Kulturë
Halil Haxhosaj: Historia e kohës pasqyruar në roman
E hene, 20.07.2009, 06:08 PM
HISTORIA E KOHËS PASQYRUAR NË
ROMAN
Udha
vetëm bahet veç kur shkon në vorr
Popullore
Dhuna dhe eksodi te shqiptarët
Romani “Kur ta
kthyem Kosovës shpinën”, botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë,
2008, i autorit Sulejman Aliçkaj është një pasqyrim real i një kohë të
turbulluar të historisë sonë më të re. Titullin e romanit të vet autori e ka
marrë nga një kënga popullore e rapsodit tonë të mirënjohur Dervish Shaqa, “Kur ta ktheva Kosovë shpinën”, që në
mënyrë simbolike i përshtatët tematikës së trajtuar në roman. I tërë materiali
i zgjedhur për trajtim nuk është i rastësishëm, sepse autori depërton edhe
nëpër qelizat e ndijimeve personale, apo siç quhet ndryshe, ai shpreh edhe disa
elemente autobiografike në roman. Kjo ndodh tek shumë krijues të zhanreve dhe
gjinive letrare. Në qendër të romanit është mërgimi i të rinjve shqiptarë të
Kosovës gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ky në njëfarë forme nuk
ishte mërgim, por ishte një përndjekje e rinisë shqiptare të Kosovës nga
pushtuesit serbë. Format për ndjekje ishin nga më të ndryshmet, të cilat në
mënyrë artistike autori Sulejman Aliçkaj i pasqyron në romanin e tij. Strukturimi
i kësaj tematike kapërdihet në njëzet e tre kapituj që nis me prologun dhe përfundon
me epilogun e romanit. Secili prej kapitujve emërtohet nga autori, pra secili
ka titullin e vet, çka i bën edhe tregime në vete që bashkohen me strumbullarin
kompozicional të romanit. Forma kompozicionale e ndërtimit të fabulës nuk është
simbolike, madje as hermetike, por është reale dhe e hapur. Kjo e fut romanin
në zhanrin e veprës realiste, e pse jo të një realizmi kritik. Në qendër të romanit
është i riut 19 vjeçar Lendim Ashti, i cili detyrohet të shpërngulet jashtë
atdheut për shkak se jeta i bëhet e pamundur. Nuk i bëhet e pamundur vetëm
jeta, por edhe shkolla, dashuria me Vesën, loja, studimet, dasmat e ahengjet,
prindërit e farefisi. Dhe shpëtimin e gjen duke marrë rrugën e mërgimit. Niset
asaj udhe të mallit, të ofshamës, të nëmës e të rrezikut. Dhe malli e mallkimi
njëjtësohen me vargjet e këngës “Kur ta
kthyem moj Kosovë shpinën” që bëhet titull i këtij romani. Kjo nisje nuk
është e vetme. Kjo rrugë nuk është vetëm e Lendit, por bashkë me të ka plot e
përplot të rinj të tjerë si ai. E këtyre vargjeve u shtohet pesha e mallkimit
sepse del në sipërfaqe thënia: “ Udha
vetëm bahet veç kur shkon në vorr”. Kjo dilemë dialektike shpon mendjen e
të rinjve tanë të cilët sa i lehtëson në fillim, dikur edhe më shumë i ngarkon
me peshën e saj.
Jeta dhe peripecitë e saj janë unike në romanin e
Sulejman Aiçkajt. Ajo edhe pse ambientohet edhe me toponimin e fshatit Rrezar
dhe të krahinës së Dukagjinit, ka shtrirje të gjerë. Dhe thuajse gjëmimi i saj
është i njëllojtë gjithkund, në secilën pëllëmbë të
Kosovës, në secilën qelizë
të saj në fund të shekullit të XX-të. Pesha dhe tmerri i kësaj jete sa vinte e
rëndohej, sa vinte e bëhej më e padurueshme. Autobusët mbusheshin jo vetëm me
të rinj, por edhe me familje të tëra, me teshë e koteshë, me fëmijë e kalamaj, siç
i thonë fjalës. Ky ishte karvani i përndjekjes biblike e të disates herë me
radhe për shqiptarët e kësaj treve. Ata i nënshtrohen presionit të shpërnguljes
për të mos u bërë arkivole, për të mos vdekur, por për të mbetur gjallë, që
herë do kurdo t’i dalin zot Kosovës. Mbase, ky është njëri ndër mesazhet
dominonte në këtë roman të Sulejman Aliçkajt. Kryepersonazhi gjen të bashkuar
mërgatën shqiptare atje ku mbërrin. Edhe ai inkuadrohet me sukses dhe jep
kontributin e tij. Sa herë që e lyp nevoja ndihma e Lendit dhe moshatarëve të
tij nuk mungon. Por, ai e mban lidhjen edhe me familjen në Kosovë. Më se shumti
ia ka dertin babait, i cili ishte moti i renditur në lëvizjen për çlirimin e
Kosovës nga serbët. Edhe për nënën e motrat përmallohet. Por malli i veçantë e
kapërthen për Vesën, të dashurën. Këtë dashuri ai e sakrifikon për vete dhe
atdheun e tij. Këtu duket se del maksima e njohur romantike e rilindësve tanë
që për dashuri jepnin jetën, kurse për atdhe jepnin edhe dashurinë. Edhe Lendi
e shndërron dashurinë ndaj Vesës në mall e dhimbje, por ajo do të sendërtohet,
kur të fitohet liria e shumëpritur. Sulejman Aliçka
Mërgimi, mërgimtarët dhe kthimi
në atdhe
Në mbarë mbarështimin letrar të romanit “Kur ta kthyem Kosovë shpinën” të
Sulejman Aliçkajt, frymon indi i kthimit në retrospektivë të disa ngjarjeve dhe
situatave artistike. Kjo bëhet në mënyrë të suksesshme, sepse autori ia arrin
t’i skalitë mirë të gjitha ngjarjet që i merr për t’i trajtuar, duke futur edhe
elemente biografike. Dhe lexuesi njihet edhe më maltretimet, burgosjet,
terrorin, përndjekjet dhe masakrat e ndryshme që i bëhen popullit shqiptar të
Kosovës nga ushtria dhe policia serbe. Kjo shpjegohet mirë nga autori, pa
ndonjë ngurrim, apo stagnim të situatës. Edhe ardhja në arkivole nga ish Armata
jugosllave e të rinjve shqiptarë, edhe burgosjet, maltretimet, kërkimi i
armëve, janë peizazhe ngjethëse në roman. Andaj, autori S. Aliçkaj ia arrin me
sukses që ta gjejë një “mes të art artistik” në gërshetimin e gjithë kësaj ane
reale të historisë sonë më të re. Dhe kjo përkon me “S’ka të tashme, koha s’fal dhurata”, thotë poeti dhe shkrimtari i
njohur Zhak Prever. A nuk ishte e këtillë një pjesë e kohës në dekadën e fundit
të shekullit XX për shqiptarët e Kosovës? Sigurisht se po! Por, kjo nuk do të
zgjatë shumë sepse djemtë tanë radhitën në aradhet e para të UÇK-së dhe ia
sjellin lirinë Kosovës. Lendim Ashtës edhe pse shkijet ia mbysin babanë me
maltretime për shkak se nuk e qet kallashin që ia kërkojnë, zëri i kushtrimit
të luftëtarëve të UÇK-së atij ia zbut dhimbjen, Kosovës ia sjell lirinë e më
vonë edhe pavarësinë.
Romani i Sulejman Aliçkajt sjell një pjesë të kësaj historie në
letërsinë tonë. Kjo prurje përkon më krijimtarinë letrare të këtij lloji që
shkruhet sot në krijimet letrare. Andaj, me plotëni mund të themi se edhe ky
autor ia arrin t’i shfaqë këto aspirata në lëmin e letërsisë. Dhe, pse jo, këtë
e bën me sukses, këtë e bën me përkushtim. Prandaj romani është njështresor, i
kapshëm dhe interesant për lexuesin, të cilin besoj se do ta ketë dhe nuk do t’i
mungojë. Këtë e ilustron më se miri thënia popullore: “Udha vetëm bahet veç kur shkon në vorr”, që mbisundon në romanin
“Kur ta kthyem Kosovë shpinën” të
Sulejman Aliçkajt.