E enjte, 03.04.2025, 12:03 AM (GMT+1)

Mendime

Eshref Ymeri: Autopsia e socializmit feudal

E marte, 01.04.2025, 06:58 PM


Autopsia  e socializmit feudal

(Dështimi i një sistemi politik)

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Para disa kohësh, miku im, Shefqet Meko, me banim në Minnesota, veteran i gazetarisë dhe autor veprash artistike, ishte për vizitë në Atdheun Amë, ku pati prezantuar romanin e tij të ri, me titull “Rënia”,  me një vëllim prej 410 faqesh, të cilin e ka hedhur në qarkullim Shtëpia botuese “Mediaprint”, Tiranë 2025.

E lexova me shumë kënaqësi brenda një dite e gjysmë, sepse e tillë është përmbajtja e tij: po fillove ta lexosh, nuk e lëshon dot më nga dora.

Ky libër është një pasqyrim artistik i atij realiteti, kur Shqipëria quhej vend socialist, por që, në të vërtetë, ishte një feud në pronësi të Bllokut famëkeq.

Duke trajtuar një diapazon të gjerë problemesh, autori lë të nënkuptohet se pikërisht nën udhëheqjen e komunistëve, populli ynë u katandis në ditë të hallit që në fundin e viteve ’70 dhe fillimin e viteve ’80 të shekullit të kaluar. Organizimi shtetëror s’ishte gjë tjetër, veçse një socializëm feudal dhe njëri nga tiparet kryesore të tij ishte mashtrimi i përhershëm i partisë komuniste para mbarë popullit shqiptar. Atë mashtrim komunist nuk ishte kaq e lehtë ta kuptoje, për arsyen e thjeshtë se struktura e tij ishte tejet e rafinuar. Në fillim popullit iu premtua se do të hante me lugë floriri, se “bollëku” do të vinte nga prona e përbashkët, paçka se prona e përbashkët është e askujt, se prona private pjell shtypjen dhe shfrytëzimin, kapitalizmin orë e çast. Një politikë e tillë kishte si pikësynim që mbarë popullin ta kthente në pronë të partisë. Prandaj parulla të tilla, si ata në krye, ata lart, është partia, pa është populli, partia mbi të gjitha, partia është drita e jetës sonë, etj. shërbenin si drogë për shpëlarjen e trurit të njerëzve dhe ngritjen sa më lart të kultit të partisë dhe të kreut të saj. Gjithandej komunistët propagandonin të ashtuquajturën diktaturë e proletariatit, me të cilën maskonin djallëzisht diktaturën e egër të partisë.

Gjatë rrëfimit artistik, autori përdor shprehjen e bukur me domethënie të thellë “Uji del i pastër nga burimi, por e turbullojnë rrugës”, e cila, me kalimin e kohës, përftoi një ngjyrim ironik. Pra, për të gjitha të metat dhe dështimet, “fajin e kanë ata poshtë”, se “ata lart” janë “qelibar”. Kjo ishte tallja më flagrante me njerëzit e thjeshtë, të cilët, të kapluar nga naiviteti, i besonin përralla të tilla.

Njëra nga armët e mallkuara që përdorte partia për përjetësimin e pushtetit të vet, ishte përçarja e njerëzve përmes luftës së klasave, mbjellja e frikës në radhët e tyre para pushtetit të partisë, rekrutimi i spiunëve për të informuar partinë për gjithçka. Prandaj autori përdor shprehje të tilla, karakteristike për një diktaturë komuniste, si Hap sytë! Ki kujdes! Mati mirë fjalët! Uji fle, hasmi s’fle etj.

Në penën e shkrimtarit zbulohet një armë tjetër që përdorte partia për t’i mbajtur njerëzit nën pushtetin e vet: varfërimi i tyre në vazhdimësi, në mënyrë që ata ta shikonin  atë në dritë të syrit për kafshatën e gojës. Prandaj heroi kryesor i romanit, Maks Prifti, shpërthen:

“Atdheu im prodhon më shumë fjalë e dogma, sesa mall për treg”.

Pa përmendur emrin e kryediktatorit, autori përdor shprehjen “ai në krye”, duke e çmitizuar artistikisht figurën e tij, ashtu si edhe shkrimtarja Mira Meksi në romanin “Diktatori në kryq”. Kultin e tij, partia dhe njerëzit atje poshtë, e kishin ngritur deri në nivelet e një Hyjnie me etiketime paradoksale, si në këngën në vijim:

Po thonë popujt në Europë

Një yll drite ka në botë,

Nga ky yll që ka Shqipëria,

Lum kujt i bien rrezet e tija.

Tek shfleton faqet e librit njërën pas tjetrës, lexuesi vëren që autori argumenton artistikisht me fakte se si, për vite e vite të tëra, mashtrimi u siguronte komunistëve njëfarë “indulgjence“ (falje për bëma të pahijshme) për përdorimin e dhunës: nëpërmjet mashtrimit ata argumentonin domosdoshmërinë e përdorimit të saj.

Gjatë tërë periudhës së sundimit të tyre, komunistët, nëpërmjet propagandës mashtruese, mundoheshin ta bindnin popullin me të gjitha mënyrat për domosdoshmërinë e vrasjeve dhe të internimeve të përfaqësuesve nga radhët e po këtij populli, të represioneve masive, të shpalljeve “kulakë” etj.

Pikërisht asokohe zhvilloheshin gjyqe të hapura kundër të përndjekurve politikë. Sallat e gjyqeve mbusheshin me lloj-lloj mileti, i cili shpërthente me klithma histerike “Tradhtarët në litarë!”. Dhe heroi i romanit Maks Prifti nuk e përmban dot dufin që i zien përbrenda, sepse nuk e honepste dot “dyfytyrësinë shqiptare”, “pabesinë dramatike të shekullit”. Ndaj dhe i shtronte vetes pyetjet:

“Pse njeriun e gëzon vdekja e tjetrit? Pse është kaq i mistershëm njeriu?”.

Këto pyetje të kujtojnë romanin me titull “1984” të shkrimtarit, gazetarit dhe kritikut letrar anglez Xhorsh Oruell (George Orwell - 1903-1950). Ai shkruan:

“Në shumicën e tyre, njerëzit janë të dobët dhe frikacakë, nuk janë të gatshëm ta mbrojnë lirinë dhe i tremben së vërtetës, çka do të thotë se u duhet një dorë e fuqishme për t’i drejtuar dhe për t’i mashtruar”.

Prona private dhe iniciativa private trajtoheshin si rrezik i madh për partinë. Prandaj edhe fshatarësia, si shtresa më e madhe e popullsisë së vendit tonë, u zhvesh nga çdo lloj prone dhe u shndërrua tërësisht në mëshirën e partisë: qumështin, me nënproduktet e tij, fshatari duhej ta blente në shitoren e fshatit, një skandal i paparë ky në jetën e tij. Dhe në gjuhën shqipe filluan të përdoren neologjizmat arëza, tufëza, tollona, të cilat autori i citon në roman.

Nuk ishin të paktë fshatarët, të cilët, të zhveshur nga çdolloj prone pas kolektivizimit të detyrueshëm, të proletarizuar kokë e këmbë, detyroheshin të shkonin për të blerë ndonjë bukë nëpër furrat e qyteteve. Por aty buka shitej me listë për banorët e qytetit dhe ata të gjorë largoheshin duarthatë. Për më tepër, xhelatët komunistë i patën diskriminuar fshatarët me marrjen e një vendimi të posaçëm racial: atyre u ndalohej largimi nga fshati, se nuk u lejohej pasaportizimi në qytet. Një vendim të tillë, sa të turpshëm, aq edhe skandaloz, nuk e ngrinte as dheu, as qielli. Fshatari, i cili, tradicionalisht, e kishte siguruar bukën e gojës nga toka e tij, gjëndej në hall për mungesën e saj, çka të kujtonte atë që po ndodhte me fshatarin sovjetik në fillim të vitit 1961, kur Bashkimin Sovjetik e kishte pllakosur kriza ekonomike. Për pasojë, nuk mund ta siguronte dot bukën për mbarë popullin dhe qe detyruar të importonte grurë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Argjentina. Asokohe, Uinston Çurçilli (Winston Churchill - 1874-1965), në njërin nga 867 citatet e tij të famshme, shkruante:

“Kam menduar se do të vdes nga pleqëria. Por kur Rusia, e cila pati ushqyer mbarë Europën me bukë, filloi të blejë drithë, e kuptova që do të vdes nga të qeshurit”.

Pikërisht asokohe, në qytetin e Vlorës dhe në krejt fshatrat e saj, pati qarkulluar gojë më gojë një rrëfenjë për një fshatar nga lumi i Vlorës. Sekretari i organizatës së partisë i kishte kërkuar të plotësonte dokumentet për t’u pranuar në parti. Në fillim ai ishte ndrydhur, por më pas qe trembur se mos e etiketonin si njeri që nuk e do partinë dhe i pati plotësuar dokumentet. Pasi u pranua në organizatën e partisë së fshatit, së bashku me sekretarin, duhej të paraitej në byronë e komitetit të partisë së Vlorës. Atje, në prani të të gjithë anëtarëve të saj, iu drejtuan pyetje të ndryshme. Njëri prej anëtarëve të byrosë iu drejtua me pyetjen:

Si e kupton ti socializmin?

Fshatari i gjorë u zu ngushtë. Pasi u mendua një copë herë, tha:

“Si e kuptoj unë socializmin? Po ja: do bukë - na bukë, do qumësht - na qumësht, do mish - na mish, do vezë - na vëzë, do kafe - na kafe, me një fjalë, si në kohën e Italisë”.

Anëtarët e byrosë vështruan njëri-tjetrin, duke lënë të nënkuptohej se kishin të bënin me një fshatar naiv, që fliste pa të keq, dhe dhanë aprovimin të pranohej në parti.

Pra, megjithëse propagandohej që, në  parti, të pranoheshin njerëz nga më të vendosur ideologjikisht, më të ndershëm, më të përkushtuar, më besnikë ndaj “idealit” të saj, në të vërtetë pranoheshin më naivët, më servilët dhe më të nënshtruarit, sepse pikërisht të tillët i duheshin për përjetësimin e pushtetit të saj.

Ja, kjo ishte katëgoria morale e komunistëve.

Përjetimet e heroit kryesor, Maks Piftit, i cili, si një gazetar në moshë të re, që drejtonte botimin e një gazete universitare, duke e marrë me çiltërsi për të vërtetë propagandën komuniste, pati shprehur dëshirën të hynte në parti, por nuk e pranuan   për shkak të një “njolle” në biografi të xhaxhait të tij.

Pikërisht politika e përçarjes tragjike që ndiqte partia në radhët e popullit, ishte ajo që vrau dashurinë e Maks Priftit për Emën bukuroshe, babai i së cilës, si  komunist që ishte, nuk mund t’ia lejonte vetes të kishte një dhëndër që nuk e lejuan të hynte në parti. Maks Priftit iu kthye unaza që dikur ia pati vënë Emës në gisht. Simbolika e asaj unaze, të cilën Maksi, në kujtim të një dashurie të vrarë, e vari me një zinxhir për të mbajtur për herë në qafë, është tepër prekëse.

Me kalimin e kohës, Maks Prifti e kuptoi, më në fund, se partia s’qenkej gjë tjetër, veçse një ofiçinë e rafinuar mashtrimi dhe gëzohej që nuk e patën lejuar të hynte brenda saj.

Përmes faqeve të këtij romani, shkrimtari, para lexuesve të moshës së mesme dhe të thyer, zbulon ca të vërteta tepër demaskuese për propagandën e mashtruesve komunistë: shumica e popullit shqiptar i dëgjonte dhe kishte filluar t’i kuptonte shumë mirë gënjeshtrat e regjimit komunist. Çdo mbrëmje, në radio dhe në televizion, gazetarët rrëfenin për prodhimin e drithit, të qumështit, të mishit dhe të vezëve, për plotësimin dhe tejkalimin e planeve, por, në realitet, populli gjendej para rafteve bosh të shitoreve. Djathi, gjalpi, mishi, sallami, kafeja dhe shumë produkte të tjera ushqimore mungonin në to. Gjysmën e jetës duhej ta kalonin me orë të tëra në radhë të gjata, kur rrallë dilte në shitje me pakicë ndonjë produkt ushqimor që jepej me tollona. Njerëzit e gjorë, në mungesë të kafesë, përdornin elbin e pjekur. Dhe çfarë rezultoi nga raporti i propagandës mashtruese me realitetin? Frigoriferi kishte siguruar një fitore bindëse në dyluftimin me radion dhe televizorin.

Mashtruesit komunistë, që betoheshin e stërbetoheshin për “mbrojtjen” e ideve të Marksit, nuk mund ta demaskonin veten në sytë e popullit shqiptar me publikimin e një citati nga veprat e tij. Në atë citat thuhet:

“Përpara se populli të merret me kulturë, art, filozofi, politikë, duhet, së paku, ta ketë barkun të mbushur, një strehë normale dhe veshje normale”.

Qëndrimin sa të pabesë, aq edhe të poshtër të komunistëve ndaj popullit të thjeshtë, autori e zbulon edhe kur bën fjalë për jetën luksoze të shportës së karavidheve brenda Bllokut famëkeq, të asaj kalaje kriminelësh, të cilët, të rrethuar nga Garda e Republikës, bënin një jetë luksoze, me ushqim të zgjedhur dhe me veshje të modës së fundit. Aty edhe rrushi u vinte nga Brazili. Pas dhjetorit të vitit 1990, kur blloku u shpërbë dhe karavidhet e tij u larguan turravrap nga frika që u pati hyrë deri në palcë pas shembjes së shtatores së kryekaravidhes, në vilën e njërit nga anëtarët e byrosë politike u gjetën 640 kuti me mish të konservuar. Pra, ja deri ku kishte arritur babëzia e atyre monstrave të shpifura të Bllokut.

Në atë Bllok famëkeq thureshin plane nga më të përbindshmet për ruajtjen e pushtetit të kryekaravidhes dhe të pasardhësit të tij, si edhe përgatiteshin komplote edhe për zhdukjen e armiqve të sajuar.

Ky roman personifikon dramën e dështimit të sistemit komunist, të ngritur mbi shtylla argjile.

Në roman autori përshkruan mjeshtërisht edhe shembjen e ngrehinës së kalbur të mashtruesve komunistë, të cilët kishin ndjekur piketat e mashtrimit të komunistëve sovjetikë, me premtimet për një të ardhme plot të mira e begati. Në Kongresin XXII të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, i cili i zhvilloi punimet prej 17 deri më 31 tetor 1961, Nikita Hrushovi pati deklaruar mashtrimin e madh në vijim:

“Në vitin 1980, në Bashkimin Sovjetik do të përfundojë ndërtimi i komunizmit dhe brezi i tanishëm i njerëzve sovjetikë do të jetojë në komunizëm” (Faqja e internetit “miasskiy.ru”. 17 tetor 2018).

Pra, sipas kryemashtruesit Nikita Hrushov, në përputhje me përrallën për “parajsën” komuniste, populli sovjetik, pas njëzet vjetësh, do të fillonte të jetonte sipas parimit “secili sipas punës, secilit sipas nevojave”.

Rrjedha e ngjarje vërtetoi mashtrimin e madh të komunistëve sovjetikë, të konkretizuar me krizën e përgjithshme që pati përfshirë mbarë Bashkimin Sovjetik pikërisht në vitet ’80, e cila u përmbyll me shpërbërjen e tij përfundimtare. Rrjedhimisht, nuk mund të ndodhte ndryshe edhe në Shqipëri. Prandaj në faqet e këtij romani del në pah një tjetër skenë, një tjetër komedi, e shfaqur nëpër mitingje studentësh për ngritjen e një ofiçine të re mashtrimi për “demokratizimin” e vendit nga disa regjisorë, të veshur me mantel neokomunist. Zhveshja lakuriq në njërin nga ato mitingje e njërës prej heroinave-studente të romanit, është fshikulli më i fuqishëm kundër atij sistemi kriminal, i cili jetën e njerëzve e kishte çuar deri në zgrip. Skenat e mitingjeve studentore në faqet e këtij romani të krijojnë përshtypjen sikur pas atij sistemi socialist, i cili i pati zhveshur njerëzit lakuriq, do të ndodhte mrekullia. Por ndodhi e kundërta: regjisorët neokomunistë vazhduan traditën e etërve të tyre me artin  e varfërimit të njerëzve, çka ka sjellë si pasojë rrudhjen e popullsisë së vendit përmes shpopullimit tragjik.

Heroi kryesor i romanit, Maks Prifti, në kulmin e zhgënjimit të thellë, mundohet të gjejë Emën e zemrës, të cilën ia kishin mbajtur të fshehur dhe pasi e gjen, bashkë me të, merr arratinë me një peshkarexhë. Ema priste që ai t’i kthente unazën. Por ai, pasi hoqi edhe unazën e vet nga gishti, bashkë me atë të Emës, i flaku të dyja në det.

Romani mbyllet me një skenë tragjike: Ema hidhet në det në kërkim të unazave dhe mbytet. Maksi përfundon në Itali, duke u sjellë si i marrë rreth Koloseut, çka shënon ndarjen përmbyllëse me të kaluarën zhgënjimtare.

Ky roman, unikal në llojin e vet të rrëfimtarisë artistike, mund të renditet denjësisht pranë romanit të lartpërmendur të Xhorxh Oruellit, “1984”, të botuar për herë të parë në vitin 1948. Romani i Oruellit është një nga librat tmerrues të shek. XX, i cili të befason me egërsinë dhe realizmin e vet. Ai roman është, para së gjithash, një antiutopi, i krijuar nën ndikimin e ngjarjeve që ndodhnin në botë. Në atë vepër autori parashikon një totalitarizëm global dhe një epokë diktaturash errësore në të ardhmen.

U gëzova kur ndoqa në Tch emisionin e gazetares veterane Monika Stafa, e cila, në rubrikën e vet për librat e botuar, i bënte reklamë romanit “Rënia”, duke i marrë një intervistë edhe autorit.

Kaliforni, 31 mars 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx