Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Mentor Zymberaj në kuti

| E enjte, 12.03.2009, 06:40 PM |


Mentor Zymberaj në kuti

Nga Ilir Muharremi

Jetën e një aktori ose një rebeli të skenës, apo një udhëtari i cili hije kryesore e ka një kuti të vogël, madje e shfrytëzon edhe si skenë, kemi mundur ta shohim në shfaqjen “Aktori në kuti” e autorit dhe regjisorit Mentor Zymberajt, premiera e së cilës u dha të shtunën në Teatrin “Dodona” në Prishtinë. Zymberaj, si profesionist në fushën e aktrimit, kësaj radhe është ngarkuar me detyrën e dramaturgut dhe regjisorit, me një barë mjaftë të rëndë e cila kërkon sfidues madhështor dhe të fuqishëm, e këtë sfidues është përpjekur Zymberaj ta luaj. Emocionet e tija më të fshehta, nganjëherë dalin në sipërfaqe, shpërthejnë vetëm në disa momente të vogla, por nuk arrijnë të puthen në kulminacion, të lirohen nga kufijtë e normales. Respektoj mesazhin e shfaqjes, një mesazh mjaftë prekës i cili na vije përmes një aktori që braktis teatrin e madh kombëtar të vendit të tij dhe merr rrugën e aktorit shëtitës, apo një endacaku që dashuri të madhe ka jetën skenike. Si duket këtë jetë skenike në dukshëm e shohim parapa syve të sinqertë të Zymberajt, por sinqeriteti i tij sfidon çdo gjë, bëhet pushtetar dhe nganjëherë armik i vetës. E braktis lojën nën reflektorët e mëdhenj për të vazhduar nën dritën e diellit dhe të hënës, komunikim drejtpërdrejt me natyrën, se  natyra është publiku më i shëndoshë.

Qëllimi i këtij aktori është të shkoj në një qytet antik, por për fat te keq nuk mbërrin ngase has në një zonë të minuar lufte, dëshiron të kthehet nga ka ardhur, por shpejt i mbyllet shtegu. Ai mbetet në këtë zonë të minuar me kutin e tij të vogël të cilën e shfrytëzon si skenë, por edhe bujtinë, kuzhinë dhe gardërobë. Këtu pikërisht fillon edhe një lojë e zjarrtë me plot kuptim, i rrethuar me mjete shpërthyese, ky personazh ballafaqohet me rolet sepse rëndësia më e madhe ndodhet aty.

Gjetja e kësaj kutie është tejet interesante në këtë shfaqje, madje mund të them elementi më i bukur më shfrytëzues dhe më filozofik, i cili mund të shfrytëzohet për çdo gjë. Skenografia na vije paksa si e varfër, por funksionale në maksimum dhe estetike, e cila është dashuri e këtij endacaku apo rebeli skenik. Qëllimi i kësaj shfaqje është të tregohet se artisti lind në këtë botë me qëllim të sakrifikohet, por të mos vdekur kur, ngase rolet e bëjnë të pavdekshëm. Loja e aktorit Zymberaj ishte në një nivel të mirë, depërtuese dhe domethënëse në çdo aspekt dhe në situata të llojllojshme, por edhe lëvizjet skenike ishin precize të lidhura ngushtë me anën e brendshme psikike. Dukshëm vërehet ballafaqimi i suksesshëm me personazhin, si duket Zymberaj këtë tekst e kishte përkthyer nga ëndrrat e tija. Në disa momente ringjallte edhe figura të mëdha të veprave të autorëve të ndryshëm, duke u nisur nga Shekspiri, Cehovi dhe Molieri. Të gjitha këto ai i luan mbi kutin e tij të vogël që e ka skenë të jetës. Zymberaj është përpjekur të tregoj se edhe pse një artist është mjaftë i kufizuar në një mini-skenë, që paraqitet në formë të kutisë, shpirti i tij arrin të lirohet me dashurin e zjarrtë të aktrimit, këtu hasim se ambiciet dhe shpresat nuk mund ta ndalen, madje edhe në situata në të cilat ndodhet ky personazh endacak. Një kritikë shkon për ndriçimin, që nuk kishte thyerje apo ndonjë veçanti, por tejet  thjeshtë, edhe pse nevojitej të jetë më funksional, por nuk paraqiste ndonjë pengesë të madhe për shfaqjen. Do të ndalem te personazhet të cilat i interpretonte Zymberaj, konkretisht tek figurat e Molierit, Cehovit dhe Shekspirit. Tek Molieri lëvizjet janë më të precizuara, më elegante dhe më të sakta, këtë gjë nuk kemi mundur ta shohim tek Zymberaj, por lëvizje bashkëkohore, ndërkaq, edhe tek Cehovi dhe Shekspiri aktrimi kalonte në gjendje tallje, shndërrohej në objekt tallje jo funksionale, në një mini-komedi. Respektoj punën e madhe të këtij aktori, betejën më të ashpër dhe ballafaqimin e suksesshëm.