E merkure, 16.04.2025, 03:55 PM (GMT+1)

Mendime

Dorian Koçi: Njohja e Kosovës nga Kenia dhe nevoja për një kulturë të kujtesës kombëtare

E marte, 15.04.2025, 06:55 PM


Një stilolaps që nënshkroi një moment historik:  Njohja e Kosovës nga Kenia dhe nevoja për një kulturë të kujtesës kombëtare

Nga Dorian Koçi

Në historinë e një kombi, janë disa momente që nuk mbeten vetëm në kujtimet individuale, por shndërrohen në gurë themeli të identitetit dhe krenarisë kolektive. Një i tillë ishte padyshim 17-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kur shteti i Kenias, nën udhëheqjen e Presidentit William Ruto, njohu zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Në një ceremoni madhështore dhe simbolike, të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të Qeverisë së Kenias, si dhe personalitete nga Kosova – ndër ta edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli, të cilit iu dorëzua akti zyrtar i njohjes. Njohja e Republikës së Kosovës vinte pas 5 vjetësh ndalimi të këtij procesi dhe si i tillë ai meriton një vëmendje të veçantë

Në këtë ngjarje historike, Presidenti Ruto e shprehu qartë dhe me dinjitet:

“Kosova është shtet i lirë dhe sovran!”

Në duart e tij ishte një stilolaps – një objekt i zakonshëm shkrimi në pamje të parë, por që në këtë rast mori një vlerë të jashtëzakonshme. Ishte stilolapsi me të cilin u nënshkrua një vendim që ndryshon historinë, që hap horizonte të reja për diplomacinë kosovare në Afrikë, dhe që mishëron aspiratat e një populli të tërë për njohje e respekt ndërkombëtar.

Ky stilolaps, i dorëzuar si dhuratë nga vetë Presidenti Ruto pjesëmarrësit të delegacionit të Kosovës, Jetlir Zyberaj nuk është thjesht një objekt personal. Ai është një simbol i përjetshëm i njohjes, i luftës dhe i krenarisë së Republikës së Kosovës – një dëshmi materiale e një momenti të paharrueshëm që lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet shumëvjeçare të Kosovës për afirmim në hartën botërore.

Në një gjest që ngërthen brenda tij dashuri familjare, mirënjohje dhe vazhdimësi historike, ky laps iu dhurua një njeriu që e ka shkruar historinë me mjete të tjera – me armë, me guxim, me sakrificë. Bëhet fjalë për prof. Bedri Zyberaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish Drejtorit të Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivit Shtetëror në Kosovë, njeri i përkushtuar ndaj idealit të lirisë. Duke i dhënë këtë laps të babait të tij, autori i këtij gjesti nënvizon një të vërtetë të fuqishme: rruga e luftës dhe rruga e diplomacisë janë dy shtigje të njëjtës udhë – asaj të shtetformimit dhe afirmimit kombëtar.

Në një kohë kur bota arkivon çdo moment të rëndësishëm, kur kombet e tjera krijojnë muze, fonde kujtese dhe rrëfime historike për çdo gur të lëvizur në rrugën e tyre shtetformuese, ne – shqiptarët – shpesh kemi harruar të dokumentojmë, të ruajmë, të simbolizojmë. Kjo nuk është thjesht një mangësi teknike apo kulturore, por një humbje e vlerave historike, një rrezik që brezat e ardhshëm të mos kenë dëshmi të gjalla për rrugën e vështirë që kemi kaluar për të qenë të lirë.

Prandaj, ky akt – ruajtja e stilolapsit të nënshkrimit të njohjes nga Kenia – duhet të merret si një shembull i admirueshëm i asaj që duhet të bëjmë më shpesh: të ruajmë dhe të çmojmë simbolet tona, të krijojmë një muze të kujtesës kombëtare, ku çdo objekt – qoftë armë, dokument, fjalim, apo edhe një laps – të tregojë një pjesë të historisë sonë.

Përse është i rëndësishëm një Muze Kombëtar i Kujtesës?

Sepse kujtesa është më shumë se e shkuar – është mjet për edukim, bazë për identitet dhe forcë për të ardhmen. Në një muze të tillë, do të mund të ekspozoheshin: Sendet personale të luftëtarëve të UÇK-së, letrat e para të shkruara nga mërgata në përkrahje të Kosovës, dokumentet diplomatike të njohjeve ndërkombëtare, fotografi dhe objekte nga rrugët e demonstratave, luftës, diplomacisë dhe shtetndërtimit.

Stilolapsi i Presidentit Ruto nuk është një send sentimental – është dëshmi diplomatike, është objekt me vlerë historike që duhet të jetë pjesë e një rrëfimi më të madh: rrëfimit për mënyrën se si një komb i vogël, por me zemër të madhe, ia doli të dëgjohej dhe të njihej në botë. Ky moment gjithashtu na mëson për një filozofi të thellë që rrallë artikulohet: çlirimi nuk është vetëm akt ushtarak, por një proces i vazhdueshëm i afirmimit ndërkombëtar. Prandaj, gjeneratat që luftuan me armë nuk janë të ndara nga ato që luftojnë me fjalë, me argumente, me diplomaci. Ato janë bashkë – një vazhdimësi ideale që ndërton një komb të fortë. Dhurimi i stilolapsit nga Jetliri babait të vet është më shumë sesa një dhuratë – është një urë mes brezash, një mirënjohje e thellë që nderon sakrificën, por edhe e sheh atë si themel për ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur dhe të denjë për idealet e lirisë. Në të njëjtën kohë ky akt është një shembull dhe apel që është koha të mos harrojmë më. Është koha të mbledhim, të ruajmë, të ekspozojmë. Çdo shqiptar që ka qenë pjesë e një ngjarjeje historike – si luftëtar, si diplomat, si aktivist, si qytetar – duhet të kuptojë se edhe ai është bartës i kujtesës kombëtare. Nga një uniformë, te një ditar, një fotografi, një fjalë në foltore, apo një stilolaps – çdo gjë ka vlerë në rrëfimin tonë të përbashkët.

Stilolapsi i Presidentit të Kenias nuk është më vetëm një instrument shkrimi. Ai është një relike e diplomacisë, një dëshmi e historisë së re të Kosovës, dhe mbi të gjitha, një simbol që ngjall ndërgjegjen tonë për ruajtjen e kujtesës kombëtare. Le të marrim shembull nga ky gjest i thjeshtë dhe i madhërishëm njëkohësisht, dhe të ndërtojmë bashkë kulturën e ruajtjes së memories sonë kombëtare. Sepse kombet që kujtojnë vetëm me krenari, por ndërtojnë të tashmen bazuar në të shkuarën  edhe me kulturë memorie kolektive edhe me dinjitet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sadbere Emshiu: Shqiptari që rizgjidhet nënkryetar i dytë i FDP të Hamburgut Idriz Zeqiraj: Masakra e Studenicës vazhdë e krimeve makabre serbe Aurel Dasareti: Çfarë po bën me Shqipërinë, o horr që i fut hundët kudo? Kur shteti hesht, flasin bijtë e kombit: Kaltrina Hoti dhe Federata FPNIUBK Albert Zholi: Dr. Vladimir Mici - Nga politikat e gabuara qeverisëse nivelet e varfërisë mbeten të larta Fahri Xharra: Në detin ilirik të Adriatikut zbulohet një rrugë e shtruar që daton para shtatë mijë viteve Albert Zholi: Lush Susaj - Ja përse qeveria duhet të zhdëmtojë fermerët e Maliqit, Dibrës dhe të Myzeqesë Sak (Sylë) Mujaj: Letër publike - Nait, kthehu në vete, se rruga jote s’është më e jona Gjekë Gjonaj: Nuk është përrallë, as legjendë! Kalosh Çeliku: Delet e zeza Fritz Radovani: Kush mendoi per Shqipni?! (2) Fahri Xharra: Nëntë mijë vjet histori pellazge Florim Zeqa: Deputetët veteranë, pasqyrë e shëmtuar e Parlamentit! Reagim nga Federata dhe Platforma Kombëtare dhe Ndërkombëtare e Shqiptarëve për Identitetin dhe Bashkimin Kombëtar Aurel Dasareti: Cili duhet të jetë misioni social i medias shqiptare? Fahri Xharra: Fisnikëria shqiptare- Balshajt dhe Uk Branku Florim Zeqa: Toaletet në Kazermë, alarm për institucionet e shtetit! Rezolutë për Barazinë dhe Të Drejtat e Njeriut për Popullin Shqiptar në Maqedoninë e Veriut Albert Zholi: Ilia Larti - Veprimet anti-sociale tek ne vijnë nga sistemet politike të dështuara Llesh Ndoj: 'Përtej të majtës dhe të djathtës' në dy pamje

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx