E merkure, 02.04.2025, 02:43 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Injoranca asht nana e gjitha të zezave

E shtune, 29.03.2025, 07:58 PM


Ardian Ndreca:

Injoranca asht nana e gjitha të zezave e nji prej të këqijave që e karakterizon asht se çdo tentativë e saja për me shprehë të kundërtën nxjerr në pah vetë injorancën. Për shembull, nji injorant që rrin pa folë dhe nuk shpalosë vend pa vend dije që s’i ka nuk etikohet si i tillë.

Mora shkas me shkrue dy rreshta pse ka kohë që shoh sesi përdoret në debatet politike skaji “buf” si shamje, si ulje, si atribut i nji individi të plakun që nuk kupton asgja.

Vetëm nji budallë mund ta përdorin këtë term në këtë kuptim negativ dhe si injorant që asht tregon se nuk ka hy shpesh në nji bibliotekë (prej atyne me nji farë tradite që e meritojnë emnin bibliotekë), se po të kishte hy do t’ia kishte zanë syni simbolin e bufit në hymje të saj. Më kujtohet se nji gja të tillë e pat dashtë me ngulm Át Zef Pllumi kur rithemeloi Bibliotekën Françeskane në Shkodër disa dekada ma parë. Vetëm nji injorant mund të përdorin në sens negativ simbolin e hyjneshës Minervë që përçanson dijen dhe kulturën.

Tek ne gomarlleku nuk ka fund, më kujtohet sesi para disa dekadash disa (jo nji individ) përdornin skajin Kasandër si personifikim i njeriut që thotë të pavërteta për dikë apo për diçka, kur asht krejt e kundërta: Kasandra mitologjike ka dhantinë e profecisë të së vërtetës dhe mallkimin që të vërtetat që thotë të mos ia besojnë.

Disa gjana duhet me i mësue në shkollë dhe kur asht koha me i mësue. Nëse kur ka qenë koha me i mësue të ka ba furrnela tym harroje se po i mëson kur të plakesh.

Shkatrrojeni arsimin publik, shkatrroni shkollat, barazojeni me zero sensin e dijes dhe të shkencës dhe do ta shihni nji ditë veten të komanduem solemnisht prej idiotash dhe injorantash.

P.S: Skaji “idiot” këtu nuk asht fyemje por asht përdor në sensin e vet etimologjik.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx