Shtesë » Shoqëria
Istref Haxhillari: Të vdekurit flasin me gjuhën e të gjallëve
E shtune, 16.05.2009, 09:07 AM
Të vdekurit flasin me gjuhën e të gjallëve
-Zanafilla e Krishtërimit
Nga Istref Haxhillari
Në kuptim metaforik njeriu i përngjet lisit, rrënjët e të cilit janë e shkuara, trungu e sotmja dhe lastarët e ardhmja. Ndër tre komponentët, rrënjët e padukshme, kohësia e kurrënjohur plotësisht, përjetohet tej përmasave reale, zmadhuar e shformuar, pasqyrim konveks i tyre. Rrënjët e padukshme jetësojnë të sotmen dhe përimtojnë të ardhmen, mbushin me lëngun limfatik duknajën dhe fantazinë, vërtetësoren dhe imazhet prej të cilave buis shpirti i njeriut.
Përmbi njëqind vjet të shkuara fizikani francez i parmasave të mëdha, Lagranzhi, zbuloi ligjin e veprimit më të vogël apo parimin e minimumit, të cilit i nënshtrohen të gjithë përbërësit e botës inerte. Fuqia e parimit të Lagranzhit është e gjithësishme, vepron pa dallim mbi sendet:
“Çdo sistem fizik apo objekt i veçuar gjithnjë synon cakun me energji më të vogël të mundshme, ku prehet përjetësisht derisa kryhet punë së jashtmi për ta nxjerrë prej plogështisë”.
Nis sërish të funksionojë, shpenzon rezervën e dhuruar për të shkuar medoemos në përshfaqjen e gjumit energjitik. Shembulli i orës me kurdisje apo lavjerrësit matematik, që ndalet së fundi në qëndrimin vertikal, ilustrojnë qartazi gjeninë e Lagranzhit.
Forca e ideve të mëdha shpaloset në thjeshtësinë dhe kohësinë e tyre. Parimi i veprimit më të vogël është shembëllesë e këtij kuptimi filozofik, pasi të gjitha sistemet, krijuar përgjatë më shumë se një shekulli nga plazmimi i tij, nënshtrohen pa kushte, pa asnjë mëdyshje, pa përjashtim.
Jam krejtësisht i bindur se kjo ligjësi vepron me të njëjtën fuqi mbi shpirtin njerëzor dhe produkteve pafund të tij, krahasimisht gjendjes inerte. Cilido ndodhet dendur bosh, pa asnjë ide apo mendim, pa ndonjë motiv për të bërë diçka të dobishme, shkon pashmangshmërisht drejt gjendjes së mjegullt me energji shpirtërore minimum. Po ja, shfaqet një mik, dikush i ndodhet pranë në ditë të tillë, i jep kurajë, forcë, sikur derdh mbi të gjallërinë e nevojshme për të mbledhur veten dhe rinisur punën e lënë përgjysmë. Nëpër hulli të dhimbshme, që përjetojnë të gjithë një ditë, miq të tillë jo të zakontë janë ilaç përmbi të tjerë.
Në të shkuarën më patën impresionuar rrëfimet e bujshme për njohësit e shpatullave të bagëtive të cilët parashihnin të ardhmen. Përqark tyre sillej filozofia e kohës; ata nderoheshin përmbi qeveritarët, shndritnin brez pas brezi si dijetarë. Njohësit linin pas iskra diturie, copëza këshillash, mençurinë njerëzore që udhëtonte pa pushuar dhe tejçohej si thesar i çmuar. Nektari i substancës fluide kristalizohej në trajtën e grimcave brouniane që përsilleshin padukshmërisht në atmosferën kohëtare. Produkt kondesues të kësaj materie eterike, në një nga librat e mi krijova
“Njohësin”, burrin e ditur mbresëlënës që nuk mund t’i përkiste sojit të qeveritarëve përhumbur pa kthim në harresë, siç ka ndodhur përgjatë shekujve, ndaj vërshoi vetë pa dyzuar në bashkësinë e të mençurve. Përmes fjalës së hijshme u rrek t’i largojë Krojanët (të lënduarit) prej hakmarrjes, që do të përcillej gjatë si vijë dredharake gjaku në emër të aktit ende pakryer, por pa sukses. Mendësia e rrënjës e shtyn njeriun të gërmojë dhe t’i referohet lashtësisë për të ndërtuar të tashmen, sjelljen e përditshme. Forca tërheqëse e së shkuarës, bota e të vdekurve ushtronte mbi Krojanët trysni të papërballueshme, rrëshqiste përmbi logjikën e brishtë të të gjallëve njëjtësisht me tangjenten që kapërcen sferën.
Kur ndjeu se fjalët u përthithën shurdhët, të pafuqishme përballë moralit të lashtë vrastar, sikundër drita mbi trupin absolutisht të zi, ndoqi shtegun diplomatik. Parashikoi në shpatullën e deles vdekjen e rëndë pas tre muajsh në vëllazëri dhe dasmën e papërcaktuar përkrye gjashtë muajve. Krojanët e pandjeshëm ndaj gjykimit përligjës të ardhësit shtangën, u përkeqën prej kumtit, fantazia u vu në lëvizje, shpirtrat e trazuar morën të krisur dhe dora e hakmarrjes mbeti pezull.
Depërtoi me të vërtetë Njohësi në rrjedhat e ngjarjeve përmes shpatullës? Për më tepër, besonte ai në shenjat e asaj kocke mjerane e cila na paskej fuqi magjike? Zor t’i pranonte një mendje e ditur si ajo e Njohësit. Të tjerët po. U bindën tërësisht për dasmën, që e torën gjerë e gjatë mes tyre, po thellë nënvetëdijes ata i përkeqi vdekja pas tre muajve, dhimbje e rëndë që nuk dihej kush e kishte rrisk, pasi gjer aty e la kumtin Njohësi i mençur.
Mes tyre bluanin pa reshtur dasmën. Duhet të bënin krushqinë e papëlqyer, të zgjidhnin turpin e zi, apo hakmarrjen për nderin e përlyer? Dialogu mes tyre kapërcente të zakontën, më tepër ishte bisedë me të vdekurit, rrënjët e jetës dhe ekzistencës, që kumtonin nga bota e përtejme sjelljen, mënyrën e tyre të jetesës. Fijet e arsyetimit qenë produkt i bashkëjetesës absurde me të ikurit pa kthim, që nuk jetonin fizikisht po në trajtë fushe elektromagnetike i mbështillnin sikundër gjarpërinjtë e llahtarshëm Laokontin e mitologjisë. Forca e kësaj bashkëjetese ishte e papërfytyrueshme me ndikim magjik përtej imagjinatës së të gjallëve. Imazhet e botës së përtejme, në trajta gjithfarësh mbushnin jetën e përditshme.
Kur ndaheshin bluanin atë tjetrën, hidhësirën dhe vrisnin mendjen gjatë, përpëliteshin nëpër jorganë, përpiqeshin ta largonin nga vetja, po vdekja trupëzuar prej bestytnisë, u dilte në përgjumje dhe i tmerronte. Me drapërin mprehur mirë, u mbështillte kokat si duaj gruri dhe kur bëhej gati t’i priste, zgjoheshin të lebetitur. Gdhihej dhe sikur e harronin të keqen, bluanin sërish hakmarrjen, po me fuqi të prerë, pa guximin e mëparshëm që gremisi Njohësi përmes shpatullës.
Dita dhe arsyetimet mes vedi u jepnin guxim të përndiqnin gjurmët e hakmarrjes. Të gjallët flisnin me zërin dhe arsyen e të vdekurve. Vinte nata e errët, tymnajë mbushur me të panjohura dhe bestytni të larmishme pa cak, përzinte guximin, i mbështillte me krahët e errët dhe i frikonte si në përrallat mëkatare ku heronjtë e vdekur lemerisin të gjallët.
Te kumti mjeshtëror i Njohësit përmes shpatullës, filloi të zbehej hakmarrja dhe tkurreshin Krojanët nursëzë. Ndoshta gratë e papërfillura ditën në kuvend, u shtinin në vesh natën frikën nga vdekja që do të vinte medoemos. Kuvendi dyshe i natës, ku merrnin pjesë një burrë e një grua dhe kjo e fundit fliste më shumë me zemër, kishte forcë më të madhe nga pleqërimi burrërisht ditën, kur i jepnin kurajë njëri - tjetrit për të thurur gjakmarrjen.
Burri përkeqej, mundohej ta mbante veten, po në thelb ndiente se gruaja kishte të drejtë, ndaj të nesërmen, sybuhavitur nga pagjumësia, leqendisur prej arsyetimit të saj, nuk e kishte guximin e parë. Krisja vazhdonte të thellohej, ciflat përimtoheshin ngadalë, por me siguri dhe hakmarrja ngriu derisa koha me peshën e vet çoi në zgjidhjen logjike, të drejtë dhe njerëzore.
Ma merr mendja se njerëz të fuqishëm, kohëlargët kanë mençuruar njëlloj për t’u përcjellë të tjerëve idetë, qëndrimet dhe filozofinë. Krishti i drejtë, me dashuri të pamatë për bashkëkohësit dhe brezat e mëvonshëm, u përpoq t’i shtynte turmat drejt besimit në një Zot, drejt fesë unike me parime të larta morale mishëruar në Bibël, tharmi i kulturës së atëhershme dhe mëpastajme, poleni i
diturisë njerëzore, me fuqi të pamatë parashikuese për zhvillimet e pritshme. Bibla ishte përzgjedhje e ndihmesës së përbashkët të mendjeve më të fuqishme të njerëzimit përgjatë 1300 vitesh para Krishtit.
Ai dhe miqtë e tij apostuj nuk arritën të bindin njerëzinë, se hebrejtë prekeshin në interesat thelbësore prej besimit në një Zot, pasi jetonin me përgatitjen dhe shitjen e idhujve të panumërt, që populli çoroditur nga predikues të shumtë, i blinte me çmime të larta. Nuk është e lehtë të kthjellosh e ndriçosh me fjalë turmat, siç ndodhi dendur nëpër spërdredhjet e moteve. Beteja mes politeizmit dhe ateizmit, kultit të idhujve gjithfarësh dhe besimit të Zoti ka qënë nga më të ashprat e njerëzimit, tejzgjatur në shekuj, me mizori të llahtarshme, të paimagjinueshme.
Përfytyroni kthinën ku rrinë ulur trembëdhjetë burra, që kanë marrë mbi shpatulla fatet e botës nëpër rrokullimën e shekujve e mijëvjeçarëve, mendje të ndritura dhe shpirtra të dhembshur e ligështuar. Gota e verës, e famshmja kupë e argjendtë Graali, qarkullonte dorë më dorë, ajka e mendjeve të pazakonta me vështrim hyjnor në botën e mjegulluar projektonte të ardhmen e njerëzimit, gjindje që nuk dinin ç’bënin me paditurinë e tyre. I pari i atij grupimi, ngjashmërisht me Njohësin e shpatullave, ndoqi rrugën diplomatike. Pasi piu me fund kupën Graali, kumtoi se duhej mrekullia, legjenda për të dritësuar njerëzimin. Jezusi, më i mençuri i të gjithëve plazmoi kryqëzimin, vdekjen e vrojtuar dhimbshëm prej të gjithëve haptaz dhe ngritjen në qiell që nuk e pa askush. Turmat, kur hynë të nesërmen në shpellën e Betlehemit, gjetën çarçafët bosh. Mrekullia u arrit, s’mbetej pikë dyshimi, Zoti shpalosi vullnetin e tij. Kështu zuri fill krishtërimi, filozofia më jetëgjatë e botës, falë mençurisë së një njeriu. Kupa e argjendtë udhëtoi nëpër botë e nëpër kohë, mbrojtur me përkushtim nga besimtarët që nuk nguruan ta shpallin vepër emblematike për gjithë krishtërimin, ta shenjtërojnë si të ishte qenie njerëzore, Shën - Graali, deri sa u vendos në muzeun britanik të kultit pas nje odiseje stërgjatë.
Sido të jetë e vërteta, Jezu Krishti mbetet qënie e jashtzakonshme, që endi përmasën e munguar, besimin të Zoti, disiplinoi turmat dhe i përcolli drejt një jete me parime e norma të larta morale. Me siguri bota nuk do të arrinte zhvillimet e kohëve moderne pa fenë e krishterë, apo të tjerat që erdhën më pas dhe njëlloj predikonin moralin njerëzor drejt të cilit përqëndrohej sjellja e tyre.
Europa shpuri qytetërimin ndër fiset aborigjene të Amerikës dhe Afrikës, më së pari përmes përhapjes së fesë kristjane si hap ftillues, shpleksës për t’i shndërruar nga njerëz të egër në qenie të kulturuara. Pa Krishtin dhe krishtërimin, pa fenë dhe besimin në Zot, njerëzimi do të zgjaste shumë zgjimin për të arritur kulturën aq evidente të kohëve tona.
Kapërcyelli shqiptar nuk do të ishte aq i dhimbshëm po të mos masakrohej mizorisht feja, institucionet e saj dhe të krijohej “njeriu i ri”, mostër që nuk deshi pas Zotit, as prindërit dhe të afërmit e tij.
Le t’u falemi Krishtit dhe të tjerë burrave të zgjuar pas tij.
Ndoshta besimtarët e devotshëm do të më qortojnë për herezi apo blasfemi. Dua t’u kumtoj se meditimet e mia të zgripshme teokratike janë himn për fenë dhe vlerat e mëdha që mbart besimi. Nuk ve në dyshim ekzistencën e Krishtit dhe shenjtorëve të përndritur, as besimin fetar. Jo, kurrë! Por nuk mund të besoj naivitetin e detyruar të kohës tejet të thinjur përballë mençurisë dhe zhvillimeve moderne, ndaj në përsiatjet e mia synoj përmasën vërtetësore, ashtu si e përfytyroj lindjen e besimit kristian. Ndoshta nuk është tamam kështu, po kush mund të argumentojë saktësisht të kundërtën?
Herezia është sëmundje e pavetëdijshme e gjithkahershme dhe fatkeqe e njerëzimit. A nuk janë heretikë piktorët e ikonave që vizatojnë Krishtin dhe Zotin me fytyrë njeriu, për më tepër të atyre që njohin më mirë? Nuk është herezi të paraqesësh hyjnoren, të pavdekshmen me pamjen e krijesave vdekatare, mbushur me mëkate pa fund, sikundër është njeriu? Domosdo mëkaton “se cënon premisën themelore të besimit, karakterin mbinjerëzor të fesë ” sikundër kumtojnë teologët. Sikur majmunët të kishin ndërgjegje a nuk do ta përfytyronin perëndinë me tiparet e fizikut të tyre dhe jo pamje tjetër më të hijshme?
Gjithësesi herezia e njohur e Ariusit dhe arianistëve që dyshonin natyrën hyjnore të Krishtit, është më pak e dëmshme se mohimi i ekzistencës fizike të tij dhe besimit te Zoti.