E enjte, 14.11.2024, 10:54 PM (GMT)

Mendime

Feti Zeneli: Disa gazetarë, si “personazhet” e emisionit “Koha për t’u zgjuar”

E enjte, 09.07.2009, 05:23 PM


Disa gazetarë, si “personazhet” e emisionit “Koha për t’u zgjuar”

Nga Feti Zeneli

Artikujt dhe komentet mediatike postzgjedhore, të një pjese gazetarësh të rreshtuar në skalionet partiako-politike të Edi Ramës, të kujtojnë ligjëratat vajtuese dhe anatemuese të disa qytetarëve të thjeshtë në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, të cilët vazhdojnë të “trimërohen” step by step, këto ditë, në anën tjetër të telefonit, megjithë këshillat e gazetarit të mirënjohur z. Bashkim Hoxha për “qytetari dhe maturi” në fjalorin apo logjikën që përdorin. Por të tillë telendarë mezi i frenon kur i ke ballëpërballë dhe jo disa kilometra larg të fshehur pas receptorit të telefonit, ndaj në disa raste, z, Hoxha, me mjaft edukatë e mirësjellje detyrohet t’i paralajmërojë se, “do t’ju mbyll telefonin, nëse vazhdoni më këtë fjalor”. Megjithatë reflektimi është mjaft i rrallë. Sidoqoftë “mbyllja e telefonit” është një zgjidhje për t’u mbyllur gojën këtyre individëve dhe për t’u hapur sytë e veshët e ndërgjegjes dëgjuesve të shumtë, paçka se ngjan një mënyrë jo shumë demokratike. Po ç’të bësh kur “telefoni” ka formën e kolonave të shkrimit në gazetë apo mikrofonave në studiot televizive dhe disa gazetarë i përdorin këto mundësi komunikimi në të njëjtën mënyrë siç bëjnë një pjesë qytetarësh në emisionin “Koha për t’u zgjuar”. Natyrisht ata nuk flasin me gjuhën rrugaçërore apo armiqësore të “personazheve” të Bashkim Hoxhës duke e quajtur Ilir Metën; “qen”, “qelbësirë”, “i pabesë”, “kollovar”, etj., por në vlerësimet që bëjnë dhe opinionet që japin e dënojnë kryetarin e LSI-së për pjesëmarrjen në koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Disa tituj shkrimesh dhe artikulime televizive të tyre, të cilat vlerësojnë si të drejta vetëm veprimet dhe fjalimet e Edi Ramës, duke kundërshtuar çfarëdo zgjidhjeje tjetër që vjen nga kundërshtarët e tij politik a partiakë, ta shpifin më shumë sesa fjalët banale që përdorin qytetarë të veçantë në emisionin e Bashkim Hoxhës. Është fatkeqësi që mentaliteti i këtyre gazetarëve të bjerë në nivelin e militantizmit të disa njerëzve të rëndomtë, të cilët kujtojnë se akoma votojnë si në kohën e Enverit, kur vota konsiderohej “plumb për armikun”, duke mos e kuptuar se, në këtë rast gazetaria nuk është më një mision publik, por shndërrohet në agresion politik.

Dhe është e rëndë për një vend demokratik, kur ky “agresion” maskohet me petkun e pavarësisë së “pushtetit të katërt”. Kujtdo mund t’i falet shpërdorimi i demokracisë, por kurrsesi gazetarëve që konsiderohen si misionarë të fjalës së lirë. Kohë më parë, këtë gjuhë e gjykim gazetaresk mezi pranonim ta shihnim edhe në faqet e gazetës “Zëri i Popullit”, artikujt e së cilës reflektonin ende ideologjinë e “trakteve partizane”. Por ka disa muaj që ajo ka ndryshuar shumë në paraqitje, qëkurse Erion Braçe u zëvendësua si kryeredaktor. Sidoqoftë, kjo është një strategji e Edi Ramës, për t’ua transemtuar disa gazetave e mediave të tjera, gjasme të pavaruara, misionin 67-vjeçar të gazetës “Zëri i Popullit”, pasi në këtë mënyrë efekti i “kushtrimit partizan” përçohet më mirë tek “socialistët e thjeshtë të ditëve tona”. Kësisoj, militantët e majtë nuk na dalin më “egërsira” sesa disa gazetarë të pavarur, që duan “të hanë mish njeriu” për pushtet. Ishte e justifikueshme njëfarë ekstremizimi gazetaresk para zgjedhjeve të 28 qershorit, me qëllim që të ndikonin sa më shumë në elektorat, për ta “binduar” atë të votonte për Edi Ramën. Po tani që humbi Rama, kujt i duhet një ekstremizëm i tillë? Ai nuk mund të merret as si “këngë vaji”, nëse këta gazetarë nuk e kanë kuptuar akoma se humbja e Edi Ramës nuk është “përmbysje e botës” në interesat e tyre të ngushta materiale.

Por në të vërtetë, humbja e Edi Ramës është fitore e Shqipërisë, pasi në të kundërt vendi do të binte në duartë e një aventurieri të papërgjegjshëm. Kjo gjë u paralajmërua qysh para fillimit të fushtës elektorale, kur Edi Rama dhe klientët e tij të lejeve të ndërtimit iu futën “detit në këmbë”, pa një program të qart qeverisës. Do isha shumë i lumtuar sikur këta ithtarë të paparë të Edi Ramës të më kujtonin qoftë edhe një objektivë konkrete të programit elektoral të PS. Kësisoj fushata u konceptua si një betejë luftarake, që fitohet duke sulmuar dhe asgjësuar kundërshtarin. Ishte kjo arsyeja që në debatet publike të ish-kandidatëve për deputetë, nga përfaqësuesit e Edi Ramës dëgjonim vetëm “oponencë” të arritjeve qeverisëse të demokratëve dhe thirrje që të mos e votonin Ilir Metën, pasi “vota për të është votë për Berishën”. Pra ai e përgatiti “ushtarakisht” kryesinë dhe anëtarësinë e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit ’09, të cilat jo vetëm nga komuniteti ndërkombëtar, por edhe nga shqiptarët shikoheshin si një rast i art për t’u shfrytëzuar lidhur me mbylljen e ciklit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Protestat e Fierit dhe artikulimet e përditshme revolucionare nga foltorja e selisë së PS-së janë “vazhdim i politikës me mjete të tjera”, sikundër e përkufizon “luftën” teoria marksiste-leniniste. Kur shikon sjellje e veprime të tilla të Ramës dhe përfaqësuesve të tjerë politikë të Partisë Socialiste, nuk ka se si, mirënjohja të mos shkojë tek ata qindëra mijë shqiptarë, të cilët ia treguan vendin me votë këtij njeriu të papërgjegjshëm, por edhe tek vendimi i Ilir Metës dhe mjaft politikanëve të tjerë të përgjegjshëm të LSI-së për të shmangur këtë moment krize, duke iu bashkëngjitur qeverisjes së “Aleanca e Ndryshimit”. Fjala ishte për një qeverisje të qëndrueshme, pasi me 71 deputetë “Koalicioni i Ndryshimit” e krijonte i vetëm qeverinë. Por nëse Ilir Meta nuk do të përfshihej në koalicionin qeverisës, atëherë Rama do ta kishte më të lehtë të sulmonte qeverinë “Berisha 2” dhe të krijonte destabilitet në vend. Por Meta u soll si një politikan dhe shqiptar i vërtetë në këtë situatë, duke i hequr kështu çdo mundësi Ramës që të luaj më tej me fatet e Shqipërisë dhe demokracisë. Kësisoj, unë ua fal “personazheve” të emisionit “Koha për t’u zgjuar” ta shajnë mbarë e mbrapsht Ilir Metën apo të thonë se, “Iliri më mirë të bashkohej me serbin sesa me Berishën”, por nuk ua fal këtë gjuhë armiqësore disa gazetarëve të papërgjegjshëm që e njollosin këtë profesion të nderuar duke e anatemuar me të njëjtin fjalor kryetarin e LSI-së dhe veprimin e tij për të bashkëqeverisur me Sali Berishën. Ata nuk janë kaq vulgarë e injorant që nuk e dinë se, ku të çonte qëndrimi “përtej të majtës e të djathtës” i Ilir Metës, në një kohë që Shqipëria pret miratimin e statusit të vendit kandidat për në BE dhe liberalizimin e shpejt të vizave me vendet e Bashkimit Europian. Aq më tepër e dinë se, ç’krizë prodhon  bashkimi i LSI-së me PS-në në emër të “idealeve komuniste e partizane”, duke krijuar një opozitë me 69 deputetë dhe një mazhorancë me 71 deputetë. Bashkëqeverisja e të djathtës me një parti apo fraksion të majtë nuk është ndonjë “çudi shqiptare”, pasi në Europë ka plot shembuj të tillë. Nga ana tjetër për ne, kjo nuk është një dukuri e viteve dymijë por një eksperiencë e viteve nëntëdhjetë. Të gjithë e kanë parasysh që qysh pas zgjedhjeve të 22 marsit ’92, në qeverinë e demokratëve, të kryesuar nga Aleksandër Meksi ishte përfshirë edhe partia e Skënder Gjinushit, që kryesohet nga një prej komunistëve më ekstremistë të këtij vendi. Në atë kohë nuk patëm anatemime apo paragjykime të tilla, megjithëse të majtët e asaj kohe ishin më fanatikë se sot. Po cila është arsyeja, që “armiqësinë për së gjalli”, midis të majtës dhe të djathtës në Shqipëri ta shikojmë më prezente dhe më kërcënuese se kurrë sot, pas 17 vitesh demokraci? Sigurisht, brumosja me idealet e “revolucionit demokratik të vonuar” të ’97-ës dhe “pluralizmin e Pezës” të kryesocialistit Edi Rama, i cili mbështetësit e vet në mëngjes i nxjerrë tek emisioni “Koha për t’u zgjuar”, duke i këshilluar të thonë se, “jemi nga Skrapari, Vlora dhe Fieri”, dhe në darkë, tek redaksitë e gazetave dhe ekranet e televizioneve për të sharë e shkruar, këto ditë, për “tradhtitë e Ilir Metës” që e bashkua me Sali Berishën, që po punon për të mirën e Shqipërisë dhe jo me Edi Ramën që iu prishën projektet e bashkëpunimit qeveritar me “klientët-ndërtues” të Bashkisë. “Jemi këputur në mes duke votuar për Ilir Metën”, tha një “opinioniste” në emisionin “Koha për t’u zgjuar”, duke të krijuar kështu ndjesinë se ishte ngarkuar me “bomba e fishekë”, që disa gazetarë mendjelehtë i bëjnë objekt shkrimesh në gazetë. “Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë…”, këndojnë në jug një këngë vaji. Por, nëse perifrazojmë vargjet e kësaj kënge për të ilustruar realitetin e mësipërm, atëherë dilema se, “kë të qajmë më parë…” është e zgjidhur në disfavor të disa “personazheve” të emisionit “Koha për t’u zgjuar”…


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora