Përjetësi » Mani
Kadri Mani: Falë të qoftë gjaku!
E hene, 23.03.2009, 11:32 PM
Recension
Falë të qoftë gjaku!
Nga Bruna Merko - “Bota sot”
Ka dalë në botim libri më i ri i mr.sc. Kadri Manit “Falë të qoftë gjaku!”, autor i cili ka botuar një sërë librash të tjerë. Në këtë botim të ri autori ka përfshirë vjersha për fëmijë, për të rritur, këngë satirike si “Kërcet lahuta e çiftelia” apo dhe metafora të “arratisura” siç i quan ai nëpërmjet vjershave si “Diktatori”, “ Me vonesë”, “Veprimtari dhe robëruesit” etj.
Ndërkaq autori nuk ka lënë pa përmendur edhe shtypin revolucionar ilegal të shqiptarëve të Kosovës, duke sjellë atë nëpërmjet vjershave si “ Festa e kuqe”, “Fitorja jonë” etj.
Ndërkaq poema “Falë të qoftë gjaku” i është dedikuar gjithë personaliteteve shqiptare: emra të shquar që kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në çështjen shqiptare, një besëlidhje ku renditen të gjithë, margaritarët që janë dhe nuk janë më. “Falë ju qoftë gjaku!”, u bën homazh autori Kadri Mani në vargjet e tij, një poemë që sjell gjerdanin e pleqnarëve.
Autori Mani i përket asaj plejade veprimtarësh të revolucionit të Kosovës, që veprimtarinë e tyre e filluan shumë herët dhe me guxim e vendosmëri, vazhdojnë edhe sot, për të realizuar të drejtat e popullit, për të fituar Kosova lirinë e pavarësinë. Duke e kuptuar thellë robërinë dhe shfrytëzimin e popullit shqiptar në Jugosllavi, ai hyri në rrjedhat e luftës ilegale në lëvizjen atdhetare e revolucionare të Kosovës. Ashtu si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë edhe Kadri Mani ka qenë i përndjekur politik nga regjimi serb, i cili e dënoi me 25 vjet burg, prej të cilave ka vuajtur 17 vjet.
Megjithatë liria në vargjet e tij tregon për shpirtin e paburgosur kurrë të autorit. Regjimi serb u përpoq të “mbyllte dyert” e lirisë së shqiptarëve dhe me shumë intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë e bëri, por ama ashtu si pohon nëpërmjet poemave dhe vjershave të tij Kadri Mani, ne sot, qytetarët e lirë të Kosovës ua kemi përjetësuar emrat dhe meritat e tyre.
***
Recension
Nga “Zëri”: