Kulturë
Entela Safeti Kasi: Si një lumë i vetëm
E premte, 13.03.2009, 08:12 PM
SI NJË LUMË I VETËM
Entela Safeti Kasi
…
E huaj në ëndrra, kufij
Në kohën e largët si mit
E beftë shndrit kjo flakëzë
As djeg, as ftoh, as ndrit
Në terr marëzie pa sy
E trishtë kjo rrugë pa ty
Bosh
Si qiell i natës pa yj…
…
Mërzi ka teatri
Një qerpik të lagur
Në çdo cep të ndrtiur
E në çdo cep të haruar
Errësuar
Flatër zogu
Ngrehinë dashurie
Harruar
Njerëzish pa kumte
Fjalësh pa fillim
Shtëpi trishtimi
Si një lumë i vetëm
Moskthimi
…
Të të gjesh ty
Brymë e luleve në ag
Mali më i lartë gremisur
Pendës së korbit
Borës së ngrirë
Këputur mbi liqen si yll
Flakë e lutjes mbi altar
Ikonë në mur të vetmisë
Kur dashuria humb
Zogj që bien gjithkund…
…
Flatron mbi valë ky zë
Nanurisje tingujsh stisur nga larg
Malli i përkundur gjumë nuk ka
As qetësi,
E atje nuk fle asnjë lumë
Asnjë vesë sysh në qerpik të zanës
E unë ec ngadalë
Drejt malit tim
Pa fjalë…
…
Ka ishuj ku muzgje trishtimi
Si yjet bien pa shkak
Puhiza që pezull mbeten në drurë
Mbi fje bari
As zogj,
As shi,
Vetëm gri.
…
Të jetosh në morg kafenesh
E ftohtë mos kesh
Të jesh ashtu kot pakuptim
Mirazh a vegim
Të endesh në rrugë si bohem
Me ajrin e ndotur mbi shpinë
Të mos gjesh asnjë park
Të prehësh ëndrrën që stis mbi hon
Kur shkon,
Me njerëz,
Pa njerëz, gjithmonë…
Ndaj luajmë tango në pyll
Mbi taka e frak
Që ftohtë të mos kesh
Në morg kafenesh
Pa mua, pa ty, me gjithkënd.
Ëndrra ngrin si acar
E dita të lindë harron
Kur ti nuk jeton, por rron
Ashtu kot pakuptim
Si mirazh a vegim…
Si rrugë
Pa fund,pa fillim…
…
Muzg i kuqëremtë, si bakri
Shndrit një copë reje
Tret…
E nata,
Si sytë e kukullës prej kashte
Djeg…
Oh, flatra zogjsh rrahin erën
Jemi njerëz, e lumturia
Tepër e shkurtër
Tepër e ikur
Fijeve të barit
Rrezon,
Guxon,
Gjelbëron pylli larg
Në mal të arratisë
E unë pyes shkëmbin
Nëse koha, a natyra e krijoi të tillë?!
Mbi tryezën e shkrimit
E mermertë, shëklqimtare vazoja
E bimë të thara me kujdes
( sa jetë dikur pat, sa ujë, e sa pika vese?)
Një mbajtëse lapsash
E fletë libri të pashkruara
Mendime kokëposhtë
Dhe e thëna e gjyshit:
“Kur mbetemi vetëm, plakur, pa njerëz”
…Se bota ecën, e fëmijët marrin avionë
Rrëmbjenë trena e metro marëzish,
Të zbulojnë atë që kërkuam tërë jetës
Universit
Yjtë
Si sytë e kukullës prej kashte
Flokët, si fije bari – brymë stine
Duart midis dy rrugëve
Lulet e kumbullës zbardhin, zbardhin, zbardhin…
E im atë karrocën e kohës nget
Në njërin breg motra
E në tjetrin vëllai,
Urë fjalësh
Nëna tej,
Fshehur mes jaragvanëve
Kur triko fëmjësh thurr
Oh, ky mëndafsh
Kjo ëndërr stisur me vargje,
Ky ishull
çati parajse që nanuris rrënjët,
Ndërsa nata bie
E gjthçka që prek
Lapsi,
Kutia prej druri
Me fotografi të vjetra
E letra,
Aromën e pishave,
Fletët e pashkruara të librit…
Kur në gjumë gjithë bota bie
E zgjohet,
Ky mall, ky prag,
Kur mësojmë se: bota është e egër
E ne krijojmë tonën…
Mars 2009