Editorial
Albert Vataj: Vrasja, si test politik
E marte, 05.05.2009, 10:05 PM
Vrasja, si test politik
Nga Albert Vataj
Në një pritë cubash, humbi jetën pak ditë më parë deputeti i tri legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhindi. Ngjarja makabre e asaj të shtune mbrëma ishte tepër e rëndë, tragjike për familjen, shokuese për kolegët, ndëshkuese për strukturat e rendit. Familja humbi njeriun e saj më të dashur, shoqëria u nda përgjithmonë nga miku i tyre i mirë, socilistët i dhanë lamtumirën e fundit, atij që i përfaqësoi ata me formatin e një politikani, krejt ndryshe ngasa jemi mësuar t’i përcjellim deri më tash. Banorët e Roskovecit, Fierit dhe Shqipërisë cep më cep, e përcollën me pikëllim këtë ngjarje.
Lajmi i ekzekutimit në oborrin e shtëpisë të një deputeti të Partisë Socialiste, vetëm dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, natyrshëm që përshkoi si një detonator mundësinë e makthit politik, të kësaj vrasje. E dyta e këtij rangu, pas asaj të Azem Hajdarit më 1998, i cili gjeti vdekjen fare pak metra larg selisë së Partisë Demokratike. Për fatin e mirë të vendit, kësohere klasa politike dëshmoi, për spariherë maturi dhe pjekuri politike, duke mos e komentuar këtë vrasje dhe duke i’a deleguar gjithçka të mëpasme strukturave të specializuara. Sado që minëvënësit mediatik, pinjollët e atyre të 1997 apo të 1998, u përpoqën që nëpërmjet një pyetësori tejet provokativ, u përpoqën të peshkonin personalitetet më të spikatura të politikës, kjo vrasje makabër mund të mbeste jashtë korrnizave politike.
Ka shumë pikëpyetje që ngrihen në lidhje me këtë mungesë vullneti për ta injektuar politikisht këtë ngjarje. Sikurëse ka shumë arsye për të besuar, se klasa politike nuk ka më asnjë shans për tu kapur pas një vrasje dhe për të vënë veten në kreun e një anarshie të mundshme. Kjo e motivuar edhe nga shkasi kalendarik ku ndodhen zgjedhjet dhe nga pozitat jo fort të shëndosha që e majta ka në pragun e kësaj beteje elektorale.
Paralelisht më këtë maturi, le ta quajmë kështu, pasi do të ishte e shëndetshme, edhe pala që do të ishte e shënjuara në thep-shtjegzën e këtij atentati, mazhoranca, tregoi edhe ajo klasin e saj. Që nga Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri, deri tek ministrat dhe deputetët, të gjithë pa përjashtim, u gjendën pranë familjes së deputetit të vrarë në këto momente të trishta. Të gjithë u angazhuan për një hetim dhe ndëshkim ekstrem të këtij krimi të rëndë.
Në këto kushte krimi nuk mundi të gjente një kahje politike dhe mbeti një motivim i strukturave të hetimit dhe të rendit për zbardhjen e kësaj ngjarje.
Politika, pak a shumë mbeti jashtë, dhe mirë bëri. Kostoja do të ishte e barabartë, sikur edhe kjo vrasje, të mbarsej politikisht. Humbësin dhe fitimtarin do ta luante vetë politika. Por jo vetëm ajo. Shanset e derisotme të vendit do të viheshin para një pikëpyetje të madhe. Momente delikate do përballnin politikën në këtë prag zgjedhjesh. Do të kërcënohej në tërësi procesi. Gjithçka e mbërritur me kaq mund dhe sakrifica do të shkonte dëm. Imazhi ynë do të pësonte një gërryerje serioze. Një nga kolonat më të rëndësishme, besueshmëria ndërkombëtare, do të merrte një krisje serioze. Kjo vrasje do të na vriste sërish.
Megjithatë shteti përkundër kësaj maturie, kësaj pjekurie politike, duhet të tregojë se është e predispozuar deri në maksimum për zbardhjen e kësaj çështjeje. Sa më shpejt që ti bëhet me dije opinionit publik, mbi prangosjen dhe vënien para drejtësisë, të autorit të vrasjes, aq më bindës mbeten deklaratat e titullarëve të shtetit dhe të rendit për angazhim. Qasjet për ta zvarritur, do të ishte një mundësi që opozita ta shfrytëzojë atë politikisht. Ndërkaq shteti do ta gjente veten, jo “si vrasës”, siç ka ndodhur dhe siç mund, por “si bashkëpunëtor në krim”. Dhe kjo natyrisht që do të ishte me një çmim të shtrenjtë, koston të cilën do ta kishte të vështirë ta paguante pushteti, (që kërkon të rimarrë një tjetër mandat), dhe pa kurrnji ndërmendje që opozita ta falë. Çdo ditë që këtë vrasje e vesh misteri, është një mundësi që opozita këtë mjegullnajë ta përdor si mantel apostulli në betejën elektorale.