Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mihai Antonescu: Drita e brendshme e fjalëve

| E diele, 01.03.2009, 02:49 PM |


Mihai Antonescu
Mihai Antonescu
Vlerat kosovare sipas mendimeve rumune

DRITA E BRENDSHME E FJALËVE

Nga Mihai Antonescu* (Bukuresht)

Fatmir F. Salihu bën pjesë në gjirin e poetëve të papërngutshëm, që plason në peshoren e kohës vetëm pjesën e fundit të gëzimeve apo trishtimeve, me kujdes të kulluar përmes sitës së fjalëve që mbeten: “Nëse pas gjumit në mëngjes/ ngrihesh më i lodhur se mbrëmë ke rënë/ hape derën me guxim dhe dëshiroji mirëseardhje/ me guxim krah më krah hap derën e gëzohu se/ ia dole të arrish Pleqërinë” (Sukses). I revoltuar, siç mund të jetë vetëm ai që që ka arritur përmes përvojës së ashpër dhe mirëkuptimit të thellë të gjërave apo ngjarjeve, poeti përcakton gjykime turbulluese në plan estetik dhe emocional: “Kush thot se nuk u thyekan/ ligjet e gravitacionit/ ato anatomike/ ku nis e pamundura/ fillon pika ime” (Artistë cirku). Një realitet i rëndë, i pamëshirshëm, kërkon me konsekuencë zonat e ndjeshme të shkrimit të Fatmir F. Salihut, pa i lënë të plota siç do të meritonte ajo qetësi kaq e nevojshme për lindjen e poemave tejmatanë çdo horizonti: “Dy vitet e para/ ndër më të vështirat/ në jetë:/ lipset ABC-ja/ Banor i l i r ë me qenë/ Lipset nxënë ABC-ja/ e shoqërisë me norma” (Në Zvicër).

Ky përgjasim i vetvetes së riprodhuar në çastin e vetmisë që nuk din të shembet, kjo pyetje e ashpër që buron nga thellësi të panumërta, të cilën e hasim në Ëndërr: “Përse/ përse ma shpie/ dhembjen në shkretëtirë”, ndoshta përgjatë krejt dimensionit të tij të brendshëm, siç e mirëvëren Marius Chelaru në parathënien e këtij vëllimi (“Luma cuvintelor / Drita e fjalëve”), poeti vjen të konfirmojë mu atë që e patëm thënë në fillim, madje duke e justifikuar revoltën: “ Sa e paktë/ sa e varfër/ sa e vogël/ sa e pasur/ sa e gjatë/ sa e freskët/ sa e ngarkuar/ vetëm një jetë/ për të shkruar” (Disproporcion). Fatmir F. Salihu, përmes një distribuimi të kujdesshëm dhe të një domethënie të shumëfishtë në fushë të gërvishjes mbi lëvoren e çastit, i jep peshë dhe përmasa poemit, sado i shkurtë që të jetë, po aq rrezatues dhe ekploziv:  “Më e rëndë Gjëmë e Mikut/ se sa forcë e kamxhikut” (Dënimi).

I përgjegjshëm me vuajtjet e tij e të botës, poeti nuk përgënjeshtrohet. Padyshim, Fatmir F. Salihu është njëri nga poetët e rëndësishëm të Kosovës së sotme, me një forcë të madhe të depërtimit në fushë të ndjeshmërisë shqiptare dhe mentalitetit eurpoian, ndërsa vëllimi “Drita e fjalëve / Lumina cuvintelor”, botuar në Bukuresht me përkrahjen e Bashkësisë Kulturore të shqiptarëve të Rumanisë (2008), dhe i arritur në bibliotekën tonë përmes përkushtimit të kujdesshëm të poetit Baki Ymeri, është edhe një përgëzim i ri për çdo dashmair të botës letrare, sidomos për nësnshkruesin e këtij medalioni të shkurtë.

*Autori i këtij shkrimi, Mihai Antonescu, poet, romaniser dhe eseist, është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë

Për ZSH: Baki Ymeri