Kulturë
Flamur Maloku: Diskurs për Lumin
E hene, 23.02.2009, 07:47 PM
FRAGMENT STUDIMI
DISKURS PËR LUMIN
Dhembja personale e Lumit zgjerohet e universalizohet, ajo bëhet para së gjithash edhe dhembje kolektive, çdoherë në gjuhën e figurës, për t’u bërë edhe pikënisje e temave të tjera, të shtrira në diskursin e tekstit. Shtrirja e temave argumentohet. Argumentimi, i lë vend dëshmisë së figuruar-diskursive, prekë temën nacionale nga arki-historia, ekzistenca, lashtësia
Nga Flamur Maloku
Formulimi Lumi në shkrim, shënjon kërkimin e dhembjes autentike dhe kategorizimin tekstore tematik, për të mos u larguar asnjëherë nga identifikimi i vetë statusit të shkrimit personal. Shkrimi personal identifikohet e argumentohet, pra lexuesit që lindë nga dhembja-dëshmia. Dhembja kalon në dëshmi të përjetimit. Dëshmia personale ngadalë figurohet, për t’u shënjuar në tërë diskursin e teksti poetik Lum Lumi, të Ali Podrimjes. Dhembja për Lumin është e pashoq, dhembje kjo që rrjedhë nga thellësia autentike, e që argumentohet në strukturën tekstit, ashtu pikëllueshëm, përballë vdekjes së njeriut me të dashur-djalit, për të kaluar më vonë në figurë neutrale, e në dëshmi neutrale përherë e shprehur nga ndjeshmëria autentike. Humbja e Lumit është e madhe, e cila rrjedhë ashtu si lumi edhe sot për poetin në moshë. Kjo bëhet e rënd, pikëlluese e dëshpëruese, edhe për mua sot në kohë leximi e interpretimi të Lum Lumit, gjatë nivelit të shkrimit dhe të kategorizimit tematik. Koha shkon së bashku më moshën, ndërsa humbja e njeriut të dashur në jetën reale bëhet dëshpërim për shpirtin e subjektit. Andaj, kalimi i kësaj vuajtje për Ali Podrimjen mbetët shkrimi, që do të promovohet dhe identifikohet në strukturën tematike, sepse shkrimi dhe bota e poezisë bëhen ngushëlluese. Ngushëllimi individual shtrihet në shkrim dhe kalon për t’u dëshmuar në figurë, me të vetmin ideal, për të jetuar së bashku me dhembjen që ka për Lumin, duke mos e shuar kurrë kujtimin, aq sa ka ekzistencë-jetë autori. Tërë kjo njëherësh e universalizon diskursin e dhembjes. Pra, dhembja bëhet diskurs universal, që shtrihet në fiksion të shkrimit e të figurimit. Figurat shënjojnë pikëllimin, ndërsa pikëllimi lindë vargun e poezisë, vargun e dëshpërimit. Andaj, poezia shkruhet në emocionalitet, gjithnjë për të krijuar një botë në vete, botë kjo e brengës personale-universale, nga një vetmi-vuajte reale-ekzistuese.
Vjeshtë e zisë
Dëshmia e vdekjes së parakohshme të Lumit (djalit) jep ndjenjën e gjakimit, e cila fillon e soset në dhembjen personale, por që mundohet të tejkalohet me fortësinë individuale, siç shënjohet në poezinë Pikëllim:
Unë nuk qaj
Shi bie vogëlushi im
Shkundet plepi i shtëpisë
Lumi identifikohet në tërësinë e shkrimit. Gjendja shpirtërore përballë fatkeqësisë-vdekjes së Lumit, në planin tematik vazhdon të zgjerohet si tragjikë, si vuajtjet, pra jepet tërë tmerri para vdekjes së vogëlushit, apo siç thotë Mensur Raifi: “Këtu përjetësohet tmerri para vdekjes dhe madhërohet afshi për të jetuar”. Figura e shiut i përshtatet pikëllimit, në ndjenjën e zisë shpirtërore. Përjetimi autentik-emocional, në vargun Shkundet plepi i shtëpisë argumenton kohën tash, pra vdekjen e Lumit. Shkundja e plepit figurativisht sinjalizon fundin-vdekjen. Plepi që ishte mbjellur në ditën kur lindi Lumi, e që identifikohej, si simbol jete, tani po shkundet, po prehet dhe po vdes së bashku me Lumin. Diskursi i dëshpërimit-dhembjes ngadalë dëshmohet në vargjet e mëposhtme të poezisë. Figura do të strukturohet në idenë e argumentimit të fortësisë, gjithnjë duke i dhënë kuptim autentikes karshi temës së vdekjes (djalit), si lansim i idesë më të lartë individuale-njerëzore:
Unë nuk luaj vendit
Muret lëvizin sendet vogëlushi im
Vjeshtë e keqe mori
Re e zezë shtëpinë tonë mbështolli
Duke i vënë në pah figurat ndërlidhëse, hetohet funksioni i tyre, të cilat shpërthejnë e shndërrohen në universalen e përhershme, në dhembjen e përhershme. Vjeshta së bashku me retë e zeza, bëhet vjeshtë e zisë për subjektin, e cila shënjon gjendjen e shpirtit, zinë shpirtërore në shkrimin e tekstit. Këtu bëhen të identifikueshme në personalen, i cili identifikim, karshi përjetimit, çdoherë e më shumë bëhet edhe intencë në strukturën e tekstit-tematikës. Andaj shkrimi personal bëhet përherë e më i thellë, i shprehur e i artikuluar në figurativitet. Edhe figurat këtu lexohen e interpretohen mbi gjendjen-dhembjen-dëshpërimin, në neutralen e përhershme. Prandaj, fenomeni i vdekjes, si diçka e pashmangshme në jetën e njeriut, në poetikën e Lum Lumit, strukturohet e universalizohet. Dihet se poezia në funksion është përherë diskurs universal, e më figurë universale, edhe atëherë kur tema është personale. Derisa dhembja personale e Lumit zgjerohet e universalizohet, ajo bëhet para së gjithash, edhe dhembje kolektive, çdoherë në gjuhën e figurës, për t’u bërë edhe pikënisje e temave të tjera, të shtrira në diskursin e tekstit. Shtrirja e temave argumentohet. Argumentimi, i lë vend dëshmisë së figuruar-diskursive, prekë tema nacionale, nga historia, ekzistenca, duke u shënjuar më heronjtë e vetë. Rikthimi në figura, në temë nacionale e gjallëron poetin, e fortësonë karshi dhembjes tash, që ka për Lumin, për të fortësuar edhe figurën e tekstit. Ky rikthim në parahistori e histori vjen para së gjithash nga thellësia shpirtërore, e cila shfaqet si nevojë e një ekzistimi të përhershëm. Përshkrimi që subjekti i bënë lashtësisë-ekzistencës, e cila çdoherë është e nisur nga dhembja personale, metaforikisht jep qëndrueshmërinë e kodit nacional. Arki-nacionalja me heronjtë e saj si, Agroni, Teuta, Skënderbeu, Oso Kuka, Asim Vokshi, e deri të toponimet e lavdisë, si Kruja, Shkodra, Dardania, të cilat tanimë bëhen edhe fortësi individuale, para së gjithash riformulim për kujtesën nacionale. Një ide e ngjashme më vije edhe nga studiuesi Nysret Krasniqi, kur flet për Arki-nacionalen “Ideologjia për Arki-nacionalen, mendoj se e rikrijon, riformulon nacionalen, ndërsa kjo e fundit në zhvillim e sipër e mistifikon ose e fuqizon edhe më shumë arki-nacionalen”. Andaj, Ali Podrimja i rikthehet arki-nacionales, si gjenezë, për të përforcuar nacionalen tash. Gjeneza arki-nacionale, bëhet ide e figurë. Kështu që uni i atit, ndaj vdekjes së të birit, shkon dhe figurohet në papajtueshmëri më vetë vdekjen, siç është poezia Të shkosh në Bejrut. Vdekja e Lumit me kokë në jastëk nuk pëlqehet, mospëlqimi i kësaj vdekje vije si shkak i dhembjes së madhe.
Ti heq shpirt me kokë në jastëk
Trup vogëlushi
Im
Ke mundur tekefundit të ngjeshësh armët
e Asimit
E të shkosh në Bejrut
Të vdesësh për Palestinë
Armët e Asimit, si një arki-kujtesë, behën shenjë e flijimit, shenjë e identifikimit nacional, identifikimi shkon edhe më teje më Bejrutin e Palestinën, të cilat i nënshtrohen kodit tematik-llojor të identifikimit. Bejruti-Palestina, shënjojnë konceptin e përgjakjes, vendin e përgjakjes, mbi të cilat vende ushtrohet dhunë dhe padrejtësi ndaj tyre, pra këto dy vende ndërlidhen-identifikohen më njëra tjetrën, për të dhënë Kosovën e përgjakur. Kështu, vdekja e Lumit do të kishte edhe më shumë kuptim nëse do të ishte vdekje së paku në fushën e kodit nacional. Në këtë rast po gjykojmë arbitrarisht, por jo duke i mbyllur kuptimet-leximet-interpretimet, sepse dhembja është dhembje, aq më shumë kur kjo është dhembje personale, e cila ka përballë vdekjen e Lumit (djalit).
Kontekstet kohore
Kështu gjithnjë duke iu referuar diskursit-Lumit, shkrimi konotohet e ndërtohet mbi tema të shumta. Në rënd të parë është dhembja personale, e ajo nacionale. Dhembja shkon edhe më lartë, nga kjo gjykohen shumë gjëra, për të hyrë ngadalë lexuesi në botën e interpretimeve-analizave. Dihet se nga interpretimet zbulohen kuptimet, nga kuptimet nxjerrën idetë tekstore. Autori tani shkruan me diskurs të ashpër, sepse para vetes ka dy vuajtje të mëdha, të cilat shkojnë paralel njëra më tjetrën; njëra është vdekja e personit të dashur, kurse tjetra është Atdheu. Të dyja figurohen e zgjerohen në filozofinë e shkrimit. Motivimi tanimë është i gatshëm në strukturë e ligjërim. Dhembja me djalin-Lumin bëhet kodifikim kuptimor, e cila bëhet edhe motivim për subjektin përballë atdheut, e cila njëherësh bëhet edhe dëshpërim. Prandaj, të gjitha figurat e kontojnë shkrimin, e fuqizojnë tekstin si ide, para së gjithash edhe vetë autorin, kur është në pyetje atdheu. Autori edhe nga Parisi shkruan për vendlindje, edhe pse e ka vuajtjen e madhe për djalin, siç artikulohet në poezinë Nën dritare digjej Parisi. Vendlindja-Kosova nuk ndërrohet më asgjë, por vetëm sa kodifikohet e bëhet personale edhe më shumë. Pamjen që i jep Parisi subjektit, është e neveritshme-mjeruese:
Net të tëra nuk flija
Nën dritare digjej Parisi
Shanseliza sheshi konkord opera
Kulla e Ejfelit harku triumfal orli notër dam
Shpërnguleshin në nëntokë mjerë romantika
Iknin me trenin e parë me trenin e mbramë
Të verbër topallë gërrana qyrrana tullacë mullacakë
Të rralluar të krisur idiotë gjeni gjysmëgjeni shkrimtar
Muzikanë piktorë varrtarë disidentë pederë
Përshkrimi i Parisit shkon në detaje të imta, jep pamje. Pamjet e skicuara në fiksion të shkrimit, që shënjojnë rrezik të ekzistencës-jetës parisiene. Nga kjo që shihet, çdo gjë ka marrë tatëpjetën, prandaj Parisi është në rrezik të ekzistencës, ku jeta dhe dëshirat e saj kanë kaluar çdo kufij. Duke u argumentuar pamja, e cila kalon në estetikë të ligjërimit, konotohet ideja dhe sintetizohet tema. Vendlindja-Kosova për autorin nuk është e identifikuar më këto gjëra, është larg tyre, prandaj edhe i rikthehet si pikë referimi Kosovës, e cila konceptohet mbi baza etnike-etike-morale, larg bërllokut të neveritshëm, që të sjellë edhe vdekjen, siç është ajo në Paris. Nata për subjektin është e gjatë, më të gjatë e bënë jeta e thurur që është aty, që refuzohet arbitrarisht nga Podrimja dhe as që do të identifikohet më të. Vetëm sëmundja e Lumit e ka sjellë këtu në Paris. Këtu ndihet i vetmuar e i braktisur, me dhembje të madhe, që ka prekë shpirtin-trupin e subjektit. Shpesh herë i rikthehet Lumit, e duke iu rikthyer ndërton sistem të figurshëm, e diskurs të figurshëm, duke thënë se edhe ky ëndërron, ashtu si ëndërroj unë për vendlindjen. Andaj, udhëtimi imagjinativ vazhdon të bredhë në mënyrë implicite e eksplicite, nëpër arki-historinë, në kontekste të ndryshëm të alternimit kohor e universal, prandaj pajtohem me Basri Çapriqin, që A.Podrimjen e quan “mjeshtër i shkëlqyeshëm i zhvendosjeve dhe alternimit të konteksteve nëpërmjet ndërtimit të hapësirave dhe nënhapësirave”. Kontekstet në rrafshin e elaborimit sintetizojnë së pari dhembjen autentike, për të kaluar në arki-histori në hapësira të ndryshme, që është edhe metafora podrimjane, që shënjon fortësinë-lashtësinë, pavarësisht që dhembja ka prekur majën individuale, përballë djalit të vdekur Lumit.