Kulturë
Xhulieta Keko: Të pathënat e jetës sime me Dorin
E hene, 30.03.2009, 12:51 AM
Nga Arta MARKU
Teodor dhe Xhulieta Keko
Asnjëherë kur e ke një gjë nuk i’a kupton totalisht vlerat, ndaj edhe historia shkruhet gjithnjë më pas...” Kjo thënie aq shumë e lakuar, rezultat përvojash njerëzore, nuk mund të mos artikulohet edhe nga Xhulieta Keko. Gruaja ende e hirshme e Teodor Kekos, sigurisht që e sheh ndryshe burrin e saj nga ç’e kish parë gjatë bashkëjetesës së tyre 22 vjeçare ose më saktë, e sheh së largu. Sigurisht, figura është mistifikuar, është lartësuar. Vogëlimat e përditshmërisë janë sfumuar, pothuaj fshirë, anipse ato, vite më parë, mund të kenë qenë shfaqur me intensitetin e problemit. Por ka edhe një avantazh për zonjën Keko: është origjinaliteti i burrit të saj. Përtej shkrimtarit, gazetarit a politikanit, ekzistenca e një njeriu të pazakontë... Kush e ka njohur e mbështet një mendim të tillë. Sepse Teodor Keko, nuk është aspak e tepërt të thuhet, bëri epokë. Po. Pikërisht kështu bëri epokë, jo vetëm me veprën e vet letrare, jo vetëm me publicistikën, angazhimin e tij në proceset demokratike, me investimin prej politikani... as edhe vetëm me të qenit guximtar, i drejtpërdrejtë, ikonoklast, kundërshtar... Mbi të gjitha Teodor Keko bëri epokë me mënyrën sesi e jetoi jetën. Sepse, rrallëkush si Teodor Keko, ishte aq i vërtetë, jetues në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, duke u shndërruar në një model, të cilin gjithkush do të donte ta imitonte dhe pakkush do t’ia dilte ta imitonte, duke u shndërruar në simbol.
...Ishte ai burri trupvogël, me mustaqe, xhaketë stofi me katrore, me një krikë të madhe birre mbi një nga tryezat e kafe Evropës, që si rrallë shkrimtar tjetër, tek merrte rrugën e shkurtër për në shtëpi nga kafeneja, gjente në oborrin poshtë pallatit pikërisht fletët e tregimeve që kishte shkruar një natë më parë, të cilat, të shndërruara në raketa fëmijësh, qenë hedhur të fluturonin nga ballkoni i katit të nëntë. Ishte ai djali-burrë, sakaq baba, i cili për t’i shprehur dashurinë të ëmës, nuk mendohej dy herë para se të merrte një lampustil të trashë e të shkruante me të, me shkronja gjigande në murin e kuzhinës së shtëpisë “të dua shumë”, frazë që do të mbetej aty për muaj të tërë derisa të vinte koha për të lyer... Ishte ai bashkëshorti që nxitonte të merrte një letër të bardhë e për të hedhur mbi to me një kaligrafi të përsosur vargjet e një poezie dashurie, si mënyrën ideale për t’i kërkuar ndjesë gruas pas zënkave... Ishte... “Dori i vogël”, siç të gjithë e thërrisnin por që siç edhe atij vetë i pëlqente ta thërrisnin. Eshtë shkrimtari që ia doli, edhe pse pa e pasur qëllim në vetvete, të krijonte një lidhje dashurie të pazgjidhshme me lexuesin, për forcën e të cilës, që vazhdon edhe sot e gjithë ditën, duhet të jetë krenar që nga bota e përtejme...
...Mungesa fizike e tij, pas 6 vitesh, ende ndihet në familje. Djemtë e shprehim duke refuzuar të diskutojnë rreth babait. E shoqja, duke folur rreth burrit, madje në të tillë mënyrë, a thua se e pret t’i kthehet, natën vonë, pas një darke të zgjatur me miq, siç shpeshherë ndodhte...
Pas gjashtë vitesh mungese, si vijnë tek ju jehonat e Teodor Kekos?
Teodor Keko me djalin, Elion
Unë besoj se koha dhe largësia shuajnë të voglat por jo të mëdhatë. Dhe në fakt kështu ka ndodhur, gjërat e vogla: të bukura apo të shëmtuara (sepse pjesë e një bashkëjetese 22 vjeçare nuk ka se si të mos jenë të gjitha), janë harruar apo zbehur. Ama të mëdhatë, ato nuk do t’i quaja dot jehonë…
-Një bashkëshort poet... së jashtmi krijohet ideja e një njeriu të ëmbël, romantik... që komunikon nëpërmjet vargjeve. Sa përkon modeli i përfytyruar me atë real?
Modeli i përfytyruar përkon mjaft me atë real. Madje, mendoj se kjo ka qenë “thembra e Akilit” në lidhjen tonë. Romantik... nuk e di sa. Besoj që unë kam qenë më romantike, por i ëmbël dhe poet, Dori ka qenë pafundësisht.
-E vështirë të jetohej me Kekon? Apo përkundrazi?
Që të jem e sinqertë, edhe shumë e thjeshtë nuk ka qenë. Më saktë, ka qenë sa e thjeshtë po aq e vështirë. E thjeshtë sepse Dori na kushtoi mua dhe fëmijëve pjesën më të madhe të ekzistencës së tij, në të gjitha aspektet që ajo përfshin. E vështirë në planin kohë, e cila nuk na ka mjaftuar asnjëherë. Duke qenë se Dori ishte tip shumë shoqëror dhe natyrisht i angazhuar në jetën krijuese, mediatike e atë politike, na është dashur ta ndajmë me të tjerë dhe ta përdornim kohën “e caktuar” për ne, me intensitet të plotë.
-Shpesh komentohet në mjediset e letrave se vepra letrare e Teodor Kekos, në mos thellësisht autobiografike, është së paku me nxitje autobiografike. Si e lexoni ju atë?
Ashtu mendoj dhe unë: jo thellësisht autobiografike por me nxitje autobiografike. Duke qenë gruaja e tij, e kam shumë të vështirë të flas me nota superlative për tregimet dhe poezitë e Dorit, megjithëse krijimtaria e tij ka qenë një nga arsyet kryesore që më kanë bërë të bie në dashuri me të. Megjithatë po provoj... Nisur nga fakti që letërsia e tij ka qenë shumë realiste, nuk ka se si të mos kishte nxitje autobiografike apo të mos mbështetej në persona realë. Ndonjëherë rrinte në kafe gjatë dhe shpesh me ndonjë tip që mua nuk më pëlqente. Si të gjitha gratë, unë përpiqesha t’ia vija në dukje këtë fakt. Dori më thoshte se e kisha gabim, personi për të cilin bëhej fjalë ishte shumë interesant. Natyrisht në librin e ardhshëm do të kishte tregime që i përkisnin jetës së këtij personi.
-Sa mundet një grua ta shohë veprën letrare të të shoqit, thjesht dhe vetëm si një vepër letrare, duke i lënë jashtë vëmendjes nxitjet që shpesh mund të jenë rivale të gruas, pse jo shemra? Sa mundeni ju?
Nuk mund të marr përsipër të flas në emër të grave në përgjithësi, por nga përvoja, ashtu siç përmenda edhe më lart, është e vështirë ta shohësh thjesht si vepër letrare, në mënyrë të veçantë në rastin si i krijimtarisë së Dorit. Kuptoj se pyetja jote konsiston në personazhet femra. Natyrisht që shpesh me shaka a me «gjysmë» shaka, këto personazhe nuk kanë kaluar pa u evidentuar, por sinqerisht asnjëherë nuk i kam marrë seriozisht. Pastaj te një burrë me fantazi si Dori edhe ato janë klasifikuar si pjellë e fantazisë së autorit...
-Megjithatë, kam përshtypjen se keni qenë disi xheloze... A ishte e mundur që ju të ishit ndryshe? Apo ishte mënyra sesi Dori e jetonte jetën, shkak i xhelozisë suaj?
Nuk besoj se është thjesht përshtypje, duke qenë kolege e afërt me Dorin dhe po ashtu mike me mua, ti e di që unë kam qenë xheloze. Që në momentin që pranova të ta jepja intervistën, e dija që nuk do t’i shpëtoja dot kësaj pyetje. Besoj se kam qenë xheloze, jo vetëm për shkak të mënyrës si Dori e jetonte jetën, është më e komplikuar se kaq…
Nuk e di sa e mundur do të ishte të kisha qenë ndryshe por besoj se edhe sikur sot ta filloja nga e para lidhjen me Dorin, përsëri do të isha xheloze. ...Nuk e di nëse ka apo jo një jetë tjetër, po trembem se, sikur të ketë, dhe të takohemi përsëri, Dori nuk do të ketë më interes për mua, sepse ai do të ketë mbetur 44 vjeç ndërsa unë do të jem mbi 48... A nuk është xhelozuese kjo? (qesh)
-Ç’është xhelozia, në rastin tuaj: një mënyrë e shprehjes së dashurisë? Apo një mënyrë e shprehjes së ndenjës së pronësisë?
Koncepti i xhelozisë në filozofi konsiderohet si irracional dhe futet në kategorinë e ndjenjave negative inferiore, po ashtu në letërsi është trajtuar shumë dramatikisht. Ndaj unë po përpiqem ta trajtoj si xhelozi romantike, duke kuotuar Shën Agustinin që thotë: “Ajo që nuk është xheloze nuk është e dashuruar», apo Oscar Wilde: «Mund të dallosh shumë kollaj një grua që i beson burrit të saj, ajo duket komplet e palumtur”.
Duke lënë mënjanë filozofinë, mendoj se për sa kohë xhelozia ime nuk ka arritur ta shkatërroje lidhjen, duhet shpjeguar, ashtu Dori më thoshte shpesh: Ti nuk je xheloze por e bën që të kesh në çdo moment vëmendjen time.
-Le të shkojmë pak larg në kohë, në fillimet e njohjes tuaj? Ç’ju tërhoqi drejt tij, drejt një bashkëstudenti që ende nuk kishte filluar të krijonte emrin e vet profesional?
Fillimisht, gjatë vitit të parë të universitetit, ishim thjesht shokë “banke”, aq shokë sa i tregonim njëri-tjetrit edhe për “simpatitë” personale. Gradualisht, duke e njohur gjithnjë e më shumë, shoqëria u kthye në dashuri. Vështirë të përshkruash me një frazë se çfarë më tërhoqi: ndofta humori, simpatia, të qenit qytetar, poezitë që më kushtonte, fakti që më kuptonte edhe pa arritur ta thosha atë që mendoja. Të gjitha këto i realizova shumë më vonë, mendoj se është shumë vështirë të gjesh pse bie në dashuri me një njeri. Bie dhe aq, nuk mendon dot thellë në ato momente.
-Thatë: “poezitë që më kushtonte”. Kjo ishte mënyra e tij e joshjes?
Po. Poezia në përgjithësi. Sepse gjithnjë më recitonte poezi shumë të bukura të poetëve të ndryshëm, shqiptarë apo të huaj, ose ato që shkruante për mua. Ama nuk mund të le pa përmendur ngrohtësinë, jo vetëm të Dorit por edhe të familjes së tij. Në atë periudhë unë i kisha prindërit jashtë dhe familja e Dorit u bë pjesë e rëndësishme e ekzistencës sime.
-Cili ishte reagimi i parë i bashkëshortit tuaj, kur mësoi se do të shndërrohej në baba? Si e priti këtë kthesë të rëndësishme në jetën e tij? Cili ishte reagimi kur mësoi për djalin?
Djali i parë, Martini, i ka fillimet gjatë muajit të mjaltit në Pogradec. E kishim në plan të bënim një fëmijë sepse kishim katër vjet që pothuajse bashkëjetonim, mendonim që ishte koha e përshtatshme. Martini po ashtu si lidhja jonë erdhi shumë logjikshëm në jetë. Dori ka reaguar më fort pasi mori vesh që unë linda djalë. Aq shumë u gëzua, sa festoi me shokët gjithë ditën dhe harroi të vinte në maternitet, deri në darkë vonë.
-Baba i dy djemve: ishte çfarë ai kishte dashur? A kishte ndonjë preferencë për të pasur një vajzë? Po ju?
Pikërisht ajo që kishte dashur. Në vitin 1988 kur lindi djali i dytë, Elio, ende në Shqipëri nuk kishte EKO, ndaj seksin e fëmijës nuk e mësoje dot gjatë shtatzënisë. Në momentin që doktori më tha se kisha lindur djalë, u mërzita shumë: duke llogaritur edhe Dorin, u bëra me tre djem. Kisha ëndërruar shumë për një vajzë gjatë gjithë shtatzënisë. Përkundrazi Dori u gëzua jashtë mase dhe përsëri festoi me shokët pambarimisht, po këtë radhë logjikshëm sepse kishte edhe Martinin, për të cilin duhet të kujdesej.
Pasi fëmijët filluan të rriten, gjithnjë i thosha Dorit se do të doja shumë të kishim dhe një vajzë, e ai gjithnjë më përgjigjej: hajde e adaptojmë një. Natyrisht ishte një vendim i vështirë. Kohët e fundit, kur dëgjova që një miku ynë i përbashkët kishte birësuar një vajzë, të them të vërtetën e pata shumë zili dhe menjëherë më shkoi mendja te Dori.
...Besoj se sikur ta kishit pasur në dorë do të kishit një vajzë... e cila gjithnjë në mënyrë hipotetike, mendoj se ju mungon më së shumti tani...
Do të kisha qenë vërtet me shumë fat sikur të kisha pasur një fëmijë të tretë vajzë. Emrin, Pati, e kishim menduar që kur ishim studentë, nisur nga një personazh i romanit “Tre shokët”. Ja që nuk mundëm. Megjithatë ia vumë vajzës së dy prej miqve tanë më të mirë dhe kjo më ngushëllon disi.
Meqë jemi te fëmijët. Si, në ç’mënyrë, në ç’detaje, e ka lënë Teodor Keko veten te Martini dhe Elio. Ç’trashëguan ata prej tij?
Më pëlqen kjo pyetje. Martini i ngjan shumë nga pamja dhe karakteri. Nuk them dot që janë krejtësisht njësoj, ka marrë dhe nga “e ëma”, përshembull, impulsivitetin, por është shumë i dashur, shoqëror dhe dëshiron ta jetojë jetën njësoj si Dori. Por edhe Elio, ka nga i ati qetësinë dhe humorin.
Shpesh kur ishin të vegjël, me shaka kishim bërë një ndarje: Martini i Dorit dhe Elio i Xhulit. Dhe më të vërtetë Martini ishte më i lidhur me babanë. Por, më pas raportet ndryshuan, Martini u largua për në Hollandë dhe Elio u lidh jashtëzakonisht me Dorin, sidomos gjatë vitit të fundit të jetës. Dilnin shpesh të dy dhe bënin biseda të gjata, po ashtu si dikur me Martinin. Siç është bërë e njohur nga botimi i librit të fundit “Amaneti”, ndërsa Martinin erdhi dhe e takoi në Hollandë, Elios i ka lënë një letër me porosi, e cila për mua, pavarësisht situatës kur është shkruar dhe tematikës që përmban, është një nga gjërat më të bukura që Dori ka krijuar.
-Do të ishte kureshtare të dinim diçka më shumë mbi Teodor Kekon si bashkëshort, baba, zot shtëpie...
Mendoj se ka qenë një baba i shkëlqyer. Megjithëse kalonte shumë kohë jashtë shtëpisë apo me shërbim jashtë Tirane, veçanërisht në periudhën që punoi si gazetar, ishte në çdo moment i pranishëm në jetën tonë dhe ne ishim boshti i ekzistencës së tij. Më kujtohet kur i kishim fëmijët të vegjël dhe unë jepja mësim në shkollë nate (pasdite), në mënyrë që gjithnjë të ishte dikush në shtëpi me ta. Megjithëse i duhej të linte shumë punë pa mbaruar, apo shumë shokë duke drekuar në ndonjë nga restorantet e preferuara, vinte në orar në shtëpi për të filluar “turnin e dytë”. Natyrisht, që mos ta ekzagjeroj, shpesh kur kthehesha nga puna, e gjeja te dera, të veshur gati për të dalë. Por nuk mund të ishte ndryshe, Dorin nuk mund “ta burgosje” dot.
-Si ka ndikuar në jetën e djemve tuaj, të qenit fëmijët e Teodor Kekos, veçmas, shkrimtarit, politikanit, opozitarit...
Në momentin që u duhej më shumë atyre dhe mua, ai u largua. Nuk është kollaj të menaxhosh dy adoleshentë. Megjithatë besoj se, aq sa jetoi arriti t’u transmetonte shumë vlera dhe në një mënyrë që unë nuk mund ta arrij dot. Dori i trajtonte si shokë dhe ata e pranonin si të tillë, gjë që unë nuk e realizoj dot, megjithëse përpiqem shumë. Megjithëse për fëmijët tema «Dori» është ende tabu dhe gjithnjë përpiqen të ndërrojnë bisedë kur flitet për të, gjë që tregon se plaga e ikjes se tij ende nuk u është mbyllur, ndjej se janë shumë krenarë që janë fëmijët e tij.
Çfarë ndodh me shtëpinë tuaj në Tiranë, në katin e fundit të njërit prej 9-katësheve? Si ruhet prania e Teodor Kekos aty?
Ndonjëherë mendoj se jemi si një puzzle, të cilit i mungojnë kaq shumë copëza...
Shtëpia është po ashtu si gjashtë vjet më parë, asgjë nuk ka ndryshuar, pikturat janë të varura në të njëjtin pozicion, librat siç i kishte radhitur Dori, unë ende fle në anën e majtë të krevatit, ana e djathtë e dollapit ka të varura disa nga rrobat e Dorit, “sënduku” ku mbante gjërat personale: shkrime të ndryshme, kujtime, ndonjë shishe vere apo raki speciale, etj, ka mbetur i paprekur...
-A e përfytyroni veten në një pozicion të ngjashëm me atë që dikur kishte burri juaj: duke shkruar? Kësaj here një libër me kujtime për jetën e përbashkët me Teodor Kekon...
Pak kohë më parë, një gazetar tjetër më pyeti nëse do të shkruaja në të ardhmen ndonjë libër për jetën e Dorit. Nuk i dhashë përgjigje por natyrisht ideja më ngacmoi. Po përfitoj nga rasti t’i përgjigjem gazetarit dhe ju: Kush më mirë se ai vetë ka shkruar për jetën e tij dhe të realitetit shqiptar të periudhës kur jetoi?!
Po, ka shkruar për realitetin shqiptar të kohës që jetoi. Ama jeta e tij vetjake është shndërruar në simbol. Pra ç’është shkruar në libra, nuk personifikon më thjesht dhe vetëm autorin dhe jetën e tij. Vazhdoni të mendoni se jeta e Teodor Kekos nëpërmjet optikës së gruas, nuk është e nevojshme të shkruhet?
Nuk mendoj që nuk është e nevojshme, absolutisht jo. Ajo që desha të them është se një pjesë e madhe e jetës së Dorit është pasqyruar në veprat që ka shkruar dhe, që të jem e sinqertë, me këtë kam bindur edhe veten sime, duke pasur frikë se mos ajo që unë do shkruaj nuk do te jetë e përsosur dhe nuk do ta japë dot mesazhin. Megjithatë “Kurrë nuk mund të thuash kurrë”...
Dhe për ta mbyllur: besoj se tjetër është këndvështrimi i sotëm mbi jetën tuaj të kaluar me Dorin, dhe tjetër duhet të ketë qenë ai gjatë bashkëjetesës suaj? Është kështu? Nëse po, na e zbuloni ndryshimin...
Patjetër që është ndryshe, asnjëherë kur e ke një gjë nuk ja kupton totalisht vlerat, ndaj edhe historia shkruhet gjithnjë më pas...
Xhanfize Keko në rolin e vjehrrës
Vizitat e “shoqeve” të Ilirit dhe Dorit kishin filluar prej kohësh në shtëpinë tonë. Ato hynin si në shtëpinë e tyre dhe ne bënim sikur nuk e kuptonim... Më shpesh nga të gjitha vinte në shtëpi Xhulieta Shkurti, një vajzë e gjatë bionde shumë alegro. Ajo ishte shoqe kursi me Dorin, edhe pse nuk kishte dashur asnjëherë të ndiqte atë fakultet. Me prirje për matematikë, siç na tregonte ajo, edhe pse kishte kërkuar të drejtë studimi për matematikë, kishin gjykuar t’ia nxirrnin për gjuhë letërsi.
Jo vetëm se u pëlqente të rrinin dhe mësonin bashkë, por edhe për shkak se nuk e kishte familjen në Shqipëri, Xhuli vinte vazhdimisht, aq sa dashje pa dashje, u familjarizuam.
Më kujtohet një rast... ndërsa unë mora kovën dhe leckën për të larë kuzhinën, Xhuli u ngrit duke kërkuar që ta lante ajo. Pastaj lëvizi tavolinën dhe karriget dhe pasi u vendos në qendër, filloi të lante.
Atë ditë mëma, që “vëzhgonte” në distancë shoqen e nipit sa punëtore ishte dhe si i bënte punët, mbeti shumë e kënaqur... “Ja një nuse si kjo të kemi fat të na hyjë në shtëpi. Rri në mes të kuzhinës dhe e lan të gjithën pa lëvizur nga vendi”, tha në mbrëmje. Qeshëm të gjithë, pasi më bukur nuk mund ta përcaktonte ajo trupin këmbët dhe duart e gjata të Xhulit. E familjarizuar plotësisht me “teta Xhanon” dhe “xhaxhi Endrin” (kështu na thirri edhe më pas kur u fejuan, martuan dhe bënë më fëmijë) Xhuli u bë shumë shpejt vajza e shtëpisë...
...Ditën e dasmës, i veshur me një kostum gri në bojëqielli, me disa viza të lehta të kuqe e të bardha, qepur në mënyrë të përsosur nga Kristaqi, Dori kapërceu pragun e shtëpisë bashkë me Xhulin, të veshur krejt në të bardha. Ishte një ditë e paharruar. Dasma e cila filloi e vazhdoi shkëlqyeshëm, mbaroi shumë vonë atë natë, në hotel “Arbëria”.
Të hënën, të sapomartuarit u nisën për në Pogradec... e më pas për disa ditë në Dardhë...
...Më 7 prill 1985 ishte dasma e Ilirit. Por ne e kishim mendjen te Xhuli i Dorit, që ishte me ditë për të lindur. Mund të duket e çuditshme, por, pasi mësuam se nusja ishte shtatzënë, unë dhe Endri morëm e lexuam libra të cilët nuk patëm mundësi t’i lexonim kur prisnim të bëheshim vetë prindër. Më pas filluam përgatitjet për bebin. Dori dhe Xhuli donin djalë, ndërsa ne, të djegur për një vajzë, shpresonim por nuk shpreheshim që të mos ua prishin qejfin të rinjve, që e kishin gëzimin e parë. Në dasmën e Ilirit, Xhuli kërceu aq shumë sa të gjithë thanë se kjo grua do të lindë këtu. Pa u shuar ende jehona e dasmës, erdhi lajmi se Xhuli lindi djalë. Ishte 9 prill 1985, kur lindi Martini...
(Marrë nga libri “Ditët e jetës sime” te Xhanfize Kekos)