Shtesë » Historia
Ramadan Asllani: Hasan Remniku - Kaçaku i fundit i Kosovës (VIII)
E marte, 14.04.2009, 06:47 PM
HASAN REMNIKU – KAÇAKU I FUNDIT I KOSOVËS (8)
Udbashi i infiltruar në grupin e Hasan Remnikut
Taktika e hyrjes së Ismail Zenunit “në lojë” në grupin e Hasanit ishte lënia pas dore për një kohë e Hasan Remnikut me shokët, që kjo heshtje t’i shërbente atij për të hyrë shpejt në grupin e tij.
Nga Ramadan ASLLANI
Meqë këta tre persona u bashkuan, të gjithë të sprovuar për armë në situata të vështira, UDB-ja e futi në lojë me ta një antishqiptar, togerin Ismail Zenuni, i përgatitur për këtë qëllim që herët, kur Agush Mehmeti ishte në burg. Sipas kryemilicit të Kosovës, Shaban Kajtazit, UDB-ja e futi në veprim Ismailin, pasi komandanti i milicisë në Bresalc, (thuhej se ishte Tahir Sokoli) e informoi se Hasan Remniku kishte dhënë shenja të dyshimit ndaj besnikërisë se Rexhep Xhihës.
Shaban Kajtazi, fort ish idhnue –
Rexhep Xhiha, s’asht tue punue!...
-Do ta ndërrojmë me Rexhep zabunin-
Do t’ia çojmë Ismajl Zenunin!
Sipas konstatimit të Ismail Zenunit, në fjalimin para ushtarëve të korpusit të mbrojtjes popullore që morën pjesë në bllokimin e rrugës së Hasan Remnikut në Sreckë-Hoqa e Gjytetit-Zym, më 10 tetor 1951, për ta pamundësuar kalimin e Hasan Remnikut me grupin në Shqipëri, Ismaili kishte punuar gjashtë javë.
Në anën tjetër, UDB-ja për “dezertimin” e Ismail Ramë Zenunit nga organet e sigurimit bëri shumë zhurmë, duke vënë (kinse) në përcjellje njerëz e duke organizuar prita kundër tij. Njëkohësisht “organizoi” njësi të korpusit të Mbrojtjes Popullore, duke dhënë edhe shpërblim për të, duke shkuar deri në skajshmëri kush e kap të gjallë, por edhe kush e vriste. Kështu bënte politikë të rrejshme me masën e gjerë shqiptare për të humbur çdo dyshim rreth dhe për të.
Taktika e hyrjes së Ismaili Zenunit “në lojë” në grupin e Hasanit ishte lënia pas dore për një kohë e Hasan Remnikut me shokët, që kjo heshtje t’i shërbente atij për të hyrë shpejt në grupin e tij. Për t’ua mbushur mendjen, Ismail Zenuni kishte marrë më vete shumë municion, armë, uniforma të policisë dhe ushtrisë, material sanitar etj.
-Ismajl Zenuni asht togër,
Ai, Hasanin na e vret mejherë!
Për ballistë asht i pashpirt-
Ja e vret, ja e qet n’pritë!...
Kurthet e ngritura
Sipas të dhënave të sigurta, aty nga fillimi i shtatorit të vitit 1951 treshin: H. Remnikun, A. Mehmetin dhe M. Koka i vizitoi në kullën e Agushit në Bresalc, komandanti i milicisë Tahir Sokoli i shoqëruar prej Shefki Gashit të Bresalcit. Të pestit qëndruan së bashku mbi katër orë. Duket se këta, Hasanit me shokë, u dhanë “garanci” për besnikërinë e togerit “të dezertuar” Ismail Zenunit, për ta pranuar në grupin e tyre!. Pas kësaj kohe, Ismail Zenunin e gjejmë në grupin e Hasan Remnikut. Jovan Bullajiqi, duke u mbështetur në të dhënat e grupit të udbashëve të caktuar për kurthin e Hasan Remnikut me shokët: “Ismetit”, “Shabanit”, “Mirkut”, “Ragipit” dhe “Shefit” të tyre, “në Prishtinë” – Dimitrije Kolkoviqit – Disha, ka konstatuar se udbashi i infiltruar në “grupin e Hasan Alisë” i raportoi “qendrës”, në vijimësi e më rregull deri në “20 ditë” para se në kurthin për Hasan Alinë, me shokët të hidhet “Musa”- Sylë Mehmeti i Vraniqit të Suharekës. Pra, para 26 shtatorit 1951. Vetë Ismail Zenuni më 23 maj 1975, para një komisioni partiak, si dëshmi për besnikërinë e tij ndaj PKJ-së –LKJ-së, shkruante: “Tri javë kam qëndruar në grupin e Hasan Remnikut si gjarpri në gur pa armë e me kokë në trastë, për ta bindur atë në besnikërinë time ndaj tij dhe ndaj organizatës armiqësore të NDSh-së, që punonte për Shqipërinë e Etnike…!” Del se togeri Isamil Ramë Zenuni qëndroi në grupin e Hasanit pa arritur ta informonte “qendrën!”, prej datës 5-25 shtator 1951. Sipas J. Bullajiqit, bashkëveprimtarët e tij, në grupin për kurthin e Hasan Remnikut me shokët: “Ismeti”, “Mirko”, “Shabani”, “Shefi në Prishtinë” – menduan se , “Shoku i dërguar për lidhje” ishte hetuar, “dhe ishte vrarë!”. Së këndejmi paraqitja e tij pas 20 ditësh ishte gëzim “për shokët”.
Në “raport”, Ismail Zenuni informonte “qendrën” me synimet e grupit të Hasan Remnikut për kalimin në Shqipëri, si dhe të dhëna për jatakët më besnikë të Hasan Remnikut; për mosbesimin që po tregonte Hasan Remniku ndaj tij e ndaj çdo personi, që nuk ishte nga rrethi i tij jetësor dhe në fund: kërkoi nga “qendra” që të arrestohej Sylë Mehemti prej Vraniqi të Suharekës mik i Daut Kepës të Livoçit të Epërmë, i cili ishte angazhuar të gjente lidhje për ta kaluar grupin e Hasan Remnikut në Shqipëri.
Konstatoi se Sylë Mehemti është i moshës 50-vjeçare, se ka mustaqe të mëdha, se është burrë i pashëm dhe se është i respektueshëm në Vraniq dhe rrethinë të Suharekës. Vuri në pah se Syla, më 26 shtator 1951, të mërkurën ka për të dalë në Prizren, për t’u takuar me disa miq, me të cilët mendon ta kryejë detyrën e besuar; se ai nuk ka leje të qarkullimit për “zonën kufitare”, dhe se kjo duhet të merret si shkas për ta arrestuar! Ismaili kërkonte që Syla mos të lëshohet nga burgu derisa të pranojë bashkëpunimin e sinqertë. “Të kërcënohet me burg për kontakt me bandën qysh prej kohës së luftës dhe si bashkëpunëtor i Hasan Remnikut me shokët”
Helmimi dhe vrasja nga tradhtarët
Në fejtonin “Prita në Bistricë”, J. Bullajiqi, Sylë Mehemtin e quan me pseudonimin “Musa” me shtëpinë afër “Gradinës” se Vraniqit, kurse Daut Kepën e quan “Hamzë Syeljmani” i cili “me mish e me shpirt është i lidhur me grupin!”. Udhëheqësi i grupit për kurthin e Hasan Remnikut, “Ismeti” alias kapiten Aleksa Vuçiniqi dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë “Mirko”, alias Dragutin Papoviqi, morën vendime që të nesërmen, të mërkurën më 26 shtator 1951, në pazarin e Prizrenit të burgoseshin të gjithë personat me pamjen e Sylë Mehmetit, të përshkruar prej Ismail Zenunit dhe të vërtetuar nga operativisti i UDB-së për Suharekë Mehmet Cikuli, e të cilët nuk kanë leje qarkullimi për viset kufitare. Kështu, midis disa vetave të arrestuar u gjend edhe Sylë Mehmeti dhe u soll para shefit të grupit të operativistëve të angazhuar në kurthin për Hasan Remnikun. Në fillim Sylë Mehmeti u përpoq të shpëtonte nga rrjeti i merimangës së UDB-së. Mirëpo, do të thyhet shpejt për të dhënat e sakta që ia nxori përpara operativistit të UDB-së nga raporti i Ismail Zenunit.