E diele, 22.12.2024, 06:07 AM (GMT)

Kulturë

Kadare: Përshkova frikën që po paralizonte kombin tim

E shtune, 28.03.2009, 11:42 AM


Përshkova frikën që po paralizonte kombin tim
 
Gjatë një interviste të veçantë për prestigjiozen zvicerane, “Neue Zuercher Zeitung”, shkrimtari i famshëm shqiptar rrëfen shumëçka mbi politikën dhe letërsinë, sjelljen me pushtetin, shkrimet dhe frikën, e cila përfundon me dëshirën që ai të mbahet mend thjesht si një shkrimtar e asgjë tjetër!

Zoti Kadare a e kuptoni ju veten si një shkrimtar politik?

Unë jam i mendimit se nuk jam një shkrimtar politik, dhe përtej kësaj, përsa i përket letërsisë, në fakt mendoj se edhe nuk ka shkrimtarë politikë. Unë, gjithashtu jam i mendimit se në shkrimet e mia, nuk ka më shumë politikë sesa në teatrin antik grek. Në çdo lloj regjimi politik, mendoj se do të kisha qenë po i njejti shkrimtar që kam qenë (jam).

Por ju, duke pasur parasysh kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri,  jeni perceptuar si shumë politik?

E di, ky është një gabim….(qesh)

Ju e keni përjetuar totalitarizmin e shekullit XX nga afër. Shkrimtarëve në tiranitë komuniste, u viheshin kufizime e në këtë mënyrë, ju duhet të silleshit edhe politikisht siç duhej. Si u përjetua kjo tek ju?

Unë kam jetuar 5 vite në fashizëm, e më pas përjetova edhe 45 vite të komunizmit. Kur nisa të shkruaja, nuk kisha akoma ndonjë ndërgjegjësim politik; vetëm kur shkova në gjimnaz, kuptova se në çfarë sistemi jetoja. Në atë kohë, shkrova për vite të tëra letërsi dhe kur kisha të bëja me gjëra politike - gjëra për të cilat unë mendoja se kështu ishin ndërtuar, se jeta kështu ishte dhe se unë ia vlente t`i  imitoja. Një ndërgjegjësim politik real unë përjetova vetëm atëherë kur isha student, kur shkova të studioja në Tiranë dhe Moskë. Në Moskë pata përjetime pozitive dhe negative, kur kuptova se shumë gjëra nuk duhej të ishin ashtu siç ishin.

Kur ratë për herë të parë, si autor, në kontakt me politikën? Në mos gaboj, suksesi juaj i parë ishte një libër historiko-politik...

Unë nuk do mund të thoja se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është një roman politik. Atë mund ta shkruash në çdo vend. Kur isha student, shkrova një roman me titullin “Qyteti pa reklama”. Në atë roman, ka disa rreshta që mund të përshkruhen si politike. Një djalosh në atë roman pyet një vajzë të re: “A e do ti komunizmin?”. Ajo thotë: “Po”. Pastaj ai i bën pyetjen e dytë: “A e urren ti kapitalizmin?”- dhe ajo thotë: “Po”. Më pas ajo i thotë djalit: “Përse po m’i bën këto pyetje?” - dhe djaloshi i përgjigjet: “Thjesht ashtu, kot”.

Por dihet se ka pasur gjithashtu gjithmonë një çensurë dhe në këtë aspekt, mendohet se ju shiheshit me sy të mirë nga udhëheqja. Ju keni pasur madje dhe kontakt të mirë me Enver Hoxhën, apo jo?

Në jetën time, unë e pata takuar Hoxhën vetëm një herë. Kur njeriu ndodhet në një vend totalitar siç ka qenë Shqipëria e atëhershme, në rolin e një shkrimtari të ri, kjo nuk është se i intereson në mënyrë të veçantë shtetit. Por gjërat nisin e ndryshojnë kur fillon e bëhesh i njohur, e kështu që kjo mbart me vete një vëmendje negative. Më pas, shteti kujdeset që të ndjehesh në mënyrë të pandërgjegjshme gjithmonë si fajtor - sa më i njohur të bëhesh, aq më fajtor. Sidomos, atëherë kur je bërë i njohur edhe në Perëndim. Suksesi im në rrafsh ndërkombëtar, ishte një thikë me dy presa. Nga njëra anë, ai më siguronte mbrojtje përballë regjimit, dhe nga ana tjetër, më vendoste vazhdimisht nën mbikqyrje. Ajo që ngjallte dyshim ishte: Si ka mundësi që “borgjezia” përëndimore të vlerësojë një shkrimtar nga një vend Stalinist? - Dhe unë ndodhesha kësisoj në një situatë paradoksale, e cila duhej të justifikonte shtetin brenda vetes sime. Ai, duhej ose të ndalonte veprat e mia, ose të sqaronte se pse lejohesha të botohesha në Perëndim. Ky kryqëzim ishte mbrojtja e Enver Hoxhës ndaj meje, të cilën unë në dukje i bie ta kem gëzuar.

Romanin “Dimri i madh” (1973), Juve u është dashur ta rishkruani për shkak të “mungesës së pozitivitetit”. Pse ndodhi kjo?

Unë shkrova asokohe një roman mbi zënkën mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik; një çështje ekstremisht delikate. Pse pikërisht kjo temë politike? Më parë, unë kisha përpunuar shumë mite dhe legjenda në romanet e mi, dhe kisha vjelur kritika, të cilat më thoshin se: pse unë nuk shkruaj diçka mbi jetën aktuale, përse nuk shkruaja mbi jetën e përditshme të punëtorëve dhe fshatarëve dhe ndërtimin e socializmit. Kështu, unë shkrova edhe për të fituar lirinë, duke vendosur të merrem me një temë aktuale. Dhe si gjëja më interesante e asaj kohe që mua më ngacmoi, ishte zënka me sovjetikët. E në fakt kjo temë ishte vërtet dramatike, e përshtatshme për të bërë letërsi të mirëfilltë. Kështu shkrova romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, në të cilin, unë trajtoja një marrëveshje të fshehtë në Moskë. Për këtë, unë kisha parë edhe dokumentat reale të kohës, e nga kjo doli në fakt, një roman shumë i mirë. Por, menjëherë sapo u botua, ai u kritikua rreptësisht dhe madje u ndalua. Kërkohej që të shuheshin fragmente të tëra dhe të futeshin pjesë plotësuese. M`u kërkua të ndryshohej edhe titulli. Dhe unë reagova, sepse përndryshe, karriera ime prej shkrimtari, do të kishte marrë fund. Kështu ndërmora ndryshimet, të cilat në fakt nuk e preknin, apo dëmtonin thelbin e romanit tim.

Kthehemi edhe njëherë tek pjesa politike: Ju keni qenë anëtar i Partisë së Punës, keni qenë deputet i Parlamentit monist dhe keni pasur një rol udhëheqës në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Si i vlerësoni këto aktivitete?

Kjo, në fakt duket diçka e rrallë, vetëm në shikim të parë. Unë u bëra anëtar i Partisë, pasi kisha botuar në Perëndim, pra në një kohë kur unë realisht nuk e kisha më fare të nevojshme këtë gjë. Për mua madje, në atë kohë do të ishte diçka fare normale që të më denonconin si një shkrimtar me prirje perëndimore dhe që i isha shmangur realizmit socialist. Ndërkohë, suksesi në Perëndim më çoi drejt antarësimit në Parti. Ishte një paradoks i mirëfilltë. Nga njëra anë thuhej se ai i pëlqen “borgjezisë” dhe nga ana tjetër, ai duhet të jetë njëri nga ne. Komunistët e vijës së ashpër, në këtë rast, sigurisht se shihnin një problem të madh. Një ditë, Sekretari i Partisë së Lidhjes së Shkrimtarëve erdhi tek unë dhe më tha se duhej të bëja një kërkesë për antarësim në Parti. Unë pyeta përse? - Më pas ai më këshilloi se do të ishte më mirë që të qepja gojën dhe t`i shkoja pas dëshirës së Enver Hoxhës. Arsyeja ishte se jo vetëm botës, por edhe shqiptarëve duhej t`u tregohej se Ismail Kadare, nuk ishte një “borgjez”, por një komunist. E çfarë të bëja? Të thoja jo?! - Kjo ishte njësoj si të mohoja veten, të kthehesha në një viktimë të pakuptimtë. Dikur, ata do ta gjenin një shkak për të më gjykuar si “agjent i francezëve”. E populli do duartrokiste pas kësaj. Meqenëse jemi në këtë pikë, duhet t’ a relativizojmë pak kuptimin e mandateve të mia. Ajo çka në realitet ishte e rëndësishme, e vendoste vetëm Partia.

Shumëkush në Shqipëri ju adhuron thellësisht, e dikush tjetër ju vë përballë urrejtjes...

Kjo është fare e thjeshtë, kështu ndodh kur je i famshëm, në mbarë botën. Në Shqipëri ndodhi që komunizmi propagandonte barazinë e të gjithëve. Kush veçohej nga masa, duhej të ndjehej fajtor.

Ju shkruani letërsi prej më shumë se prej 40 vjetësh. Nëse i hedhim një vështrim zhvillimit tuaj letrar apo artistik, ku e shihni veten?

Shumë pranë fundit. Nëse kthej kokën prapa e analizoj veprën time, arrij në përfundimin se unë kam shkruar atë që unë kam vlerësuar vetë se duhej të shkruaja; ku unë, si çdo autor tjetër, do të dëshiroja që një pjesë të veprës sime edhe mos ta kisha bërë. E kjo, jo nisur nga arsye politike, por nga arsye artistike. Për shembull, siç është rasti i romanit “Dasma”.

Ju keni shkruar edhe poezi, të cilat ju do të dëshironit të mos i shikonit të publikura.

Absolutisht! Ato kanë qenë pikë së pari, të dobëta artistikisht. Ato mbeten të mbërthyera në retorikën e asaj kohe.

Si ka ndikuar çlirimi politik i vitit 1991, në krijimtarinë tuaj?

Në fakt, thuajse fare! Ajo që ka ndryshuar është mosha ime, ndryshim të cilin e ndjej.

A ekziston një radikalitet moshor?

Nuk e di! Së fundmi kam botuar një libër, i cili është i ndryshëm nga të mëparshmit; quhet “Darka e gabuar”. Në Shqipëri, çuditërisht, ai ka njohur një sukses shumë të madh. Ndërkohë, romani “Spiritus”, i cili flet për paranojën dhe vetminë e diktatorit komunist, e që mundi të publikohej vetëm pas ndryshimit të sistemit, kam përshtypjen se ishte më kritik në këtë aspekt. Thelbin e këtij romani, unë e shkrova në vitin 1980; pesë vjet para vdekjes së Enver Hoxhës, e sigurisht se unë nuk mund t`i vendosja skenat e atij romani në Shqipëri, ku aludohej se policia e fshehtë e ndiqte një të dyshuar, deri në varr. Kështu që unë shkrova për kinezët, por të gjithë e kuptuan se përse e kisha fjalën. E po kështu u kuptua menjëherë se skenat e librit zhvilloheshin në Tiranë. E megjithatë, çensurës iu deshën 2 javë për ta shqyrtuar e për të dhënë urdhrin të ndalohej.

Ajo që më ka rënë më shumë në sy gjatë leximit është intensiteti dhe pasuria e variacioneve me të cilat ju përshkruani frikën dhe paranojat në kohën e diktaturës. Si ia keni dalë mbanë ta aktualizoni tmerrin e kohës?

Unë kam përshkruar frikën, e cila kishte paralizuar kombin shqiptar. Nëse dikush ka frikë të madhe për veten, atëherë s’je në gjendje ta përshkruash frikën. Unë nuk kisha frikë, sepse unë e kisha kuptuar relativisht herët se regjimi nuk ishte në gjendje të më mbërthente dot më. Në vitin 1981, njëherë, djali i ish-kryeministrit të asaj kohe, më rrëfeu se pas një bisede që kishte zhvilluar me Enver Hoxhën, babai i kishte rrëfyer se ata më mbanin mua, një agjent të Perëndimit. Pra, një paralajmërim për të pasur kujdes e për t’u ruajtur. Unë i thashë atij se: ti je i çmendur. “Jo” - më tha ai, këtë e kam seriozisht. Unë e dija se çfarë mendimesh absurde kishin ato rreth meje. E unë jetova dhe 10 vjet të tjera nën këtë dyshim. Po të kisha qenë një lepur, atëherë do të kisha vdekur  nga frika. Ndërsa unë vijova të bëja një jetë normale.

E çfarë do të thotë normale? Kishte edhe Sigurim Shteti, apo jo? Nuk mund ta dije kurrë se edhe shoku që të rrinte pranë, nuk ishte një spiun?

Kjo qëndron, mund të kishte qenë gjithkush. Për mua është kështu. Fakti se unë bëja një jetë normale, shkruaja, tregon se unë nuk kisha frikë. Një njeri që ka frikë, nuk shkruan.

A mos i tejkalon kjo vallë disi gjërat?

Shkrimtari posedon të vërtetën, pasi ai është si një mjek që dallon diagnozat dhe sëmundjet. Unë shihja njerëzit të cilët ishin të mbërthyer nga frika, mund të dalloja sëmundjen nga jashtë. Një njeri që pushtohet nga frika, nuk mund të jetojë më...

Kinezët, egjiptianët, grekët - frika është ngado e njejta. Ta përshkruash atë, nuk ka nevojë për aftësi identifikuese. Merreni pushtetin ashtu siç e paraqes unë. Nuk është se shkrimtari është i fiksuar pas pushtetit, përkundrazi; ai e përbuz pushtetin. Ka një roman timin me titull “Piramida”, i cili përshkruan psikologjinë e Keopsit. Ai është e kundërta ime, është nihilizmi ose mospranimi i pushtetit, që më ka interesuar mua. Një shkrimtar nuk duhet të shkruajë me detyrim gjëra nga përjetimet e veta.

Atëherë,  cili është motori i shkrimeve tuaja, nëse nuk është njohja e vetvetes?

Është kënaqësia, gëzimi, për atë çka ndodh në këtë botë, për ta rikrijuar. Në këtë rast, temat vijnë të risistemuara.

Bëhet fjalë për aktin estetik?

Shkon më thellë se kaq; për mua është më serioze. Është gëzimi më i madh në botë.

Gëzim!-Me këto tema që nuk të ngjallin gëzim?! Mos ndoshta do të ishte më e udhës, të shkruanit një roman pozitiv…

Ndoshta do të isha në gjendje të shkruaja një roman të dobët pozitiv…(qesh). Le të flasim seriozisht; estetika e negatives është më e thellë. Ky është misteri i teatrit grek. “Makbethi” i Shekspirit është i frikshëm, e megjithatë vjen i shkoqitur, pra me një përfundim pozitiv në teatër; është një mister kontradiktor.

A nuk ju ngacmon kjo mendimin që me anë të paraqitjes letrare të padrejtësive historike, ta ngrini të vdekurin me një lloj ringjallje?

Kjo rezulton vetvetiu. Unë besoj se është pikërisht kënaqësia, gëzimi që të jep krijimi, i cili bën që të tejkalohet e keqja. Në rastin tim, ky ka qenë çelësi për mbijetesë.

Si dëshironi që të hyni në historinë e Shqipërisë?

Vetëm si shkrimtar, asgjë më tepër.
 
Marrë me shkurtime nga “Neue Zuercher Zeitung” - Zvicër, 21 mars 2009
Përktheu: Armand Plaka - Gazeta 55



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora