E enjte, 14.11.2024, 06:38 AM (GMT)

Kulturë

Isa Mulaj: Fjalori i Biznesit, Ekonomikës dhe Financës nga Nexhmi Rexha

E diele, 07.06.2009, 10:27 AM


Recension  

FJALOR I BIZNESIT, EKONOMIKËS DHE FINANCËS: ANGLISHT – SHQIP, SHQIP – ANGLISHT, NGA NEXHMI REXHA, ASAU, TIMEGATE, PRISHTINË, QERSHOR 2009.
 
Nga
Isa Mulaj
isaamulaj@hotmail.com
 
Secilit prej nesh na ka ndodhur të dëgjojmë dhe ende hasim ankesa të shumta nga studiuesit por edhe qytetarët e zakonshëm për degjenerimin e terminologjisë së përdorur në fusha të ndryshme studimi, qoftë në formë të folur apo të shkruar. Në mesin e atyre fushave janë edhe degët e ekonomisë si ekonomika, biznesi dhe financat. Derisa shumica jemi të vetëdijshëm për mangësitë e terminologjisë në gjuhën shqipe, nuk është bërë sa duhet në drejtim të punës krijuese si kontribut për zhvillimin e vazhdueshëm dhe sqarimin e shumë koncepteve profesionale, sidomos neologjizmat që më së shpeshti futen nga gjuhët e huaja, kryesisht nga ajo angleze, me përkthime tekstuale jo aq të qarta ose të ngatërruara. Një përpjekje sistematike e frytshme është bërë nga profesori Nexhmi Rexha nga Akademia e Studimeve të Avancuara Universitare (ASAU) në fjalorin e tij dygjuhësh anglisht-shqip dhe shqip-anglisht të Biznesit, ekonomikës dhe financës, botuar në muajin maj të këtij viti (2009) nga shtëpia botuese Timegate në Prishtinë.
Fjalori ka gjithsej 604 faqe dhe më shumë se 12.500 terme e shprehje terminologjike në të dy gjuhët me përkthime dhe domethënie të shkurta. 297 faqet e para të Fjalorit janë terminologji anglisht-shqip dhe afër 290 faqe tjera shqip-anglisht, duke mos përfshirë këtu edhe Shkurtesat dhe simbolet nga fusha e biznesit ndërkombëtar që janë dhënë në kapitull të veçantë prej 15 faqesh në fund të Fjalorit në fjalë.
E veçanta e këtij Fjalori në dy pjesët e saj anglisht-shqip dhe shqip-anglisht, është se shumë terme dhe shprehje kanë përdorim më të gjerë në njërën gjuhë se në tjetrën. Për shembull, termin nga gjuha angleze brain drain që po përdoret më të madhe në gjuhën shqipe ashtu siç është në drejtshkrim dhe shqiptim, Autori e shqipëron si shpërngulje e ekspertëve në vende të tjera. Secili studiues shqiptar që nuk e di gjuhën angleze ose ka njohuri të mangëta rreth shkrimit dhe foljes së kësaj gjuhe të huaj, e di menjëherë se çka do të thotë shpërngulje e ekspertëve në vendet tjera. E kundërta e termit ose antonimi i brain drain në anglisht është brain gain që në Fjalor është shqipëruar si përfitim nga ekspertët e jashtëm. Me këtë eliminohet hutimi në emërtim që ka mbizotëruar deri më tani te shumica dërmuese e studiuesve shqiptarë për kthimin e trurit. Trurin si organ fizik e kanë edhe lopa dhe ariu, dhe atë dukshëm më të madh për nga madhësia se të njeriut. Kthimi i trurit në këtë kontekst mund ta ketë edhe kuptimin e transportit të tij! Ose, kur emri në numrin shumës inventories shpesh herë haset të jetë përkthyer gabimisht në shqip si inventare(t). Fjalori tregon se është fjala për diçka tjetër, respektivisht stoqet, dhe brenda kllapave jep këtë sqarim për ta mënjanuar ngatërrimin: lënda e parë, prodhimi në proces dhe malli i gatshëm. Ndërkaq, për termin me dy kuptime inventory = (1) inventarizim, dhe (2) inventar, jepen përkufizimet se si kuptohet në gjuhën shqipe në përgjithësi në rastin e parë, dhe në Kosovë të cilën Fjalori e shënon me (K:), në rastin e dytë. Dallimi dhe kuptimi i termave të përkthyer që janë më karakteristike në Shqipëri janë shënuar me (A:).   
Të marrim shembuj tjerë nga pjesa anglisht-shqip e Fjalorit. Emri në gjuhën angleze hacker është duke u përdorur në gjuhën shqipe ashtu si shqiptohet në anglisht – ha(ë)ker. Autori gjënë shprehjen e përshtatshme në gjuhën shqipe që është e kapshme menjëherë për studiuesit që mund të mos jenë ekspertë të teknologjisë informative dhe njohës të mirë të gjuhës angleze, por që do ta kuptojnë menjëherë shqipërimin e termit ha(c)ker si pirat informatik. Forbidden entrance = hyrje e ndaluar do të jetë e ndryshme nga ndalim hyrjeje në pjesën e dytë të Fjalorit ose shqip-anglisht. Tender nga anglishtja është mbajtur në shqip si tender. Përkundër se është bërë i njohur nga masat e gjëra, jepet edhe një emërtim tjetër në shqip për këtë term si ankand (i përdorur shumë në të kaluarën dhe i kuptueshëm edhe tani), dhe një zëvendësues tjetër ndoshta edhe më i mirë i emërtuar konkurrencë ofertash.  
Në pjesën e Fjalorit nga gjuha shqipe në atë angleze po ashtu kemi shumë terme dhe shprehje terminologjike që përdoren më shumë në gjuhën shqipe, e janë më pak në përdorim gjuhën angleze. Më pak në përdorim themi nga shkaku i disa termave që janë me të veçantë në gjuhën shqipe, por që Autori i ofron studiuesit shqiptar shprehjet e duhura në gjuhën angleze. Për shembull, termin artikuj të përditshëm ose artikuj elementarë sigurisht se shumica prej nesh, tekstualisht ndoshta do ta përkthenim si daily ose elementary articles, e ndoshta unë deri para leximit të këtij Fjalori, artikujve të përditshëm ose elementarë do t’iu thosha elementary goods, që në gjuhën angleze nuk ka aq kuptim, siç nuk ka nëse themi daily ose elementary articles, sepse nuk dihet se çfarë janë ata artikuj ose çka përfshijnë. Këto paqartësi në përkthim dhe shkrime në gjuhën angleze nga studiuesit shqiptarë sqarohen lehtë kur ne e gjejmë në Fjalor se termi i duhur për artikujt e përditshëm ose elementarë në gjuhën angleze është staples. Ndalim hyrjeje e gjejmë si interdiction of entrance që nuk duhet të ngatërrohet me fjalët tjera të ndalesës në anglisht si prohibition (p.sh. ndalim eksporti=export prohibition), stoppage (p.sh. ndalim i pagesës=stoppage of payment), arrest (p.sh. ndalim i anijes=arrest of a ship), etj., të cilat i përmban dhe i dallon Fjalori.   
Nuk po e zgjasim më shumë me shembujt e këtyre imtësive. Megjithatë, nëpërmjet këtyre që u cekën dhe shumë vetive tjera që nuk u përmenden, zbulohet rëndësia si tërësi e Fjalorit dygjuhësh anglisht-shqip dhe shqip-anglisht të Biznesit, ekonomikës dhe financës. Në mesin e shumë përfitimeve që mund të nxirren nga shfrytëzimi i këtij Fjalori nga ajo që u shqyrtua këtu, dy më kryesoret janë: Së pari, kursen kohën e studiuesit/es duke ia mundësuar atij/asaj kuptimin e termave më shpejtë, dhe së dyti, duke përshirë edhe këtë të parën që e cek, i ndihmon studiuesit/es gjatë hulumtimeve dhe shkrimit të veprave të jetë më profesionist/e.
 
Isa Mulaj
Instituti për Studime dhe Analiza të Politikave Ekonomike
Prishtinë
06.06.2009
Tel/Faks: +381 (0)38 221 666
Mobile: +377 (0)44 112 397



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora