Kulturë
Albert Zholi: Nata pa hënë, ose ngjarje e viteve 60-të
E enjte, 02.04.2009, 05:57 PM
Albert Zholi
NATA PA HËNË, OSE NGJARJE E VITEVE 60-të
Sa doli nga zyra e kryetarit të Këshillit,L.T. vendosi të arratisej. “Do ta paguash shtrenjtë!”, e kish kërcënuar kryetari. Dhe ato fjalë e kishin bishtin mbrapa.E nesërmja nuk dihej si do të vinte. Ai kishte një familje të re, një fëmijë të pambushur vitin dhe ëndrra të bukura për të jetuar. Pasi e diskutoi edhe me gruan, u përgatiten për ikjen. Planin e kishin menduar mirë për të arritur te kufirit pa rënë në duart e ushtarëve.
Ishte prag nate. Shiu kishte heshtur, por bënte ftohtë.Në kushte të tilla ushtarët e kufirit ishin më pak vigjilentë. Piramida ku kishin zgjedhur shtegun e kalimit ishte disa kilometër nën fshatin Leshnicë dhe ata si vend e njihnin me pëllëmbë cdo gur e shkurre. L.T kaloi shtegun! Pas tij, disi më larg, vinte gruaja me fëmijën e vogël në duar. “Ja hodhëm” kaloi ai nëpër tru, duke ecur si mbi gjemba e duke dëgjuar heshtjen që i vinte nga mbrapa. Ajo heshtje ishte shpëtimtare. Cdo ccast nga ajo heshtje, ishte jetë për të edhe për gruan me kopanecin në duar. Por qarja e fëmijës e tmerroi. Një qarje klithmë. Pastaj ca zëra të egër e të panjohur. Ai aq mund të dëgjonte .
Gruaja, me fëmijën e vogël në duar, befas ishte përballur me një ushtar të patrrullës. Trembja e saj ishte edhe klithma e fëmijës. Ajo mbuloi fëmijën në gjoks, me instiktin e nënës. Gryka e automatikut, dy metra para saj, ia kish ndaluar frymën, vetëm zemrën nuk i kish ndalur akoma. Nga larg ndjeheshin këmbë në hapa të shpejtë dhe zëra të pakuptimtë.
- Hë, cc’pret?! Qëllo! –foli ajo me gjithë frymën që i kish mbetur brenda gjoksit. Këto fjalë iu dukën zgjidhja më e mirë, kur jeta matej me sekonda.
- Largohu, largohu shpejt !- i foli ushtari gruas dhe grykën e automatikut e ngriti andej nga s’dukeshin yjet. Ajo s’po u besonte syve dhe veshëve . “ Si është e mundur !??” Por edhe këtë pyetje nuk ia bëri dot vetes, se nuk ia arrinte koha. Mori vrapin në udhën që kishte nisur. Këmbët i digjnin si të shkelte mbi gjemba, apo mbi prush të ndezur. Nga pas ndjeu një breshëri krismash. Mendoi se të gjithë plumbat i kaluan përmbi trup. Por ccuditërisht ajo po ecte e ecte... Edhe fëmijën e kish futur brenda gjoksit.
Kur krismat e zërat nuk i ndjente më e ndaloi vrapin. Tashti ishte futur thellë në tokën greke. Aty, pranë, një guve e priste burri.
-Cudi?!Si nuk më zunë plumbat?! Në gjithë atë qamet shpëtuam- foli ajo dhe përqafoi të shoqin.
-Do Zoti, një ditë e marrim vesh se kush na ndihmoi. Atij ushtari i kemi borxh jetën –foli gruaja dhe puthi me buzët që i dridheshin, fëmijën e përgjumur.
Kjo ngjarje ka mbi tre dekada që ka ndodhur. Fëmija është rritur dhe si në ëndërr dhe ndoshta i kujtohet ajo natë pa hënë.