Kulturë
Xhevdet Ferri: “Do ta shndërrojmë Kinostudion në Qytet të Filmit”
E shtune, 28.07.2007, 02:03 PM
Zona e Kinostudios, e cila sot përbëhet nga një numër i madh ndërtimesh dhe shtëpish filmike, televizionesh apo godinash të shërbimeve të ndryshme (tregtare, private etj) do të shndërrohet në një “Cinecita” shqiptare. Kështu ka deklaruar në një prononcim për gazetën “Sot” Xhevdet Ferri, drejtor i QKK. Projekti i ideuar qysh prej kohësh në rreth kineastësh, u materializua në një propozim për ligj të ri të kinematografisë, i cili është hartuar në nëntor të vitit 2006. tashmë, projekti i ri i ligjit për kinemanë është dorëzuar pranë Parlamentit shqiptar, për të marrë prej aty formën e një projektligji e më pas të një ligji të mirëfilltë, sapo të miratohet. “Nga ish-Kinostudio ne kemi trashëguar tre elemente: Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, fondin publik nën administrimin e QKK dhe asetet (territori dhe godina e Kinostudios. Të tri këto do të shërbejnë si pasuri kapitale për ta shndërruar zonën e kinostudios në një qytet të kinemasë dhe administrimin e saj ekonomik ta ketë ‘bashkia’ e këtij qyteti apo kësaj Akademie Kombëtare të Filmit. Kjo do të përbëhet nga tre institucionet e kinemasë shqiptare: Arkiva e Filmit, Qendra e Filmit dhe Albafilm Studio, ish-kinostudio Shqipëria e re”- u shpreh për gazetën drejtori Ferri. Ai shtoi se fondet do të jenë shumë transparente dhe për këtë do të operohet në partneritet të plotë me të tri qendrat e sipërpërmendura. “Dikush ka hedhur idenë se po bëhet një centralizim i pushtetit tonë mbi kinemanë shqiptare, por në të vërtetë ky mund të quhej deri diku një centralizim ekonomik, një menaxhim sa më efikas i fondeve që shteti merr nga taksat e godinave që aktualisht kanë në përdorim me qera ambientet në Kinostudio. Këto para që deri më sot i kanë shkuar ministrisë së Ekonomisë, mendojmë që me një marrëveshje me qeverinë dhe si pjesë e parashtruar në ligjin e ri, t’i marrim ne në menaxhim, për t’i përdorur ato në të mirë të ambienteve të kësaj zone të Tiranës”_ theksoi Ferri. Zonës së Kinostudios i mungojnë mjaft elemente për ta konsideruar atë një qytet të kinemasë shqiptare, pasi aty nuk ofrohen shërbimet e duhura komunale, nuk ka një plan rregullues që parashikon edhe shtrim të rrugëve, ofrim të parkingjeve apo edhe qendra argëtimi. Shpesh në orët e vona zona në fjalë i ngjan një qyteti të boshatisur e të braktisur prej kohësh, edhe pse gjatë ditës aty zhvillohet një jetë krejt tjetër... një jetë në negativa filmash.
Ligji i ri dhe perspektiva e tij
Sikurse drejtori i QKK thekson, ligji i ri që është hartuar po nga ai, sikurse ka ndodhur edhe me ligjin e vjetër të 1997- 2007- ës, nuk e hedh poshtë këtë të fundit, me të cilin vazhdohet të operohet në kinemanë tonë. “Ne nuk mund të hedhim poshtë një ligj, i cili ka funksionuar më së miri për këtë dhjetëvjeçar- u shpreh Ferri- por kemi shtuar disa pika dhe konkretisht, njëra prej tyre është edhe ajo e rikonceptimit dhe shndërrimit real të Kinostudios në një qytet të kinemasë apo filmit shqiptar. Ne mendojmë që në kuadër të kësaj ideje apo projekti, të realizojmë një plan urbanistik të këtij qyteti të kinemasë, duke menduar edhe për hapjen e një salle kinemaje, gjë që do të plotësonte vakumin e sotëm për salla të tilla. Për të ofruar të gjitha këto ambiente dhe shërbime që sot nuk i ofron Kinostudio, ne kemi menduar për këtë menaxhim të përbashkët të të ardhurave vjetore që shteti vjel nga taksat e qiramarrësve në zonë. Arkiva e Filmit, QKK dhe Albafilmstudio do të kenë autonominë e vet, sikurse e kemi patur deri më sot, me strukturat dhe funksionet tona përkatëse dhe të dallueshme. Dëshira jonë është që të menaxhojmë këtë trashëgimi të Kinostudios, e cila është copëzuar nga qiratë dhe që nuk ofron klimën dhe pamjen e një qyteti të vërtetë kinemaje”- përfundoi Ferri. Ligji i ri i kinematografisë i hartuar që prej vitit të kaluar, pritet të miratohet pas një plotësimi të tij nga ana ligjore- juridike.
Një fond shtesë për 2007
Është vendimi më i fundit që qeveria ka marrë në lidhje me rritjen e fondit vjetor të QKK për gjysmën e dytë të vitit 2007, duke e rritur këtë buxhet me 500 mijë $. Kështu, fondi vjetor për vitin 2007 i kësaj qendre shkon në 1.4 mln euro, nga 800 mijë euro që ishte. Kjo është e para shtesë që i shkon kinematografisë këto vitet e fundit. Me një miratim të qeverisë, nga buxheti shtesë dhe ai i mëparshmi bashkë 95 % janë me destinacion të drejtpërdrejtë prodhimet e reja filmime dhe vetëm 5 % shkojnë për shpenzime administrative. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007, kjo qendër ka realizuar premierat e dy filmave artistikë me metrazh të plotë, dy filmave të autorëve të rinj, tre dokumentarë e dy filma të animuar. Ndërkohë, së afërmi do të dalin edhe dy filmat e rinj artistikë të sapo përfunduar dhe katër të tjerë të animuar, të gjitha me financim nga buxheti i QKK për periudhën 2006-‘07. Po ashtu, 2 filma të tjerë artistikë kanë përfunduar fazën e xhirimit dhe një i tretë është në përfundim. “Tashmë- vijon Ferri- janë në përgatitjet e para tre filma të rinj artistikë shqiptarë me koproduksion dhe burime financiare nga kompani të huaja filmime, si dhe dis filma të tjerë dokumentarë, me metrazh të shkurtër dhe të animuar”. Gjithë viti, sipas drejtorit Ferri, ka një bilanc shpenzimesh prej 4 milion euro, ndërsa pjesa më e madhe e të cilave është mbuluar nga koproduksioni dhe burime të huaja financimi. Këtë vit janë përfunduar pesë filma artistikë më një shumë prej 4.5 mln euro, disa filma të animuar me një shifër prej 70-80 mijë euro dhe për filmat e realizuar dokumentarë janë shpenzuar 50 mijë euro. QKK është institucioni i vetëm shtetëror kinematografik në vendin tonë, që financohet nga Parlamenti. Projektet filmime që përfitojnë fond prej saj kalojnë përmes një konkursi përzgjedhës, etapë e cila kalon përmes Këshillit Miratues të Projekteve. Kjo strukturë zgjidhet nga shoqatat e kineastëve, të cilat deri më sot numërojnë 4 të tilla. Ky Këshill Miratues i Projekteve për aktivitetin kinematografik përbëhet nga 7 persona.