| E diele, 10.05.2009, 05:56 PM |
Veprimtari përkujtimore për veprën e Akademikut Bedri Dedja
Vaçja dhe Fredi
Merr pjesë dhe Vaçe Zela jonë mbarëkombëtare, personaliteti i Vitit 2009, ikona e këngës shqiptare e cila pritet me entuziazëm të papërshkruar nga bashkëkombasit në Zvicër
Nga Alfred Papuçiu
Më 9 maj 2009, në Nëshatel të Zvicrës u zhvillua një veprimtari e bukur dhe emocionuese për veprën e Akademikut Bedri Dedja, ku për të nderuar kujtimin dhe veprën e tij, mori pjesë edhe ikona e muzikës së lehtë dhe popullore shqipe, Artistja e Popullit, Vaçe Zela. Ishin të pranishëm edhe Pjetër Rodiqi, bashkëshorti i saj, përkthyesi i talentuar i disa librave të auorëve zviceranë për Shqipërinë dhe Kosovën, Irma Rodiqi, ekonomiste në Institutit të Statistikave në Bazel të Zvicrës dhe poete.
Po ashtu, merrnin pjesë Z. Nazmi Jokurti, kryetari i bashkësisë shqiptare për Zvicrën, Z. Asllan Gjinovci, president i « Albanian International Scholarship Foundation », Shkrimtari Gani Demiri, Z.Rexhep Sadria, president i « Kosova Raisen », Z. Abaz Fejzullahu, kryetar i Shoqatës së intelektualëve shqiptarë në Zvicër, arsimtarë të gjuhës shqipe e intelektualë nga të gjitha kantonet, fëmijë të klasave shqipe, artdashës, përfaqësues të bibliotekës « Bibliomonde » të Nëshatelit, etj. Evenimentin e rrallë në Nëshatel e nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Enkel Zhuti, balerini i shquar shqiptar, njohur në shumë skena të Europës, ardhur enkas për këtë veprimtari nga Italia.
Bedri dhe Pandora Dedja
Është hera e parë që Vaçe Zela, megjithë gjendjen e saj shëndetësore jo të mirë, merr pjesë në një aktivitet kulturor. Hyrja e saj në sallën e madhe të restorantit TROPICALE- Hotel des Communes, Geneveys-sur Caffrane, Neuchatel (Nëshatel) u prit me duartrokitje që vazhduan më tepër se 20 minuta, shoqëruar me tingujt e këngëve të paharruara të perlës së muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare , Vaçe Zelës. E emocionuar dhe e përmalluar nga një pritje e tillë e veçantë për të, artistja jonë e shquar, por tepër modeste dhe fisnike, pranoi të dalë në fotografi, si kujtim i bukur i kësaj mbrëmje festive, me të gjithë pjesëmarrësit, bashkëkombas në Zvicër, por edhe të ardhur nga vende të tjera të Europës. Vaçja, tepër e emocionuar shprehu kënaqësinë e saj, si dhe fjalët : « Sot, ju më shtuat edhe një dekadë në jetën time. Dhe nuk do ta harroj kurrë këtë pritje madhështore. Ju dhe të gjithë bashkëkombasit e mij më keni frymëzuar që të këndoj dhe të jap një ndihmesë modeste për këngën në gjuhën shqipe, së bashku me të gjithë atë armatë këngëtarësh të suksesëshëm që po japin një kontribut të madh për të gëzuar shqiptarët, si dhe për të çuar së bashku më tej demokracinë e vendosur në Shqipëri . Ju dua shumë, siç e shprehët edhe ju dashurinë për mua, ashtu siç dua të afërmit e mij këtu, në Shqipëri, si dhe gjithë ata miq e dashamirës që po më japin një kënaqësi të veçantë, me rastin e 70-të Vjetorit të ditëlindjes sime. Ndoshta nuk e meritoj nderin e madh, duke më cilësuar si personalitete e Vitit 2009, nga ana e Ministrisë së Kulturës, apo nga gjithë ato telefonata dhe mesazhe urimi, nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, nga Ministri i Kulturës, Ardjan Turku, si dhe personalitete të tjera të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë».
Roza, Vaçja, Edlira dhe Fredi
Mbrëmja festive e 9 majit 2009 u organizua nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë « Naim Frashëri » (LAPSH), në bashkëpunim me Bashkësinë Shqiptare të Kantonit të Nëshatelit. Të pranishmit i përshëndeti Belul Bajrami, kryetar i Bashkësisë Shqiptare në Nëshatel, i cili foli për figurën e Akademikut Bedri Dedja dhe veprën e tij si dhe përshëndeti prezencën e artistes Vaçe Zela dhe kënaqësinë e veçantë që ajo solli midis nesh.
Më pas, për personalitetin dhe figurën e akademikut dhe shkrimtarit Bedri Dedja si dhe për veprën e tij të fundit, romanin –testament për fëmijë « Presidenti i Planetit të Kuq » foli edhe Z. Mahir Mustafa, koordinator i SHSHMP në Zvicër i cili evokoi kënaqësinë e zhvillimit të kësaj ngjarje festive dhe emocionuese për bashkëkombasit në Zvicër.
Presidenti i « Albanian International Scholarship Foundation » ( Fondacioni Ndërkombëtar për shkollimin e shqiptarëve), prof. Asllan Gjinovci evokoi “Kujtime me Bedri Deden”. Ai theksoi se Bedriu ka qënë i pari i cili ka mbështetur krijimin e këtij Fondacioni të sukseshëm që ka ndihmuar me qindra universitarë shqiptarë të ndjekin studimet në universitetet e Zvicrës, por edhe në Universitete të tjera të Europës e në SHBA. Gjinovci solli kujtime prekëse nga takimet e tij me Akademikun Bedri Dedja në Zvicër dhe në Shqipëri. Ai e cilësoi si shkrimtar unikal shqiptar jo vetëm për fëmijët, por edhe për adoleshentët dhe të rriturit, duke u shprehur atyre me elokuencë domosdoshmërinë për të ruajtur traditat e mira të popullit shqiptar, për gjuhën shqipe dhe zakonet e mira të tij.
Arsimtarja nga Kosova e gjuhës shqipe në Biel të Zvicrës, Saime Isufi Koleka foli për librin testament të shkrimtarit Bedri Dedja « Presidenti i planetit të kuq ». Gazetari Alfred Papuçiu foli për krijimtarinë e pasur të autorit poliedrik shqiptar, prej mëse 100 veprash, Bedri Dedja, për kontributin e madh që ka dhënë ai në fushat e psikologjisë, pedagogjisë, historisë së mendimit pedagogjik dhe historisë së arsimit kombëtar, si dhe për kujtimet e tij të paharruara me shkrimtarin. Ai theksoi se Bedri Dedja, megjithë moshën e tij mbi 70 vjeçare, nuk rreshti pa shkruar për Kosovën dhe Shqipërinë, edhe nga Nëshateli dhe Gjeneva e Zvicrës, ku vinte herë pas here, për vocërakët dhe rinë shqiptare që të mbajnë të gjallë gjuhën amtare dhe dashurinë për vendin e tyre. Alfred Papuçiu ndër të tjera evokoi mbajtjen e konferencave në Zvicër nga ana e Akademikut Bedri Dedja, sidomos për të rinjtë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe viset, që e kanë zgjedhur këtë vend, si atdheun e tyre të dytë. Ai u nguliste atyre në mendje, me elokuencën e tij të pashembullt, se duhet të respektojnë ligjet dhe zakonet e Zvicrës, si edhe zviceranët respektojnë traditat dhe gjuhën shqipe dhe të popujve të tjerë, duke u dhënë atyre mundësi të mësojnë dhe të flasin në gjuhën e tyre amtare.
Emocione ngjallën edhe kujtimet e profesorit, historianit dhe shkrimtarit nga Kosova, Gani Demiri, ish-nxënësit të Dekanit të parë të Fakultetit Histori-Filologji, në vitet 1953-1957-të. Ai kujtoi udhëtimet e shumta të Akademik Bedri Dedja në Kosovë me kolegë të tij kur jepnin atje mësim për studentët kosovarë, si dhe për takimet me prof. Rexhep Qosja, prof. Ahmet Gashi, ku ka qënë e pranishme edhe bashkëshortja e Bedriut, Pandora Dedja etj. Ai theksoi se Prof. Bedri Dedja në kohën që ishte zëvëndës ministër i Arsimit, bëri ç’është e mundur për të përfshirë në tekstet mësimore, vepra të shkrimtarëve kosovarë.
Edlira Dedja duke folur për librin ''Presidenti i Planetit të Kuq''
E bija e Akademikut Bedri Dedja, Presidente e « Opera pa kufij », profesoreshë në Konservatorin e Nëshatelit dhe të Gjenevës, Edlira Dedja-Bytyqi, falenderoi bashkëkombasit e pranishëm si dhe Artisten e Popullit, Vaçe Zela, për pjesëmarrjen; falenderoi organizuesit e mbrëmjes festive dhe mbresëlënëse, në kujtim të të jatit të paharruar, me rastin e promovimit të romanit "Presidenti i Planetit të Kuq".
Librin "Presidenti i Planetit të Kuq" të shkrimtarit Bedri Dedja, që tani ndodhet edhe në libraritë e Tiranës dhe Prishtinës, e kanë marrë për ta përkthyer edhe në gjuhën gjermane dhe italiane, në një kohë që përkthimi i tij ka përfunduar në gjuhën rumune. Kjo vepër është cilësuar tashmë nga lexuesit shqiptarë dhe të huaj si një kryevepër e letërsisë ndërkombëtare për fëmijë.
„Vepra e fundit e Bedri Dedjes, si testament shpirtëror që ai u kushton fëmijëve dhe që botohet pas vdekjes,- shkruan kritikja Klara Kodra - është një kryqëzim origjinal midis romanit përrallë dhe romanit fantastiko- shkencor. Në të ndërthuren probleme të mprehta aktuale si diktatura dhe demokracia, lufta dhe paqja, terrorizmi dhe Evropa e bashkuar, roli i shkencës dhe i informacionit bashkëkohor në edukimin e drejtë të fëmijëve të sotëm, që do të marrin stafetën e drejtimit të shoqërisë së ardhme shqiptare. Këtë mesazh, Bedri Dedja e jep përmes një fantazie të harlisur, gjetjeve të këndëshme dhe sidomos humorit, që është një nga çelësat e rëndësishëm të botës së fëmijëve, që çelet si lule në diellin e vogël dhe të ndritshëm të tij. Tek “Presidenti i Planetit të Kuq”, autori e ka dhuntinë e komunikimit me fëmijët më të gjallë se kurrë.
Fredi duke folur gjatë promovimit për veprat e Bedri Dedjes |
Pjetri, Roza, Vaçja dhe Iliri |
Në vazhdim, në veprimtarinë e 9 majit në Nëshatel të Zvicrës, pati diskutime të lira me nxënësit e shkollës shqipe të Nëshatelit, nën drejtimin e arsimtares së gjuhës shqipe, Drita Kelmendi. U lexuan edhe fragmente të librit « Presidenti i Planetit të Kuq » ( Marsi i kuqërremtë), nga nxënësit e shkollës shqipe. Programi u mbyll nga grupi i valleve të të rinjve shqiptarë, të veshur me kostume kombëtare. Pastaj, pjesëmarrësit darkuan deri vonë, në mjediset e « Restorantit Tropikal », shoqëruar me këngët e Personalitetit të Vitit 2009, Vaçe Zela. Largimi i saj u shoqërua përsëri me ovacione, përshëndetje, përqafime, nga të gjithë bashkëkombasit, të përmalluar për fatin e madh që patën në gjirin dhe festën e tyre, Artisten e Popullit,Vaçe Zelën mbarëkombëtare.