E diele, 22.12.2024, 02:34 AM (GMT)

Kulturë

Ermiona Lekbello: Bashkëjetesa më mësoi shumë gjëra

E diele, 02.07.2006, 06:09 PM


Ermiona Lekbello
Pasi ka eksploruar me shumë sukses në konkurset e bukurisë dhe në sfilatat botërore, Ermiona Lekbello, eksploron me dinjitet edhe në muzikë: Sapo ka nxjerrë në publik albumin e saj të parë “The Princess”. Është një album shumë interesant që përmban të gjitha rrymat muzikore. Përmban 8 këngë dhe është i shoqëruar me një klip, mjaft të arrirë artistikisht, të realizuar nga “BBF Studio”. Krahas albumit, Ermiona flet edhe për jetën e saj private dhe profesionale. Në moshën 15-vjeçare është shpallur “Miss Durrësi”. Pas këtij çmimi është larguar jashtë Shqipërisë, ku ka punuar si top modele në Itali dhe në SH.B.A.Ka fituar edhe titujt “Miss Globe Europe” dhe “Miss Performanca në të kënduar”, çmim që e ka marrë në vitin 2004 në Amerikë. Pas një muaji, ajo do marr pjesë në një aktivitet në Amerikë, me agjencinë e modës “Ford”, në sfilatën “Vjeshta & Dimri 2006”, ku marrin pjesë shumë stilistë me emër në botë, si D&G, Prada, Blumarine, etj
-Sapo ka dalë në publik albumi juaj i parë. Çfarë përmban dhe cilët janë kompozitorët?
-Ky album përmban regeton, baladë, muzikë orientale dhe këngë të lehta. Flitet për ndjenjën, pasionin dhe dashurinë me dhimbjet dhe kënaqësitë e saj. Flitet për gruan si pjesa më e fortë e shoqërisë shqiptare. Kompozitorët janë Ardian Hila, Flamur Shehu, Gazmend Mullai dhe Genti Lako. Në album është Ermiona Lekbello e kthyer nga një Miss dhe modele në një interpretuese, ku ka investuar 5 vjet lodhje. Tre këngë janë të festivaleve, kurse të tjerat janë bashkëpunime me kompozitorët. Një këngë është në anglisht, e prodhuar në Amerikë. Me këtë album ndihem shumë e lehtësuar, sepse është puna ime 5-vjeçare. Shkak u bë një miku im, i cili u bë edhe sponsor për këngën e videoklipit.
-Si titullohet kënga e klipit dhe cilës rrymë i përket?
-Titullohet “Nuk harroj”. I përket rrymës regeton. Autori është Genti Lako. Është bashkëpunimi im i parë me të dhe jam shumë e kënaqur. Xhirimet e klipit janë bërë në Durrës dhe në Tiranë. Kjo këngë flet për një ndarje, që si çdo ndarje ka dhimbjen e vet, por që asgjë nuk duhet marrë brenda vetes. Çdo gjë kalon me kohë.
-Njiheni si këngëtare, prezantuese dhe modele. Ku ndihesh më mirë?
-Ndihem vetvetja në fushën e modës, kurse kënga është ndjenjë, pa të do të isha jo e plotë. -Kur keni kënduar për herë të parë? -Në Festivalin e Këngës në Radio-Televizion në vitin 2001. Mora pjesë dhe në vitin 2002, 2003, 2005. Pra në katër festivale. Bukuria e këtyre festivaleve është që janë "live" dhe ti tregon zotësinë tënde 100 përqind. Është ndryshe nga festivalet e tjera. Zemra të duket sikur të del prej vendi nga emocionet.
-Nga evenimentet tuaja artistike kë do të veçonit?
-Veçoj Festivalin e Fundvitit të organizuar vitin e kaluar nga Radio-Televizioni Publik. I këndova gruas së suksesshme, të fortë, që ka nevojë për ndjenjë dhe ngrohtësi, por shumë pak e kuptuan.
-Që 15 vjeç jeni shpallur “Miss Durrësi”, më pas keni fituar dhe dy tituj ndërkombëtarë, “Miss Globe Europe” dhe “Miss Performanca në të kënduar”, çmim që e keni marrë në vitin 2004 në Amerikë. Sa të ka ndihmuar bukuria dhe titujt në jetë?
-Natyrisht bukuria dhe titujt më kanë ndihmuar, por intelekti im i është përshtatur bukurisë sime.
-Përse braktisët prezantimin dhe sfilatat për këngën?
-Sfilatat nuk i kam braktisur. Në korrik kam një aktivitet në Amerikë me agjencinë e modës “Ford”, në sfilatën “Vjeshta & Dimri 2006”. Kjo sfilatë do të zgjasë një javë dhe aty do të marrin pjesë shumë stilistë me emër në botë, si D&G, Prada, Blumarine, etj
-Që 18 vjeç keni provuar bashkëjetesën. Në moshën 19-vjeçare lindët dhe një vajzë. E kujton shpesh çastin e njohjes dhe ditën kur u bëre nënë?
-Është e freskët në mendjen time çdo hollësi dhe detaj lidhur me çfarë përjetova ditën që solla në jetë vajzën time, Erlesën. E shikoj sot pas 8 vjetësh dhe jam shumë e lumtur për zgjedhjen që kam bërë.
-Si të duket bashkëjetesa në moshën 18-vjeçare dhe të bërit nënë në moshën 19-vjeçare?
-Bashkëjetesa ishte një eksperiencë që më mësoi shumë. Disa gjëra në jetë ndonjëherë nuk kemi mundësi t’i komandojmë, por tani që shikoj vajzën time teksa rritet, jam tepër e lumtur për zgjidhjen që kam bërë. Është gjëja më e bukur që kam tani në jetë. Të qenurit nënë sigurisht që do ta provoj përsëri. Jam vetëm 26 vjeç dhe tek e fundit edhe vajza ime Erllesa e do një vëlla apo një motër.
-Kur dëshironi ta plotësoni këtë dëshirë të vajzës?
-Tani nuk e kam në plan. Jam më shumë e interesuar të siguroj të ardhmen time dhe të vajzës, pa pasur nevojën e një personi të tretë dhe pse në netët e vona ndjen mungesën e një shpatulle, mbështet kokën dhe e di që do të dëgjohesh.
-Me bashkëjetesë do ta bësh fëmijën tjetër…?
-Oh, jo, jo. Nuk do të ketë më bashkëjetesë për mua.
-Thonë që kur një dashuri nis me rrëmbim, shuhet shumë shpejt. Kjo profeci e provuar edhe tek ju sa e vërtetë është?
-Dashuria është embrioni, motivimi, pasioni dhe dëshira që çdo gjë e shëmtuar të ketë një kuptim ndryshe nga çfarë është në të vërtetë. Pra, çdo gjë lulëzon dhe është kalimtare.
-Vajza, ju ngjan më shumë juve apo babait të saj?
-Është kopja ime, veçse sytë i ka jeshil, si të babait të saj.
-Vazhdoni t’i ruani akoma lidhjet me babain e vajzës suaj?
-Nuk kemi shumë lidhje, pasi ai nuk jeton afër nesh.
-Mendoni që një ditë, do të jetë pikërisht vajza juaj që do ju bashkojë sërish?
-Vajza nuk u bë arësyeja që do të na mbante bashkë, jo më të na bashkojë.
-Vajza komunikon me babain e saj?
-Rrallë…
-Thonë që dashuria e parë nuk harrohet. Sa e vërtetë është…?
-Çdo dashuri është e ndryshme. Secila ka bukurinë dhe zjarrin e saj.
-Çfarë kujton tani nga dashuria e parë?
-Nga dashuria e parë pata një plus; vajzën time, por nuk di çfarë të them: Isha vetëm 18-vjeç. Tani pyes: -A ishte vallë vërtet dashuri?!!.
-Tani që Ermiona humbi dashurinë e parë, a ka më forca të dashurojë me aq zjarr si në dashurinë që u kurozua me vajzën tuaj?
-Në Amerikë thonë që dashuritë e vërteta lindin pas moshës 21 vjeç.
-Nisur nga kjo thënie, ju nuk e keni gjetur akoma dashurinë e zjarrtë dhe shpresoni ta gjeni?
-Shpresoj të ekzistojë ajo ndjenjë që të më bëjë të lumtur dhe të më japë emocione të forta.
-Për 11 vjet jetoni sa në Amerikë në Shqipëri. Çfarë të gëzon dhe të trishton nga këto dy shtete?
-Në të dyja vendet ndjehem mirë. Kur jam në Shqipëri më merr malli për Amerikën dhe kur jam në Amerikë më merr malli për Shqipërinë. Si në Shqipëri, ashtu edhe në Amerikë kam shumë miq. Në Amerikë kam dy miq (Sonien dhe Xhimin) që janë familja ime në një sens.
-Si reagon kur të ngacmojnë meshkujt?
Gjithmonë rri me njerëzit që mendoj se janë të përshtatshëm për mua. Kur fillojnë të më besdisin, u jap menjëherë drejtim.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora