhe trajtimi i temave të “politikës së madhe” është njëra nga metodat që aplikohet në Maqedoni për të lënë në harresë dhunën, terrorin dhe diskriminimin e përditshëm të shqiptarëve në këtë shtet. NATO, BE, heqja e vizave... janë vetëm disa nga temat e “politikës së madhe” si strategji e përqendrimit të vëmendjes jashtë kontekstit të brendshëm të Maqedonisë. Fatkeqësisht për popullin e diskriminuar shqiptar, kjo strategji ka dhënë rezultatet e dëshiruara për autoritetet dhe institucionet antishqiptare të Shkupit.

Në vend që të kërkohet me ngulm heqja e diskriminimit dhe respektimi i të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, kërkesa e vetme që dëgjohet për anëtarësim e këtij shteti në NATO lidhet me angazhimet diplomatike për të gjetur konsensus me Greqinë për emrin e këtij shteti.

Bashkimi Demokratik Shqiptar konsideron se mbështetja e Maqedonisë në integrimet euro-atlantike pa hequr diskriminimin që ky shtet aplikon ndaj shqiptarëve është politikë miope dhe nuk i shërben as paqes dhe as sigurisë afatgjate të kësaj pjese të Ballkanit.

Përkundrazi, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të inkurajonte qarqet antishqiptare të Shkupit për të intensifikuar dhunën dhe diskriminimin e mëtejmë të shqiptarëve në këtë shtet.
Prandaj, të gjithë aktorët e interesuar që kjo pjesë e Ballkanit të jetojë në paqe dhe siguri duhet të ushtrojnë ndikimin e tyre që Maqedonia të heq të gjitha format e dhunës dhe diskriminimit racial dhe të sillet në përputhje me orientimet e Aleancës Veriatlantike për liri, siguri, demokraci dhe vlera të përbashkëta.

Bashkimi Demokratik Shqiptar apelon në ndërgjegjësimin e të gjitha forcave politike shqiptare në Maqedoni se është moment i fundit që t’u bëhet unanimisht me dije të gjitha instancave vendore dhe ndërkombëtare se pa realizimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve nuk ka as NATO e as BE për Maqedoninë;

Bashkimi Demokratik Shqiptar konsideron se shteti shqiptar duhet të luaj rolin e vet në këto momente historike.

Nëse divergjencat lidhur me toponimin e shtetit u bënë shkak që Greqia të bllokojë procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO, atëherë institucionet e shtetit shqiptar kanë shumë më shumë të drejtë që të ngrenë zërin kundër vrasjeve, maltretimeve, arrestimeve arbitrare, dënimeve drakoniane përmes proceseve të montuara politike, diskriminimeve në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike dhe kulturore që Maqedonia në vazhdimësi aplikon kundër shqiptarëve etnik.

Duke qenë anëtare e plotfuqishme e NATO-s është në nderin dhe obligimin e saj që të kërkojë si parakusht për anëtarësimin e Maqedonisë në këtë organizatë lirimin e menjëhershëm të gjithë shqiptarëve që padrejtësisht mbahen nëpër burgjet maqedonase; rishikimin e të gjitha lëndëve gjyqësore dhe dëmshpërblimin për padrejtësitë që u janë shkaktuar shqiptarëve nga politika zyrtare e shtetit maqedonas dhe heqjen e të gjitha formave të diskriminimit racial që shteti aplikon kundër shqiptarëve. Në të kundërtën shteti shqiptar duhet të aplikojë të drejtën e vetos për të penguar që ky shtet të nxjerrë nga institucionet euro-atlantike vetëm privilegjet që do ta forconin në kurriz të shqiptarëve.

Duke mos lënë anash asnjë nga kërkesat që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe plotësimin e të gjitha kushteve paraprake për anëtarësim në strukturat euro-atlantike, Bashkimi Demokratik Shqiptar insiston në faktin që shqiptarët duhet të integrohen edhe në bisedimet lidhur me emrin e ri të Maqedonisë dhe te mbështesin që emri i ri i shtetit të jetë “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore”.

- Emërtimi “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore” do të mbulonte toponiminë reale të kësaj hapësire gjeografike;

- Emërtimi “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore” do të integronte komponentë të dy etnive që përbëjnë shumicën e popullsisë se këtij shtetit;

- Emërtimi “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore”, si emërtim që mbulon disa hapësira territoriale, nuk do të paraqiste asnjë precedencë në marrëdhëniet ndërkombëtare nga fakti se një numër i madh i shteteve anëtare të OKB-së kanë emra të kësaj natyre (shembuj: Bosnja dhe Hercegovina, Vincent dhe Grenadine, Sao Tome dhe Principe, Antigua dhe Barbuda, Papuazia dhe Guineja e Re, e shumë shtete tjera që janë anëtarësuar në OKB shumë kohë para Maqedonisë);

- Figurimi i toponimit “Shqipëri” në emërtimin “Maqedonia Veriore dhe Shqipëria Lindore” nuk do të paraqiste asnjë precedencë në marrëdhëniet ndërkombëtare nga fakti se kemi numër shtetesh, anëtare të OKB-së, që kanë në emrin e tyre toponimin e njëjtë (Guineja, Guineja Bisau, Guineja Ekuatoriale, Guineja e Re);

Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel të gjitha forcave politike shqiptare që të harmonizojnë pikëpamjet dhe që të dalim me një qëndrim që emri i ri i shtetit të marrë parasysh komponentë edhe të identitetit të shqiptarëve të Shqipërisë Lindore.

Bashkimi Demokratik Shqiptar konsideron si të domosdoshme harmonizimin e qëndrimeve dhe me një zë unik t’u drejtohemi negociatorëve ndërkombëtare dhe institucioneve euro-atlantike për heqjen e diskriminimit që nga emërtimi i shtetit e deri te të gjitha institucionet shtetërore e publike në këtë shtet.
Qarqet antishqiptare të Shkupit duhet ta kenë të qartë se në këtë pjesë të Evropës, Perandoria Otomane e pati epitetin e të “Sëmurit të Ballkanit“ para shpartallimit të saj;

Qarqet antishqiptare të Shkupit duhet ta kenë të qartë se në këtë pjesë të Evropës, “Jugosllavia e Titos” e pati epitetin e të “Sëmurit të Ballkanit “para shpartallimit të saj;

Qarqet antishqiptare të Shkupit duhet ta kenë të qartë se Maqedonia, si pjellë e “Jugosllavisë së Titos” është duke e marrë epitetin e “Sëmura e re e Ballkanit“ para shpartallimit të saj;

Bashkimi Demokratik Shqiptar konsideron se shqiptarët nuk do të ngelin rob të një realiteti të hidhur historik të komunitetit maqedonas dhe nuk do të fundosen në anijen e përbashkët me ta.


(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora