E merkure, 13.11.2024, 06:23 AM (GMT)

Mendime

Xhafer Leci: Dyfëtyrësia politike e diversantit Bedri Islami...!

E enjte, 18.06.2009, 08:48 PM


POLEMIKË

DYFËTYRËSIA POLITIKE E DIVERSANTIT BEDRI ISLAMI....!

Nga Xhafer Leci

Një shkrim të gjatë me plotë shpifje, denigrime e provokime të radhës Bedri Islami e botoi në një faqe interneti ("Pashtriku.org"). Edhe pse i përgjigjej drejtpërdrejt një gazetari aktiv, që në fillim thotë: "Reagim jo vetëm për një shkrim shpifës në gazetën "Bota Sot," që nënkupton breshëri denigrimesh edhe ndaj disa atdhetarësh të shquar të mërgatës shqiptare në Gjermani. Nuk pretendoj të flas në emër të gazetarit të "Bota sot", me idetë e të cilit Bedri Islami nuk merret, duke e dëshmuar veten si polemist arkaik, që merret me sulme personale e denigrime përmes shpifjeve. Por, unë nuk mund të hesht sidomos për atë pjesën e shkrimit, ku në shënjestër jemi unë dhe miku im Idriz Zeqiraj, edhe pse drejtpërdrejt ai nuk i përmend emrat tonë. Unë dhe Bedriu kemi qenë në shtëpinë e zotëri Zeqiraj, prandaj e ndiej për obligim që të jap disa sqarime për rastin konkret:
Po citoj së pari fjalët e vetë Bedriut: "Në jetën time dy herë jam prerë në besë. Një herë jo drejtpërdrejt, por e kam ndjerë si të tillë (fjala është për Idriz Zeqiraj, v. j.), dhe një herë drejtpërdrejt (fjala është për mua Xhafer Lecin, v.j.), nga një njeri që vinte tek unë për vite më radhë, që kishte qenë mysafir edhe në shtëpinë time në Shkodër, ai vinte familjarisht, ashtu si shkoja edhe unë, i shtroja bukë e me shtronte bukë bujarisht. Në mbarimin e luftës papritmas u bë "militant" dhe filloi me "militantizmin" më shumë kundër meje, se kundër ideve të mia."
Por, e vërteta është ndryshe. Pas mbarimit të luftës nuk jam bërë militant kundër Bedri Islamit, por kundër ideve të tij e disa të tjerëve dhe nuk kam denigurar, fyer e përçarë shqiptarët, siç bënte ai atëherë, por edhe sot. Në mes ne dyve nuk ka pasur asnjëherë ndonjë grindje personale.

Në fakt zotëri Bedriu, është përpjekë të më bindë mua se rruga politike e tij është e vetmja dhe më e drejta!? Kur e kuptoi se kjo nuk mund të shkonte te unë, atëherë ishte vetë ai që i shkëputi lidhjet me mua dhe miqtë e mi.
Sa i përket çështjes kombëtare, nuk mendoj se kam bërë diçka të jashtëzakonshme,  në krahasim me shumë të tjerë që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit tonë.
Është e vërtetë se qysh në moshën rinore vullnetarisht kam vu vetën në shërbim të interesave dhe kërkesave të popullit tim liridashës.
Në kohën e ilegales dhe të legales të viteve 1968-1981-1990-1999 kam qenë aktiv si në pjesëmarrjen e demonstratave anti-jugosllave, po ashtu edhe në organizime tjera, ku në mënyrë aktive me shokët e mi e kemi ndihmuar popullin tonë të robëruar me mundësitë e kufizuara që kishim para dhe gjatë luftës.
Me këtë dua t'i them Bedriut se kur unë kam vepruar për çështjen tonë kombëtare, zoti Bedri ka qenë në shërbime të tjera.

Kam menduar se me Bedri Islamin e kam mbyllur polemikën, por ai vazhdon me provokime. Sepse ai është shpërdorues i fjalës dhe besës, të cilat i përdorë vend e pa vend. Ai më akuzon për besë-premje, por nuk jep asnjë argument për këtë. Realisht është ai që më ka prerë në besë. Kur ka ardhur në Gjermani më 1992 na është paraqitur si demokrat i flaktë, por në fund të vitit 1998 e hoqi qyrkun e "demokratit" dhe zbuloi atë të komunistit, të cilin e ka bartur që nga fëmijëria. Më thoshte se kurrë nuk i ka interesuar politika, as që ishte marrë e as që do të merrej ndonjëherë me politikë (!?). E kam shoqëruar dhe e kam prezantuar si shok të mirë në disa tubime të LDK-së, të klubeve,shoqatave e shoqërive në Gjermani. Më thoshe se "po ta kishte Shqipëria një lider si Ibrahim Rugova, punët do i kishim shumë më mirë." Pastaj, me prevë në besë dhe drodhë qyrkun. Nuk e di a e ka shtyrë interesi apo ideologjia e vjetër. Ndoshta të dyja së bashku. Nuk u mjaftua me sharje e shpifje për të gjallë të dr. Ibrahim Rugovës, por po vazhdon edhe tash pas vdekjes së Tij. Kur i gjithë kombi po ia njeh meritat dhe rolin vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai merret me shpifje e denigrime të pacipa  kundër presidentit historik të Kosovës dr. Ibrahim Rugovës, ndërkohë që sot nuk janë më dakord me këtë qëndrim as ata që e ndërsyen dikur kundër Tij.
Ti ke shkruar se "UÇK-ja i vrau disa udbashë dhe spiunë të Sërbisë dhe tash LDK-ja po i vajton"!  Me këto etiketime të rënda, shpifëse dhe denigruese, ti i vrave për së dyti ata burra të  Kosovës martire që e bënë luftën, që i kontribuan aq shumë lirisë së Kosovës.
Pasi Ti  po e dije na trego kush janë ata udbashë që i paska vrarë UÇK-ja?
A keni mbajtë shenime se cila është tradhtia që paskan bërë ata?
Gjithkund në luftërat e botës ka disa rregulla, kur vriten spiunët e vendit apo të huaj, mbahen shenime,  duke ofruar prova dhe dëshmi për tradhtin e tyre...
Më është mbushur mendja se e ke harruar kanunin e Lekë Dukagjinit, je trimëruar shumë, pse të tjerët të kanë lëshuar rrugën, me bindjen e plotë se je vetëm një vegël në duart e padronëve tu. A nuk e dije se duke më prerë në besë mua dhe shumë mërgimtarë kosovarë nga radhët e LDK-së që të ndihmuan me u vendos me ikjen tënde po merrje një barrë të rëndë  mbi supe per historinë e diaspores kosovare.
Përmenda kanunin si vërejtje për të gjithë neve që shkruajm për të qenë më të kujdesshëm
që mos të lendojmë zemrat e atyre që kanë humbur më të dashurit e tyre.
Nxitimet e pa nevojshme mund të na sjellin probleme të paparashikuara.
Vrasjen e parë të veprimtarëve të LDK-së e bënë të paguarit e Serbisë, nën maskën e UÇK-së, ndërsa vrasjen e dytë të tyre e bëre ti, Bedri Islami, e që është po aq e rëndë sa edhe vrasja e parë. Mos e harro këtë kurrë! Një selamë, me këtë rast përmes këtij shkrimi po ia përcjelli edhe Hashim Thaçit, i cili nëse e aprovon këtë qe ti e thua publikisht, atëherë del se ai me shokët e tij të paska venë në ballë të ekipit përçarës dhe sabotues të luftës tonë çlirimtare. Tashmë ti ke hyrë në gjak me të gjitha ato familje që plumbi i tradhtisë kombëtare ua vrau bijtë e tyre në mënyrë tinëzare dhe prapa shpine. Kështu nuk kanë vra kurrë shqiptarët. Ata kanë të drejte morale të kërkojnë llogari nepermjet organeve të drejtësisë, sepse ti ke qenë në krye të asaj  "UCK-je" të sallave dhe të bulevardeve të Evropës, por jo të asaj UÇK-je të maleve dhe fushave të Kosovës. Askush nga institucionet aktuale në Kosovë nuk e ka pranuar vrasjen e veprimtareve të LDK-së. Ti shkruan dhe vret me lapsin tënd, por mos harro se familjet e të rivrarëve nga ti mbajnë shënime të sakta.
Unë të dija për të mençur, por ti qenke shumë mendjelehtë!   
Bedri Islami me të gjitha shkrimet e tij mundohet të imponohet si person i dorës të parë, gati si themelues i UÇK-së, si baba i saj. Ai e banalizon këtë UÇK, duke e identifikuar vetëm me ushtarë e komandantë të së majtës. I vonshëm duket Bedri Islami në punët e UÇK-së, sepse atë e themeloi dr. Ibrahim Rugova qysh më 1991, duke dërguar për stërvitje ushtarake në Shqipëri djemtë e Kosovës si Adem Jashari, Sali Cekaj, Zahir Pajaziti dhe të tjerë, të cilët janë edhe organizatorë të orëve të para të rezistencës së armatosur në gjithë Kosovën.
Luftë kanë bërë e po bëjnë palestinezët, kurdët, çerçenët, etj. por në mungesë të unitetit dhe dilomacisë së dobët politike e ushtarake, nuk e kanë përkrahjen e fuqive të mëdha për shlirimin e vendeve të tyre…
 
Ne, shqiptarët e Kosovës, nuk i ofruam miqësi e ngrohtësi familjare vetëm Bedri Islamit, pse ai ishte apo do të behej dikushi. Ne e kemi ndjerë për obligim njerëzor, moral  dhe material t`i ndihmojmë shqiptarët, pa përjashtim, të cilët na drejtoheshin për ndihmë. Ne kemi ndihmuar edhe Fatmir Gjuzin nga Durrësi, Sadik Dajkun nga Shijaku dhe shumë të tjerë njerëz të thjeshtë nga të gjitha trojet tona. Por, deri me tani vetëm Bedriu na akuzon për besë premë. Kësaj pune në Shqipëri i thonë bukëshkale.

Çudi! Më në fund i doli punë edhe me mikun tim, Idriz Zeqiraj. Këtë fyerje publike që i bën atij, nuk ia kishte borxh. Bedriu shkroi: "një herë jam prerë në besë jo drejtpërdrejt, por e kam ndjerë si të tillë nga një bashkë student i imi, me të cilin kemi ndarë të mirat dhe vështirësitë bisedat me të cilin për Kosovën, nga kishte ardhur në Tirane, ishin të pafundme".
Po ta praktikonte pabesinë, jam i bindur se ai do ta këmbente burgun me lirinë. Për vuajtjen me dinjitet e pa hile në burgun politik shqiptar, në mesin e tre shqiptarëve nga Kosova, në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë figuron edhe fotografia e Idriz Zeqirajt. Kjo dëshmi flet shumë dhe demanton bindshëm shpifjen e Bedri Islamit sikur gjoja e paska prerë në besë.
Fatmirësisht shumë shkrime të zotit Idriz Zeqiraj, në atë kohë janë botuar ose ribotuar në gazetat dhe revistat në Kosovë,Shqiperi dhe diasporë. Unë shfletova disa prej tyre, pashë shkrimet e tij dhe shkrimet e të tjerëve për të. Ai i përket një familjeje kaçakesh, me besë e traditë kombëtare. Që nga vitet 1945 e deri 1991, pothuajse të gjithë meshkujt e kësaj familjeje të madhe kosovare kanë vuajtur burgjet politike komuniste jugosllave. Kjo familje i ka edhe dëshmoret e rënë për liri dhe demokraci. Veprimtaria atdhetare e zotëri Idriz Zeqiraj, qysh në vitet 60-ta si normalist e pastaj si mësues, është përmendur në disa libra, bile edhe nga autorë të bindjeve ideologjike të Bedriut. Shkruhet se në Konferencën vjetore zgjedhore të rinisë në Istog ai, për herë të parë në Kosovë kërkoi publikisht lirimin dhe pafajësinë e zotit Adem Demaçi me shokë si dhe kërkesat tjera si flamurin, universitetin, barazinë kushtetuese me republikat tjera jugosllave e tjera.
Ditën kritike të vrasjeve masive në Prekaz, Sali Çekaj së bashku me Milazim Marajn ishin në Kuvendin e Nëndegës së LDK-së për Rheinland Pfalz në Gjermani, ku Idriz Zeqiraj ishte kryetar. Salihu u vu në dijeni me telefon për masakrën. Idrizi me Salihun dhe Milazimin udhëtojnë për Tiranë. Atje ndahen detyrat. Idrizi vuri në dispozicion të Kosovës (luftës) objektin me mjediset tjera anësore për logjistikën civile dhe ushtarake. Kjo bazë u bë pikë pritjeje edhe për refugjatët e luftës, prej nga bëhej shpërndarja nga Fushë Kruja deri në Shkodër.Zoti Zeqiraj ka akuzuar autoritetet shqiptare, Radio-Televizionin shqiptar si telall i komunistëve të Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe të ashtuquajturën Lëvizje Popullore të Kosovës në diasporë, si përçarëse e dorës së parë të shqiptarëve, në krye të së cilës ishte vënë B. Islami,  rrjedhimisht si sabotatore e luftës dhe shpërdoruese e fondeve të tubuara në emër të luftës. Ia kujtojmë se edhe Fehmi Lladrovci ua ka tërhequr vërejtjen llafazanëve të Lëvizjes të mos merren me tubime e llafe, por t'i rrokin armët për t'u bërë pjesë e luftës, sepse nga kuadrot e Lëvizjes këtë e bëri vetem ai.
Në të gjitha shkrimet e zotit Zeqiraj për Lëvizjen dhe sjelljet e saj destruktive ndaj luftës nuk është përmendur as direkt dhe as indirekt emri i Bedri Islamit, nuk është bërë asnjë aludim për të. Edhe atëherë kur Idrizi shkruan se në përçarjen e shqiptarëve të Kosovës u angazhuan edhe kuadrot komuniste të Enver Hoxhës, ka parasysh funksionarët e regjimit monist, sidomos në Zvicër, të cilëve garda e enveristëve të Kosovës u dha mundësi dhe hapësirë në media dhe tubime për të vjellë vrer kundër LDK-së dhe dr. Ibrahim Rugovës si dhe kundër Partisë Demokratike dhe dr. Sali Berishës. Është diçka tjetër se Bedri Islami, e ka pas mizën pas veshit dhe e ka gjetur veten brenda kësaj "vathe" , të cilët kur digjej Shqipëria ngroheshin në zjarrin e saj dhe i frynin edhe më shumë këtij zjarri me shkrimet e shumta që botonin gazetat e ideologjisë komuniste "Zëri i Kosovës," "Zëri i Popullit" si dhe zëra tjera rrugash.
Bedri Islami shkruan se "ai (fjala është për Idriz Zeqiraj - shënimi im) ishte pjesë e redaksisë së një gazete apo reviste dhe një ish i burgosur politik, ia kam harruar emrin, bëri një shkrim, mjerisht tepër shpifës kundër meje, më bëri hetues, bile të rreptë e të egër. Shpifjen e mora vesh me vonë pasi ishte piku i luftës dhe koha ishte e pakët." Shtrohet pyetja, si ka mundësi që dikush shpif kundër Bedriut në një revistë apo gazetë që botohet në diasporë të cilën nuk e ka lexuar pasi nuk kishte kohë, ndërsa mendon se zoti Zeqiraj e ka lexuar atë, edhe pse ai ishte në shërbim të luftës në Malësinë e Gjakovës!? Bashkepunimin me revistën në fjalë Idrizi e kishte ndërprerë shumë kohë më përpara, për arsye parimore, të kthesës majtas të shefit të saj.
Është e habitshme se ai e paska harruar emrin autorit të shkrimit shpifës, kur Bedriu është zëdhënës për të gjithë, duke mos u kursyer në sharje, shpifje, denigrime dhe provokime.
(Ja kujtoi Bedriut emrin e personit,i  cili e akuzon Bedriun si hetues të tij, ai është N.B. ka vuajtu 20 vjet burg, dhe jeton në Norvegji).
Bedri Islami nuk mjaftohet vetëm me zhgënjimin që Idriz Zeqiraj nuk e kishte mbrojtur nga një shpifës, por me marifet përgatit akuzën për abuzime me ndihmat, kur thotë: "Kur atë (është fjala për Idriz Zeqiraj - shënim i im), pas pluralizmit politik e kishin sulmuar padrejtësisht për abuzime me ndihmat, unë bëra shkrimin "Armiku i popullit sjell ndihma për popullin," sepse kjo ishte e vërteta." Ai thotë se shkrimi i tij ka marrë shkas nga intervista që Idriz Zeqiraj kishte dhënë në Telivizionin Shqiptar dhe ishte transmetuar në kohën e numërimit të votave kur Berisha pritej të zgjidhej President në prill 1992. Ajo intervistë u përcoll nga shqiptarët e botës, meqenëse ishin në pritje të një ngjarjeje të shënuar. Bile atë ditë u komentua shumë intervista e përsëritur për t'iu treguar shqiptarëve se ja kush janë "armiqtë e popullit," që Enver Hoxha ua ka nxirë jetën burgjeve politike.
Përkushtimi i zotit Zeqiraj për të ndihmuar Shqipërinë dhe Kosovën në kohë të vështira ka qenë i veçantë. Nga bashkëpunëtoret e tij kujtohen rastet kur me ditë dhe javë ka qëndruar në Alpet e Austrisë me borë e ngrica, i vetmuar pa ngrohje e me bukën bajate në ruajtje të ndihmave. Ai vlerësonte shumë djersen e mërgimtareve. Vinte i uritur nga burgjet e Shqipërisë, ku ideologjia komuniste e kishte katandis keq popullin dhe vendin. Dr. Rugova kishte mësuar se miku i tij i rinisë kursente duke marrë edhe bukën me vete kur udhëtonte në veprimtaritë e ndryshme të LDK-së dhe të Fondit dhe kishte thenë: "I thoni Idrizit mos na ndill fukarallek!"
Tendencat e Bedri Islamit për ta akuzuar për pabesi dhe abuzime Idriz Zeqirajn janë të dështuara. Kam lexuar një shkrim për kthimin në Kosovë pas 33 vjetësh të zotit Zeqiraj. Ai nuk ka shtëpi, sepse ajo e trashëguara që djegur dhe një pjesë e saj edhe sot është një rrënojë. Edhe pse fillimisht Shtabi i UÇK-së për rrethin e Istogut qe vendosur në familjen e tij, edhe pse mixha e tij, Zymberi,, i thyer në moshë në krye të parisë së fshatit Studenicë, me krismat e para të pushkëve në Drenice, udhëtuan për atje dhe u vunë nën komandën e Shtabit në Drenicë.Edhe pse e gjithë familja ishte në shërbim të luftës, për ngritjen e shtëpive të rrafshuara, u vunë para një kushti të "vogël", që ta braktisin LDK-në dhe ta votojnë PDK-në(!), kërkesë  kjo amorale.
E siguroj Bedri Islamin se Idriz Zeqiraj kurrë nuk ka heshtur në mbrojtje të së vërtetës, të paktën kur është venë në dijeni për një të pa drejtë. Prandaj, edhe është dënuar nga dy shtete komuniste. Kur zoti Adem Demaçi në intervistat e dhëna nga burgu jugosllav, në mungesë të informacionit lavdëronte Partinë e Punës dhe Enver Hoxhën, Idrizi që e kishte idhull politik atë dhe e kishte pësuar më së shumti kur kishte kërkuar lirimin e tij me shokë, priti sa doli nga burgu dhe i dërgoi letrën historike për kohën me titull kuptimplotë; "Kur ndjenja mund arsyen", një letër e shkruar plotë respekt, por shumë demantuese në përmbajtje. Zoti Adem Demaçi vizitën e parë në Gjermani e bëri te Idriz Zeqiraj dhe në sallën e Kongreseve ku ishte organizuar tubimi dhe drejtohej nga Zeqiraj, pranoi se "isha në Shqipëri, e pashë me sytë e mi dhe vëllai Idriz ka të drejt për atë që më ka shkruar në letrën e hapur". Por, kreu i Kuvendit aktual duke mos hequr dorë nga dogma komuniste as sot, i cili shpirtërisht feston ditëlindjen dhe përkujton ditëvdekjen e diktatorit Enver Hoxha e akuzoi atehere per tradheti!
Dhashtë Zoti që sa më shpejt të hapen dosjet në  Kosovë dhe Shqipëri.

P.S. Me këtë shkrim për mua merr fund çdo polemikë e mëtejme me Bedri Islamin.

Xhafer Leci,
Gjermani, Qershor 2009


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora