Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Zysha
E hene, 08.06.2009, 05:02 PM
Zysha
Nga Edison Ypi
Që kështu si e ka nisur, një ditë jo fort të largët, Shqipëria do gdhihet plot me budallenj të shëndetshëm të krehur sipas modës, të cilëve u funksionojnë të gjitha sendet me përjashtim të trurit të ndalur, kjo dihet. E dinë madje edhe vet’ budallenjtë e bukur me vetëm muskuj. Ajo që s’dihet, dhe që është tepër kurioze të zbulohet, është pyetja se ku ndodhen ...ku e kanë burimin ata përrenjtë e vegjël të fshehur ku zë fill budallallëku i shqiptarllëkut të sotëm?!
Përgjigjes së kësaj pyetje i rash’ në fill një mbrëmje tek shihja televizor. Atë mbrëmje ishte mbledhur tërë krema e kremës së kombit para ca tv - banaqeve, ku ajo, ku krema e kremës pra, duke u hargalisur bënte dëngërr - mëngërr për aq pal’ qefe sa banaqe ishin.
Një omar goxha i squt dhe i ngrehur po fliste me një retorikë shqipe fare brilante, e cila retorikë, i ngjante të folurit normal, po aq sa imam bajalldia imamit të xhamisë. Omarllëqet e omarit të tv - banakut më fundosën direkt në reflektimin trilogjik; Çfarë është në të vërtet ky omar ? Një omar i tëri ? Një cop’ omar ? Apo thjesht një cop mish ?! Duke dëgjuar omarin të dukej vetja si në murin e pushkatimit. Kur je duke pritur që të vijë dikush të t’i fashojë sytë. Por dikushi s’vjen e s’vjen dhe sytë s’mbyllen e s’mbyllen, dhe ashtu të duket se mbetesh tërë kohën me përballë tytat që të kanë shënuar dhe presin të shtjenë, por askush nuk bërtet; Zjarr!
Pas omarit folën një tufë krriça. Secili me nivelin e entuziazmin përpikmërisht në lartësine shifrës së shitjes.
Hera herës ndërhynte skilja. Skilja fliste ëmbël e butë për punë partish dhe pollesh. Por tek e dëgjoja skilen s’di pse m’u duk vetja hipur mbi një karrocë me rrota poligonale mbi një rrugë të vjetër me kalldrëm të prishur. Dhe ik e ik drang e drung mbi karrocë, mendja më vajti vetvetiu te fakti i pamohueshëm se terezia e shqiptarisë është e tëra nën mbikqyrjen e rreptë providenciale. Se po të ishte për omarë, krriça dhe skile, shqiptaria do ishte bërë deri tani çikë e thërrime nja një mijë herë.
Mbi një tjetër banak ligjëronte një kërrmill. Ky kërrmilli që hera - herë nxirrte kokën nga guacka dhe llokoçiste, e zvarriste veten e jargshme dhe ligjërimin e tij qurrshëm në atë mënyrë që duke e dëgjuar të thuash ti se, me përjashtim të madhësisë, në të gjitha të tjerat, Shqipëria dhe Amerika nuk kanë asnjë ndryshim nga njëra tjetra.
Pastaj j’a behën një hordhi e tërë me alienë të porsa zbritur, komsomolasa të rreptë, komitetsa të regjur, brejtësa të palodhur të llagëmeve të pushtetit, dhe maçokë mediatikë që fërkonin reciprokisht gëzofat e leshtë të njëri - tjetrit, pa harruar për asnjë çast të tregojnë bashkë me fërkimin e leshtë edhe thonjtë e mprehtë të kthetrave. Pas cikrave të shumta që hiç s’pash’ ku ranë të një batareje teshtimash që krema e kombit më bëri të më dalin hundësh, u ndala për pak minuta në një heshtje meditative për t’u orientuar disi në këtë pazar të zhurmshëm delenxhillëku apo panair petalesh të holla erudicioni, më të holla se rrëketë e ngrira të kafesë në faqen e brëndëshme të filxhanit të rrufitur dje.
Dhe thash’ të mos epem. Me telekomandë në dorë u nisa mes dunave të rërës së shkretëtirës mediatike në kërkim të burimit të Amazonës së llapaqenizmit.
Dhe e gjeta !
Në një ekran, Zysh’ Letërsie !
Zysha po interpretonte Letërsi, Prozë, Poezi, Epe, Legjenda. E bëntë këtë për gjimnazistët që përgatiten për provimin e Maturës.
Takimi me Zyshën në ekran, të paktën në rrethanat e mia, ç’ësht’ e vërteta, në çastet e para, pati efekt qetsues. Kjo sepse, pasi pash’ Zyshën; rrotat e pajtonit të retorikës së omarit, nga poligonale, si me magji, m’u bënë rrethore. Rruga, nga kalldrëm i prishur, u asfaltua në çast. Dilema trilogjike me variacione omari, se ku u fsheh. Muri i pushkatimit, u zhduk. Batareja e teshtimave gjithashtu. Por ah kjo nuk zgjati. Sepse pas qetsimit relativ, dhe pas jo më tepër se nja pesë minuta Zyshën ta dëgjosh, nis e ndjen një si krruajtje në kurriz. Një të parë Zyshën, të bëhet të besosh se nuk jeton aspak në kohën e autostradave dhe supermerkatave dhe Benzave. Por në kohën kur po të mos i bije kazmës asgjë tjetër nuk quhej punë. Kur pas kurrizit të shitëses së ushqimores së lagjes shihje vetëm qepë, mollë të vogla të shtrembëta, dhe e shumta ullinj Berati në kavanoz. Dhe pas këtyre të duket sikur nga çasti në çast do t’ja behi dikush që do të të vërë hekurat në emër të popullit.
Shkurt muhabeti, Zysha nuk ka asnjë lidhje me Letërsinë. Absolutisht asgjë të përbashkët. As nga magjia e krijimit, as nga hovi i shpirtit, as nga misteri i talentit, energjia, mardhënia me Qiellin, vetsakrifikimi etj. etj. Ajo Zysh’ ekrani që pashë unë dhe Letërsia, janë po aq larg ndaj njëra - tjetrës, sa edhe Mjegullnaja e Andromedës me këtë që mua sapo më shpëtoi. Zysha, kjo klishe’ e mykur e një kohe të perënduar, nuk ka, nuk ndjen, nuk kupton, absolutisht asgjë nga hazdisjet e Lirisë pa të cilat Arti nuk do ekzistonte. Asgjë nga çmimi kolosal që Artisti paguan duke u vetsakrifikur, sepse paratë i merr nga kredia e pafundme çelur enkas për Të në Bankën e Hyut me urdhër nga vet’ Hyu. Ta dëgjosh seriozisht Zyshën e ekranit lemeritesh dhe nuk e merr veten për tërë jetën. Të duket se Migjeni nuk ka qënë kurgjë tjetër përpos një turbekular grindavec i pa shërueshëm. Lasgushi një vargëzues ordiner i këndshëm. Noli një tarallak me brirë. Lahuta e Malcis një det me qurre rapsodike. Dhe, pavarsisht pozave të Zyshës, Epet, natyrisht gjepura për t’u gajasur.
Zysha, kjo stërvitëse me ngulm të palodhur e ushtrisë së tanishme të adoleshentëve që s’dinë të lidhin dy fjalë, me synimin e qartë për t’i kthyer të tërë në adultë të ardhshëm guakë të përsosur, të shtje në të thella; Sa punë me mënt janë duke bërë tërë ata filozofë dhe matematicienë me nam që i janë futur t’a hulumtojnë Zeron !
Kështu ndodhi që duke kërkuar burimin e lumit të budallallëkut, rashë nga balta në shi, nga shiu në breshër, nga breshër në Zyshë.
T’i referohesh apo ta citosh Zyshën e ekranit nuk është kurrsesi e mundur, është punë që s’bëhet. Sepse, së pari, goja që duhet të flasë, nuk mundet, sepse, nga habia, gjithë kohën të mbetet e hapur. Por edhe pasi goja gjithsesi të mbyllet e të jetë e gatëshme për të folur, citimi i Zyshës do ishte aq i kotë sa edhe muhabeti pas akshamit se cila pjesë nga gropa e fekaleve është më e ndotur, apo cili rreth i Ferrit është më i mundimshëm.
Me mijëra herë më pak e këndëshme se gota e dhallit që mbi banakun e kuzhinës po më pret ta pi me epsh, më shkatërruese se çdo epidemi, më e tmerrshme se se një kamikaz me tritol në një autobuz, më e rrezikëshme se Sigurimi i Shtetit që s’dihet ësht’ a s’ësht, se edhe po qe diku të paktën rri i fshehur, Zysha e ekranit, ky realitet i çuditshëm sa për të qeshur dhe për të uluritur, është një mjerim pafund.
Njoh një mësues letërsie në një provincë të humbur. Ky mësues modest province, është aq i pasionuar pas Lasgushit, të cilin e di të gjithin përmëndësh, sa ende nuk ka qënë kurrë në Pogradec. Por vetëm në Strugë dhe Ohër. Dhe sa duket, ashtu do ta ngrysë jetën, duke i ardhur Pogradecit pa Lasgush rrotull e rrotull. E di pse nuk vete në Pogradec i llaftarisuri pas Lasgushit ?! Sepse ka frikë mos çmëndet ! Eja o Perëndi thuam tani; Ç’i lidh të dy, Zotninë e Letërsisë së një klase province, me Zyshëm e gurrës së budallallëkut të nja 30 mijë maturantëve të çdo viti ?!
Ja pra që ndodhka ! Ta ligështosh një popull të tërë brenda një ferri që zgjat 40 a 50 vjet - lypset një Diktator. Ta bësh po atë popull që pas ferrit kriminal 50 vjeçar, përmes bombardimit me broçkulla gjoja letrare, të hyjë në një Purgator kulturor duke i bërë shqiptarët t’i thonë njëri tjetrit çdo minutë “A po m’kupto ?!” - lypset një Zyshë.
Pasi u ngopa me Zyshën ika të fle. Ne shtrat më zuri malli për një gjyshe të butë që të më rrëfente një përrallë të bukur.
edisonypi@gmail.com