Kulturë
Skënder R. Hoxha: Regjimi i egër serbosllav mbi shqiptarët në poezinë e Hasan Hasanit
E enjte, 26.03.2009, 06:26 PM
(Rilexime me shkas)
Skënder R. Hoxha
REGJIMI I EGËR SERBOSLLAV MBI SHQIPTARËT NË POEZINË E HASAN HASANIT
-T r a j t e s ë-
___________________________
PROF. SKËNDER R. HOXHA
Temë që në vazhdimësi iu ka imponuar, pothuaj, të gjithë krijuesve tanë është edhe tema e të qenit të shqiptarëve të Kosovës nën robëri të serbosllavisë, përkatësisht të qenit nën regjimin serb, sidomos në qindvjeçarin e shekullit XX. Ishte ajo një dhunë marramendëse e ushtruar mbi shqiptarët për hir të mitit të rrejshëm serb për Kosovën. Këtë tematikë, sipas periudhave të caktuara, e gjejmë ta ketë paraqitur në vargje të tij edhe poeti Hasan Hasani. Për këtë dhunë e shtypje të egër e sistematike mbi shqiptarët, autori ishte shërbyer me historinë e hidhur e përjetimet makabre të shqiptarëve nën atë regjim, e në veçanti represaliet e masakrat e bëra mbi ta gjatë shekullit XX.
Sundimi i egër i artikuluar në vargje
Për ta vënë në vargje atë gjendje të rëndë të regjimit, poeti Hasani kishte bërë një rend e sistemim, po edhe strukturim të atyre kujtimeve të hidhura, të fazave gjenocidale, të cilat jepin imazhet e zymta të një shekulli nepërke për shqiptarët. Krijimet poetike të kësaj tematike Hasani i kishte botuar nëpër disa nga përmbledhjet e tij poetike. Kësisoji, në f. 59 – 6o të librit “Gjëmim baladash” (Botoi “Shkëndija”, Prishtinë, 1994), gjejmë vjershën me titull “Jabllanicë, korrik 1921”, kushtuar masakrës së Jabllanicës së Dushkajës, ku në korrik të vitit 1921 u masakruan 63 shqiptarë, nga çetnikët malazezë e serbë të kryebanditit famëkeq Savë Batarja, të ndihmuar nga ushtria e xhandarmëria, gjithashtu çetnike. Vargjet: “Ishit gjashtëdhjetë e tre zëra fyejsh/ Ishit gjashtëdhjetë e tri këngë/ , paraqesin matematikën e kujtimit të hidhur për ta. Ndërsa tash, para syve të poetit: “Sot, i tërë një fshat qendron para meje/ Një fshat i tërë gurësh” ) po aty), lexuesi mund të përjetojë edhe vetë atë imazh të shkretëruar të një vendbanimi, i shndërruar në gurë varresh. Poeti kishte nxjerrë vargjet e dhembjes që s’e shlyente dot as koha e ikur: ”Sot, kur në Dushkajë dashurojmë me gjysëm zemre/ Të pikëlluar si lulëkuqet,/ E, të pushkatuarve nga Dora e Zezë” , si dhe: “Heu, Jabllanicë,/E gjallë e vdekur/ Këtu qëndoj sot pas tridhjetë e tre dimrash
Dhe shkruaj këto vargje/ Për gjyshërit e mij të harruar/ Përjetësisht të rilindur/ Një fshat gurësh i heshtur…” (f. 60), janë vargje që prekin thellësinë e tragjedisë, së ndodhur në deceniet e para të shekullit XX në Jabllanicë të Dushkajës, komuna e Gjakovës.
Dhuna e shtresëzuar mbi shqiptarët
Gjendjen e rëndë të shqiptarëve nën regjimin serb , poeti Hasani e kishte thënë poetikisht edhe në kurorën sonetike me titull “Kujtim i këputur”, që ia kishte kushtuar babait të tij. Ndërsa, një kohë tjetër që shquhej për nga vrazhdësia, e që iu kishte përkushtuar me vargje edhe poeti Hasan Hasani, ishte ajo e viteve ’90 të shekullit të kaluar. Këtë e gjejmë në kurorën me sonete “Odë për fëmijët që s’e gëzuan lojën” (Kosovës së vitit nëntëdhjetë). Që të dyja këto kurora me sonete janë të botuara në librin poetik të këtij autori “Muza shqiptare”, Rilindja, Prishtinë, 1997.
Në realitet, kurora me sonete “Kujtim i këputur”, me nëntitullin (Tim at, Malë Shabanit), është sinonim i një pjese të errët të asaj shtypjeje e dhune mbi shqiptarët, përmes së cilës sistematikisht ua kanë pirë gjakun. Poeti, duke iu referuar babait të tij me: “Tri mbretëri i jetove të varura në rrem mustaku” (Son. I, f. 157), varg ky sikur flet për një histori të gjatë në robëri, ndërsa vargjet: “Fatet e shqiptarëve gur nëpër këmbë t’ekzodëve/ T’rrudhur e t’ndrydhur n’Ballkan bë një qoshe” (son. II, 7.158), shenjojnë atë vulën e zezë, veç të tjerash, të nëpërkëmbjes e të tkurrjes së popullit shqiptar në trojet e tyre.
Duke kënduar për dhunën sistematike gjatë kohës së okupimit serb, në këtë kurorë sonetike, vargëzon për Masakrën e jabllanicës së vitit 1921 (kur i ati i poetit ishte 7 vjeç): “N’korrik t’njëzetenjëshit e Zeza ditë n’Jabllanicë,”, ku: ”Dorë e Zezë tallej me vrushkuj gjaku neveritshëm” (son. III, f. 159), mendon në gjakun e gjashtëdhjetë e katër martirëve dhe në dhembjen e thellë të asaj masakre. Ndërkaq, për njërin nga protagonistët tragjikë të masakrës thotë: “Hasan Shaban Plakun e therrën në prag të derës” (f. 159), tregon vrazhdësinë dhe shpirtin e lig të atyre bandave çetnike serbo-malazeze. Edhe përpallë atij regjimi të egër, nga gjiu i popullit kishin dalë bij që do t’idelnin zot popullit e vendit, e poeti i kishte pasqyruar në vargje ata prijës të rezistencës të ushqyer me ideale për çlirim kombëtar, siç ishin: Nak Berisha, Bec Sinani, Shaqir Grisha, Kamer Loshi, Kadri Bistrica: “Flakë e Nakut ç’përvëlon zemra currë me currë/ Tok me Beca e Grisha që në tela s’vdesin kurrë/ Vëllezërit Loshi e Bistrica n’grykëholla përgjakë” (son.V, f. 161). Poeti, gjithnjë duke e vijëzuar me vargje ato kohë të liga, i referohet të et me: “Ndër gjole gjaku u rrite e gjole gjaku të pritën” (son. VI, f. 162), varg ky që ngërthen në vete përjetime të trishta të shumë e shumë brezave…
Durimi dhe ëndrra për lirinë
Gjatë shtjellimit poetik të temës së vuajtjeve të shqiptarëve nën sundimin serb, Hasani kishte ndriçuar, si ndërtemë, edhe fenomenin e durimit, që e kemi vërejtur nga vargjet e kësaj kurore me sonete, si: “Odave pleqtë me shekuj ne na mësuan durimin” (son. VI, f. 147), ku për pasojë, gjatë kohëve: “Dëshmorët s’mund t’i numërojmë nëpër hamullore/ Në megja arash, pas gardhiqeve… Pas pritave…”; por, ëndrra jonë për lirinë ishte më e madhe: “E kurrë nga buza s’e hoqem ëndrren për lirinë”, ndaj: “Gjaku i Ylfetes n’Kosovë rritë lulëkuqet pa lot”- thotë poeti (son. VI, f. 147). Ndërkaq, duke dashur të bëjë krahasimin e jetës dhe përjetimeve të fomijëve tanë nën robëri, poeti kishte thënë: “Fëmijët e botës këngë – gazin e çiltër të jetës/ Fëmijët kudo mbi tokë kremtojnë lojën pa brenga”, ndërsa te fëmijët tanë: “Dorë turpi hedh mes tyre vallen kobtare t’vdekjes/ T’na varrosin përherë, ashtu si vdes edhe kënga!”, (son. VII, f. 148). Nuansat e asaj dhune ishin nga më të ndryshmet. Bëhej atentat edhe buste e përmendore shqiptare: “Mes gjelbrimeve të rrethuar me lule në kopshte’ N’Luigjin e Hasanin e Hivziun u bënë atentate!/ T’na varrosin si dikur mes grykash n’monopate!” (son. VIII, f. 149). Mirëpo, poeti ka ndjenjën optimiste, dhe sikur atyre iu kundëvihet me: “Jo jo! Rilindin heronj edhe njëmijë e një herë” (po aty). Është eksplikimi poetik i Hasanit dhe dhuna e shtresëzuar në vargje të tij, kur kishte thënë se serbiani edhe vdekjeve të shqiptarëve (që i vriste, i masakronte), ua humbte gjurmët: “Humbën gjurmë e biografi n’kataklizmën e nderë”, sepse, më parë kishte ndodhur që: “Me protesta, letra të hapura, vetëvrasje ushtarësh”,(son X, f. 151), e për të gjitha këto: “Kështu noton Kosova në tymëra e kohë të brishta!” - kishte thënë poeti. (shih, f.151).
Ja vlen të thuhet se kurorat sonetike: “Kujtim i këputur” dhe ajo “Orë për fëmijët që s’e gëzuan lojën”, të poetit Hasan Hasani, botur në vëllimin poetik “Muza shqiptare”, e që i shqyrtuam më sipër, në fund të tyre kanë edhe magjistralin, gjë që plotëson rregullin e këtij lloj vjershërimi.Gjithashtu, do thënë se këto dy kurora sonetike, mbajnë vulën e një kohe të zezë të historisë së shqiptarëve nën sundimin e egër serbosllav.
Absurdi historik
Mirëpo, trajtat e atij sundimi të egër njëshekullor mbi popullin e tij, Hasani vazhdoi t’i thotë me vargje edhe në librin poetik “Qerpikë me lot” (botoi, Vatra, Prishtinë, 1999), të cilin, në mënyrë të qëlluar, në nëntitull, e kishte quajtur, “ditar lirik i një refugjati”.
Në vijëzim të atyre imazheve të përndjekjes biblike, poeti kishte thënë: “Koka ushtarësh dukeshin mbi kodra/ Ndërsa policët vizitonin kolonën”, (vj. “Nuk dëshironim të errej”, f. 9). Ndërkaq, titujt e vjershave: Këtu vdekja bënte hije mbi kokë, U ndamë përgjysmë, Afërdita na i solli dy bukë, Të mundimshme ditët e netët, Hije të rënda në fytyra të njerëzve, Të përgjumur para tendave, …, janë disa nga vijat skeletore që strukturojnë peshën e vuajtjeve njerëzore. Ndërkaq, vargjet: ”O, zot, sa të mundimshme ditët në pritje”, (f. 15), (është fjala për ditët në pritje në kufi me Maqedoninë, përkatësisht në Glloboçicë, ku pritej të kalohej kufiri – (sqarim yni), pastaj: “O zot! … O zot!”, “Hije të rënda në fytyra të njerëzve” (f. 17), “Qerpikë me lot/ Ndër mijëra pleq, gra, fëmijë” (f. 18, vj. Qerpikë me lot) etj., poetizojnë fenomenin ekzistencial, sheshojnë peshën e vuajtjeve njerëzore të atij fundshekulli dhe tingëllojnë si metadhembje e thellë.
Vargje që vrasin krimin
Nga ato imazhe tronditëse kishin dalë klithjet poetike: “Haj medet ç’u zbraz Kosova”, “Ah bre, ah bre/
Për të realizuar ëndrrën e tyre të moçme për Kosovën “Tokë e djegur”, siç dihet, regjimi serb bëri përndjekjen e madhe dhe shqipatrët u tretën edhe nëpër skaje të ndryshme të botës. Këtë, poeti, e tha në vjershën “Dalëngadalë po zbrazet Kosova”, shih dhe vargjet: ”As
“Pas po mbetet Kosova e shkrumuar
Kosova varr i hapur, Kosova varr i gjallë,
Kosova turp i këtij fundshekulli ”, (f. 61), që mban datën: 12 qershor 1999, Tetovë. Këto vargje sikur përmbyllin ankthin e poetit për katandisjet e atdheut të tij të asaj kohe.
________________
*) Këtë vjershë poeti ia kishte kushtuar shkrimtarit të njohur për fëmijë, Ymer Elshanit, të cilin paramilitarët serbë e masakruan me tërë familjen në fshatin Poklek të Drenicës
(Shkurt 2009)