E premte, 27.12.2024, 08:24 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Të papriturat e Himarës magjike

E enjte, 30.08.2007, 07:23 PM


Fluksi i pushuesve këtë vit, veçanërisht në periudhën 15 korrik-15 gusht, konsiderohet nga më të lartët

Sezoni i sivjetshëm veror turistik, megjithëse e gjeti Himarën ashtu si edhe vjet, me pak ndryshime relaksuese për pushuesit , ishte i mbarë për banorët që lëshojnë vila dhe apartamente me qira dhe bizneset e shumta. I vetmi investim i ri, këtë vit, në Himarë ishte zgjatja me rreth 100 metra e një shëtitoreje buzë detit, në lagjen Potam, shëtitore që ka rreth 10 vjet që ka filluar dhe nuk arrin të përfundojë, sepse gjithmonë mbarohen fondet e Bashkisë. Por edhe kjo shëtitore është jashtë funksionimit, sepse ndërpritet në mes, ngaqë nuk është bërë një urë e vogël, poshtë të cilit kalonte dikur një përrua, që t'i bashkojë të dy anët e saj. Turistët, në këtë mënyrë, mbasi shijojnë ecjen 100 metra mbi këtë segment të ashtuquajtur "lungo mare" detyrohen të devijojnë në rrugën kryesore, ku kalojnë mes pluhurit automjetet që shkojnë më tej drejt Sarandës. Vetëm ky rrip betoni buzë detit është e reja në infrastrukturë, që ofron këtë vit Himara magjik, me plazhet e saj të kaltra, të rralla në krejt Jonin.

Pasionantët e "Jonit" nuk pyesin për infrastrukturën e dobët

Megjithatë, ata që kanë shkuar një herë me pushime në Himarë, nuk e harrojnë asnjëherë dhe kërkojnë të kthehen sërish, pavarësisht se mungojnë edhe kushtet cilësore për një pushim të vërtetë komod, ashtu si në vendet fqinje. Pavarësisht mungesës së infrastrukturës, turistët periferikë të Himarës, e vizitojnë atë nga mrekullia që natyra i ka falur kësaj zone. Banesat e vjetra apo apartamentet e ish-pallateve të oficerëve, të ndërtuara buzë detit në vitet e komunizmit, jepen me qira, me çmime të larta, që arrijnë kulmin në sezonin 15 korrik-15 gusht, deri në 50000 lekë për 14 ditë, afërsisht 3500 lekë nata, pa ushqim, ku mungojnë jo vetëm kondicionerët, por dhe TV, apo uji që vjen me orar, po ku nuk mungon asnjë sekondë energjia elektrike. Por duket se të apasionuarit mbas detit, mbas gjuetisë së peshkut, pastërtisë së ujit dhe të ndërthurjes së natyrës së freskët malore me aromën e Jonit, ku perëndimi i diellit zhytet në kaltërsinë e tij, pavarësisht këtyre çmimeve të larta, janë frekuentues të rregullt.

Himara, me të papriturat e saj për ata që e kanë për herë të parë

Porti i vjetër i Himarës, ku veç peshkarexhave vendase, herë pas here vizitohet nga jahte luksoze turistësh të huaj, megjithë projektet e pafund mbetur në sirtaret zyrtare, është gërryer këtë vit më shumë nga fortunalet dimërorë, sa edhe peshkarexhat e kanë të vështirë të ankorohen. Por, megjithatë, porti ngjall kuriozitet për të gjithë vizitorët, se është krijuar poshtë një kodre thikë mbi det si dhe nga e kaluara e tij, ku askush nuk mund t'i afrohej, sepse ruhej me roje të shumta për të ndaluar çdo zbarkim armik. Sipër tij, mbi kodër, krahas një reparti ushtarak që akoma funksionon, ndodhet godina e pushimit të punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, dikur shkolla dhe konvikti i shkollës së mesme bujqësore, që nxirrte specialistë për të kultivuar ullinj dhe agrume. Gjallërinë e vërtetë porti e merr në mbrëmje, kur peshkarexhat e vjetra afrohen në mol dhe qindra plazhistë peshkshijues si dhe turistë kuriozë mblidhen për të parë gjahun e detit. Sasia më e madhe e peshkut, karkalecave dhe molusqeve të freskëta, direkt nga anijet blihet nga pronarët e lokaleve, jo vetëm të Himarës, por dhe ato nga Dhërmiu e Vlora. Ndërsa turistët e ardhur janë të detyruar të presin dhe të blejnë ato çka mbeten, kryesisht peshk me cilësi të dobët dhe me çmim të lartë, nganjëherë edhe më të shtrenjtë se në Tiranë. Kjo sigurisht ndodh tani në pikun e turizmit, kur Himara mbushet plot me të ardhur, se në sezone të tjera, në qershor apo në fund të muajit gusht, por edhe në shtator, pronarët e peshkarexhave të luten për të blerë peshkun e freskët me çmim të lirë. Ata që e kanë për herë të parë ardhjen në Himarë dhe me të dëgjuar pak të ekzagjeruar, ndihen të zhgënjyer se nuk gjejnë peshk të freskët për të blerë këtë sezon në peshkarexha. Të detyruar u drejtohen pastaj lokaleve në mbrëmje, ku merluci i blerë nga pronarët e lokaleve, në sytë e tyre, në anijet e peshkimit me 800 lek/kg, iu serviret me 1500 lek/kg, ndërsa karkaleci që nga anijet shitet me 500 lek/kg, në menu shënohet me 600 lek një pjatë me disa copë karkaleca, për të mos shkruar për çmimet e larta që pësojnë nga anijet në lokale, kallamarët, oktapodët apo llojet e tjera të peshkut. Gatimi i peshkut, nga ana tjetër, nuk tregon asnjë lloj kulture cilësore, thjesht një skuqje në një kazan vaji të nxehur dhe më pas direkt në pjatë, me një fetë limon, a thua se nuk je në vendin e plantacioneve të limonave. Nuk bëhet fjalë për asnjë garniturë tjetër në sallata, përveç domateve të përzjera tek-tuk me ndonjë copë djathë, të cilësuar "sallatë greke" dhe po t'u kërkosh kamarierëve, që shumica janë të rinj, të punësuar nga zona veriore të vendit, diçka më tepër, të shikojnë me habi. Në Himarë ka edhe tironsa pronarë lokalesh që shkojnë aty, jo vetëm për të pushuar, por dhe për të fituar. Një prej tyre është edhe Petro, një biznesmen nga Tirana, që njihet për hobin e tij në disa lokale të Tiranës, për gatime cilësore. Ai, duke marë me qira një lokal buzë detit në Himarë, me emrin "Porta e Vjetër", tenton të tërheqë sa më shumë klientë, kryesisht nga Tirana.

Në gjiun e Filikurit, natën e martesës

Por të papriturat në gjirin e famshëm himariot, duke lënë pas komoditetet dhe ushqimin e dobët, janë të shumta, kjo jo më tepër nga kujdesi i banorëve se sa nga natyra, që me bujarinë e saj i ka falur çdo të mirë kësaj zone. Në lindje të Himarës ndodhet gjiu i famshëm i Filikurit, ku nuk shkohet dot me rrugë automobilistike, por vetëm me varka, tani edhe më të mundimshme, sepse atyre u ndalet motori. Ky gji, ku ndodhet një burim me ujë të pastër që del nga një shpellë poshtë malit, sipas të moshuarve, ruan një të fshehtë për çiftet, të cilët, për të patur një jetë të lumtur dhe me fëmijë, duhet të shkojnë natën e parë të martesës aty.

"Uliksi" i plazhit të Llamanit mbron daljen e tunelit nën ujë të nëndetëseve

Por pak më tej Filikurit është një gji tjetër fantastik, që tashmë është bërë i njohur si Llaman Beach, ku një personazh himariot, me pseudonimin Uliksi, i vënë nga turistët e përhershëm, sepse ka lënë një mjekër që e mban pak si shumë të kriposur nga deti, e ka bërë të funksionueshëm, duke hapur një rrugë për vetura dhe duke çuar ujin. Uliksi modern, tashmë i vetëquajtur zot i Llaman Beach, it, ka disa vite që i merr çdo veture turistike për parkim 100 lekë, por nga fitimet e parkimit ka hapur edhe një bar-restorant, ku përsëri mungesa e kuzhinerëve të bën që, po hëngre drekë një herë, të mos kesh kuriozitet të shkosh përsëri. Megjithatë, gjiu i Llamanit, që edhe në rast se nuk ke veturën tënde, mund të shkosh me taksi nga Himara për 1000 lekë vajtje-ardhje, duke i lënë sigurisht orarin e kthimit taksixhiut, është një perlë e rrallë natyrore e Jonit. Edhe aty, nga malet sipër detit burojnë ujëra të kristalta, duke larguar tej në thellësi, larg bregut, shijen e kripës. Në rast se shkon me varkë pak më tutje gjirit, shikon daljen e portës së çeliktë të tunelit të strehimit të nëndetëseve, të hapur në kohën kur vendi ruhej nga armiqtë e shumtë. Hyrjen, ky tunel nënujor, e ka nga ana e kalasë së Ali Pashait, një gji tjetër i rrallë i Himarës.

Mbrëmja në Himarë, disko xhungle, poshtë ullinjve

Akoma më pasionante bëhet mbrëmja në Himarë, veçanërisht këtë sezon kur, krahas turistëve të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, zbarkojnë me autobusë dhe anijet-traget nga ishujt e Greqisë për pushime, rinia e qytetit bregdetar. Ka mes tyre që janë larguar prej 17 vitesh dhe mundohen të shqiptojnë vetëm disa fjale shqip. Kënaqësia më e madhe është xhiroja rreth-rrotulluese me rroba shumëngjyrëshe në rrugën kryesore, prej më pak se 400 metra, që përshkohet edhe nga kamarierët, të cilët shërbejnë kafetë dhe pijet në lokalet buzë detit. Por mbas orës 23.00, rinia himariote tërheq në ritmet e saj edhe grupet alegro turistike në diskot e improvizuara poshtë ullinjve, duke kërcyer një tip dansi të kapur të gjithë, bel mbas beli, rreth një zjarri të improvizuar, që në orët më të vona, po ta shijosh, duket sikur je në një xhungël të vërtetë. Këtu, me këtë vallzim që vazhdon deri afër mëngjesit, kur edhe peshkarexhat nisin udhëtimin e tyre, lindin edhe disa premtime për takime të mëvonshme.

Paraqitja zyrtare turistike

Fluksi i pushuesve, këtë vit, veçanërisht në periudhën 15 korrik-15 gusht, konsiderohet nga zyrtarët e Bashkisë së Himarës nga më të lartët. Sipas tyre, infrastruktura e përmirësuar, që bie në sy pak kilometra, në afërsi të fshatit Palasë, ofron më shumë mundësi për frekuentimin e plazheve. Rruga e rikonstruktuar vazhdon deri tek 'Kthesa e Kampit', në fshatin Dhërmi. "Po më tej"- pyesim? Asnjë përgjigje. Nga Dhërmiu deri në Himarë, ndërsa po të kishte tragete përshkohej për 15 minuta, duhen me automjete më shumë se 1 orë në rrugë të vështirë, të pashtruar, plot kthesa të rrezikshme për të mbërritur në Himarë. Megjithatë, frekuentimi ka qenë mjaft i lartë, edhe nga mijëra pushues ditorë. Gjatë fundjavave, në rrugën që të çon në bregdet shikon automjete me targa të të gjitha rretheve të vendit dhe të emigrantëve të vendeve fqinje. Mes tyre spikasin ato të Tiranës, Korçës, Librazhdit, Beratit, Kosovës, krahas atyre të Durrësit, Shkodrës, Fierit, Lushnjës. Por Bashkia është e varfër dhe pritet të zbatojë një sërë projektesh në infrastrukturë, që arrijnë në vlerën e ulët të 27 milion lekëve. Por Bashkia ka edhe të dhëna. Sipas tyre, aktualisht të ardhurat që siguron bashkia nga sezoni turistik, përbëjnë 50 për qind të buxhetit vjetor të saj. Destinacioni i këtyre të ardhurave përcaktohet me vendim të Këshillit Bashkiak. Në Himarë funksionojnë 70 njësi akomodimi dhe numërohen rreth 1300 dhoma apo apartamente që jepen me qira, kundrejt çmimeve të ndryshme.

Himariotët thonë se moszgjidhja e pronave mban larg investimet turistike

Duket se edhe banorët vendas tashmë janë mësuar me këta klientë të përvitshëm dhe pak ndryshime bëjnë në banesat e tyre. Thoma Nerënxi , një plak himariot rreth 80 vjeç, që nxjerr çdo mbrëmje me të shoqen e tij, Patra, varkën për të hedhur rrjetat, thotë se akoma nuk ka plan për t'u zhvilluar Himara dhe secili, sipas hesapit të tij, krijon çdo vit nga pak komoditet për turistët verorë. Këtë vit, xha Thomai ka rregulluar banjën dhe një aneks të vogël për gatim dhe dhomën e jep 50000 lekë për 15 ditë. Djemtë dhe vajzat i ka në Greqi xha Thomai dhe zakonisht i vijne në gusht nja dy javë sa për t'u çmallur, por shprehet i pakënaqur sepse akoma nuk është zgjidhur problemi i pronave dhe sepse një pjesë të bahçes ia ka marrë rajoni i Policisë. Xha Thomai thotë se po nuk u zgjidh problemi i pronave, kështu do të vazhdojë turizmi këtu. Në fakt, një pjesë e pronarëve në Himarë kanë edhe probleme të pazgjidhura brenda fisit për pronat e tyre. Kjo është e dukshme jo vetëm nga gjyqet e hapura, por më tepër nga gardhet me drurë të shtrëmbër pa fund që ndajnë shtëpitë nga njëra-tjetra si dhe nga hapja e puseve për ujë që hapin pronarët e të njëjtit fis, në garë me njëri- tjetrin se kush e shpon më thellë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora