E hene, 14.04.2025, 05:51 PM (GMT+1)

Mendime

Llesh Ndoj: 'Përtej të majtës dhe të djathtës' në dy pamje

E enjte, 10.04.2025, 06:45 PM


“Përtej të majtës dhe të djathtës” në dy pamje

Nga Llesh Ndoj

Njerëzit përparimtarë të vendit, në të gjitha kohërat e sa herë na është dashur që si komb të na përplasë fati e të kalojmë në zgrip të rreziqeve që kanë kanosur seriozisht ekzistencën tonë, janë ngritur mbi veten e interesat e ngushta të tyre e të familjes biologjike dhe jo vetëm, përmes parullave të ndryshme që sintetizonin bukur filozofinë e nevojës për bashkim. E bëri këtë më së pari Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, që me filozofinë e tij “të bashkuar jemi shumë, të ndarë aspak”, arriti bashkimin e principatave shqiptare në luftën për ekzistencë, që iu dha atyre për 25 vite fitore mbas fitoreje dhe e cila ishte fati e arësyeja më e madhe që e shpëtoi kombin nga asimilimi përfundimtar. Rilindasit tanë shpirtëror bënë të mundur lindjen e konsolidimin e kombit përmes një filozofie përbashkuese, që shfaqet përmes parullës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Me frymëzimin e saj, nën shembullim e me mësimet e tyre, shqiptarët u ndjenë krenarë me gjuhën e tyre, me flamurin e tyre, me vendin e tyre. Punuan e sakrifikuan për të edhe jetën! “Ne e bëmë si e bëmë Shqipërinë, tha Ismail Qemali, mysliman e vlonjat, por abat Doçi (verior e klerik katolik) do ta kishte bërë edhe pa ne dhe më mirë se ne! (perifrazim), shprehje kjo e filozofisë së lindur mbi nevojën ekzistenciale për bashkim, përtej besimit e origjinës. “Pa dallim feje, krahine dhe ideje” ishte parulla e Konferencës së Pezës e 16 shtatorit të vitit 1942, që hodhi themelet e një bashkimi real në luftën kundër pushtuesit nazi-fashist, parullë që frymëzoi rininë e kohës të rrëmbeje armët e të sakrifikonte gjithshka, edhe jetën, për arritjen e qëllimit madhor, çlirimit të vendit e fitimit të lirisë.

Pa ndonjë parullë tipike si më sipër, por nën thirrjet “Liri - Demokraci”, shqiptarët u ngritën kundër diktaturës në vitet 1991-1992, sakrifikuan shumë për të, por edhe arritën shumë. Futja e vendit në hullinë e zhvillimeve evropianeiste, pluraliste e demokratike, ishte pa asnjë dyshim frut i bashkimit që erdhi nga filozofia të cilën në vetvete përmblidhnin, sintetizonin e shprehnin ato dy fjalë magjike. Studentët e atëhershëm, më së shumti bij komunistësh, intelektualët e kohës, shumë prej tyre nga aparatet qendrore të shtetit e disa prej tyre edhe komunistë, ishin aspirantët e prijësit më të zellshëm të kësaj lëvizjeje. Sistemi monist u shemb, ndonëse jo mendësia që i rezistoi dhe i reziston gjatë kohës! Nuk ishin pra vetëm antikomunistët që iu kundërvunë sistemit, por edhe vetë komunistët, mbi të gjitha fryma e bashkimit rreth qëllimit që frymëzoi thirrja “Liri - Demokraci”, forca që iu kundërvu dhe triumfoi mbi të keqen!

Në esencë parulla që shprehin të njejtën filozofi dhe të njejtën nevojë, atë të bashkimit pa kushte rreth nevojave përbashkuese, kanë qëndruar në themel të lëvizjeve më të fuqishme shndërruese edhe në vitet në vijim. Herë “të bashkohemi me çdo lloj horri, mjafton të jetë kundër…”, herë tjetër me filozofinë e shprehur në parullën e bashkimit “përtej të majtës dhe të djathtës”, janë arritur rezultate elektorale, në sutuata të tjera, të paimagjinueshme të paktën në vitet 2005 dhe 2013. Kjo parullë, varjant modern i parullave historike “pa dallim feje, krahine dhe ideje”, apo të më herëshme, si “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, është artikuluar nga Edi Rama në 2013-tën, si justifikim i nevojës uluritëse për ndryshimin e atëhershëm të pushtetit, dhe vjen e riartikuluar në 2025-ën si parulla kryesore që lind nga nevoja, sipas tij, e domosdoshme e vazhdimit me ritme të përshpejtuara të reformave integruese të vendit.

Natyrisht që asnjë fjalë nuk mund të gjendet për të qenë kundër filozofisë së bashkimit të shprehur drejt qëllimeve të treguara, si më sipër, në se mbetemi në rrafshin normal të gjykimit e nuk duam të rrezikojmë të tregohemi me gisht si tradhëtarë, por…

Përtej sa sipër, ka gjithnjë edhe një pamje të dytë. Nuk do të ndaloj gjatë të analizoj se bashkimi shqiptarë nën Gjergj Kastriot-Skënderbeun, edhe pse rezultoi i suksesshëm e i qëndrueshëm, u tradhëtua nga brenda prej njerëzve më të afërt të Heroit, apo të shpjegoj se rilindasit u përndoqën më shumë nga shqiptarët se nga të huajt, se qeveria e Ismail Qemalit u mbyt nga mbisundimi i provincializmit ndarës e përqarës, as se Konferenca e Pezës u pasua nga Mukja, nga 1946-ta e pushkatimeve të deputetëve, e nga shumë vite diktature të gjithanshme, se mbase këto na vijnë të largëta në kohë, por le të ndalemi tek postnëntëdhjeta, si pasqyrë e ngjarjeve më të freskëta, për fat të keq, vijuese. Orteku shndërrues i frymëzuar nga thirrjet “Liri-Demokraci”, shumë shpejt u kthye në “komunizmin me fytyrë demokratike” të pushtetit të rrëmbyer nga komunisti Sali Berisha. Ai e shndërroi atë në një fasadë të dëmshme e të rrezikshme, për të maskuar etjen e tij për pushtet të pakufizuar. Përtej normave demokratike të ligjëruara nëpër tribuna e të sanksionuara në kushtetutë e ligje, vullneti absolut i tij rezultoi me ngritjen e konsolidimin e një pushteti neodiktatorial. Ndonëse zyrtarisht në pushtet ishte Partia Demokratike e Shqipërisë, krijesa që erdhi në jetë për t’i dhënë zë filozofisë së djathtë shtet e kombformuese, ajo gjithnjë mbeti as e majtë as e djathtë. Herë, sidomos në veprimtarinë praktike, rendi drejt të djathtës ekstreme, herë drejt të majtës komuniste, në vartësi të pikpamjeve amalgamë e që shfaqeshin sipas nevojave të çastit të udhëheqësit politik, ajo kurrë nuk u sundua nga një filozofi e qendrës së djathtë, për pasojë edhe shteti që ngriti mbeti “krijesë hibride” dhe ose rrezikoi të kthehet haptazi në diktaturë si në 1996-tën, ose të kalonte në anarshi e ngrehina e tij të binte duke na zënë brenda të gjithëve, si në 1997-1998-tën. Edhe në 2005-ën Sali Berisha rigrupoi bandat, gjithnjë nën filozofinë e nevojës për bashkim kundër fantazmës së komunizmit dhe, duke shfrytëzuar apatinë, përtacinë e korrupsionin e bixhozxhiut Nano, u rikthye në pushtet. As ky pushtet, në thelb nuk solli mdonjë gjë të re. Korrupsioni vetëm ndërroi duar, shteti u bë edhe më shumë “tokë e xanun” e demokracia u kthye në fasadë të rrezikshme. Përparimet e vendit ishin me pikatore e si inerci kohore, ndërsa Partia Demokratike, nga “as e majtë, as e djathtë” u kthye në familje-parti, gjë që solli edhe kaosin e zhvillimeve vijuese brenda saj, zhvillime që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

Bashkime pa filozofi, pa objektiva afatgjate, pa norma funksionale demokratike, nuk mund të shkojnë më përtej se fitoret e çastit, që ngjajnë më së shumti si fitoret e “Pirros”, dhe lufta për mbijetesë, në mes të rënieve e ringritjeve, që konsumon pamëshirshëm energjitë e pjesës më elitare të vendit në vend që ato të investohen në zhvillimin e tij, në pushtet apo në opozitë qofshin. Lajmi i mirë është se deri atëherë shpresojmë të jemi anëtare e familjes madhe evropiane dhe se e djathta reale, pa pushtet, do të gjej mundësinë të ringrihet në identitetin e saj evropian.

“Përtej të majtës dhe të djathtës”, të shpalosur ekzaktësisht kështu jo vetëm si parullë, por edhe si filozofi programore e qeverisëse, e shpalli dhe zbatoi Rama në vitin 2013-të, me koalicionin jo parimorë por pragmatik me parti të shumta, shumica thjesht emra pa identitet, me të cilat fitoi zgjedhjet për pushtet, por prej të cilit nuk erdhën zgjidhjet. Pushteti u parcelizua dukshëm, korrupsioni u simbolizua me tepsinë, Partia Socialiste në kuptimin e filozofisë programore dhe funksionimit demokratik, rrezikoi shumë nga konstrukti i saj i forte, e përparimet e vendit erdhën me pikatore. Jo se nuk pati përparime, ndonjë edhe i dukshëm, por ato erdhën të sforcuara dhe kryesisht nga protogonizmi personal dhe vizioni i Edi Ramës. Ky rrufjan politik, duke e kuptuar se “po priste në rrëzë degën mbi të cilën kishte hipur vetë”, e kuptoi shpejt rrezikun e shkatërrimit të partisë, dhe krahas justifikimit të bashkimit në diversitet “përtej të majtës dhe të djathtës” për të ardhur në pushtet, manovroi suksesshëm me grupet brenda PS-s duke i “qerasur” nga pushteti i saj, ashtu siç e vazhdoi këtë filozofi me elemente e grupime në të djathtë e të majtë jashtë saj, për të përgatitur terrenin e varjatit:  “më jepni timonin i vetëm” t’a drejtojmë vendin drejt Evropës. Në thelb e njejta filozofi e shprehur me tjetër parullë, i rezultoi e sukseshne. Fitoi pushtetin i vetëm dhe mbajti partinë “grusht bashkuar”, ndonëse “përtej të majtës e të djathtës”, por dukshëm më afër kësaj të fundit, nxitur nga nevoja për të bërë të tijin pjesë të lena rrugës nga Partia Demokratike e Bashës, që nuk u orientua dot kurrë në xhunglën që i la Berisha.

Jemi në vitin 2025. Përsëri zgjedhje, përsëri të njejtët aktorë dhe e njejta filozofi: “përtej të majtës dhe të dhathtës”, apo bashkim me çdo lloj horri, mjafton me u kurorëzuar me “martesë” me “hirushen” pushtet! Berisha ka riorganizuar “trenin më të gjatë në histori”, siç i pëlqen atij ta quaj koalicionin “Shqipëria Madhështore”, duke lidhur pas lokomotivës së tij të lodhur e të plakur shumë vagona të ndryshkur, për të vazhduar udhëtimin e tij historik drejt “nusërimit të tretë”, por në të njejtën “hekurudhë” me trase të gërryer nga stuhitë e brendshme përçarëse, me traversa të larguara e të djegura në zjarrin e luftës për të zotëruar SHQUP-in, dhe me shina të ndryshkura nga përmjerrja e parimeve. Vagonat e këtij “treni madhështorë” nga ana tjetër, janë në luftë jo vetëm me iu afruar lokomotivës, por edhe për ta tejkaluar atë, duke shtuar rrezikun që i gjithë treni të dalë përfundimisht nga shinat e të rrezikojë humnerën përfundimtare nga e cila ose nuk del më kurrë, ose do t’i duhet të rilind e të ringrihet nga e para, si krijesë e re…

Rama, nuk ka koalicione partishë, as koalicione idealesh, por vazhdon me koalicione pragmatike e pragmatikësh, kryesisht me individë “të fortë”, që deri më sot i kanë rezultuar të suksesshme. “Nuk duam të bashkoheni me ne, thotë ai në esencë, por të votoni ne për rrugëtimin evropian të Shqipërisë 2030-të”, duke i dhënë secili një dorë besimi e përshpejtimi trenit që, sipas tij (ashtu duket e ashtu qoftë!), udhëton në shina të sigurta evropianizuese. Jo vetëm traseja, traversat e shinat janë të forta, por edhe lokomotiva, ndonëse e vjetër, në saj të aftësive të tij të jashtëzakonshme për të mos e përsërit veten dy herë, të paktën teorikisht, duket e besueshme. Partia? Vazhdon unike rreth udhëheqësit, dhe e tillë do të mbetet të paktën edhe në katër vitet vijuese, me Edi Ramën “pa të majtë e pa të djathtë” në pushtet. Por çdo të ndodh më tej?! Edhe pse i besoj konstruksionit të fortë të kësaj partie, me rënien e saj nga pushteti dhe largimin e Edi Ramës, dyshoj fort se edhe PS-ja do të gjendet e paorientuar në xhunglën pa bosht filozofik që po mbjell e rrit për çdo ditë…

Vërtetë Shqipëria dhe interesat e saj madhore qëndrojnë e duhet të qëndrojnë “përtej të majtës dhe të djathtës”, por kjo s’mund të përdoret si maskë nga partitë tona politike për të ndërtuar një pushtet që nuk i përket askujt. Alternativat e tyre duhet të jenë të qarta, të mirëpozicionuara dhe të qëndrueshme, në se nuk janë një maskë që ndryshon sipas ballos ku u duhet të shfaqen! Na duhen një e majtë dhe një e djathtë evropianeiste me të gjitha ngjyrat e tjera të spektrit në mes, që të konkurojnë me fytyrën e tyre reale të cilat, për interesa madhore të vendit, të bashkohen rreth qëllimit kryesor të momentit historik, në mënyrë që alternimi i natyrshëm i pushtetit mes tyre të mos sjellë tronditje të mëdha e kthime në pikën zero, ku secili pretendon se me të e prej aty  “nis historia”. Ky komb ka ekzistuar e ka mbijetuar edhe pa të majtën e të djathtën, ka të majtën e të djathtën e vet historike, dhe do të mbijetoje edhe pa to edhe në të ardhmen, por problemi shtrohet tek rruga që duhet të ndjek drejt kalimit në një tjetër stad zhvillimi e barazimi me popujt e tjerë evropian.

A do të kthehen partitë tona kryesore politike në shtratin e tyre natyral e të ristrukturohen ato rreth filozofisë politike të së majtës e të djathtës moderne që duhet të përfaqësojnë, tej fasadave “as…, as…”, nxitur nga interesa të çastit për një grusht vota, përtej këtyre zgjedhjeve të vitit 2025? A do ta bëjmë këtë shpejt e pa kosto të mëdha?

Shpresoj se…

Shpresa vdes e fundit!

Lezhë, më 10 prill 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Mesazhi i Erion Veliajt me rastin e 2-mujorit të burgosjes - Bejko: Bëhu bashkëpunëtor, gruaja të ka vënë breçkat në sy Luan-Asllan Dibrani: Manipulimi i Votës dhe Pengesat për Zhvillim Florim Zeqa: Refuzim artistik dhe aspak politik i Abdixhikut! Jusuf Buxhovi: Pushtimi italian i Shqipërisë - Fillimi I Luftës së Dytë botërore Kalosh Çeliku: Shtetit të 'përbashkët' askush nuk i jep vaksinë Fahri Xharra: Kur lindën prapashtesat 'iç' në Malin e Zi? Fritz Radovani: Kush mendoi per Shqipni?! Themelimi i Federatës dhe Platformës Ndërkombëtare të Krijuesve, Intelektualëve, Afaristëve dhe Diasporës Shqiptare Sabile Basha: Vazhdimësia e Ilegales Shqiptare nga viti 1945 dhe Demonstratat Studentore të vitit 1981 (3) Spartak Ngjela: Edi Rama është një antishqiptar Florim Zeqa: Ndryshimi i ligjit zgjedhor, imperativ i ngutshëm kohor! Fahri Xharra: Romanovët e Rusisë e sllavizuan Malin e Zi Fahri Dahri: Dy megamanipulime me librat e shenjtë kundër etnosit shqiptar Nexhmedin Saqipi: Ndikimi politik në instrumentalizimin e përçarjeve fetare Klajd Kapinova: Nuk ka asnjë provë se Lee Harvey Oswald të ketë vrarë Presidentin amerikan John F. Kennedy Eshref Ymeri: Autopsia e socializmit feudal Florim Zeqa: Të ndalen privilegjet e pamerituara të deputetëve! Kalosh Çeliku: Hajdutët e 'Allahut' Luan Asllan Dibrani: Bojkoti i Festave të Bajramit dhe Braktisja e Islamizmit: Reagimi i Domosdoshëm... Petrit Dibrani: Të çlirohemi nga 'burgu mendor', të dashur shqiptarë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx