E shtune, 21.12.2024, 01:42 PM (GMT)

Kulturë

Bilall Maliqi: Baki Ymeri - Një burim i pashtershëm i energjisë shqiptare

E premte, 03.04.2009, 07:09 PM


NJË BURIM I PASHTERSHËM I ENERGJISË SHQIPTARE

(Baki Ymeri, poet, përkthyes, publicist, kryeredaktor i revistës Albanezul/Shqiptari)
 
Intervistoi Bilall Maliqi

Baki Ymeri përveç se është i njohur në mërgatën shqiptare si njeri me vyrtyte të larta njerëzore, kombëtare, njeri i letrave, përkthimeve të shumta nga gjuha shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas, është i njohur edhe në të gjitha degët e ndara të trungut shqiptar, duke na ofruar shumë ndihmë në lëmin e përkthimeve të veprave të shumta si në poezi dhe në zhanre tjera letrare të shkrimtarëve nga Kosova dhe pjesë tjera që flasin shqip.Ideja jonë e kahmotshme ishte që përmes botës së internetit të bashkëbisedojmë me këtë veprimtarë, poet, përkthyes, publicist etj., me qëllim që edhe lexuesit e Kosovës Lindore përmes bisedës sonë ta njohin më tepër biografinë dhe jetën e tij krijuese në gjitha segmentet e veprimit të tij letrar.

Z. Ymeri, a mund të na jepni fillimisht një letërnjotfim të rrugës Suaj jetësore dhe krijuese, meqë publiku i Kosovës Lindore dëshiron t'ju njohë më shumë!

-Një dijetar i huaj ka thënë se kur flet për vetveten nuk të dëgjon askush, ndaj po e jap një fragment mendimesh të të tjerëve për ne: "Kam një mirënjohje të thellë ndaj njërit prej poetëve, përkthyesve, publicistëve, inteligjentëve dhe njerëzve të dalluar, siç është shqiptari me vlera të mëdha letrare, Baki Ymeri, i njohur kohëve të fundit si Asdreni i ditëve tona. Të shumtë janë ata që e njohin këtë njeri për virtytet e larta që e karakterizojnë, megjithatë, do kisha dëshirë të bëja një përmbledhje më të detajuar, jo vetëm për personin që i ka dhënë dhe i jep vazhdimisht vlera artit shqiptar, por edhe për përforcimin e urës së shëndetit ndërmjet dy vendeve, duke vendosur urën e pathyeshme të artit ndërmjet letërsisë shqiptare dhe asaj rumune. Sipas dr. Luan Topçiut, Baki Ymeri është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë dhe, mbi të gjitha, për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë të frytshme. Sipas korrespondencës, kuptojmë se Bakiu është një burim i pashtershëm i energjisë shqiptare, shqiptari që di t'i vërë në praktikë idetë, gjithmonë në shërbim të shqiptarizmit. Bakiu është shqiptari që shkruan për trimëri, lojalitet dhe besnikëri; i biri i një babai shqiptar dhe i një nëne rumune që e qëndisi në zemër të Bukureshtit një sintagmë të shenjtë, qysh para 80 vitesh: Rroft Shqipnija ene na nimoft Perëndija! (1932). Ai është shqiptari që e ngriti flamurin shqiptar në çati të shtëpisë së tij, qysh para 40 vitesh (1968), po aty ku e pat ngritur edhe i ati i tij, në kohën e Mbretërisë Shqiptare (1942). Shtëpia e tij (në Shipkovicë) është më e vjetra në fshat, e bastisur dhjetra herë nga xhandarmeria jugosllave, e braktisur dhe e papërmbysur. Atë e mbajnë në këmbë hyjnitë ngaqë Bakiu është shqiptari i parë që tha se "Në malet e Sharrit fshihen perënditë e Shqipërisë" (2001). Rrnoftë Shqipëria dhe na ndihmoftë Perëndia! Bakiu nuk është mbret, por është një mbretëri: mbretëria e fjalëve të mbështjella me dritë. Bakiu është Drita e Dardanisë që militon për afirmimin e Kosovës në gjuhën rumune qysh para 35 vitesh (1974). Sipas Riza Lahut (poet dhe pilot) "Bakiu është një mal i lartë, mbuluar me vetëtima". (Alma Papamihali)

Fillimet e para krijuese i keni nisur në Maqedoni e Kosovë. Më pas në mënyrë shumë të bujshme, i keni vazhduar në Bukuresht. Prej nga dhe si u gjendet në këtë relacion, Tetovë - Bukuresht?

-Më kujtohet si sot. Gjatë studimeve albanistike në Universitetin e Kosovës, profesori i letërsisë, dr. Latif Berisha më angazhoi të pregadis një temë seminarike me titullin Bukureshti si qendër e kulturës dhe letërsisë shqipe. Kjo ndikoi që të vi këtu për here të parë, gjatë pushimeve të janarit 1971, të kontaktoj farefisin dhe disa veteranë të komunitetit, për t'u kthyer në Shipkovicë dhe Prishtinë me katër valixhe me libra, gazeta, revista, albume, studime dhe dorëshkrime që kishin të bëjnë me lidhjet rumuno-shqiptare. Meqë ndër to kishte edhe materiale që i tërbonin aktivistët e partisë dhe veprimtarët e sigurimit komunist. Si pasojë e tyre dhe si pasojë e shkrimeve që fillova t'i botoj në Rilindja, Fjala, Flaka, në gazeta revista tjera, emri im u bë i admirueshëm për vendlindjen dhe i padëshirueshëm për sistemin. Derisa njëra palë më admironte, pala tjetër e përbërë nga shqiptarë të shitur që bashkëvepronte me udbashët e Shkupit dhe kryeshefin e sigurimit shtetëror të Tetovës, ma kurdisi një proces të montuar politik me trillime fantasmagorike, duke më shpallur nacionalist, irredentist, "armik i popullit dhe shtetit". Kjo ndikoi që të marr arratinë, gjë për të cilën i jam mirënjohës një shqiptari nga Kosova Lindore (Hajrullah Hajra nga Ferizaji). Erdha në Bukuresht (1973), prej këtu kalova në Gjermani, prej atje në Vienë dhe nga Viena në Bukuresht (1974), duke mos e ndërprerë kurrë misionin tim për afrime dhe afirmime të ndërsjella rumuno-shqiptare. Po qe se flas me shumë lidhur me persekutimet e mëtejshme, ekziston "rreziku" të krijoj përshtypjen e lexuesit gjoja se qenkam vetëlavdërimtar.

Kohë të gjatë, ju në një mënyrë, kryeni detyrën e "amabasodirt" të letrave shqipe për shqiptarët e Ballkanit. A mund të na thoni, ç'simbilozon apo çka paraqet Bukureshti për botën shqiptare?

-Bukureshti është një qytet i bukur të cilit ia shton bukurinë ky emër i bukur që ndërlidhet sipas legjendës me themeluesin e tij, bariu Bukur (ciobanul Bucur). Bariu Bukur ishte një bari rumun që mbante një nga emrat e ngjashëm të onomastikës trako-ilire, respektivisht rumuno-shqiptare. Bukureshti për mua është qyteti në i bukur në botë, thoshte dr. Vehbi Bexheti para 15 vitesh, kur e pat viyituar me kryetarin e komunës së Tetovës, Alajdin Demiri. Nominalizimet e këtilla janë sentimentale ngase këtu kanë vepruar rilindasit tanë që i hodhën bazat e para të kulturës dhe shtypit shqiptar, edhe pse këto baza i kanë hedhur shqiptarët e botës katolike qysh në kohën e Pal Engjëllit, autorin e Formulës së Pagëzimit, i cili me fjalë të gjuhës së sotme patë thënë: Unë të pagëzoj në emër të Atit e Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, formulë të cilën e pat zbuluar një bukureshtar: Nikolla Jorga. Bukureshti sipas Lasgush Poradecit është Qyteti që mban emrin më bujar të të folurit shqip. Në Bukuresht pat funksionuar shtypshkronja e parë shqiptare (1886), këtu u hartua Hymni kombëtar (1907), këtu u mbajt liturgjia e parë shqipe (1911), këtu u vendos që Shqipëria të shpallet e lirë dhe e pavarur (1912), këtu u botuan 30 gazeta e revista shqiptare (1888/1938), këtu u mbajt një miting solidariteti me Kosovën, NATO-n dhe Amerikën (31 mars 1999). Ka shumë për të thënë për atë se ç'simbolizon Bukureshti për botën shqiptare, por ky është subjekt i një sërë artikujsh që pason ti finalizojmë.

Sipas kësaj, a mund të flasim për një rilindje të re shqiptare në Bukuresht kur dihet se këtu veprojnë edhe shumë emra të tjerë që tashmë janë të shquar në letrat shqipe?

-Nuk e dimë në mund të flasim për një rilindje të re shqiptare në këtë vend derisa shqiptarët, jo vetëm këtu, i karakterizon egoizmi, interesi personal, xhelozia, smira dhe përçarja konform sintagmës Dy shqiptarë e tre parti. Jo për të gjithë e kemi fjalën. Rilindja e vërtetë ishte në kohën e Rilindjes, në periudhën e Mbretërisë kur Rumania konsiderohej si Franca e Orientit, kur Bukureshti konsiderohej si Parisi i Vogël, kur mijëra shqiptarë në këtë vend e siguronin ekzistencën siç e sigurojnë sot në Perëndim. Numri i shqiptarëve të Bukureshtit që ndjekin gjurmët e rilindësve tanë është më i vogël se numri i gishtave të dorës. Ndër ta shquhen dr. Xhelku Maksuti, Luan Topçiu, Sherban dhe Adriana Tabaku, Ardian Kyçyku me babain e tij që hedh gurë e drurë kundër nesh duke na etiketuar me sintagma përçarëse si "myslimanë" që mbajnë "emra tipik islamikë" etj., ndaj vështirë e ke të rikrijosh një rilindje të re me një grup shqiptarësh moshash e mentalitetesh të ndryshme që s'janë në gjendje as një telefonatë t'ia bëjnë njëri-tjetrit, e ku më të krijojnë një klub për promovime vlerash të përbashkëta, siç ekzistonin në kohën e Rilindjes, edhepse, edhe atëherë përçarja ndërshqiptare ishte prezente nëpër familje, kafene, shoqata etj. Ç' duhet bërë për sanimin e situatës! Shqipëria duhet ta dërgojë një ambasador të aftë për afirmimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në këtë vend, siç ishte dr. Marko Bello dikurë, një ambasador që e njeh kodeksin e diplomacisë euro-amerikane, i cili mund të japë kontribut edhe për bashkimin e shqiptarëve të këtij vendi në kuadrin e një shoqate të vetme: Drita Shqiptare e Bukureshtit, apo Bashkimi.

Ju, më tepër jeni të fokusuar në fushën e përkthimeve letrare. Nga rumanishtja në shqip dhe, anasjelltas. Cili është volume i deritashëm i punës suaj?

-Ja disa tituj nga veprat e përkthyera të autorit të kësaj interviste: Nikita Stënesku: Ekspozitë e të palindurve (Prishtinë, 1986), Angjel Dumbrëveanu: Kënga e mullibardhës (Shkup, 1986), Slavko Almëzha: Xhuxhimaxhuxhët kanë harruar të rriten (Prishtinë, 1989), Marin Sorescu: Eja të ta them një fjalë (Prishtinë, 1990), Karolina Ilika: Duke dashur në fshehtësi (Pogradec, 2004), Sali Bashota: Exilul sufletului/Ekzili i shpirtit (Bukuresht, 2004), Halil Haxhosaj: Umbra viselor/Hija e ëndrrave (Bukuresht, 2004), Ibrahim Kadriu: N-a r?mas timp pentru s?rb?tori/S'mbet kohë për kremte (Bukuresht, 2005), Mardena Kelmendi: De la suflet la suflet/Nga shpirti në shpirt (Bukuresht, 2007), Merita Bajraktari McCormack:Ferestrele sufletului/Dritaret e shpirtit (Bukuresht, 2007), Miradije Ramiqi: Shpirt i përflakur/Suflet înflac?rat (Bukuresht, 2007, Leom Kolmnela:Am v?zut lumea/E pashë botën (Bukuresht, 2007, Riza Sheqiri: Apel pentru Iubire/Ftesë për Dashuri, (Bukuresht, 2007), Jeton Kelmendi: Ce mult s-au r?rit scrisorile/Sa fort janë rralluar letrat (Bukuresht, 2007), Valeriu Butulescu: Lulet e Përjetësisë/Florile Ve?niciei (Bukuresht, 2007), Sarë Gjergji: Foc nestins/Zjarr i pashuar (Bukuresht, 2007), Florentin Popescu: Elegjia e kuajve të humbu/Elegia cailor pierdu?i (Bukuresht, 2007), Brahim Avdyli: Stelele Ve?niciei/Yjet e Përjetësisë (Bukuresht, 2007), Jusuf Zenunaj: Din stânc? curg lacrimi/Prej shkëmbit rrjedhin lotë (Bukuresht, 2008), Corina Matei Gherman: Capra cu trei iezi-Dhija me tre edha (Iash, 2008), Besa Salihu: Pedepse divine/Ndëshkime Hyjnore (Bukuresht, 2008) Mihai Prepelita: Mozaik Basarabian (Bukuresht, 2008), Fatmir F. Salihu: Lumina cuvintelor/Drita e fjalëve (Bukuresht 2008), Besa Salihu: Co?marul ?i spaima celor 78 de zile/Ankthi dhe tmerri i 78 ditëve (Bukuresht, 2009), Radije Hoxha: Dumnezeu m? iube?te noaptea/Zoti më do natën (Bukuresht, 2009), Sabit Rrustemi: Atingere divin? /Prekje hyjnore (Bukuresht, 2009), Ali D. Jasiqi: Ochii campului/Sytë e fushës (Bukuresht, 2009). Nga projekte letrare për përkthim dhe botim gjatë këtij viti: Florica Bud, Theodor Damian, Ramadan Mehmeti, Nuri Plaku etj.

Njëkohësisht, vazhdimisht shprushni dhe arkivat e Bukureshtit dhe, shpesh na dërgoni sinjale përmes botës së internetit për emra shqiptarësh dhe veprimtarësh thuaja "anonimë". Ka ende nëpër këto arkiva për të hulumtuar?

-Si jo! Pyetja Juaj ndërlidhet me Dritën Shqiptare të Bukureshtit. Biblioteka e Akademisë Rumune, arkivat dhe bibliotekat private kanë materiale të shumta: libra, gazeta, broshura, dorëshkrime, fotografi e dokumente, ende të panjohura për opinionin shqiptar. Për zbulimin, hulumtimin, deshifrimin dhe publikimin e tyre ekziston nevoja e konsolidimit të pavarësisë dhe përforcimit ekonomik të Kosovës, që Kosova të ketë resurse për hapjen e një zyre në Bukuresht për ndërlidhjen e Kosovës me Rumaninë, për afirmimin e Kosovës në këtë vend dhe të këtij vendi në Kosovë, për hulumtime të organizuara shkencore, për hapjen e një lektorati të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare në Bukuresht, për xhirime filmesh dokumentare, për furnizimin e bibliotekave kosovare me shtypin shqiptar të Rumanisë, që nga viti 1887 e këndej, për ndriçimin e jetës dhe veprës së atdhetarëve tanë që kanë vepruar në këtë vend, ndër të cilët shquhet edhe një emër i panjohur: Lazim Rexhepi me romanin e tij në dorëshkrim "Romani i ditëve të mija", me faqe të panumërta edhe për Kosovën gjatë periudhës 1945/1955. Një kontribut të dukshëm për hulumtimin e komunitetit shqiptar të këtij vendi ka dhënë dr. Ismet Dërmaku, ndërsa merita kryesore për furnizimin e fondeve të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës me vlera të vjetra shqiptare nga ky vend, i përket dr. Sali Bashotës.

T'iu kthehemi përsëri përkthimeve. Mendoni se fusha e artit është shansi më i mirë për t'u njohur dy popuj mes vete?

-Pse jo! Arti është fisnikërim i shpirtit dhe pasurim i thesarit kombëtar të një populli. Përkthimi i vlerave letrare krijon ura afrimi e mirëkuptimi. Shqiptarët kanë nevojë primordiale për përforcimin e kësaj ure të shëndetshme, ngase gjuha e Europës është përkthimi. Nuk e dimë në e kemi thënë këtë në kuadrin e ndonjë interviste paraprake, por e dimë se mendimet e përsëritura, ushqimet e mira dhe gruaja e mirë, nuk të dëmtojnë, por të shërojnë. Një nga eseistët rumunë (Mihai Antonescu), thot me një rast se tani mund të vdes i lumtur, ngase i kam njohur vlerat letrare dhe shpirtin poetik të sivëllezërve tanë nga Kosova.

Po për Antologjitë e miqësive poetike ç'mund të na thoni më shumë?

-Ideja e parë për antologjinë e parë të Kosovës poetike në gjuhën rumune i përket dr. Sali Bashotës, një ide fisnike e cila u kurorëzua me sukes përmes antologjisë Ishulli i pavdekësisë/Insula nemuririi (Bukuresht, 2005), të cilën sot e kësaj dite e gjeni në librarinë e Muzeut të Letërsisë Rumune, si dhe në biblioteka të shumta bukureshtare. Pas saj, pasoi antologjia e poezisë rumune në gjuhën shqipe (Mosha e Artë e Dashurisë, Prishtinë, 2007). Me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e NATO-s në Bukuresht (2008), Jeton Kelmendi na porositi ta sajojmë një antologji të përbashkeët me nga 7 poetë shqiptarë dhe rumunë (Bukuria e bukurive/ Frumusetea frumusetilor), pas së cilës pasuan një serë antologjishë të përbashkëta të miqësisë, falë ideatores Mardena Kelmendi nga Italia.

Kur pritet që në këto antologji apo edhe me ndonjë përkthim më vete të gjejnë vend edhe shkrimtarët e artistët e arteve pamore nga Kosova Lindore?

-Ndoshta gjatë këtij viti apo viti të ardhshëm, varësisht nga koha, kushtet dhe shëndeti, edhepse disa poetë të njohur të kësaj zone i kemi prezantuar, disa me nga një vëllim poetik, disa në antologji të përbashkëta poetike (Ibrahim Kadriu, Sabit Rrustemi, Ramadan Mehmeti, Bardh Frangu, Albina Idrizi, Mexhid Mehmeti, Sarë Gjergji).

Për fund, cili mund të jetë mesazhi juaj për shqiptarët e Kosovës Lindore që, dikush i quan edhe "shqiptarët e Luginës së Preshevës", mos është ky emërtim paksa më i kufizuar?

-Admirimi im është i pakufishëm për shqiptarët ngado që janë, sidomos për Idriz Seferin, Abdulla Preshevën, Agim Ramadanin dhe dardanët e panumërt që kanë përjetuar inkuizicionin osman dhe barbarinë e mesjetës serbe të dy shekujve të fundit (XIX-XX). Sivëllezërve tanë të kësaj zone të prekur nga intoleranca serbe dhe persekutimi, nga inegalitetit i inkuadrimit të shqiptarëve në strukturat shtetërore, nga durimi dhe shpresat për ditë më të mira, u dëshirojmë atdhetari dhe qytetërim, lumturi dhe dashuri, shëndet, unitet dhe prosperitet.

Një fragment i mënjanuar nga B. Ymeri:

Edhe pse Lugina e Preshevës është një linjë strategjike e Beogradit për ndërlidhje me Shkupin dhe Athinën, meqë moralisht nuk i përket Beogradit si pasojë e vandalizmit serb kundër etnosit shqiptar, kjo zonë delikate meriton ti bashkangjitet Kosovës historike përmes tratativave paqësore ndërmjet Prishtinës, Washingtonit dhe Beogradit, për këmbim të të njejtës hapsirë gjeografike të banuar me mazhorancë serbe në veri të Kosovës. Ky është një mendim i papjekur poetik, të cilin mund ta kish bërë publik dikush tjetër para nesh. Poetit nuk i ka hije të merret me politikë, ngase për zgjidhjen e çështjeve të këtilla delikate, Kosova ka parti politike dhe analistë më të mirë se ne.



(Vota: 11 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora