Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Në dorë të kujt është Europa “e jonë” e futbollit?

| E enjte, 30.07.2009, 07:24 PM |


Në dorë të kujt është Europa “e jonë” e futbollit?

Nga Besnik Dizdari

Shqipëria e futbollit të klubeve ishte për një “vizitë” 20 ditore në Evropë. Desh ta zgjaste edhe më tej, por i shterruan fuqitë për t’i rezistuar nivelit të lartë që kërkon Europa, qoftë dhe për “vizitorët” e saj. Shqipëria e futbollit e shkeli Europën më 2 korrik 2009, në veri të saj, lart në brigjet irlandeze të Atlantikut, kur Vllaznia e Shkodrës fitoi 2-1 me Sligo Rovers, një skuadër fshati, por e themeluar qysh më 1928. Shqipëria u kthye në tokën e saj më 23 korrik 2009, mbasi Flamurtari i Vlorës – skuadra shqiptare më me emër në Kupat e Evropës - u përjashtua prej kontinentit të vjetër të futbollit me një dënim kapital që shfaqej nën shifrat tmerruese të futbollit: 1-8, shkaktuar prej një skuadre skoceze “të panjohur” me emrin Motherwell. I gjithë qëndrimi europian i shqiptarëve zgjati kështu diçka më shumë se vetëm 21 ditë!

Edhe kësaj radhe u pa që Europa mbetet ëndërr për Shqipërinë.

Dikush do të dëshironte të thoshte se të paktën këtu nuk mund të përfshihet Kombëtarja e sotme e Shqipërisë. Ndoshta mendon kështu një gjeopolitik i futbollit shqiptar (a vërtet kemi ndonjë të tillë?), i cili e sheh Kombëtaren si përfaqësuese të sportit kombëtar, të flamurit, të himnit, të atdhetarisë. Në të vërtetë nuk mjafton. Dhe jo vetëm kjo. Europa jonë e futbollit është ndoshta po aq, ndonjëherë edhe më fort, në duar të klubeve. Bie fjala, për Spanjën – Kampione e Evropës në fuqi - më e famshme, më evropianopërfaqësuese se Kombëtarja e saj mund të jetë Reali i Madridit. Ashtu si Manchester United për Anglinë apo Bayern i Munihut për Gjermaninë.

Shqipëria e vogël është tepër larg këtyre, dihet. Madje s’ka punë me ta. Ndonëse kur i futesh edhe arkivit modest shqiptar, papritmas gjen “margaritarë” të vegjël që kërkojnë të shndrisin në errësirë. Dhe befas vëren se klubet e kësaj Shqipërie të vogël kanë arritur deri te ndeshje kësisoji që vazhdojnë të na habisin: Partizani – Nörköping 1-1, Partizani – Köln 0-0, Partizani – Torino 1-0, SK Tirana – Ajax 2-2, Partizani – Advidaberg e Suedisë 1-1 e 2-0, Vllaznia – Austria e Vjenës 2-0, Partizani – Celtic 1-0, Partizani – Austria 1-0, Dinamo – Aberdin 0-0, Dinamo – Sporting e Lisbonës 0-0, SK Tirana – Dinamo e Bukureshtit 1-0 dhe 2-1, Flamurtari – Barcelona 1-1 dhe 0-0, Flamurtari – Partizan i Beogradit 2-0, Flamurtari – Aue (Vismut Karl Marx Stad) e RDGJ-së 2-0, Flamurtari – Barcelona 1-0, Dinamo – Dinamo e Bukureshtit 1-0, Dinamo – Olimpique Marseille 0-0, Partizani – Feeyenoord 0-0, Vllaznia – Dinamo e Tbilisit 3-1, SK Tirana – Dinamo e Tbilisit 3-0!

Këto 23 ndeshje - e kam fjalën si ndeshje të vetmuara, pavarësisht nga eliminimi i skuadrave tona në shumicën prej tyre - përbëjnë vlera të jashtëzakonshme të futbollit shqiptar. Pothuajse të gjitha këto ndeshje i kam parë me sytë e mi drejtpërdrejt apo përjetuar jodrejtpërdrejt, e pakta duke filluar nga Partizani – Nörköping më 1962, çka do të thotë 48 vjet rresht. I kam parë e përjetuar duke qenë në rolin e gazetarit, në rolin e vëzhguesit, kritikut. Dhe në një farë mënyre, mbetem një përimtues i tyre prej ku dhe më bën të pohoj se ato përfaqësojnë një nivel të vërtetë europian të klubeve shqiptare.

Sidoqoftë, ndoshta duhet thënë: “Mjaft më me kujtimet!”. Aq më tepër kur dihet se historia e këtyre ndeshjeve, shfaqje çuditërisht e hershme e këtij niveli europian, për kah cilësia e lartë e tyre përballë klubeve të shteteve të një futbolli me traditë që ka sunduar futbollin, merr fund me ndeshjen dramatike SK Tirana – Dinamo e Tbilisit 3-0 që daton më 23 korrik 2003, eliminim me 11-metërsha i klubit të famshëm ish sovjetik - Kampion i Evropës më 1981 në Kupën e Kupave.

Kështu, qysh ky 23 korrik 2003 për rreth 6 vjet apo 7 edicionet e fundit, pavarësisht 12 kualifikimeve të arritura prej klubeve shqiptare, Shqipëria nuk ka pothuajse asnjë ndeshje të nivelit të vërtetë europian për kah cilësia dhe fama e rezultatit. Pa harruar se nga këto 12 kualifikime, 4 i përkasin një arkivi krejt modest sepse kanë të bëjnë me Kupën Intertoto, niveli i së cilës dihej që ishte i rangut më të ulët europian,

Dhe mbërrijmë kështu te ky 2009-10 që na “dhuron” këto përfundime:

SK Tirana – Staebek 1-1 dhe 0-4, FC Lahti – Dinamo 4-1 dhe 0-2, Sligo Rovers – Vllaznia 1-2 dhe 1-1, Rapid i Vjenës – Vllaznia 5-0 dhe 3-0, Flamurtari - Motherwell 1-0 dhe 1-8!

Mbrenda këtyre shifrave dërmues del 1 kualifikim i vetëm i Vllaznisë – për hir të së vërtetës i vetmi klub shqiptar që kalon 1 tur rregullisht në 3 edicionet e fundit - me nënkampionen modeste të Irlandës, Sligo.

Dhe plot 4 eliminime në ture të tjera pjesëmarrës, ku hyn edhe eliminimi i Vllaznisë prej klubit austriak në turin mbasardhës. I përimtuar më tej bilanci është ky: 10 ndeshje, 2 fitore, 2 barazime dhe bukur 6 humbje! Ndërkaq, shifrat e golaverazhit janë shkatërruese: 9-27!

I kthyer disi më ndryshe, ky tregues do të thotë se klubet shqiptare kanë arritur të shënojnë 0.9 gola për ndeshje dhe të pësojnë 2.7 gola për ndeshje. Çka do të thotë se ata nuk kanë arritur të shënojnë as edhe 1 gol për ndeshje, në një kohë që kanë pësuar gati afër 3 gola për ndeshje!

Ndërkaq, nëse do t’i ktheheshim përmbajtjes cilësore të ndeshjeve, komenti do të ishte pak a shumë ky:

Vllaznia luan një ndeshje taktike ndaj skocezëve jashtë fushës së saj dhe lëkundet në kthim në Shkodër. Në turin mbasardhës ajo rrëshqet në një prej paraqitjeve më të papranueshme në krejt historinë e saj ndaj austriakëve të Rapidit. SK Tirana luan vetëm 45 minutat e dyta shumë mirë në ndeshjen e fushës së vet dhe dorëzohet pa bëza në ndeshjen e dytë ku nuk tregon asgjë. Dinamo mposhtet pa kushte në Lahti dhe zhvillon një ndeshje mjaft të mirë në kthim dhe eliminohet vetëm për mungesën e një goli të pafat. Flamurtari i ri (vetëm 23 vjeç mosha mesatare), merr një fitore emocionuese në Vlorë, por nuk ekziston assesi në kthim, kur përvetëson rekordin e humbjes më të thellë të klubeve shqiptare në Kupat e Europës: 1-8! Rezultat që mbërrin 37 vjet mbas “rekordit” të mbajtur nga Besa e Kavajës (1972) 1-7 me Hibernien të Skocisë dhe atij të 2 vjetëve më parë të mbajtur nga Vllaznia e Shkodrës (2007) 0-6 prej Trabzonspor të Turqisë!

Tash, duke i mbledhë minutat e një futbolli të nivelit evropian prej 900 minutave lojë të edicionit të sivjetëm të klubeve shqiptare, nuk mund të shkojmë më larg se sa nja 200 minuta futboll të mirë, prej ku del një raport i pamshirshëm niveli që është 1 me 4 në të mirë të kundërshtarëve. Rëndë, tepër rëndë! Aq më sugjestionues bëhet e gjithë kjo, sapo mendon se përballë klubeve shqiptare nuk ishte niveli më i lartë i Europës. Ishte futbolli aspak i frikshëm i Kampiones së re të Norvegjisë, të Lahtit të Finlandës, të dy “të panjohurve” të Irlandës dhe Skocisë. Si dhe ai i emblemës austriake Rapid të Vjenës, i cili e pat eliminuar pa ndeshje Vllazninë edhe më 1971 kur Partia pat dënuar të gjithë sportin e Shkodrës me mospjesëmarrje ndërkombëtare për shkak të dhuratave të volejbollistëve në Kosovë! Vetvetiu detyrohemi “të fetishizojmë” 23 ndeshjet e kujtesës së madhe, të sjellë pak rreshta më sipër. Kësisoj, qoftë edhe përballë 7 edicioneve të fundit, që provojnë rënien e pashembullt të klubeve shqiptare në Europë. Dhe për ta kuptuar më mirë këte pjesëmarrje, paraqesim këte tabelë domethënëse simbas sezoneve:


S. K. N. F. B. H.

03-04 2 12 2 0 10
04-05 3 16 5 1 10
05-06 1 10 3 2 5
06-07 1 10 3 1 6
07-08 2 12 1 3 8
08-09 2 12 1 4 7
09-10 1 10 2 2 6

(* S. – Sezoni; K. – Kualifikime, N. – Ndeshje; F. – Fitore; B. – Barazime; H. – Humbje).


E përmbledhur, kjo statistikë historike na thotë se në 7 sezonet e fundit të Kupave të Europës, Shqipëria ka marrë 12 kualifikime, ka zhvilluar 82 ndeshje, ka marrë 17 fitore, 13 barazime dhe 52 humbje!

Eshtë vërtet sa e rëndë aq e papranueshme. Sidomos mbasi mendon atë që thamë: se pothuajse në të gjitha edicionet, turet, ndeshjet, klubet shqiptare kanë pasur përballë klube të një emri ose të mesëm, ose të rangut të ulët europian. Çka do të thotë se në këto 82 ndeshje të shtatë vjetëve të fundit, assesi nuk gjendet më për ne një Köln, një Torino, një Ajax, një Barcelona, një Partizan i Beogradit, një Dinamo e Bukureshtit, një Olimpique Marseille, një Feeyenoord, të cilët klubet shqiptare të paktën guxonin t’i ftonin në një sfidë të hapët. Ec mandej e mos u merr me kujtesën!...

Vetëm kaq?

Në të vërtetë, më duket se mu këtu merr fund ky shkrim, qëllimi i shpejtë i të cilit nuk qe kushedi se çfarë. Ai kërkoi vetëm që nëpërmjet kujtesës dhe bilancit të pohojë se Shqipëria e futbollit të klubeve ishte për një “vizitë” vetëm 20 ditore në Europë. Desh ta zgjaste edhe më tej, por i shterruan fuqitë për t’i rezistuar nivelit të lartë që kërkon Europa për “vizitorët” e saj. Dhe e shkeli Europën më 2 korrik 2009 për t’u kthyer në token e saj më 23 korrik 2009, mbasi Flamurtari i Vlorës – skuadra shqiptare më me emër në Kupat e Evropës - u përjashtua prej kontinentit të vjetër të futbollit me një dënim kapital që shfaqej nën shifrat tmerruese të futbollit: 1-8, shkaktuar prej një skuadre skoceze “të panjohur” me emrin Motherwell.

Dhe i gjithë qëndrimi europian i shqiptarëve zgjati kështu diçka më shumë se vetëm 20 ditë! Si në një garë sprinti, të rrufeshme poe po, por një lloj sprinti i pamshirshëm, përjashtues, mbrenda të pak sekondave për humbësin e madh që quhet Shqipëria e klubeve në Europë.

Tash, a ka vend këtu të rreshtohen shkaqet e kësaj paraqitjeje humbëse të Shqipërisë në Europën e klubeve? Them se nuk ka. Ne kemi vite që i përimtojmë shkaqet. I përsërisim madje çdo vit, por për fat të keq, ashtu siç harrohen rrufeshëm ekskursionet 20 ditore të klubeve shqiptare në Europë, po ashtu mbrenda pak ditëve harrohen edhe eliminimet dhe ndeshjet e pakëndshme dështuese të tyre. Sikur të mos kishin ndodhë!...

Kështu pra, nuk po na pëlqen me u endë përsëri në “pyllin” e rreshtimit të shkaqeve të stërnjohura të paraqitjes së klubeve shqiptare në Europë. Kësisoji edhe retorika e titullit tonë vërtet retorik, e ka përgjigjen mbrenda pikëpyetjes “pohuese” të tij.

Duke i kërkuar leje lexuesit tonë të nderuar, megjithate nuk po mund të rrimë pa rikujtuar për të një njëmijtën herë kryeshkakun e stërnjohur: Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, niveli i ultë i sotëm i të cilit nuk mund të formojë klube të nivelit europian në Shqipëri. Ajo që të shqetëson për vit është ndërkaq, paaftësia apo padëshira për ta forcuar këte Kampionat, aftësi dhe forcim që i takon ta udhëheqë Federata Shqiptare e Futbollit. Nuk ia arrin. Dhe Kampionati Kombëtar i Shqipërisë ka humbur shumë prej historisë së tij, forcës së tij, interesit të tij.

E në mbyllje prapë kujtesa. Ajo çka kemi shkruar në mbarim të Kampionatit të 70-të jubilar të Shqipërisë, që assesi nuk mbeti në histori si një jubile:

Teknikisht, ai ishte një Kampionat me mesataren më të ulët të shënimit të golave të 15 vjetëve të fundit, vetëm 2.15 (2.13 më 1994), me asnjë skuadër me 2 gola të shënuar për ndeshje dhe me plot 8 skuadra ndër 12, të cilat nuk arrijnë të shënojnë mesatarisht as edhe 1 gol për ndeshje, një gjuhë shifrash kjo që vetvetiu pëshpërit varfërinë e spektaklit futbollistik në Shqipëri. “Eksperimenti dështoi!”, siç kemi thënë.

Sidomos me skemën e tri periudhave (fazave), që çoi në njëanshmëri të pafalshme: me rastin zâmadh të 7 ndeshjeve të fundit të periudhës së tretë, ku bie fjala, SK Tirana 6 i luajti në fushën e vet. Kaq mjafton për të hyrë Shqipëria e futbollit në kërshëritë e rralla të stinës europiane 2008-2009. Një lloj njëanshmërie që cenon vetvetiu baraspeshën e kushteve të ecurisë së një Kampionati. Dhe në asnjë vend të Evropës nuk ngjet që në një kampionat me 12 skuadra, 4, pra një e treta e tyre, të përfshihen në paracaktimin e mundësisë së rënies një kategori më poshtë. Kjo do të thotë se kemi humbur kuptimin realist të Kampionatit Kombëtar të futbollit në vend. Shqipëria u bë i vetmi shtet i Evropës në vitet e Mbasluftës, ku një e treta e skuadrave të Kampionatit të parë të saj zbritën një kategori më poshtë. Iku KS Elbasani. Ikën 4 ndër 12!

Shqipëria është tepër larg kuptimit anglosakson të Kampionatit të saj: që thotë se qëllimi i një Kampionati Kombëtar të futbollit nuk është thjesht rënia apo mosrënia e një skuadre nga kategoria më e lartë te një më e ulët, por spektakli futbollistik i së dielës a i së shtunës, për të çlodhur familjen qytetare në një fund të javës, për të përjetuar emocione të një etike e estetike sportive, të një shpirti sportiv dhe kulturor së bashku, të një mbasdrekeje apo mbrëmbjeje çlodhëse për vetë qytetin, në arenat e futbollit që në kontinentin e vjetër, dhe jo vetëm, thuajse janë shndërruar si në salla operash.

Federata Shqiptare e Futbollit në ngushtësinë e rrethit të saj po aq të ngushtë të Komitetit Ekzekutiv të saj, që padashur ndonjëherë të duket se është shndërruar gjithnjë në një zyrë po të ngushtë, ka ndikuar jo pak në cenimin e këtij kuptimi të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Futbolli shqiptar sot rrezikon të mbarështrohet në vetëm pak duar, ose prej një grupi pjesëtarët e të cilit numërohen me gishtat e njërës dorë, çka ka krijuar një largësi kilometrike të lidershipit të saj me masën e gjerë futbollistike kombëtare. Ndoshta ka ardhur koha që të organizohet qoftë dhe një herë të vetme një referendum për riorganizimin e Kampionatit Kombëtar. Po Shqipëria dihet, nuk është Zvicër… Nuk rritet cilësia e futbollit të një vendi, duke nxitur ndeshjet “e frikëshme” të tipit dalje apo mosdalje nga kategoria, një play-out të cilin kurrnjiherë Shqipëria nuk ka ditur ta mbajë nën fré. Skenat qenë të papame dhe UEFA apo FIFA, jo pak herë ndërhyrëse në punët e futbollit shqiptar, kësaj rradhe vërtet që do të shtangeshin!...

Nuk e marr të vërtetë që të ketë ndodhur ajo që diku kam lexuar këto dit: Që Komiteti Ekzekutiv i FSHF të ketë konkluduar në mbledhjen e tij të fundit: se “nuk bëjmë ndryshim të Kampionatit, përsa kohë jemi në periudhën e fundit të mandatit tonë”. Çka nënkupton se “ne nuk marrim pësipër, le ta marrin të tjerët”. E po aq nënkuptoka se këta që drejtojnë sot Kampionatin Kombëtar, nuk do të jenë më në “legjislaturën” tjetër të futbollit. Kësisoji dashkan t’i dorëzokan detyrat, detyrimet dhe përgjegjësitë 1 vit para afatit. Doemos duke vazhduar të jenë po aty. Ekzistencë e mosekzistencës!

Në dorë të kujt është Europa “jonë” e futbollit? Nuk nguroj ta përsëris për të njëmijtën herë: ndodhet në “duart” e Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Komitetit Ekzekutiv të njëanshëm të saj mbi të cilin, përveç të tjerave, endet hija “e fshehtë” e BFSSH-së së Regjimit…
TemA