E merkure, 13.11.2024, 06:24 AM (GMT)

Mendime

Adnan Abrashi: Ata na thonë...

E merkure, 04.03.2009, 08:57 PM


ATA NA THONË...

Nga Adnan Abrashi

Ata na thonë se ne jemi të lirë në këtë shtet. Ata na thonë se aty i kemi të gjitha të drejtat tona që na takojnë sipas rregulloreve dhe konventa të ndryshme ndërkombëtare. Ne ecim përpara, na thonë, dhe, mu ata i kanë meritat të mëdha për këtë qëllim ...
Po bëhen më se dhjetë vite që po na gënjejnë. Premtojnë gjoja një të ardhme më të mirë, zgjedhje, pavarësi, njohje të reja nga bota që do të vijnë... Na thonë se tani kemi shtetin tonë “sovran” dhe institucionet  të “pavarura”; janë mbi 55 njohje nga shtetet tjera... nuk ndërtohet shteti aq lehtë, duhet durim... etj., etj.
Pa reshtur na flasin për multietnicitet, disa standarde që duhet t’i përmbushim si parakushte për integrime evropiane dhe transoqeanike; për një shoqëri demokratike të mirëfilltë që me mund të madh po e ndërtojmë. E, meqë ne si mentalitet i formuar ende nuk jemi gati sa duhet, ata na thonë se nevojitet të mbikëqyremi nga të tjerët - “miqtë tanë ndërkombëtar”.
Gjoja në emër të mirëkuptimit ndaj këtij procesi të paevitueshëm të cilin patjetër duhet ta kalojmë në heshtje dhe pritje, ata na kanë shndërruar në “fakir kolektiv” të vetëvuajtjes dhe durimit. Dhe mu për këtë shkak, të helmuar nga ky konformizëm, të gjithë ne dhe pa fajin tonë,  pandërprerë po mbahemi në ankth dhe pritje. Në këtë gjendje optimizmi të shpresës së kotë, as nuk e shohim bërllokun që po shtohet  para shtëpisë sonë dhe një ditë patjetër do të na ngufatë të gjithëve.
Ata, çdo herë po na flasin njësoj në cilësi, por me ambalazh të ri, apo, mos ta përdori me këtë rast ndonjë shembull më banal. E, në fakt, si nga aspekti politik, ashtu edhe shoqëror- ekonomik, gjendja e popullit tonë dita-ditës po bëhet keç e më keç.
Ne si shoqëri jemi në një gjendje shumë të vështirë. Apo, edhe më saktë, jemi në një gjendje ALARMANTE!
Mjafton vetëm një çikëz ta kthejmë kokën përreth, dhe, çka do të vërejmë?  Kudo papunësi dhe skamje; një përqindje e madhe e familjeve tona jetojnë në varfëri të skajshme; dita ditës prindërit më nuk mund t’i shkollojnë as fëmijët e tyre; e tërë shoqëria është e kapluar nga një degradimi moral; injoranca, hajnia, mashtrimi, gënjeshtra, korrupsioni, bizneset informate... të gjitha këto na janë familjarizuar si dukuri normale;  krimi dhe kriminaliteti për shumë kë janë bërë një strehë shpresëdhënëse ekzistencial.
E, për njerëz me kësi aspirata, si një vend i sigurt, fatkeqësisht, po bëhet politika; zanat ky ambicioz, i cili, jo vetëm se të ofron fuqinë e autoritetit të mbrojtur, por, si një njëri  askush dikur, të bënë dikush sot, dhe, krahas shumë privilegjeve tjera, të sjellë edhe goxha përfitime materiale.
Vetëm shikoni se si ata ditët e fundit vepruan me mjekët tanë në grevë. Me këta “mantilbardh” (për ta “mantelzinj”), shumica prej të cilëve, pas vete kanë 5 vite studimi në fakultet dhe mbi 7 vite specializime dhe aftësime tjera të ngritjes profesion. E këta, çka këta kërkuan?! Vetëm të respektohet premtimi i bërë dikur për parat e mjera të mëngjesit sa për një byrek e kos, apo gjysmë samuni dhe pesë qebapë në ditë. Asgjë tjetër!

Dhe, tërë kësaj do t’i vije një ditë fundi!

Sado që dikush deklarohet: shqiptar, serb, mysliman, katolik, nacionalist, fundamentalist... nuk ka asnjë individ që në këtë Kosovë të bekuar nuk e kërkon një të ardhme më të mirë për nesër. Por, ne jemi popull ashtu si jemi. E kemi sot gjendjen ashtu sikur e kemi. Dhe...ndoshta kështu do të vazhdoj ende. Ndoshta, edhe disa kohë? Por, këtij durimi patjetër po i vije fundi. Patjetër një ditë do të del dikush që do ta kërkoj rrënimin e kësaj praktike dhe këtij mentaliteti të keç.
Dhe...sikur ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë t’i themi STOP kësaj gjendjeje. Çasti më i volitshëm që ne si popull t’i themi JO këtij kaosi dhe kësaj mënyre autokratike të sundimit dhe manipulimit me ne. Nuk duhet të lejojmë më që ata edhe më tej të na mashtrojnë me gënjeshtra dhe premtime të kota. Me rrena të kulluara që 10 vite resht po na përsëriten .
A thua, nuk është mjaftë më me këto manipulime! Pse të tjerët të na i ndërtojnë dhe kontrollojnë perspektivën dhe të ndikojnë në rrjedhat e së ardhmes sonë?! 
Ne këtë gjë mundemi ta bëjmë edhe vetë. T’i tregojmë atyre dhe gjithë botës se ne nuk duam tutelë dhe mbikëqyrje, por duam demokraci dhe prosperitet të vërtetë.
Mbase, tash është momenti i duhur,!  Të qëndrojmë: tog, besnik, së bashku dhe të paluhatshëm Ama, dikush duhet të na cyti si organizim në këtë drejtim. Patjetër duhet dikush që me “rrëmonjëza” të na hapi sytë tona kaherë të mbyllura, dhe në mënyrë të urtë të na inkurajoj: ti mundesh ta bësh këtë...ne të bashkuar patjetër do ta bëjmë këtë!
Me sa duket, ky prijës dhe vullnet  për veprim ka lindur në Kosovë, dhe ai me të madhe po promovohet në mesin tonë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora