Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Aleko Likaj: Enisa

| E shtune, 30.05.2009, 09:02 PM |


Tregim 

Aleko Likaj
           
ENISA

Nuk e di se si erdhi tek ne gazetarët lajmi i vdekjes së një 15 vjeçare në atë gusht të 97 tës. Më tepër se sa një vdekje, na tronditi fakti që ajo vajzë ishte vetëhelmuar. Kishte pirë kimikate për ti dhënë fund jetës së saj të re e të brishtë. Mbase ai mëngjez i lyer me një argjend të plumbtë e gjithë zagushi, dukej krejtësisht i heshtur edhe për shkak të asaj tagjedie për të cilën shumë pak dihej e flitej në qytet tashmë. Kisha ndjesinë se egzistonte një shurdhmemecëri ku nuk lëvizte as edhe një tingull. S’kishin filluar zhurmat edhe pse një makinë e bashkisë i kishte lagur rrugët e mëngjezit. Ufma ende nuk kishte filluar por ajo pritej andej nga mesdita. At’here edhe dielli do të ishte në zenith.
Para derës se morgut u ndodha shpejt, e mjeku roje, një miku im i vjetër që i pëlqente të merrej kohët e fundit me politikë, duke vendosur tre herë kandidaturën në tre parti të ndryshme, më çoi drejt e tek viktima e atij mëngjezi. Në një sallë me mure gjysëm nëndhe, të cilat dukeshin si harta të zhgaravitura nga një egrasi e myk i bardhë që zënë zakonisht brezat e lyera me bojë të bardhë zmalto, pas një tavolinë të vogël e të zezë, qëndronte e mbuluar me një çarçaf jeshil pacientja që kishte mbyllur sytë atë mëngjez, vdekjen e së cilës e kisha zbuluar pak çaste më parë
- Kemi në dispozicion vetem 5 minuta - tha mjeku që më shoqëronte pranë kufomës së 15 vjeçares. - Mos më bëj me llafe. Ti e di që drejtori është socialist e kush e dëgjon atë . Apo s'ma ka inatin se e konkurova vjet në zgjedhjet e pushtetit lokal.
            Vura re se duart po i dridheshin, ndërsa kapi çarçafin e gjelbërt për ta zbuluar tek koka vajzën e morgut, që qëndronte e vetme aty prej gati tre orësh. Unë dola përballë e u afrova vetëm një çast më parë se ti shihja portretin, që do të ishte pa dyshim, jo vetëm atë ditë në qendër të kronikave të gjithë masmedias së vendit. Ndjeva një dhimbje të lehtë në kraharor së bashku me një ngërç që me kap sa herë që ndodhem keq.
Në fillim flokët e verdha të derdhura mbi një jastëk të vogël lëkure vishnje, e pastaj qerpikët e mëdhenj të puthitura, ku në cepin e tyre mund të dalloje lehtë nga një pikë të shndritëshme të lëngëshme pa ngjyrë, e dy buzë paksa të mbledhura poshtë një hunde klasike të zverdhur ndoshta tej mase, më bënë që padashur të hedh një hap prapa si i trembur, nga pamja që kisha përpara syve. Ishte çuditërisht një skenë që më tronditi se tepërmi. Jo se nuk kisha parë ndonjëherë të vdekur, por portreti i 15 vjeçares më drithëroi. Ndoshta se ishte tepër e bukur, e me një fytyrë gati fëminore që mbështillej lehtë nga një tis i purpurt në të verdhë. Ngjyra e fundit dukej më tepër në trajtën e ndonjë njollë që shfaqej paksa mbi ballë, e në pjesët e poshtëme të faqeve që dukeshin si të varura në atë portret femre pa jetë. Mbase koha e shkurtër e vdekjes ruante ende relike nga fëmijëria. Pas pak me siguri ajo do të sillte nuanca ngjyrash të tjera, ashtu siç ndodh tek të gjithë te vdekurit që ikin nga kjo botë. 
            - U trëmbe? - tha mjeku, e pastaj shqiptoi një "shpejt" që u duk se i rrëshqiti nëpër dhëmbë, ku dallohej ende ndjenja e frikës për mëkatin që po bënte, duke futur pa leje një gazetar pikërisht në morg, ku vetëm bluzat e bardha e ndonjë ekspert i policisë mund të ndodhej, para një kufomë në këtë dhomë që dukej se ishte pa ajër dhe e pajetë. Për këtë isha i sigurtë, se në një kohë tjetër ai, nuk do ta bënte kurrsesi
            Në fakt i tremburi nuk isha unë, por ai, mjeku. Ndërsa ishte skuqur atë cast, e me sy të picëruar poshtë një balli të sheshtë, ku ishin rrëzuar një tufë flokësh të zinj e të pakrehur, duke zbuluar pikërisht mezin e kokës të zbardhur, e me një ngjyrë gati në të kuqëremtë, kjo edhe për shkak të perdeve të trasha kafe të errëta, të varurura në dy dritaret e vetme të asaj dhome që të dukej se të merrte frymën, lëvizi instiktivisht gishtin tregues mbi faqen e majte. Zgjata dorën në drejtim të vajzës 15 vjeçare. Pa mundur që të prek fytyrën e akullt, që nuk e di se ç'më shkrepi pa pritur në kokë, bëra serrish një hap pas.
       - Mos, çfarë bën kështu?  Do të vinë ekspertët nga momenti në moment. Do që të më hapësh telashe"?
         Mjeku gati sa nuk u hodh përpjetë, e zgjati dorën që të më ndalë në vendimin që kisha marrë, e që sipas tij, "ishte prej një të çmenduri" Ashtu nxitimthi i hodha edhe një herë sytë vajzës së vdekur, por ai portret i pafajshëm fëminor ishte mbuluar shpejt me çarçafin e gjelbër, dhe miku im që më kishte futur në atë sallë, e që tani ishte në krahun tim, duke më kërkuar që të largoheshim prej aty një orë e më parë, me një zë të ulët e të çjerë, që sipas tij, " do t'i a lija kalamajte pa bukë".
Me erdhi keq sërish. Tani për mjekun e Enisën me flokë të verdha të shtrirë në lakuriqësi gati e harova.
            -Nuk të falin këta komunistët e rrinj. E kujt, mua... që i kam luftuar me shpirt e dhëmbë, e që i urrej deri në vdekje... ?
            Ishim ngjitur tashmë në katin e tretë, e në koridor mjeku dukej ende i shqetësuar. Duart i dridheshin ndërsa s'dinte ku ti mbante, pasi i kishte futur e nxjerrë disa herë nga xhepat e përpareses së bardhë, pa vetëdije. E mëshirova, ndërsa nuk i a ndaja shikimin në atë portret të trembur, e qe çuditerisht mu duk i përçudnuar në çast.Vendosa që të heq dorë nga vendimi i marë për ti kërkuar diagnozen. Më mirë ta lija të qetë. Këtë, me siguri ai do të ma thonte vetë, në formën e një kërkese miqsore, por me sa dukej, nuk ma haronte nderin që i kisha bërë. Ishte tepër vështirë të mësoja ndonjë gjë konkrete nga i tremburi, që edhe pse si urinolog kishte bërë emër në dhjetë vjetët e fundit, jo vetëm në qytetin tonë, e që kishte mbrojtur edhe një grade shkencore duke qenë edhe antar i një shoqate, që mblidhej dy herë në vit në një qytet të Zvicrës në kufi me Italinë.
Eshtë krejt e pa mundur mendova, që njeriu të drejtpeshohet në këtë kohë me trazira. Pastaj mjeku e kishte marrë shërbimin në mëngjez, e për vajzën duhej medeomos të bisedohej me doktorin që kaloi natën, për të më treguar ndonjë hollësi, por edhe siptomat e sëmundjes. Mu duk sikur e shfajqësova kirurgun që kishte marë tashmë një shami në dorë, e fshinte here pas here djersët në ballë, e në faqen e nje fytyre që dukej gati e tejskuqur.
 Për motivet që e çuan Enisën që të ndërmerte këtë krim, që i mori jetën, në këtë moment as që bëhej fjalë. Urinologu qëndroi pranë derës së sallës së mjekëve.
            - E vetmja gjë që mund të pohoj pas leximit të kartelës, por edhe sipas fjalëve të " firifiut" që i mbeti dopio gjashta në dorë, sot në mëgjez në konsultë me shefin, "vetëhelmimin e kishte pranuar 15 vjeçarja, që në momentin e shtrimit në mbasditen e djeshme, kur e kishin sjellë me urgjencë në spital. Në fillim ishte dyshuar për ndonjë plasje apo anomaly stomaku, ndaj e sollën në kirurgji"
            Firifiu ishte Polikroni, mjeku i rojes së natës së kaluar, për të cilin urinologu nuk ushqente ndonjë simpati. Mbase çështje profesioni. Ndoshta ishin prishur në ndonjë Pazar, nga ato që bëjnë jo rrallë herë bluzat e bardha me hallexhinjtë, që vine në derën e spitalit. Sidoqoftë, ky ishte një problem që qëndronte mes kolegëve .
            Dosjen e lexova kalimthi nëpërmjet një infermiere që shërbente tek dhoma e mjekëve, e në të ishte shkruar shkurtimisht. "Enisa Marko, 15 vjeç ", dhe më poshtë adresa e shtëpisë, si dhe emri i personit që interesohej për të. Pastaj, me gërma të vogla numri i telefonit, që më sa dukej ishte i shtëpisë së saj. Në faqen e brendëshme përkrah diagnozës, ishin shkruajtur me një shkrim jo të kujdesshëm, ajo që mjekët i thonë anamneza e pacientit. Mjeku i shtrimit Polikroni, me sa dukej në një cast ka qenë i dyzuar, kur ka shkruar një " V " të madhe, të cilës i ka kaluar majën e stilografit disa here përsipër. Më pas çdo gjë është renditur rrjedhshëm nëpër vijat e kartelës së pacientit deri në fund. Me një shkrim që dukej i hapur në krahasim me atë të rregjistrimit të pacientes, ishin rrenditur edhe ilaçet e para të përdorura pas mbritjes në spital "Vajza është paraqitur në ora 17.00 mbasdite, me shenja akute të një helmi që përdoret si preparat për spërkatjen e rrushit. Pacientja e ka pranuar vetë se ka tentuar të helmohej, pa dhënë spjegime të hollësishme për motivet që e çuan në vetëvrasje. Ajo ka kërkuar që të mos ndërhyhej nga ana jonë, dhe herë pas here shqiptonte fjalët, " me lini që të vdes". I kemi bërë një lavazh të shpejtë, si dhe një trajtim intensiv me ...
        Lista e gjatë e medikamenteve, si dhe gjëndja shëndetësore në tre momente të natës,  ku përshkuhesh me detaje edhe keqësimi e rëndimi i gjëndjes së vajzës. Me tej disa hollësi, si dhe fakti që vajza nuk kishte reaksion nga penicilina, të gjitha këto përfshiheshin në një faqe të vetme të kartelës mjeksore, që mbante numrin 265.
            Kaq nuk mu dukën të mjaftueshme për nje lajm. Ishte mesditë e dielli i gushtit në këtë fillim muaji dukej se po shkundëte një thes të bardhë e të ndritshëm mbi qytet . Jashtë ishte zagushi. Xhamat e dritareve përvëlonin, e koridori i bardhë i spitalit që mbante erë jodi e rifocinë, gati sa nuk ti trazonte zorët në bark." Ky ajër i ndotur do të jetë edhe aty poshtë ku rri Enisa" mendova në çast. 
     -Besnik, doktor Milua dyshon për diçka të çuditëshme për këtë vogëlushe. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast bare, e vajza mund të bëhej nënë, ndonëse është ende vetë fëmijë. Në fakt pritet autopsia por mjeku eksperto ligjor ka shkuar që mbrëmë në Tiranë, se operon baxhanakun atje. E kemi lajmëruar të na vij ... Monda, vajza e pallatit tonë që është një kat sipër hyrjes ku banoj unë, e që punon që prej dy vjetësh në repartin e radiologjisë pas një kursi gati dy vjeçar në kryeqytet, më tregoi sapo më ndeshi përballë, në shkallët që të çojnë në sallonin e madh të pritjes në katin e parë. Rastësia me Mondën u kishte hapur udhe edhe dyshimeve të mija për një bazë me serioze të vetëvrasjes, qoftë edhe të një adoleshenteje si Enisa .
            Një orë më vonë unë kisha hedhur shkrimin në ordinator, e nuk vendosja për ta nisur në redaksi.. Portreti i Enisës më dukej se ishte fshehur nën retinën e syve të mij, dhe ashtu gjysëm e zbuluar me dy pika loti të ngrira në cepin e syve, që ngjanin me bajamen e me buzët pak të mbledhura, ndoshta nga një ngërç i brendshëm në të fundit çast të ndarjes me jetën, mu duk se u bë një pjesë e vetes sime, ndërsa udhëtoja nëpër rrugët e shkreta të qytetit nën qiellin e atij gushti, në orët e mesditës. Por edhe në ordinator kur rrenditja rreshtat e lajmit tragjik, Enisa e fjetur si një bukuri e rrallë, gati fëminore, e shtrirë si në një gjumë të thellë në shtratin e asaj dhome gjysëm të errët, duhej që tashmë të ishte nën një kontroll të rreptë autopsie.
            Këtë herë, jo si gazetar, një ndjenjë e çuditshme më shtyu sërrish drejt kirurgjikut              
        - Ishte e dhunuar seksualisht – më tha mjeku që kishte realizuar edhe autopsinë pak orë më parë në morg. – Kishte një embrion fëmije katër muajshe, por që nuk i dallohej në vështrimin e parë. Nuk duhej që ta kishte bërë problem familje, pasi ajo ende nuk di gjë për të. Natyrisht, që ajo nuk mund që ta mbante këtë 97 – të, dhe embrionin. Nuk mund as edhe ta nxirrte nga vehtja. Zgjodhi rrugën më të keqe…
          … Një vit më pas, një nga miqtë e mij që punonte në polici më tha, se ishte kapur dhunuesi i Anisës. Ishte nga ata të kallashnikovëve që terrorizonte qytetin, por edhe 15 vjeçaren…