Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Faik Konica i Shqipërisë euroatlantike, të cilin studiuesi Fotaq Andrea sërish na e vë përballë
E diele, 13.04.2025, 08:02 PM
FAIK KONICA
I SHQIPERISË
EUROATLANTIKE,
TË CILIN STUDIUESI FOTAQ
ANDREA
SËRISH NA E VË PËRBALLË…
Nga
Visar Zhiti
Një
Antologji tjetër Koniciane, e madhe dhe tërheqëse si një risi, me vlera dhe
rëndësi të veçantë, “Për një Shqipëri Europiane”, e përgatitur me kulturë nga
studiuesi i mirënjohur, Fotaq Andrea, që nuk ka shumë kohë që më ka ardhur, por
gëzimi dhe i këtij botimi është i tillë që nuk ikën, sa herë e merr ndër duar
dhe e shfleton. Leximi i tij është një pasurim i mëtejshëm i historisë
kombëtare dhe i estetikës së saj.
Rreth
900 faqe libër nga “Botimet Jozef”, me mbështetjen e Federatës PanShqiorare
“Vatra”, ku duket sikur ringjallet ajo traditë që nisi me themeluesit e saj
korifej, Imzot Fan Noli dhe vetë i gjithëdituri Faik Konica.
Antologjia
“Faik Konica Për një Shqipëri Europiane” përveç fjalës hyrëse të autorit Fotaq
Andrea si qëmtues, përkthyes dhe përmbledhës i Veprës, ka dhe një parathënie të
thukët nga Prof. Dr. Thanas Gjika, ku theksohet e mira e kësaj “pune madhore”, që, sipas tij, “deri
sot ky kolos i mendimit shqiptar nuk është vleresuar sa e si duhet...”.
Konica
duket se është i pa shterrshëm në dije dhe shqetësime, në kumte e befasi dhe
gjithmonë shfaq faqendriçime ndryshe, me bukuri rilindase…
Nëse
veprimtarët e tjerë së bashku bënë Doktrinën e Rilindjes Kombëtare, Faik Konica
vetëm bëri Kritikën e saj.
Krerët
e librit me rendin e artikujve të Konicës, me përkthime dhe nga origjinali frengjishtja, edhe me shqipen e tyre
shenbullore, ku butësia përzjehet dhe me ashpërsinë, njëherësh dhe delikatesa
dhe solemniteti, ironia, humori dhe dëshpërimi, por dhe udhërrëfim dhe shpresa
rinore etj, duken sikur janë shfletim i
vetë kohës, jo vetëm asaj koniciane, por dhe postkoniciane, e tashmja jonë dhe
e ardhmja e Shqipërisë.
Dhe
të mendosh që në gjysmëshekullin e sundimit të Realizmit Socialist krijimtaria
e Konicës u përjashtua dëmshëm dhe emri i tij u la në harresë, kujtohej vetëm
për t’u sharë, këtë të drejtë ia jepte vetes me shumicë diktatori Enver Hoxha
dhe atyre që përzgjidhte ai dhe që sakatuan letrat shqipe dhe mendimin rilindas
shqiptar.
Por
kjo s’mund të vazhdonte përgjithmonë, ishte e panatyrshme.
Konica
është dhe natyrë e shqiptarit, karakteri qytetar i buçimës së kulturës
perëndimore në të, më europiani.
Thënë
shkollarisht, dashuria për Shqipërinë, rimëkëmbja e saj shpirtërisht, si komb,
popull e shtet, patjeter me kulturë europiane, e bëri Konicën prijëtar moral, e
bashkoi me patriotët, me gjithë prapësitë dhe ndasitë e sherrnajën, etj.
Pikërisht
kjo vepër më e re nga Fotaq Andrea këtë shpalos, një Faik Konicë që duhet,
aktual, por dhe si kundërvënie e kurrupsionit moral, ku duket se dashuria për
atdhe, që bashkonte, ndjehet si arkaike, ka sjellë një si përçarje, se janë
bërë më të rëndësishme ideologjitë, nostalgjia kriptoenveriste, politika e
ditës dhe pasurimi jo i Shqipërisë, por i vetes.
Konica
me shokët e tij të lartë pasuruan Shqipërinë shpirtërore.
Nuk
mund të rrija pa përgëzuar autorin, studiuesin skrupuloz dhe pasionant Fotaq
Andrea,
Më
erdhi Antologjia, - i shkruaja, pati mirësinë dhe ma dërgoi z. Thanas Gjika, -
vepër dinjitoze dhe e duhur për të gjithë shqiptarët e sidomos për ata që janë
larg atdheut, ka dritën e një Yll Polar që i priu ëndrrës, dëshirës, ndjesive,
na tregon një rrugë të madhe, një përpjekje, estetikën e saj dhe shijen e bukur
të gjuhës amë. Tani falë Jush! Është dije dhe mbetet frymëzim. Duke e patur
Librin dhe me autografin Tuaj, ai bëhet edhe më i çmuar për mua.
Me
mirënjohje për punën Tuaj të madhe dhe miresinë, duke ju uruar sërish më të
mirën,
me
besë! - siç thoshin rilindasit.
Vërtet
e çmoj shumë këtë “marrëdhënie ndërlibrore”, - po e quaj tani, përhapjen e
librit tonë midis nesh nëpër botë.
Ndërkaq
në përgjigjen e tij z. Fotaq Andrea ndër të tjera shkruante se “Konica i madh
shkëlqen me fjalën e tij në atë vepër dhe shumë pak kemi b?rë për të. Është i
paarritshem, i pakapshëm, i gjithëgjendur në tërë fushat e albanologisë e të
shoqërisë”.
Po
edhe shkëmbimi i letrave, mesazheve, ideve, mendimeve dhe shqetësimeve, edhe me
ata që nuk je takuar ndonjëherë, vazhdon një traditë të vyer, sot e lehtësuar
mrekullisht nga teknologjitë moderne, kur tani në kohë reale krijon opinione
dhe i shkëmben ato, përcjell punë e bashkëpunim, mirëkuptim dhe veçime, etj,
ndërkaq bëhet dhe më e qartë, mendoj, vepra madhështore e të parëvé tanë,
përpjekjet e tyre parake dhe legjendare për dije dhe dritësim.
“Biblioteka
lëvizëse” - siç e ka quajtur Konicën shkrimtari francez Guillaume Apollinaire,
- rivjen në kohën tonë kudo ku ka bashkëkombas, falë dhe atyre konicianëve të
shquar si Fotaq Andrea, duke përhapur shpirtin rilindas me frymën perëndimore
duke na bashkuar gjithnje e më shumë me kulturën moderne euroatlantike, duke
bërë realitet ëndrrën, por dhe përkatësinë…