Kulturë
Flamur Maloku: Shenjat e kujtesës
E merkure, 01.04.2009, 06:43 PM
Studim teksti
Ali Podrimja
Shenjat e kujtesës
Duke parë gjithnjë lojën mbi tjetrin, shpirti i poetit nuk nguron të shprehet përmes diskursit ironik. E gjithë kjo vije nga lufta shpirtërore-nacionale për mbijetesë ekzistenciale, e cila ekzistenciale ka argumente e dëshmi, që nga lashtësia e deri sot
Nga Flamur Maloku
Ali Podrimja del para lexuesit duke dëshmuar mbi ekzistencën nacionale, e cila njëherësh shënjohet e kodifikohet në strukturën e tekstit poetik “Libri mbi të qenit”. Pra, libri figurohet e sistemohet çdoherë mbi qëndrueshmërinë nacionale, që hapet e dëshmohet mbi kohën e ligë, duke dhënë kështu çdoherë në tërësinë tekstore shenjat e ruajtjes së identitetit, varësisht kohës së ligë. Shenjat e ruajtjes së identitetit dalin dhe shënjohen nga shenjat e rezistencës. Dihet se ekzistencën e jep rezistenca e përhershme individuale e kolektive. Kjo në strukturën e tekstit, sa vjen e përforcohet, thellohet e argumentohet, duke theksuar edhe gjendje shpirtërore, në kohë të ndryshme të përjetimit. Përjetimet janë të artikuluara me figura e ide. Në esencë të gjitha përjetimet në gjuhën poetike zbulohen nëpërmjet shkrimit të poezive, ku secila poezi në shtresimin e idesë shtreson një ndjejnë të vuajtjes e të krenarisë së përjetuar. Duke e ndier këtë në vete, autori të gjitha çastet e ndryshme jetësore-personale i shpreh në qëndrim, i cili qëndrim është i paluhatshëm në strukturën e poezive dhe del pothuajse i hapur në të gjitha poezitë, të cilat gjatë leximit dhe rileximit shënjojnë para lexuesit sprovimin kombëtar e individual në kohë të ndryshme. Tani përballimi i tërë asaj kohe për popullin shqiptar reflektohet në qëndresën e madhe. Qëndresa individuale e kolektive në statusin e shkrimit ndërtohet në dëshminë e shqiptimit, ku dëshmia e ekzistencës kalon në përjetim personal karshi kodit nacional. Subjekti bëhet një me dëshminë e atdheut-ekzistencës, e cila njëherësh si shenjë përjetimi dhe gjakimi, në shtresat e figurshme tekstore, bëhet përhershmëri individuale përballë dëshmisë:
Librin mbi të qenit e shkruaj
Në shkretëtirën gllabëruese
Ku guri pikon gjak dhe e uroj
Për fuqinë që ma fal
Shihet së kjo poezi shkruhet në kohën e dëshpërimit, ku çdo gjë ishte në kaos, i cili kaos do të shënjohet në rrafshin e përjetimit, duke mundësuar gjithnjë fokusimin e asaj që në esencë ishte vetë vdekje për një komb të tërë. Në këtë mënyrë ngjarjet e hidhura në shtresimin e poezisë kualifikohen në dhembje-gjakuse, për fatin e popullit, i cili s’do asgjë tjetër pos lirisë dhe jetesës në vendin e vet. Kërkimin e lirisë subjekti e shpreh në dëshmi, se ka të drejtë të jetojë në tokën e tij të lashtë:
“Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj”
Dhembja e subjektit lirik në pozicionim dhe në përjetim, shprehet më një tonë të vetmisë dhe papajtueshmërisë, mbi shumë gjera që kanë të bëjnë mbi padrejtësitë që i janë ushtruar kombit shqiptar, të cilat dëshmohen dhe argumentohen, që përmes figurës metaforike prekin atë që është kërkim i lirisë së vazhdueshme të jetesës. Të gjitha këto ide shprehen përmes figurave me një theks të gjakimit e të vuajtjes së rëndë me dhembjen e pafund subjektive, duke mos e reduktuar asnjëherë sistemin e figurav. Kështu, poezia shkruhet çdoherë si mos pajtimi me kohën e ligë, vetë koha është ajo që e ka shkaktuar këtë dhembje, e cila ka krijuar varrë në shpirtin e autorit, ku dhimbshëm subjekti shprehet përmes konotacionit poetik ndaj Kosovës:
Pas Kosovës
Me siguri Saharja
Se pikon dhembje Atdheu
Figura e Saharasë përgjatë shtresimit të tekstit, hap brendinë e subjektit, brendi kjo që së bashku me dhembjen e bëjnë me përvëlues shpirtin e subjektit. Jo rastësisht skicohet Saharaja nga subjekti. Këtu shenjat tekstore në planin e ideve e të figurave mbeten në kohë, të cilat shenja shtresojnë përbrenda diskursit dhembjen individuale nëpër të cilat është sfiduar subjekti lirik, duke mos u pajtuar asnjëherë që Kosova të bëhet Sahara-tokë e shkretë. Podrimja nuk pajtohet me këtë. Kur njeriu nuk pajtohet me realitetin e hidhur, ai patjetër gjakohet e rebelohet rëndë, sepse është kundër asaj që të krijon vdekje. Mospajtimi padyshim kërkon edhe guximin individual, nga guximi i madh podrimjan lindë edhe figura e ironisë. Shprehja e brendisë personale thuret përmes shenjave nacionale të fortësisë/lashtësisë, ashtu si te përmbledhja e tij e mëhershme poetike “Lum Lumi”, që përmes shenjave të dhembjes personale, arrin të formësojë shenjat e arki-nacionalës, të cilat e fortësojnë, edhe pse dhembja personale është e madhe përballë vdekjes se djalit Lumit. Kështu, shenjat arki-nacionalës, dalin edhe të ky libër, që formësohen me figura, të cilat figura janë edhe ndërtuese të kësaj arki-nacionale, edhe pse këto figura nuk janë më në jetë, por mbesin të gjalla në kujtesë, prandaj çdo rikthimi për në këto figura, për Ali Podrimjen janë burrëri shpirtërore, fortësi e trupit fizik.
Shkoi Isa
Edhe Deda
Edhe Baca Bajram
Pastaj Kadriu
Dikur ndeza pishën
Grykave dikush t’i zgjojë
E të dëshmojë
Se kemi ekzistuar
Nga kjo vërehet se subjekti dëshmon, e cila dëshmi lidhet me çastet të lavdisë së dikurshme dhe kërkon që këto lëvdata të mos kalojnë në heshtje, por të ringjallën në memorien kombëtare, sepse me to ne identifikohemi si vlerë, si dëshmi se kemi ekzistuar. Dashuria e subjektit për Atdheun është e gjallë, e cila dashuri nuk shuhet për asnjë moment përgjatë kujtesës subjektive.
Ferri humb kuptimin
Gjithnjë duke u gjakuar Ali Podrimja thur vargje sa retorike po aq edhe dramatike. Dramatikja këtu del në kuptime shumështresore, ku përpjekjet për konkretizim të një ekzistence reale janë të pandryshueshme, edhe pse fati i ekzistencës nacionale nga të tjerët perceptohej si lojë e teatrit. Ngjarjet e këtilla e rrisin edhe më shumë dramatiken shpirtërore, ku tanimë edhe ferri e ka humbur kuptimin, siç thotë poeti në një varg të tij:
“Ferri humbi kuptimin”
Përjetimet e shumta individuale e kolektive tani kanë prekur majën dramatike, nga përjetimet e shumta edhe vetë ferri ka humbur kuptimin, pra ferri është bërë një me dhembjen shpirtërore. Dihet së është kohë e keqe e njeriut pushtues, kohë e pabesisë, kohë qeni, siç thotë Podrimja, varësisht kësaj kohe, fortësia individuale e kolektive nuk thyhet, sepse në mbrojtje kemi Zotin dëshmitar se ekzistojmë në Tokën/Qiellin/Diellin tonë. Duke qenë se ekzistojmë, që për të huajin kjo ekzistencë nuk njihet, andaj edhe sprovimet e gjakimet i kthejmë në këngë, pra nuk ekziston frika nga vdekja përballë kodit nacional. Vdekjes nuk ia kemi frikën, atë e kemi nën sqetull, siç thotë poeti:
Kohë qeni, i dëgjoni lehjet?
Kemi vdekjen nën sqetull
Zotin kemi dhe Tokën tonë
Qiellin dhe Diellin mbi duar
Kjo jetë e vështirë është bërë përvojë në situatat e përjetuara dhe të identifikuar, që tani janë emocione të trishta shpirtërore, por pa asnjë luhatje subjektive përballë kodit nacional, duke u bërë kështu edhe model jetësor për të tjerët, mësim se si njeriu i bën ballë edhe vdekjes, kur është në pyetje fati i atdheut. E tërë ky identifikim nënkupton njëherësh se jetën reale subjekti e bën të flijueshme kur është në pyetje atdheu. Gjithnjë mendimi subjektiv mbi përjetimin personal e nacional sa vjen e argumentohet, duke u thelluar në asociacione të shumta të shtresave-figurave në kohë dhembje-përjetimi. Koha e ligë merr gradacion, kjo identifikohet me njerëzit e ligë-pushtuesin, që nuk ngopet me gjakun e tjetrit, më kokën e tjetrit:
Një kokë serbe
Dhjetë shqiptare
Pak Vojvodë
Një kokë serbe
Njëqind koka shqiptare
Shumë pak Vojvodë
Një kokë serbe
Një mijë koka shqiptare
Si asnjë për Qele Kullë Vojvodë
Fati/jeta/vdekja, shtresohen në diskurs për të dhënë para së gjithash një skemë tematike-tragjike, skemë kjo përherë e rikthyer në tragjedi personal e nacionale, që determinohet nga kohët e ndryshme empirike. Botëkuptimet mbi pangopësinë e të huajit-pushtuesit, bëhen intencë personale në të përgjithshmen kolektive. Prerja e kokës-shqiptarit deri në një mijë, për një kokë të vetme serbe, është formulë e njohur, e cila është aplikuar që nga miti i pushtimit të Kosovës, e deri në luftën e fundit, e cila tani në strukturën e poezisë bëhet shenjë e shfarosjes, shenjë e vdekjes, të asaj që nuk ka mbarim. Duke e pasur të qartë këtë ide të shfarosjes, bëhet e rend tani gjatë thurjes subjektive-shpirtërore:
Ç’është tepër
Tepër është
Një jetë në nofulla ujku
Oh Nënë
Në valë të Drinit
Të më hidheshe më mirë
Gjergji do më gjente
Diku në Detin Jonë
E sopata s’do e hanet pyllin
Ç’ është tepër tepër
Tepër është
Mospajtimi është deri në pikën e fundit, me një neveri të madhe-përjashtuese, që kthehet e rikthehet në shkrim, për t’u bërë e tashme në përjetim, e cila del në forma të ndryshme. Durimit i ka ardhur fundi, nuk jetohet më nënë nofullat e ujkut. Dhembja personale, përballë asaj nacionale bëhet aq e rëndë, saqë subjekti i kërkon nënës qysh në fillim të hidhte më mirë në valët e Drinit, ku valët e tij, do ta dërgonin në detin Jon, dhe do ta gjente Gjergji. Figura e Skënderbeut bëhet esencë e ngushëllimit, esencë edhe e rrëfimit mbi ngjarjet e përjetuar, për të dalur edhe fortësi si shpirtërore-individuale. Ndërlidhja e figurave dhe përfshirja e tyre në diskursin e poezive, bëhet sintetizim i idesë nacionale, që ndërtohet mbi pikat themelore, nëpër të cilat pika shënjohet ekzistenca. E tërë kjo bëhet për të dhënë një përhershmëri ekzistenciale-nacionale-personale, që në këtë kontekst bëhet edhe me e ndejshme gjatë ligjërimit të poezive.
Ironia e fatit
Diskursi i tekstit vazhdon të artikulohet, çdoherë mbi ngjarje dramatike, ku fajësimet mbi tjetrin nuk mungojnë. Fajtori figurohet në tekst, që del e shënjohet më fajin e madh. Kultura e dija e perëndimore është ajo që luan lojën në skenën e teatrit. Andaj, edhe fati i popujve të vegjël është në duart e saj, të cilët vazhdimisht i luten kësaj për një fat-kulturë e liri jetësore, siç thotë studiuesi Nysret Krasniqi: “Fati i figurave të mëdha të popujve të vegjël të mbetet herë në botën e moskuptimit të brendshëm, herë në mosnjohjen apo edhe mohimin e heshtur nga kulturat e mëdha”. Kulturat e dijet e mëdha perëndimore gjithçka shohin, por verbohen figurativisht para ngjarjeve e fateve të popujve të vegjël. Kontinenti perëndimor nuk dëshiron të krijojë armiqësi me popujt e mëdhenj, për hatër të miqësisë me popujt e vegjël, sepse kjo nuk i duhet. Për hir të kalkulimeve të saj gjeopolitike verbohet para ngjarjeve dramatike, kjo edhe bije në gjumë të thellë. Të gjitha këto subjekti i shënjon më gjuhën e shpirtit, më trupin e molisur deri në skaj nga pamja, pse jo edhe përjetimi i tmerrit:
Evropën e mbyti gjumi
Verbëri gjaku mbretëron
Ndizni TV-të Sarajeva, Kosova
Duartrokitje frenetike meritojnë
Gjumi i thellë bëhet figurë ironike podrimjane, pra përmes ironisë skicohet fajësimi, deklarohet verbëria e qëllimtë. Vendet përgjaken, asimilohen-zhduken. Subjekti kërkon që së paku të ndezin TV-në dhe të shohin gjakun e njeriut të pafajshëm, i cili nuk kërkon gjë tjetër vetëm të jeton i lirë në tokën e tij të lashtë. Mirëpo, mëshira është zhdukur-mbyllur në trupin e vjetër. Dihet se kur mëshira nuk ekziston, edhe pse tjetri gjakohet e vritet në të përditshmën jetësore, nuk është çudi të ketë edhe duartrokitje të gëzimit-haresë, mbi pësimet e tjetrit. Duartrokitjet bëhen edhe më të pëlqyeshme kur skenarin e lojës së tetarit tragjik e ke shkruar vetë, për fatin e tragjik të tjetrit. Loja e haresë vazhdon mbi kurrizin e të pafajshmit. Mbi këto përjetime e mësime, sistemi i figurës sa vjen e përforcohet, i cili sistem shndërrohet në metaforë e ironi të fatit, ku hetohet gjithnjë loja e filozofisë. Mbi këtë lojë Ali Podrimja nuk ngurron të thotë:
“Evropa gardhiqeve shqeu fustanin”
Vargu i tillë lind nga dëshpërimi subjektiv, pasi që e ka njohur e mësuar lojën, nuk ngurron të thurë edhe këtë varg, ndoshta edhe vargu më emblematik i tij. Në këtë rast motivimi personal është i madh, që tani realizohet me anë të vënies figurës-vargut, të cekur më lartë. Duke nënkuptuar gjithmonë lojën mbi tjetrin, shpirti i poetit nuk ngurron të shprehet edhe në këtë mënyrë ironike. E gjithë kjo vije nga lufta shpirtërore-nacionale për mbijetesë ekzistenciale, e cila ekzistenciale ka argumente e dëshmi, që nga lashtësia e deri sot. E tërë kjo shprehet përmes ironisë së fatit, sistemit të padëshirueshëm të të jetuarit.
Mungesa e mikut
Karshi larmisë tematike, të cilat i përmban në brendinë e saj “Libri mbi të qenit”, i Ali Podrimjës, dëshmon në skemën diskursive të kodit tematik, edhe mungesën e shumë njerëzve, të cilët i dhanë jehonë zërit të ekzistencës nacionale. Duhet theksuar për lexuesin se poezitë janë shkruar në periudhën kohore 87-99, në përjashtim me disa poezi që në ribotimin e kohëve të fundit 2009, janë futur edhe disa, siç janë; Lamtumirë Presidenti i Dardanisë, Ajo që nuk vdes, Psalm, Qanë një vashë në Romë e tjera. Për t’i parë këto poezi i referohemi, vetëm një poezie që mendoj është më përfaqësuesja, ajo kushtuar Presidentit historik Ibrahim Rugovës, e cila shkrihet me dhembje e dashuri të madhe personale mbi mungesën-vdekjen e parakohshme të Presidentit Ibrahim Rugova. Dhembja dhe mungesa është e madhe, edhe për mua sot në kohën e leximit e të shkrimit, mbi njeriun e letrave shqipe, udhëheqësin e rezistencës e të ekzistencës nacionale. Kështu, vdekja e mikut-Rugovës bëhet përjetuese e gjakuse, ajo tani thuret me nota të mëdha elegjie. Dhembjen e bën edhe më të madhe mos përjetimi i Pavarësisë së Kosovës, për të cilën Rugova luftoi gjatë dhe ëndërroi gjatë, duke mos e kursyer edhe jetën.
Pa na kallëzuar ëndrrën deri në fund
Për Dardaninë
Ike mik i dashur
Ja vjen koha jote
Dëgjon dhiareve ballkanike
Frymarrjen e Marathonomakut
Ëndrra për Dardaninë etnike, e cila ishte bërë jetësore për Rugovën, kjo bëhet e rëndë sot për mikun e tij në moshë. Mirëpo, koha do të vije, e cila kohë-Pavarësi do të ketë edhe emrin e tij Ibrahim Rugova, që punoi e jetoi për të. Duke e parë mungesën e trupit fizik të mikut, tani nuk mungon as edhe ngritja e tij në mitin e Maratonomakut. Kështu, Rugova ngritet në mit e bëhet mit i Pavarësisë. Pavarësia është rezultat i dijes-punës së tij, njeriu që theu tabut e kontinentit evropian, siç thotë studiuesi Nysret Krasniqi në kumtesën e tij “Tri studime që e luftojnë harresën”, “Ibrahim Rugova ishte njeriu që ndikoi shumë, për të mos thënë se ishte ai që në kontekstin ideor e krijoi rendin e ri në kontinentin e vjetër të Evropës”. Tërë këtë njohje Ali Podrimja e ka të qartë për mikun e tij, andaj edhe e ngrit në mit, i cili kërkoi thyerje të dhembjes kombëtare, duke përjashtuar refuzuar konventën e të huajit, kur është në pyetje kodi nacional. Ali Podrimja e përfundon poezinë për mikun me lamtumirën e mospranuar asnjëherë në jetën reale, por me shpresë të takimit në jetën e amshueshme, aty ku edhe prehet ylli i këputur nga grigja qiellore, miku i tij i shtrenjtë i letrave e i ekzistencës e i rezistencës nacionale- Ibrahim Rugova. Kështu, si përfundim mund të themi se poeti ynë i penës Ali Podrimja në tërë tekstin poetik “Libri mbi të qenit”, dëshmon se kemi lashtësi e arki-histori, e cila arki-histori ndërtohet me figura të mëdha, me të cila figura duhet të ndihemi krenar para tjetrit, gjithnjë duke dëshmuar se ekzistojmë që nga lashtësia, siç thotë poeti në Tokën/Qiellin tonë. Andaj duke qenë kjo njohje mbi ekzistencën, lexuesi fillon dhe bëhet një me tekstin. Kjo njëherësh e lind edhe formulimin tim personal gjatë leximit e interpretimit, “Shenjat kujtesës”, të formimit e të njohjes mbi ekzistencën nacionale.