Shtesë » Historia
7 prill 1939, Udhekryqet e mbreti Zog
E hene, 06.04.2009, 05:02 PM
Nga Hazis Gjergji
Shqipëria në prag të pushtimit... Në gjysmën e dytë të marsit 1939, udhëtarët e linjave Bari–Durrës e Brindisi – Vlorë kishin filluar të sillnin në Shqipëri lajme të dyshimta mbi grumbullime trupash ushtarake italiane në portet e Barit e të Brindisit; ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme të Italisë fashiste, konti Çiano (Galeazzo Ciano), shkroi në “Ditar”:
23 mars 1939
Duçja vendos të shpejtojë kohën për çështjen shqiptare dhe vetë harton një projektmarrëveshje shumë të shkurtër, me tre artikuj të thatë. Projekti ka më shumë formën e një dekreti se sa të një pakti ndërkombëtar. Po përgatis edhe unë një... Është një akord që, duke ruajtur format, pranon një aneksim efektiv të Shqipërisë. Duçja e miratoi. Ose Zogu pranon kushtet e parashtruara prej nesh, ose ne ndërmarrim pushtimin ushtarak të vendit. Për këtë qëllim po mobilizojmë e përqendrojmë në Puglia katër regjimente bersalierësh, një divizion fanterie, reparte ajrore dhe gjithë skuadrën e pare”(1).
Më 26 mars 1939, zarfi sekret me projektmarrëveshjen e “aneksimit efektiv” të Shqipërisë ndodhej mbi tavolinën e mbretit Zog. Me këtë rast, biografi anglez Jason Tomes shkruan: “Mbreti Zog qëndroi i vetëm për orë të tëra në zyrën e tij të tymosur, duke e lexuar e rilexuar projektmarrëveshjen, tek thithte nikotinë e rrufiste kafe. Qetësia thyhej vetëm nga përplasja e fortë e shiut në dritaret. Po atë të shtunë, më 26 mars 1939, nën të njëjtin shi të fortë, Musolini mbajti përpara 200.000 vetave në Romë, fjalimin e tij në përkujtim të njëzetvjetorit të themelimit të fashizmit. Ai e quajti paqen e përjetshme një katastrofë dhe përfundoi me fjalët: ‘Më shumë topa, më shumë aeroplanë me çdo kosto e mënyrë; edhe nëse duhet të spastrojmë të gjithë atë që ne e quajmë jetë të civilizuar!’”(2)
E shtuna e 2 marsit 1939 ishte edhe dita e njëmbëdhjetë e aneksimit të Çekosllovakisë nga Gjermania naziste e Adolf Hitlerit. Duket se veprimi rrufe i aleatit të tij gjerman e kishte nxitur Duçen të hidhte hapin e parë për aneksimin e presë së tij - Shqipërisë. Në të vërtetë, për arritjen e këtij objektivi, Duçja kishte 14 vjet që punonte, duke filluar me Bankën Kombëtare të Shqipërisë dhe huan SVEA (1925), Paktin I (1926) dhe II të Tiranës (1927); marrëveshjet ushtarake në prag të hipjes së Zogut në fronin mbretëror dhe, së fundi, 17 marrëveshjet zyrtare të shpallura dhe të fshehta të 19 marsit 1936. Në një telegram dërguar legatës italiane në Tiranë, në prag të nënshkrimit të marrëveshjeve të marsit 1936, Duçja i kishte porositur të dërguarit e vet me një frazë të vetme: “E rëndësishme është që të mbetet ndonjë thikë në dorën tonë” (“Importante che resti qualche coltello per il manico”) (3).
“Thika”, sipas porosisë së Duçes, ishte kamufluar në nenet e marrëveshjes së fshehtë ushtarake të marsit 1936, e cila nuk ishte shtruar për miratim as në Parlamentin e Mbretërisë Italisë e as në atë të Shqipërisë. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje, qeveria fashiste italiane kishte financuar buxhetin e ushtrisë mbretërore shqiptare në vitet 1936–1939, me afro 3 milionë e 500 mijë fr. ari në vit. Financimi ishte realizuar me para në dorë nga oficerët e Shtabit Madhor të ushtrisë fashiste italiane, nënkolonelëve Xhovani D’Antoni dhe Manlio Gabrieli. Sipas dokumenteve tashmë të botuara, duke filluar nga 27 gushti i vitit 1936 deri më 27 mars të vitit 1939, qeveria fashiste italiane kishte derdhur për pagesa rrogash, veshmbathjesh, ushqime e municione luftarake rreth 10 milionë e 492 mijë fr. ari ose sa 60% e buxhetit të qeverisë së mbretit Zog për ushtrinë (4). Shtabi Madhor i ushtrisë fashiste italiane nuk ishte vetëm financuesi më i madh i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare, por edhe ideatori kryesor i saj. Në bazë të ligjit themelor të saj, i hartuar nga Shtabi Madhor i Ushtrisë Fashiste Italiane dhe i dekretuar nga mbreti Zog në mars të vitit 1937, efektivi i ushtrisë shqiptare kishte në efektivin e saj 675 oficerë e 6000 nënoficerë, gardistë e ushtarë aktivë. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve të marsit 1936, mijëra “këshilltarë”, “organizatorë”, “instruktorë”, “specialistë” fashistë italianë kishin zënë pozitat kyçe në ushtri, xhandarmëri, ekonomi, arsim, kulturë etj. Vetëm në ushtri, nga postet nga më të larta komanduese e organizuese, si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm e deri te specialitetet më të rëndësishme të armëve të ndryshme luftarake, ishin caktuar 280 oficerë fashistë italianë.” (5)
Sipas përllogaritjeve të studiuesit italian, Gayda Virginio, në librin “Che cosa vuole l’Italia” (1940), nga vitit 1925 deri më 7 prill 1939, Italia fashiste kishte shpenzuar në Shqipëri mbi 1 miliard e 837 milionë lireta. Duke komentuar bilancin e këtyre parave të shpenzuara në Shqipëri, kolonel Faik Quku dëshmon: “Kur Zogu erdhi në fuqi, në vitin 1924, gjeti nji Shqipni të vorfën, por me nji ekonomi të paprekur; me nji financë pa asnji borxh, nji shtet të pavarun politikisht e me nji funksion me të vërtetë ekuilibrues në Ballkan e Adriatik; me nji administratë të ndershme shembullore, me nji demokraci në fillim, por në zhvillim e sipër; me nji popullsi, që me sakrifica të mëdha kundër nji bote, kishte mujtë me imponue pavarsinë e vet e për këtë ishte kryenaltë e entuziaste.... Gjatë 15 vjetëve të regjimit diktatorial të Zogut, të lidhun mbas qerres italiane, burimet ekonomike e financiare, si bankat, minierat, tregtia e jashtme, ujnat e bregu i detit, peshku, ndërmarrjet e ndryshme, vijat e portet ajrore ishin kaparua prej italianëve.”(6)
Mbreti Zog shkeli betimin e bërë mbi Bibël e Kuran
Para 11 vjetësh, më 1 shtator 1928, Mbreti Zog ishte betuar mbi Bibël e Kuran: “Unë, Zogu, Mbreti i Shqiptarëve, me rastin e marrjes në duart e mia të fuqisë mbretërore, betohem përpara Zotit të Gjithëfuqishëm se do të ruaj unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të shtetit...” Ndërsa, në fjalën e mbajtur përpara Asamblesë Kushtetuese, kishte deklaruar se e pranonte fronin, pasi “besonte që ky ishte vullneti i popullit dhe, nëse ai nuk do të tregohej i denjë për shpresat e tij, do t’ia linte vendin një njeriu më të mirë”. Ai e kishte mbyllur deklaratën e shkurtër me fjalët se do t’i shërbente Shqipërisë me të gjitha forcat e tij dhe, “po të ishte e nevojshme, do të jepte edhe jetën për të”. Në bazë të Kushtetutës së Mbretërisë Shqiptare, Ahmet Zogu përfaqësonte autoritetin më të lartë të qeverisjes së popullit dhe të ushtrimit të pushtetit sovran: ai kishte të drejtën “e shpalljes së luftës në rast mbrojtjeje”.(7)
Por, në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, mbreti Zog nuk nënshkroi as shpalljen e luftës për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesit fashistë dhe as e mblodhi Parlamentin “në një sesion të jashtëzakonshëm”, siç e përcaktonte Kushtetuta. Mbreti Zog ishte Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, për mbajtjen e stërvitjen e të cilave kishte harxhuar çdo vit afro gjysmën e buxhetit të shtetit; e megjithatë, ato ditë, kur duhej të ishte në krye të tyre në mbrojtje të atdheut, sipas detyrës së tij kushtetuese, ai dezertoi nga fronti i luftës, duke e lënë ushtrinë në duart e organizatorëve fashistë italianë dhe të agjentëve të SIM-it (Servizio Informazioni Militari). Se çfarë atmosfere u krijua ato ditë të zymta në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, kolonel Faik Quku dëshmon: “Ndërkaq, atmosfera shqiptare vjen gjithnji tue u ba ma e randë. Kudo, nëpër qytete, në male e në fusha, djem burra, pleq kanë nji dëshirë: me luftue. Kudo populli kërkon armë, por, simbas urdhnit të Mbretit, nuk i jepen kujt, me përjashtim të rrallë për ndonji të besueshëm dhe vetëm me urdhnin e tij. Në Berat, ku gjindesha unë, përditë grumbulloheshin qytetarë, malsorë e fshatarë, para prefekturës për me kërkue armë prej qeverisë...” (8)
Në ato ditë përcaktuese për fatin e Monarkisë Shqiptare, mbreti Zog u gjend në udhëkryqin më të madh të jetës së tij. Udha e parë e ftonte të vazhdonte bashkëpunimin e nisur qysh para katërmbëdhjetë vjetëve me Benito Musolinin dhe të sanksionuar me Paktin 20-vjeçar të “Aleancës Mbrojtëse” (1927), si dhe 17 marrëveshjet me shkrim e me gojë të marsit 1936, të cilat tashmë e kishin futur de facto e de jure Shqipërinë në orbitën e Italisë fashiste. Ndonëse mbreti Zog ishte i lidhur me njëmijë fije të dukshme e të padukshme me kreun e fashizmit italian, Benito Musolinin, prapëseprapë nuk pranoi ta vazhdonte më tej bashkëpunimin me të. Në fakt, përfundimi i luftës vërtetoi se në këtë pikë qëndrimi i Zogut qe i drejtë, pasi mbretërit e Belgjikës, Rumanisë, Bullgarisë e Jugosllavisë, të cilët nënshkruan dhe bashkëpunuan me forcat e Boshtit Romë–Berlin–Tokio, i humbën përfundimisht fronet e tyre mbretërorë.
Ndërgjegjja kombëtare dhe zërat e demonstruesve të kryeqytetit që ishin grumbulluar përpara kangjellave të pallatit të tij i bënin thirrje mbretit Zog të “mbathte opingat” dhe të vihej në krye të qëndresës së armatosur të popullit shqiptar. Në një takim të fundit me përfaqësuesin e ‘Foreign Office’, Sir Thomas Hohle dhe ministrin britanik të akredituar në Tiranë, Sir Andre Ryan, vetë Zogu kishte deklaruar: “Ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë cenimin e tokës sonë, që ta marrë vesh e gjithë bota e qytetëruar me atë fuqi që kemi”.(9)
Megjithatë, kur trupat fashiste italiane filluan zbarkimin e tyre në bregdetin shqiptar, mbreti Zog nuk e pa të udhës të udhëhiqte rezistencën e popullit shqiptar kundër pushtimit fashist të Shqipërisë. Vetëm katër orë përpara mbarimit të ultimatumit që i kishte dërguar Duçja, mbreti Zog thirri në rezidencën mbretërore vetëm Kryesinë e Parlamentit dhe anëtarët e qeverisë. Ndër të tjera, aty do të lexohej edhe letra e komandantit të rajonit të xhandarmërisë në qarkun e Beratit, kolonel Faik Qukut, dërguar komandantit të mbrojtjes kombëtare. Koloneli shtronte kërkesën legjitime të oficerëve patriotë shqiptarë për organizimin e qëndresës së armatosur kundër pushtuesve fashistë të atdheut. Por, mbledhja nuk mori as vendim për qëndresë e as vendim për dorëzim. Për më tej, kolonel Quku shprehet: “Në realitet, duket se Mbreti Zog e kishte marrë me kohë vendimin për të mos luftue, sepse me gjithë bisedimet e gjata me Italinë dhe me ultimatumet e saj se do ta pushtonte Shqipninë, ai nuk bani mobilizimin e forcave të armatosuna, nuk shpërndau armë popullit dhe nuk bani asnji përgatitje për luftë. Mbledhjen e fundit në pallatin e tij, me shumë vonesë për organizimin e luftës, ai e ka ba me kërkesën e komisionit të parlamentit dhe, ndoshta, simbas zakonit të tij, me ia hedhë përgjegjësinë të tjerëve, të cilët, si përherë, kanë shfaqë mendimin simbas dëshirës së tij...” (10)
Për të justifikuar mosveprimin e Zogut në prag të pushtimit fashist të Shqipërisë, një ndër avokatët mbrojtës të tij parashtron pyetjen: “Po a kish shanse Shqipëria me 800 mijë banorë t’i rezistonte Italisë, që vetëm ushtarë kishte 8 milionë?” Dhe, po vetë përgjigjet: “Lufta nën udhëheqjen e mbretit Zog mund të fillonte, por do të kish viktima njerëzore e dëme materiale të pa llogaritshme.” (11)
Por, përgjigjen e duhur se cili duhet të ishte qëndrimi i mbretit Zog përpara pushtimit fashist të atdheut, e dhanë vetëm gjashtë muaj më pas, Presidenti i Polonisë, Wladyslaw Raczkievicz, kryeministri Wladyslaw Sikorski e zëvendësi i tij Stanislaw Mikolajczyk, të cilët nuk i morën parasysh humbjet në njerëz e materiale, por u vunë në krye të rezistencës anti-hitleriane të popullit të tyre dhe gjaku i derdhur u shndërrua në një përmendore të nderit dhe lavdisë së popullit polak. Në krye të rezistencës anti-hitleriane të popujve të tyre do të viheshin edhe Mbretëresha Wilhelmina e Holandës, si dhe Mbreti Haakon VII i Norvegjisë. Pas rezistencës së parë në vendet e tyre, ashtu si anëtarët e ekipit qeverisës polak, mbretëresha Wilhelmina dhe mbreti Haakon VII u ftuan nga qeveria e Mbretërisë së Britanisë së Madhe për ta vijuar veprimtarinë e tyre udhëheqëse antifashiste nga Londra. Me fitoren e Luftës së Dytë Botërore, pjesëtarë të ekipit qeveritar polak, Mbretëresha Wilhelmina dhe Mbreti Haakoni VII u kthyen me nder në vendet e tyre.
Mbreti Zog nuk ndoqi as udhën e tretë: atë të kompromisit, ku njihej botërisht si një ndër politikanët më dinakë të kohës. Ish-ministri Jacomoni e këshilloi më se një herë mbretin Zog që të pranonte zbarkimin paqësor të trupave fashiste italiane në portet dhe pikat strategjike të Shqipërisë, por të qëndronte në vend dhe të shfrytëzonte garancitë e Musolinit për “ruajtjen e dinjitetit dhe mbrojtjen e sovranit dhe dinastisë së tij”. Përvoja e Luftës së Dytë Botërore tregoi se këtë rrugë e ndoqi mbreti i Danimarkës, Christiani X. Kur trupat e naziste pushtuan Danimarkën, ai u tërhoq nga jeta politike, por ruajti integritetin mbretëror të familjes së tij, sipas garancive që i dha Hitleri. Në vitet 1943–1945, Christiani X filloi ngritjen e grupeve klandestine anti-naziste dhe nuk e ndërpreu punën edhe kur hitlerianët e dënuan me arrest shtëpie, duke u bërë simbol i rezistencës daneze dhe pas luftës e rifitoi fronin legjitim të tij. Duke mos u larguar nga Shqipëria, mbreti Zog do të ishte bërë një element i fuqishëm në ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve dhe në organizimin e rezistencës popullore antifashiste. Prezenca e tij në Shqipëri do t’i pengonte komunistët shqiptarë të dilnin në krye të Rezistencës dhe Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar të popullit shqiptar, si dhe do t’ua vështirësonte ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtare dhe vendosjen e pushtetit të tyre pas Luftës në Shqipëri.
Kështu, mbreti Zog zgjodhi udhën e katërt: atë të braktisjes së popullit të vet në orën e tij më të vështirë, duke ikur nëpër natë për të shpëtuar kokën e familjen e vet, arkat e florinjve dhe oborrtarët e tij. Në këtë mënyrë, “Mbreti i Shqiptarëve” Zog I, e hodhi mbas krahëve betimin solemn që kishte bërë para “Zotit të Gjithëfuqishëm”, me njërën dorë mbi Bibël e tjetrën mbi Kuran, se do të ruante “unitetin kombëtar dhe integritetin territorial të vendit” dhe se “po të ishte e nevojshme”, do të jepte “edhe jetën për të”(!)
Përkundrazi, në mëngjesin e 7 prillit 1939, kur agresorët fashistë italianë kishin pushtuar të gjitha qytetet e bregdetit shqiptar, “Mbreti i shqiptarëve” i drejtoi popullit të tij një shpallje ku, ndër të tjera, deklaroi: “Unë jam i bindun se populli shqiptar, i vogël në numër, por i madh në shpirt, do të dijë në këto momente me dhanë prova të ndjesive ma të forta kombëtare që ushqen dhe që i ka trashëgue prej të parëve. Jam i bindun se nji popull i bashkuem në këtë mënyrë do të ketë mbrojtjen e Perëndisë!”(12)
Pas kësaj deklarate absurde, në pasdrekën e asaj “të Premteje të zezë”, për shqiptarët, Mbreti Zog e la Tiranën në fshehtësi dhe mori rrugën e Elbasanit për t’u arratisur në Greqi. Nuk ka asnjë dyshim se ikja e Mbretit Zog pati përkrahjen dhe mirëkuptimin e ministrit të jashtëzakonshëm e fuqiplotë të Italisë fashiste në Shqipëri, gjeneralit Françesko Jakomoni, i cili ka hedhur në kujtimet e tij konkluzionin e mëposhtëm:
“Rreth shkaqeve të braktisjes së vendit prej Zogut janë ngritur mjaft hamendje. Shumë njerëz thoshin se ai ndihej i kërcënuar, siç edhe në fakt ishte, prej hakmarrjeve të panumërta personale që karriera politike aventurore i kish shkaktuar. Sipas meje, në atë rast ai dha jo një provë frike, por përkundrazi, një provë të vizionit të tij largpamës politik. Ai ishte i qetë për të ardhmen e afërt të popullit të tij përderisa ajo i qe besuar Italisë, ndjenjat e së cilës ndaj shqiptarëve njiheshin mirë. Nga ana tjetër, ashtu siç mbreti kishte pasur shumë herë rastin për të ma thënë mua dhe të tjerëve, një Luftë e Dytë Botërore i dukej tashmë se qe shumë pranë. Vështirë të besohej se Italia mund të qëndronte mënjanë. Duke u larguar, ai mund të shpresonte, po qe se Italia fitonte luftën, në miqësinë e saj, nëse nuk do të na shkaktonte shqetësime. Në qoftë se fatet e luftës nuk do t’i buzëqeshnin Italisë, ashtu siç besohet në fakt se ishte dhe bindja e tij e thellë, ai mendonte se duke emigruar në Angli, do ta rifitonte fronin e Shqipërisë përmes mbështetjes angleze.”(13)
Duke mos iu përgjigjur detyrës së shenjtë që kishte marrë përsipër, mbreti Zog e humbi mbështetjen e popullit shqiptar dhe të Koalicionit Botëror Antifashist. Vërtet ish-mbreti Zog, në vitet e Luftës së Dytë Botërore u strehua në Francë e Angli, por u trajtua thjesht me status personal, pa iu njohur statusi institucional i “Mbretit të Shqiptarëve”, siç pretendonte.
Referencat
(1). Galeazzo Ciano, “Ditari” (1937–1943). Shqipëria, përkthyer nga Akil Çani, Tiranë: ‘Albinform’, 1994, f. 28–29.
(2) Jason Tomes, “Mbreti Zog i Shqipërisë, monarku i vetëshpallur mysliman i Europës”, ‘New York University Press’, 2004, f. 219-220)
(3) AQSH. Fondi Legata Italiane, viti 1936, dosja 87: tel. i B. Musolinit, nr. 19, 13 shkurt 1936
(4) AQSH. Fondi Legata Italiane, viti 1936, dosja 38, dok. 2477/966, 19 mars 1936
(5) “Historia e popullit shqiptar” vëll. III, Tiranë: ‘Toena’, 2007, f. 332–333
(6) F. Quku, “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës I Botërore”, vëll. I, Tiranë: Ilar, 2006,f. 43–45.
(7) Gazeta “Fletorja zyrtare”, viti VII, nr. 99, 6 shtator 1928).
(8) F. Quku, “Qëndresa shqiptare”..., vëll. I, f. 84.
(9) Hysen Selmani, “Nga notimet e Zogut I, Mbretit të Shqiptarëve, Tiranë, 2008, f. 302
(10) F. Quku, “Qëndresa shqiptare”..., vëll. I, f. 87–89
(11) Ilir Ushtelenca, “Diplomacia e Mbretit Zogu I”, Tiranë, 1995, f. 340.
(12) F. Quku, “Qëndresa shqiptare”..., vëll. I, f. 107).
(13) Francesco Jacomoni, “Gjysma ime shqiptare”, Tiranë, ‘Ora’, 2005, f.118-119.