E merkure, 13.11.2024, 06:17 AM (GMT)

Mendime

BDSH: Letër Parlamentit Evropian

E hene, 20.07.2009, 06:45 PM



Letër Parlamentit Evropian


Të nderuar deputet të Parlamentit Evropian,

Me 15 korrik 2009 Komisionit Evropian miratoi propozimin që të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe të mbetet në fuqi regjimi i vizave për qytetarët e  Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.

Ky propozim i shtrohet për konsultim Parlamentit Evropian para se Këshilli i Evropës të sjellë vendimin përfundimtar.

Më lejoni që në emër të Bashkimit Demokratik Shqiptar t’ju përcjell shqetësimet tona lidhur me këtë çështje duke shpresuar se konsultimet që do t’i bëni paraprakisht këtij propozimi do të ndikojnë që të hiqet ambiguiteti  dhe Këshilli i Evropës të sjell një vendim të drejtë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Të nderuar deputet të Parlamentit Evropian,

Fillimisht po vë theksin se miratimi i propozimit të Komisionit Evropian që të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe të mbetet në fuqi regjimi i vizave për qytetarët e  Shqipërisë, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës ka provokuar efekte të menjëhershme:

- Nga njëra anë, Serbia e inkurajuar nga argumentimet se gjoja “ka plotësuar kushtet në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” ndërmori operacione të gjëra të terrorit policor kundër popullit shqiptar në Luginën e Preshevës.

- Nga ana tjetër, në Maqedoni ka filluar propagandimi se në këtë shtet qarkullojnë ndërmjet 50.000 dhe 100.000 armë pa leje. Kjo propagandë, që është ripërsëritur shpesh në të kaluarën, ka shërbyer dhe shërben si maskë për operacionet e dhunës policore kundër popullit shqiptar në Maqedoni.

Propozimi i Komisionit Evropian që të hiqet regjimi i vizave për qytetarët e këtyre shteteve dhe interpretimi i këtij propozimi si sinjal për të intensifikuar dhunën kundër shqiptarëve duhet të alarmojnë institucionet e Bashkimit Evropian.

Sjelljet e institucioneve shtetërore të Serbisë dhe Maqedonisë janë në kundërshtim të plotë me parimet mbi të cilat funksionon Bashkimi Evropian. Arroganca e qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë dhe mospërfillja e rekomandimet që dolën nga Samitet e BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Zagreb ( 24 nëntor 2000) dhe të Selanikut ( 21 qershor 2003) janë arsye që imponojnë rishikimin e politikës e zgjerimit të BE-së ndaj këtyre shteteve.
Vlerat e demokracisë, shteti  i së drejtës, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, rregullimi paqësor i konflikteve, bashkëpunimi rajonal,  pajtimi ndëretnik dhe shumë parime të tjera mbi të cilat mbështetet vizioni i Evropës demokratike janë aspirata të popujve dhe demokratëve të mirëfilltë të këtyre shteteve që janë objekt i dhunës nga klanet kriminale të korruptuara që jenë akomoduar në strukturat udhëheqëse të institucioneve shtetërore.

Bashkimi Evropian duhet t’ua bëjë me dije këtyre shteteve se pa përmbushjen e të gjitha rekomandimeve të BE-së dhe pa zbatimin në praktikë të vlerave mbi të cilat mbështetet funksionimi i institucioneve të BE-së rruga e integrimeve është e mbyllur.

Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë me dije Serbisë se pajtimi rajonal kalon në mënyrë të pashmangshme përmes pranimit të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që ky shtet ka ushtruar kundër popullit shqiptar dhe atij boshnjak, dëmshpërblimit moral dhe material të dëmeve të shkaktuara nga ky shtet dhe heqja dorë nga stereotipat e regjimeve të mëparshme të këtij shteti.

Gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit përbëjnë veprat më të rënda që janë në kundërshtim me vlerat euro- amerikane.

Kushti që Serbia të njohë gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit që ka shkaktuar një dekade është po aq legjitim sa kërkesat e vazhdueshme të personaliteteve politike të Evropës që Turqisë të njohë gjenocidin kundër popullit armen të ndodhur një shekull më parë.   

Kushti që Serbia të njohë shtetin e pavarur të Kosovës në tërësinë e saj territoriale është po aq legjitim sa kërkesat e vazhdueshme të personaliteteve politike të Evropës që Turqia të njohë shtetin e Qipros në tërësinë e vet territorial.

Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë me dije Maqedonisë se pajtimi rajonal kalon në mënyrë të pashmangshme përmes realizimit konkret dhe në tërësi të Marrëveshjes së Ohrit, të heqjes së diskriminimit racial kundër shqiptarëve dhe aplikimit të standardeve demokratike në funksionimin e shtetit.

Bashkimi Evropian duhet t’ia bëjë me dije Malit të Zi se respektimi i të drejtave të shqiptarëve, krahas obligimeve që dalin nga vlerat dhe standardet evropiane, kanë edhe obligim moral për rolin e madh që luajtën shqiptarët në pavarësimin e këtij shteti nga thundra dhe tutela e Serbisë.
 
Të nderuar deputet të Parlamentit Evropian,

Bashkimi Demokratik Shqiptar përshëndet liberalizimin e vizave dhe e konsideron si një hap të madh për qytetarët e shteteve të lartpërmendura, të cilët deri tani kanë pësuar izolimin nga një pjesë e vlerave euro perëndimore për arsye të papërgjegjshmërisë së udhëheqësve të tyre politik.

Bashkimi Demokratik Shqiptar shpreson se gjatë konsultimeve të propozimit do të shihni të domosdoshme që autoritetet e BE-së t’ua bëjnë me dije institucioneve shtetërore të Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi se liberalizimi i vizave nuk është inkurajim për të vazhduar politikat e tyre antishqiptare por qëndrim në përputhje me vlerat mbi të cilat mbështetet krijimi i Evropës së re politike.

Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon nga autoritetet e BE-së që gjatë miratimit të propozimit të Komisionit Evropian nga institucionet tjera të BE-së të përfshihen edhe Shqipëria, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina. Në të kundërtën, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, në vend të bashkëpunimit rajonal që kërkon BE-ja, do të aplikojnë izolimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Të nderuar deputet të Parlamentit Evropian,

Mbesim me shpresë se rekomandimet e juaja do të ndikojnë që vendimi i Këshillit të Evropës të jetë një vendim që zgjeron liberalizimin e vizave edhe për qytetarët tjerë evropian të Ballkanit Perëndimor.

Bardhyl Mahmuti
Kryetar
Bashkimi Demokratik Shqiptar

20 korrik 2009
Tetovë


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora