E shtune, 21.12.2024, 03:10 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Mitro Çela: Tri ditë për të shëmbur tre buste

E shtune, 21.02.2009, 11:53 AM


Ditari politik/Tri ditë për të shëmbur tre buste

Nga Mitro ÇELA

E Hënë 18 shkurt. Studentët e pedagogët mbyllën derën e Pallatit të Kulturës. Vetëngujim. Çudia më e madhe e këtij fundshekulli. Ndoshta e paparë. Sakrificë 723 jetë të rinjsh.

Një rast unikal. U ktheva në shtëpi. Ndjenja një trysni. Vendosa të shfletoj skedat. Fillimisht pa ndonjë qëllim. Shënimet i lexova jo duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, por të kundërtën e tyre. Nisa nga viti 1981 për të arritur në vitin 1989. Ja një frazë e nënvizuar. U përurua "Sheshi i Demokracisë". Sheshi: Diçka më trumulloji kujtesën. Një shesh tjetër. Një shesh i largët. U ktheva në kohë. Sheshi Tjenanmen. Pranvera kineze. Mijëra studentë ato ditë qershori manifestuan për demokraci të vërtetë. Por kundër tyre u drejtua një forcë brutale. Sa u vranë! Statistikat zyrtare kineze janë memece. Një manifestim i përgjakshëm për të festuar 10-vjetorin e reformave kineze dhe 40-vjetorin e Republikës Popullore. Plumba mbi një turmë të paarmatosur. U trondit bota. Por u shqetësua më shumë Evropa. U shkrua në shtyp, bënë deklarata personalitetet e shteteve të ndryshme.

Andre Fonten, kryeredaktor i "Le Monde". Studentët e kryeqytetit u masakruan nga armata që mban emrin. Arma Popullore...! Fransua Miteran, President i Francës: "Një regjim që për të mbijetuar qëllon mbi të rinjtë, nuk ka të ardhme". Theçer, kryeministre e Anglisë: "Të qëllosh si i verbër kundër popullit! A nuk flet kjo për diferencat midis shoqërisë demokratike perëndimore dhe shoqërisë socialiste (Në atë vit kampi i lavdishëm socialist jetonte muajt e tij të fundit".

Boris Elstin: "Krim kundër popullit..."

Ora 20.00. Një kronikë televizive. Ndërrova stacionin RAI. Nuk la pa përmendur një lajm nga India. Ishte përmbysur një autobuz. Për Shqipërinë asgjë. Po pse mos vallë Sheshi i 'Demokracisë' mbarttëte më pak tension se sa Sheshi "Tienanmen". Mora radion. Asgjë. Heshtje. Diçka përmendi jugosllavi. Por gjithmonë sipas bojrave të tij. Reportazh më të plotë dha "Zëri i Amerikës". Nuk di pse, por sa nuk thirra Europa, Europa, një putanë e vjetër për Shqipërinë!

Ora 22.00 Bie telefoni. Alo...Kemi mbledhjen e Komisionit. Ju presim... Po pse?

Partitë politike kishin kërkuar një takim me Presidentin, Saliu, Azemi, Eduardi dhe Preçi, ishin nisur që në ora 21.00. Po kalonte mesnata. Disa humbën durimin dhe u larguan për të shtëpi. Unë me Frrokun vendosëm të presim tek dera e Presidiumit. Kur arritëm atje, shokët kishin dalë. Po pse nuk nisemi! Presidenti kishte mbajtur më pas Saliun!

Më habiti! Vërtetë e pranoi në mes të bisedës idenë e një referendumi për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti. Tani më tha se, një gjë e tillë nuk kishte bazë ligjore, Po tjetër çfarë u bisedua? Pothuaj asgjë. Kështu pra, dikush propozoi të shkonim për të biseduar me përfaqësinë e studentëve dhe të pedagogëve. Dakord. Ndërkohë, ora kishte mbërritur 02.00.

Për shumë kohë më mbeti e rregjistruar në mendjen time pamja e korridoreve, e shkallëve dhe sallave ku kishin zënë vend studentët. Shumica flinin përtokë, duke shtruar në çimento nga një batanie. Disa rrinin ende mbi karrike. Të tjerë, luanin me letra. U futëm në një dhomë të veçantë. U ulëm. Për disa çaste ra qetësia. Një qetësi mbytëse. Përfaqësuesit e studentëve dhe të pedagogëve edhe pse të lodhur e të cfilitur edhe pse të pagjumë, mendjen e kishin të kthjellët. Të gjithë kishin një mendim. Nuk dalim nga ngujimi jonë pa lexuar vendimin e qeverisë. Universitetit të Tiranës t'i hiqet emri i Enver Hoxhës. Ky është postulati i studentëve. Çdo alternativë tjetër është e pavlefshme. U larguam. Tek dera takova djalin e motrës, studentin Artan Myrtezai.

-Mos bëni kompromis në kurriz të studentëve për të fituar pikë në fushatën elektorale.

E martë 19 shkurt.

Gjithë ditën asgjë për t'u shënuar. Disa orë në radhë për të blerë artikuj ushqimorë. Kjo tablo edhe pse kishin kaluar katër ditë nga 15 shkurti kur qeveria kishte premtuar stabilitet të tregut.

Ora 15.30. Në radio jepet një deklaratë e Plenumit të KQ të Partisë së Punës. Një deklaratë reale. Burokracia e partisë vazhdonte të ecte me ritmin e saj 45-vjeçar.

Ora 23.00 Bie dera... Ju presin në selinë e Partisë Demokratike. Nga ora 21.00 përsëri Presidenti në tavolinën e rrumbullakët me përqafësuesit e partive. Orë të tëra bisedimesh. Orë të tëra duke pritur. Shumica ishin skeptikë. Por përsëri kishin një fije shprese, jeta e të rinvje vlente më shumë se sa idopmat politike.

Ora 01.30. Në sallë hynë të dërguarit tanë. Dukeshin të lodhur. Të dërrmuar. E mori fjalën Sali Berisha.

E çuditshme, por fati i studentëve mund të zgjidhet me një formulë. Eshtë një formulë që ka për autorësi Ministria e Arsimit, Skënder Gjinushin. Edhe pse kemi të bëjmë me një formulë politike, mendoj që për momentin mund të jetë e diskutueshme (ishte ky mendimi i të gjithëve). Mund të shkojmë tek studentët së bashku me Skënder Gjinushin, i cili po na pret përjashta.

Ora 02.00. Përsëri midis përfaqësuesve të studentëve. Biseda ishte e ashpër. Studentët ishin të acaruar. U lexua formula. Universiteti do të ndahej në katër pjesë. Asnjë universitet i ri nuk do të mbante emrin e Enver Hoxhës. Do të nënshkruhej një kontratë midis përfaqësuesve të studentëve edhe ministrit të Arsimit. "Jo, Jo. Dhe Joo! Pa lëshuar një deklaratë qeveria ku të shkruaj se ka vendosur t'i hiqet emri i Enver Hoxhës, Universitetit të Tiranës, ne nuk heqim dorë nga greva e urisë", thanë studentët. Folën disa anëtarë të Komisionit Ndërtimtar të Partisë Demokratike. Askush nuk u bind. Më në fund u vendos.

-Përfaqësuesit e Partisë Demokratike le të largohen. Do të bisedojmë vetëm me ministrin e Arsimit. Duke zbritur sallën, ndërsa gjarpëronim mdis këmbëve të studentëve që flinin në çimenton e ftohtë, në errësirë u dëgjua një zë: Këta janë mjeshtra. E shndërruan politikën në ekuacione e formula matematike. Lum kombi që e ka ministrin e Arsimit profesor Matematike.

E mërkurë 20 shkurt.

Që në mëngjes herët në Tiranë u dha kushtrimi. Mijëra punëtorë, nxënës, pensionistë, fëmijë, studentë, morën rrugën drejt Sheshit të "Demokracisë". Përmasat e sheshit nuk mund të mbanin brenda një kryeqytet të tërë. Në shërbim të popullit u vunë taracat e dritaret e godinave. Ballkoni i një godine u shndërrua në një tribunë. Folën shumë. Një zë i kthjellët u shpërnda në eter. Kush flet? Çështë ky zë i njohur. Pa dëgjoni. Po flet Rajmonda Bulku! Po çfarë tha se nuk e dëgjova mirë? U bën thirrje grave, nënave tiranase që të shkojnë e të manifestojnë përpara godinave të qeverisë e të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Turma u elektrizua dhe mori rrugën e kthimit... Këto skena tashmë i parafytyron çdo shqiptar. Ekrani i televizorit më në fund u çlirua nga censura e përshkoi me vërtetësi të vërtetën. Por pati edhe shumë skena e mizanskena, që nuk mund të futeshin në ekranin e vogël.

Ora 11.00. Pesëmbëdhjetë gra e vajza të prira nga Afërdita Havari, ngjitën shkallët e Presidiumit. Kërkuan takim me Presidentin. Do ta njoftojmë, tha sekretari. Kaluan minutat. Gratë prisnin. Fluturuan 50 minuta. Presidenti nuk po dukej. Mos u mërzisni, qetësonte sekretari. Ai do të vijë nga çasti në çast. Në kufijtë e pritjes prej një ore u hap dera dhe u duk Lumturi Rexha me dy-tre të tjerë. Po këta çfarë duan. Ne, në emër të nënave tiranase kërkuam takim me Presidentin e jo me zonjën Lumturi. Po Presidenti është i zënë. Ka punë. Situata...

Grupi i vogël zbriti shkallët e Presidiumit.

Kujton Afërdita. Pamë shumë gjëra. Shkopinj policësh. Të shtyra. Ndruajtje burokratësh. Premtime. Por nga kujtesa nuk më hiqet, zonja Lumturi Rexha. Kishte bërë një tualet aq të rëndë, sa të dukej sikur përjetonte një banket zyrtar e jo një nga ditët që mund të kthehej në tragjedi kombëtare...

Ora 14.05. Disa lëkundje dhe busti i Enver Hoxhës u rrëzua për tokë. Qëndroi ai në sheshin "Skënderbej" vetëm 858 ditë. Nuk e ruajtën dot bustin as policët e as sambistët, as dekreti special për mbrojtjen e monumenteve. Më vonë erdhi lajmi se këtë fat kishte pësuar edhe busti i Enver Hoxhës në Korçë, në Durrës...

Midis drekës dhe mbasdites, një mbledhje urgjente në Presidium. U mbodhën rreth Presidentit përfaqësuesit e partive politike dhe të organizatave të masave. Mbledhje e tensionuar.

Mbasdite. Mora telefonin. Alo... Një zë futet në linjë. Pastaj një tjetër. Njëri informonte. Tjetri urdhëronte. I pari; Turma tërheq monumentin e shokut Enver dhe është drejtuar nga Sheshi i Demokracisë. Çfarë të bëjmë? Asgjë. Ka zëra që thonë se turma... Çfarë të bëjmë. Përsëri: Çfarë të bëjmë? Pastaj zërat u zhdukën.

Ora 18.00 Në selinë e Partisë Demokratike. Televizioni jep kronikat e ditës. Por më shumë se imazhi i kronikës, objekt debati u bë deklarata e qeverisë. Në agoni, ndërsa përgatitej të jepte dorëheqjen, qeveria bëri një deklaratë për të konfirmuar edhe një herë paaftësinë e saj. Studentët i nxiti Partia Demokratike.

Ora 18.30. Preç Zogaj po përgatit tekstin e deklaratës së Partisë Demokratike për televizionin. Alo... U flasim nga dega e Partisë Demokratike në Durrës. Dëgjuam deklaratën e qeverisë. Nuk është e vërtetë. Populli u ngrit dhe e rrëzoi bustin e Enverit pa patur nevojë të nxitej nga askush. Ishte vetëdija që e ngriti popullin. Si të veprojmë se duam të bëjmë një përgënjeshtrim...

Alo... Ju flasim nga dega e Partisë Demokratike në Korçë. Na habiti deklarata e qeverisë. Nuk është e vërtetë... Ne ishin në mbledhje. Në orën 15.30 në radio u dhanë njoftime për ngjarjen në Sheshin "Skënderbe". Shërbeu ku si një sinjal që populli të dalë në rrugë dhe të drejtohet tek monumenti i Enver Hoxhës.

E rrëzuan për tokë. Nuk e nxitëm ne popullin. Ai vetveproi. Çfarë duhet bërë për të përgënjeshtruar deklaratën e qeverisë?

Ora 21.00. Studentët janë larguar nga kinoklubi i grevës së urisë. Në salla, në korridore ka rënë qetësi. Greva e urisë, e para e këtij lloji e njohur zyrtarisht brenda kufijve të 45 vjetëve e kreu misionin e saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora