E premte, 28.03.2025, 08:44 AM (GMT)

Kulturë

Thanas L. Gjika: Kritikat e Faik Konicës janë aktuale dhe sot

E diele, 23.03.2025, 05:58 PM


KRITIKAT E FAIK KONICËS JANË AKTUALE DHE SOT

(HYRJE në librin "Faik Konica – për një Shqipëri europiane")

Nga Thanas L. Gjika

Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Mirëpo vepra e tij nuk ka qenë e njohur dhe e studiuar plotësisht, prandaj nuk i është dhënë ende vendi që meriton në historinë e popullit shqiptar si një nga ideologët e Rilindjes; as në historinë e letërsisë shqiptare si një nga krijuesit e letërsisë realiste dhe i kritikës letrare; dhe as në fushën e gjuhësisë si një nga themeluesit e gjuhës letrare shqipe mbi bazën e toskërishtes.

Deri pak vjet më parë ka qënë i përhapur opinioni i gabuar sikur Faik Konica ka qenë "dembel dhe nuk kishte lënë asnjë vepër të përfunduar, dhe se ishte kontradiktor në shkrimet e tij".

Mirëpo studiuesi F. Andrea me ndihmën financiare të Federatës Vatra botoi në vitin 2016 dy ramane të plotë të panjohur të Faik Konicës (332 faqe), dhe tani antologjinë "Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane" (900 f.) Këto dy botime vërtetojnë se ky atdhetar ka qenë një krijues shumë prodhimtar, që ka botuar shumë vepra të plota dhe që nuk ka qenë as dembel e as kontradiktor.

Tipari dallues i rilindësit Konica, tipar të cilit ai i qëndroi besnik gjatë gjithë jetës, ka qenë orientimi europian. Pikërisht ky orientim, që përbënte thelbin e botëkuptimit të tij ka qenë shkaku që ai fitoi simpatinë e disa shqiptarëve elitarë si Atë Gjergj Fishta, Atë Fan Noli, Andon Zako Çajupi, Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli, etj.

Konica, si mjeku i mirë, vuri gishtin në plagët e popullit shqiptar, dhe u përpoq që t'ia shëronte. Mirëpo shumicës së shqiptarëve u kishin hyrë në gjak disa vese si zilia, kapadaillëku, mospranimi i gabimeve, mentaliteti lindor proturk, prosllav e progrek. etj, prandaj ata nuk i pëlqenin kritikat e tij, zemëroheshin, flisnin dhe shkruanin kundër tij.

* * *

Formimin intelektual europian Faik Konica filloi ta merrte që në fëmijëri. Nëna e tij, Lejla Delvina, e shkolluar në Stamboll te liceu francez "Galata Saraj" (Galatasaray Mekteb), i mësoi frëngjishten, gjuhën e Volterit e të Rusoit. Në moshën 9-vjeçare familja e dërgoi në Shkodër tek motra e tij e madhe, e cila e regjistroi te "Seminari Katolik" i Jezuitëve. Këtu ai mësoi italishten dhe gegërishten. Më tej djaloshi u dërgua në Stamboll për të vijuar studimet te liceu "Galata Saraj", ku perfeksionoi frëngjishten dhe zotëroi anglishten. Më tej vijoi në Dizhon e Paris të Francës dhe së fundi në Universitetin Harvard, Boston MA, të ShBA-ve. Ai ka qenë studenti i shkëlqyer në të gjitha nivelet e shkollimit të tij.

Formimin e tij solid kulturor, letrar, politik dhe filozofik Faik Konica e shfaqi në shumë aktivitete dhe shkrime të tij.

Në vitin 1895, 20-vjeçar ky bir i familjes së pasur myslimane me baba çam e nënë labe, u konvertua në i krishter katolik duke u pagëzuar me emrin Domenik, të cilin e mori si emër të dytë: "Faik Bej Domenik Konica".

Në bashkëpunim me albanologë të njohur të Europës si Holger Pedersen, etj, krijoi i pari alfabetin e gjuhës shqipe me shkronja krejt latine dhe e përdori në revistën e tij "Albania". Mbas një vit e gjysëm, kur pa se alfabeti i shoqërisë "Bashkimi" ishte më i mirë, ndërgjegja e tij shkencore e detyroi ta njësonte alfabetin e tij me atë të "Bashkimit". Nevoja për të bërë të njohur territoret ku banonte populli shqiptar e shtyu Konicën që të bashkëpunonte me Institutin Gjeografik të Universitetit të Brukselit për të krijuar të parën hartë gjeografike të Ballkanit Perëndimor ku u shkruan shqip emrat e krahinave, qyteteve e të shumë fshatrave shqiptare. Kjo hartë kishte dimensione të mëdha për t'u varur në mur dhe u vu në shitje.

Kultura e gjerë dhe formimi i tj shkencor në shumë fusha e ndihmuan Konicën që ta kthente revisten "Albania" që në numrat e parë në tribunën më të rëndësishme të shtypit shqiptar. Këtë ai e ariti në saje të botimit të shumë lloj shkrimeve frëngjisht e shqip, si polemika kundër artikujve të gazetave europiane që shtrembëronin fakte e ngjarje nga historia e popullit shqiptar; artikuj e kryartikuj ku jepte të dhëna e vlerësime për figura historike dhe shkrimtarë të popullit shqiptar. Me recensionet e veta për vepra të ndryshme Konica hodhi në faqet e kësaj reviste hapat e para serioze të kritikës letrare shqiptare. Aty botoheshin dhe statistika të regjistrimit të popullsisë shqiptare; vlerësimet e tij të mprehta për forcën shprehëse të gjuhës shqipe, për bukuritë e natyrës shqiptare, për bukurinë trupore të shqiptarit e të veshjeve të tij, si dhe për karakterin e burrnor. Revista "Albania" edhe sot lexohet me ëndje për shkak të karakterit enciklopedik dhe të nivelit të lartë shkencor e të stilit letrar që kanë shkrimet e Konicës.

Duke qenë lexues i vëmendshëm ai kapi i pari gjatë leximit të veprës "Historia e Skënderbeut" të Marin Barletit formën e flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në bashkëpunim me piktorin shqiptar Theohar Gjini e vendosi pikturën e këtij flamuri në ballinën e revistës "Albania", duke e konsideruar si e konsiderojmë edhe sot "Flamuri Kombëtar Shqiptar" ,

Konica e njihte mirë historinë tonë kombëtare dhe e vlerësonte shumë. Për të ngritur lart krenarinë kombëtare të popullit shqiptar ai ka shkruar disa vlerësime të spikatura, prej të cilave po sjell këtë fragment: "Shqiptarët ranë nën zgjedhën e turqve sikundër popujt e tjerë të Bakllainit; mirëpo serbët, bullgarët dhe grekët ranë nënë zgjedhë në mënyrë servile. Vetëm shqiptarët shfaqën vullnetin e tyre për t'u çliruar.

Gjatë katër shekujve, dyzet kryengritje shqiptare janë shkruar me të kuqe të fortë në historinë e Perandorisë Osmane. Emrat e Ali Tepelenit, të Mustafa Pashë Shkodrës, të Karamamut Pashë Shkodrës, Triumvirati i Manastirit i vitit 1830, Kryengritja e vitit 1863, Abdyl beu dhe kryengritja që pasoi qeverinë e përkohëshme më 1879 – zenë një vend krejt të veçantë në Historinë e e shkaqeve të tatëpjetës së turqve në krahasim me revoltat foshnjarake të grekëve dhe kretasve që jepnin një shfaqje prej operete" ("Albania" nr. 5, 30 korrik 1897).

Për farkëtimin e unitetit kombëtar të popullit shqiptar në luftë ndaj pushtuesit turk dhe shovinizmit fqinj ideologu Konicë hodhi i pari idenë se arumunët (vëllehët) e Shqipërisë ishin "vëllezër me shqiptarët".

Po ashtu për të forcuar unitetin e popullit shqiptar, ai dha një vlerësim shumë pozitiv për shqiptarët gegë, që përbënin shumicën e popullit shqiptar: "Vëllezërit tanë të Veriut janë sigurisht më të matur për të kuptuar disa çështje, por janë gjithashtu më të mprehtë, më të qëndrueshëm, më vëzhgues, me një fjalë kanë më shumë zgjuarësi të vërtetë" [natyrale – Th. Gj.] ("Albania", 1902)". Ky vlerësim binte ndesh me mendimin e shumë rilindësve toskë, që vuanin nga provincializmi dhe thoshin se shqiptarët e Toskërisë, duke rrahur kurbetin ishin bërë më të zgjuar e më atdhetarë se shqiptarët e Gegërisë.

Midis majave të tjera të mendimit politik e sociologjik të Konicës po sjell këtu dhe këtë thirrje të tij: "Vëllezër shqipëtarë! Mjaft rrojti e gjora Shqipëri jetën e kurmit, duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes (La vie intelectuelle). Jeta e mendjes është të hapim të tërë zembërat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër tjatrit, të kuvendojmë si njerëzit e qytetëruar që mblidhen e luftojnë me fjalë për iedat e tyre... Kështu do të qasemi më shumë, se do të njihemi më mirë, s' do kemi mendime të pshehura dhe do kuptojmë që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshërimi i së Vërtetës dhe dëshërimi i Shqipërisë."

Disa veprimtarë mendonin se popullin shqiptar do ta shpëtonte Evropa. Konica u kundërvihej duke thënë se "Europa na ka për të prapambetur, dhe nuk na ndihmon, ne duhet të punojmë vetë për lirinë tonë".

Pas dy vjet pune intensive për afrimin e bashkëpunëtorëve rreth revistës "Albania", Konica e njohu mirë mentalitetin fetar të popullit shqiptar, prandaj për ta shëruar nga plaga e përçarjes fetare nuk këshilloi më myslimanët që të ktheheshin në të krishterë, po këshilloi që të forconin tolerancën fetare: "Ç' ka të bëjë myslimanëria apo krishtëria me shqiptarërinë? Myslimani le të mbetet mysliman, e i krishteri, i krishter. Po Shqipëria është e të gjithëve ne, dhe të gjithë e kemi për detyrë të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të" ("Albania" 1899).

Si sociolog Konica sqaronte popullin se liria e njeriut shkon deri atje ku nuk preket liria e tjerit: "Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç'i do zembëra, 2. të thotë ç'i do zembëra, 3. të shtrojë [për diskutim] ç'i do zembëra, 4. të bëjë ç'i do zmebëra, veç jo ato që janë kundrë tjatër njeriu",

Askush përpara Faik Konicës nuk kishte mundur ta formulonte një nga kërkesat themelore të vlerësimit objektiv shkencor për personalitetet historike. Në shkrimin "Ali Pashë Tepeleni", ai nuk u përqendrua si u përqendruan konsulli francez, Pukëvili dhe as i përmendi si bëri Sami Frashëri tek "gabimet" dhe "karakteri i pamëshirshëm" i Ali Pashës. Faiku theksoi se gjatë sundimit të Ali Pashës u krijua ndërgjegja kombëtare midis shqiptarëve të pashallëkut të tij, se Aliu kishte synime të krijonte një shteti të pavarur shqiptar, se pashallëku i tij mori zhvillim ekonomik që nuk ishte parë deri atëhere dhe mbi të gjitha me bëmat e tij: "Luani i Shqipërisë i vuri spatën Turqisë" ("Albania" Fruer/ shkurt, 1902), pra sipas Konicës, Ali Pasha ishte shkaktari i tatëpjetës që mori Perandoria Turke.

Këshilla që ka dhënë në fund të këtij shkrimit për vlerësimin objektiv të personaliteteve historike vlen të mbahet parasysh edhe nga historianët tanë të sotëm:

"Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t'a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e rojti... Fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre" (Albania, Fruer, 1902).

Formimi i shëndoshë shkencor në fushën e gjuhësisë e ndihmoi Faikun të formulonte i pari dy nga kërkesat themelore për pasurimin e gjuhës shqipe me fjalë të reja. Një bashkëpunëtor i dërgoi një artikull ku kishte përdorur për herë të parë fjalën "atdhe" në vend të fjalës "mëmëdhe", e cila isht e përhapur. Faiku e pranoi këtë zëvendësim dhe dha sqarime pse e pranoi: 1. "Fjala 'atdhe' është më e shkurtër se fjala 'mëmëdhe'; 2. fjala 'mëmëdhe' ka disa forma dialektore, kurse fjala 'atdhe" nuk ka forma dialektore". Në këto dy arsyetime, Konica në fakt formuloi dy nga kërkesat (ligjet) kryesore që duheshin mbajtur parasysh dhe duhen mbajtur edhe sot për pasurimin e gjuhës shqipe me fjalë të reja: "ligjin ekonomik të kursimit" (fjala e re të jetë sa më e shkurtër); dhe ligjin e "formës mbidialektore" (fjala e re të mos ketë forma të ndryshme dialektore).

Konica njihte mirë rregullat e drejtshkrimit të shqipes, prandaj ai kritikoi Mit'hat Frashërin për faktin se ky e quajti "Lirija" gazetën që filloi të botonte në Selanik më 14 korrik 1908. Konica sqaroi se në gjuhën shqipe emrat femërorë që mbarojnë me zanoren "i" të theksuar e marrin nyjen shquese drejtpërdrejt pa shtuar bashkëtingëlloren "j". dhe dha disa shembuj: "Liria, Shqipëria, partia, etj.

Si gjuhëtar, Konica dha mendime të vlefshme edhe në gjuhësinë botërore në librin frëngjisht "Esse sur les langues naturelle et les langues artificielles" ("Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale" (Bruxelles 1904, 147 f.). Ai shpjegoi pamundësinë e përhapjes së gjuhës 'Esperanto' si gjuhë e vetme ndërkombëtare. Ai sqaroi se kjo gjuhë e krijuar artificialisht prej një grupi gjuhëtarësh nuk i kishte mundësitë shprehëse plot nerv dhe emocionalitet si i kanë gjuhët e krijuara në mënyrë natyrale gjatë jetës historike të popujve që i flasin. Shoqëria njerëzore nuk do të ketë në të ardhmen një gjuhë të vetme artificiale, tha ai, por një, dy ose tri gjuhë ndërkombëtare, të cilat do t'i seleksionojë koha gjatë zhvillimit historik të njerëzimit.

Shkrimet e shumta të kësaj antologjie ndihmojnë për të kuptuar se Faik Konica nuk ka qenë "kontradiktor në mendimet e veta" si janë shprehur disa artikullshkrues. Po ashtu ai nuk ka pasur "optikë kundëthënëse", si e ka karakterizuar Isamil Kadareja, një nga eruditët më të shquar të fundshekullit të XX-të dhe fillimshekullit të XXI-të (Isamil Kadare "Kombi shqiptar në prag të mijëvjecarit të tretë" ONUFRI, 1998).

Faik Konica në shkrimet e tij u ka qëndruar besnik bindjeve të veta sociale, politike, letrare e filozofike. Ky qëndrim e detyroi atë që të mos falte askënd, as miqtë më të shtrenjtë, as ndonjë që i paguante rrogën, kur ata largoheshin nga bindjet e tij. Në të gjitha rastet kur ai ka kritikuar mendime, qëndrime e bindje të veprimtarëve të ndryshëm, të cilët më parë i kishte vlerësuar lart, ose kishte bashkëpunuar ngushtë me ta, Konica ka pasur të drejtë. Ai i kritikoi kolegët atdhetarë sepse ata, ose e kritikuan të parët, të shtyrë nga zilia, si ishte rasti i Sami Frashërit, i Shahin Kolonjës, Mit'hat Frashëri, etj, ose i kritikoi sepse ata u larguan nga idetë e pikëpamjet atdhetare, politike, sociale, filozofike, si ishte rasti i sia me Ismail Qemalin dhe Esat Pashë Toptani, ose si ishte rasti i kritikave që shkroi kundër Ahmet Zogut dhe vetë Fan Nolit, mikut të tij më të ngushtë.

Sami Frashëri, një nga krijuesit kryesorë të alfabetit të Stambollit, u mërzit kur Faiku u pagëzua i krishter katolik dhe sidomos kur përdori në revistën "Albania" alfabetin e tij krejt latin për gjuhën shqipe. Samiu i shkroi Murat Toptanit, dhëndërit të Naimit se nuk duhej ta dëgjonte Faik Konicës: "Biri ynë, mos e dëgjo Faik Konicën... nuk bëjnë të gjitha mizat mjaltë". Kjo shprehje tregon qartë se dhe ky udhëheqës kryesor i Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, vuante nga zilia, si shumë shqiptarë të tjerë. Guxoj ta them këtë sepse kur Samiu i shkroi Murat Toptanit këtë letër në vitin 1899, ai kishte lexuar shumë numra të revistës "Albania", dhe kishte parë se aty ishte shpalosur talenti letrar, formimi solid shkencor dhe stili brilant i Faik Konicës.

Duke qenë se Sami Frashëri e kishte fituar respektin e shqiptarëve në saje të kontributit të tij të shquar si historian, enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar, politikan, etj, disa atdhetarë si Athanas Tashko, Shahin Kolonja etj, iu turrën Faik Konicën kur ky shkroi se alfabeti i Stambollit, i krijuar prej Sami Frasherit, Jani Vretos etj, duhej ndërruar sepse kishte disa 10 gërma greke, që nuk gjendeshin në shtypshkronjat e Europës. Me përjashtim të vlerësimit kritik për alfabetin e Stambollit, Konica shkroi për tre vëllezëtit Frashëri, Abdyllin, Samiun dhe Naimin vetëm vlerësime të larta. Por në një rast kur Konica i qau hallin Naimit se ky autor që kishte talent të fuqishëm, që e kishte shpalosur tek vëllimet poetike "Tekhaylas" persisht (Endërrimet), "Lulet e Verës" e "Qerbelaja", por u detyrua të shkruante për popullin shqiptar të pashkolluar poezi me nivel të ulët, "poezi të ta-ta-ta-ve e to-to-to-ve".

Shahin Kolonja e fetishizonte S. Frashërin, prandaj kur lexoi shkrimin e Konicës për Ali Pashë Tepelenën gjeti rast ta kritikonte Konicën në gazetën e tij "Drita" në shtator 1902. Kuptohet se gazetari Sh. Kolonja edhe pse kishte bindje demokratike, vuante nga sëmundja që Konica e kishte formuluar: "ecje pas njeriut dhe jo pas ideve". Në "Albania" e tetorit 1902 Konica iu përgjigj shumë ashpër.

Ismail Qemalin, Faiku e vlerësoi shumë lart në vitin 1900, kur ai e braktisi parlamentin turk dhe shkoi në Paris e Bruksel. U lidhën ngushtë dhe vendosën të bashkëpunonin. Mirëpo midis tyre erdhi ftohja kur Ismail Qemali hartoi një artikull dhe e dorëzoi për ta botuar, por Faiku e botoi duke i hequr dy paragrafë ku autori shprehte vlerësim pozitiv për politikën greke, të cilën botuesi i revistës "Albania" e kishte luftuar si politikë "hileqare". Konica pak kohë më parë kishte shkruar: "Ne kemi bërë gjithçka që kemi mundur të për të qenë miq me grekët ata, përkundrazi, nuk kanë bërë gjë tjatër veçse na kanë sharë, përçarë, shtypur".

Pavarësisht nga ftohja, Faik Konica shkroi disa herë për Ismail Qemalin gjithnjë mirë. Mirëpo më 8 korrik të vitit 1913, pasi Konica kishte drejtuar Kongresin e Triestes për të mbrojtur tërësinë tokësore të shtetit shqiptar, shkoi në Vlorë. Kryetati i Qeverisë së Vlorës dhe anëtarët e asaj qeverie nuk i bënë asnjë lloj pritjeje, nuk i propozuan ndonjë post. Konica u largua brenda ditës dhe shkoi në Durrës. Po ta kishte emëruar I. Qemali Faik Konicën Minstër të Arsimit, ose drejtor të gazetës qeveritare "Përlindj' e Shqipëniës", ky intelektual elitar, i vlerësuar që në prill të vitit 1904 prej shkrimtarit të njohur francez Apoliner si "Enciklopedi e vertetë lrvizese, ... i denjë për kryeministër të Shqipërisë", do të kishte dhënë një kontribut të ndjeshëm.

Mit'hat Frashëri, ishte biri i Abdyl Frashërit, atdhetar e intelektual enciklopedist, mirëpo ai mbronte idenë se qeveria turke e kishte ndihmuar dhe do ta ndihmonte popullin shqiptar edhe për të fituar lirinë. Faik Konica nuk e përmendi emrin e Mit'hat Frashërit kur shkroi kundër alfabetit të Stambollit dhe kundër turkofilëve, por Mit'hati e kuptoi se kritika i përkisnin dhe atij, Në tetor-nëntor të vitit 1908 kur Mit'hati punoi për të organizuar Kongrsin e Alfabetit që u mbajt në qytetin Manastir, e njoftoi me shumë vonesë Faik Konicën, kuptohet i shtyrë nga zilia dhe frika se mos anëtaët e kongresi vendosnin për përdorimin vetëm të alfabetit të Stambollit.

Faik Konica, krijuesi dhe përdoruesi i parë i alfabetit të shqipes me gërma krejt latine dhe mbrojtësi i hapur i alfabetit latin të shoqërisë "Bashkimi", nuk mori dot pjesë në atë kongres. Mendoj se po të kishte marrë pjesë Konica në Kongresin e Manastirit në nëntor 1908, do të kishte fituar mendimi që gjuha shqipe të përdorte vetëm alfabetin e shoqërisë "Bashkimi" dhe jo mendimi që të përdoreshin të dy alfabetet, ai i Stambollit dhe ai i "Bashkimit". Mbas dy vjetësh, koha e hodhi poshtë përdorimin e të dy alfabeteve. Në Kongresin e Dytë të Manastirit (1910) u vendos që gjuha shqipe të përdorte vetëm alfabetin latin të shoqërisë "Bashkimi".

Esat Pashë Toptani, i cili kishte krijuar një qeveri krahinore në Durrës e mirëpriti Faik Konicën ku shkoi në fillim të tetorit 1913 nga Vlora në Durrës. Esat Pashë Toptani në Shqipërinë e Mesme në atë kohë gëzonte popullaritet si ish-komandanti i ushtrisë turko-shqiptare që kishte realizuar me heroizëm qëndresën kundër rrethimit të Shkodrës prej ushtrive malazeze dhe serbe. Konica mendonte se Esat Pasha mund të luante rolin e dorës së fortë për të bashkuar popullin e përçarë shqiptar, prandaj e pranoi propozimin për t'u bërë sekretar i qeverisë së Esatit. Por shumë shpejt u grind me të dhe u nda prej tij, sepse Faiku kërkoi që Princi W. Von Wid të pritej me nderime të nivelit ndërkombëtar, kurse Esati e kundërshtoi dhe shprehu dëshirën që Princi të pritej sa më thjesht. Esat Pasha formuloi osmanisht urdhërin për dëbimin e Faik Konicës nga territori i Qeverisë së Durrësit, dhe atdhetari, që mund ta ndihmonte u largua.

Ahmet Zogu është një nga personalitetet historike ndaj të cilit Faik Konica dha vlerësime dhe kritika, u grind dhe u pajtua. Këto marrëdhënie zbulojnë karakterin dhe botëkuptimin e Faik Konicës. Në fillim Faiku e vlerësoi Ahmet Zogun, si një dorë e fortë duke pasur parasysh se ky djalosh kishte qenë firmëtar i aktit të shpalljes së pavarësisë dhe më tej komandant i forcave ushtarake që mbrojtën Kongresin e Lushnjës, si dhe Qeverinë që doli nga ky kongres gjatë marshimit nga Lushnja për Tiranë. Mirëpo, kur Ahmet Zogu u emërua Ministër i Brendshëm i Qeverisë së vitit 1922 e pastaj Kryeministër i Qeverisë së vitit 1923, Faiku e luftoi Ahmet Zogun pushtetar, sepse ai shfaqi tiparet e një bajraktari egoist, stimuloi korrupsionin dhe bakshishin; për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit nuk kursente asgjë.

Faiku përmes shkrimeve që botoi te gazeta "Dielli" mbas qershorit 1924 bështeti qeverinë e Fan Nolit, e këshilloi atë për të bërë reformat e shpallura, për të realizuar zgjedhjet, etj. Po ashtu pena e Faikut e vuri në shenjestër figurën e ministrit Ahmet Zogu në faqet e romanit "Doktor Gjëlpëra ...", kurse qeverisjen e tij e stigmatizoi në faqet e novelave "Një ambasador i Zululandit në Paris".

Rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në fund të dhjetorit 1924, Faiku e pranoi si pranojnë humbjen politikanët europianë, pra me paqe, pa luftë. Duke marrë parasysh faktin se Shqipëria që nga shpallja shtet i pavarur në nëntor 1912 e deri në vitin 1922, kaloi shumë trazira, Faik Konica shpalli: "Ahmet Zogu na mundi", tani duhet të bashkëpunojmë për të mirën e popullit.

Në vitin 1928, kur Ahmet Zogu e kishte emëruar Faik Konicën ambasador të Shqipërisë në Uashington, ky bëri një vizitë në Shqipëri dhe me materialet që mblodhi, hartoi shkrimin "Shqipëria si m'u duk". Në këtë përshkrim udhëtimi autori përshkroi gjendjen e prapambetur të vendit për t'i treguar Mbretit të Shqipërisë se sa shumë duhej të punonte për ta nxjerrë vendin nga prapambetja.

Kolegji i Ambasadorë të ShBA-ve duke vlerësuar përgatitjen, sjelljen shumë të kulturuar, zotërimin e shumë gjuhëve të huaja, etj, e shpalli Faik Konicën "Dekan" të krejt trupit diplomatik. Vlen të theksoj se vlerësimin që i dha Faik Konicës Kolegji i Ambasadorëve të ShBA-ve, ka qenë i pari dhe i vetmi vlerësim i lartë i ambasadorëve shqiptarë në ShBA.

Marrëdhëniet me Ahmet Zogun u prishën më 7 prill të vitit 1939, kur ky e mbylli karierën e tij me turp. Për Faik Konicën ishte e pafalshme që mbreti i Shqipërisë e braktisi atdheun në momente të vështira pa dalë malit, si kishte premtuar, për të organizuar luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë. Konica si Ambasador i Shqipërisë në ShBA nuk mund t'ia falte Mbretit edhe mospagesën e rrogës për shumë muaj, gjë që e kishte detyruar të merrte borxhe në bankë për të paguar qiranë e dhomës së hotelit ku banonte. Kjo gjendje e rëndë e detyroi Konicën të pranonte propozimin e qeverisë italiane për ta shlyer ajo borxhin e ish-ambasadorit të Shqipërisë.

Me gjithë këto pakënaqësi të thella që përjetoi Faiku ndaj Ahmet Zogut, ai bëri një akt pajtimi me të disa muaj para se të largohej nga jeta. Në verë të vitit 1942, duke menduar se mbarimi i Luftës së Dytë Botërore mund të gjallëronte pretendimet e fqinjëve ballkanikë për coptimin e mëtejshëm të atdheut, ai i kërkoi Fan Nolit që të bashkëpunonin për ta njohur Mbretin Ahmet Zogu i Parë si sundimtarin legjitim të Shqipërisë, i cili duhej të kthehej në atdhe për të marrë pushtetin. Ky pajtim, të cilin e pranoi Fan Noli, u bë jo për interesa personale, por për të mbrojtur atdheun nga rreziku i coptimit prej fqinjëve shovinistë. Konica u largua nga jeta më 15 dhjetor 1942 pa bërë hapa të mëtejshëm për planin e njohjes ndërkombëtare të Mbretit Ahmet Zogu i Parë si pretendent i vetëm për të marrë pushtetin në mbarim të L2B. Kurse Noli e braktisi në fund të majit 1943, kur mori vesh se forcat partizane kishin shpallur krijimin e Qeverisë Shqiptare në Kongresin e Përmetit.

Luhatjet e Faik Konicës lidhur me vlerësimet dhe kritikat që ai i bëri Ahmet Zogut dhe pajtimi me të, nuk janë shprehje e ndonjë qëndrimi kontradiktor, përkundrazi, janë shprehje e qëndrimit të tij pragmatist e realist në çaste të caktuara historike, duke i ndenjur gjithnjë besnik idealit të tij të atdhedashurisë.

Fan Noli, miku më i afërt, intelektuali që e shpalli veten "nxënës të Faik Konicës", prej të cilit mësoi gjithëçka dhe që vërtet e kuptoi më mirë se kushdo, nuk mbeti pa u kritikuar prej Konicës, kur ai u lidh me lëvizjen komuniste për të ripërmbysur Ahmet Zogun. Ndërgjegja e tij nuk mund ta falte kalimin e Nolit nga pozitat e një demokrati në pozitat e një përkrahësi e popullarizuaesi të ideve komuniste revolucionare. Në beharin e viti 1925 Noli dërgoi në Moskë grupin e të rinjve me Sejfulla Malëshovën, Zai Fundon, Koço Tashkon etj, për të studiuar teorinë marsiste e për të krijuar më vonë partinë komuniste shqiptare. Në nëntor të vitit 1927 vetë Noli pranoi ftesën dhe shkoi në Moskë, ku mori pjesë në ceremonitë festive të 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Pas kthimit në Gjermani shkroi poezitë "Anës Lumenjve" dhe "Rrent o Marathonomak", ku shprehu ide revolucionare; shkoi e më tej: mori pjesë në Kongresin e Internacionales Komuniste.

Në vitin 1932, kur Noli shpalli se nuk do të merrej më me politikë, Faik Konica, Ambasadori i Shqipërisë nç Uashington, i shkroi Ministrisë së Jashtme të ShBA-ve që ta lejonin të vinte në Amerikë. Noli u kthye në Boston, ku vijoi jetën si Peshkop i Kishës Shqiptare të Amerikës. Miqësia u vendos sërisht midis Konicës e Nolit, por grindja e tyre shkaktoi përçarje midis mërgimtarëve të kolonisë shqiptare, në simpatizantë të Nolit ose të Konicës, sepse ata ndiqnin parimin e gabuar të ecjes pas njeriut e jo të ndjekjes së ideve.

Ndërkohë nuk mund të mos sjell këtu dhe vlerësimin që dha Peshkop Fan Noli në vitin 1962 për Faik Konicën, me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Mbasi e vlerësoi si "Kryelëronjës të gjuhës shqipe, zbulues të flamurit", bashkëthemelues të Federatës Vatra dhe si njeriu që e emëroi federatën me emrin "Vatra", Noli e mbylli vlerësimin me fjalët: Por Faiku ishte dembel, nuk na la asnjë vepër të mbaruar plotësisht". Një karakterizim i tillë për Faik Konicën nuk kishte pse të thuhej prej Peshkop Nolit, i cili kishte lexuar koleksionin e plotë 12-vjeçar të revistës brilante "Albania", të cilin ai vetë e kishte vlerësuar shumë lart, koleksion që ka brenda shumë shkrime të F. Konicës,që mund ë botohen të grupuar në shumë vëllime librash me ese, artikuj, kryeartikuj, polemika, vëzhgime, skica, tregime, poezi etj.

Për më tepër Peshkop Noli kishte njohuri se Konica sa ishte gjallë kishte shkruar e botuar disa libra të plota si studimet frëngjisht "Ese mbi edukimin" Bruxelles 1898, 20 f.; "Ese për gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale", Bruxelles 1904, 147 f., analizën "Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare" (1899, 84 f.); përkthimin e përrallave arabe libër më vete "Një mijë e një netë" botim i Federatës Vatra, si dhe broshurën "Kanunorja e Vatrës", shkruar prej Kristo Floqit dhe Faik Konicës e botuar po prej Federatës Vatra më 1912.

Mbas vdekjes së Konicës (15 dhjetor 1942), në fund të dhjetorit 1942, Peshkop Nolit iu dorëzuan për t'i ruajtur 32 arka me 2.500 libra të bibliotekës së koleksionistit eruditit Konica, 7 piktura akuarele të piktorit të famshëm A. Roden, shumë relike te çmuara, disa vazo argjendi,

një koleksion monedhash të rralla dhe një arkë me dorëshkrime të tij. Tek kjo arka e fundit pa tjetër ishin jo vetëm dorëshkrimi anglisht i studimit "Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës Jug-Lindore", të cilin e botoi më 1955 Qerim Panariti, por mund të ketë qenë dhe dorëshkrimi i plotë i romanit satirik "Doktor Gjëlpëra...", dorëshkrim që i ishte dorëzuar Bahri Omarit editorit të "Diellit" në korrik-gusht 1924 për ta botuar të plotë. Por si dihet, botimi i romanit u ndërpre në fund të dhjetorit 1924, me rikthimin e Ahmet Zogut në fuqi.

Në arkë kanë qenë dhe dorëshkrimet e tjera të plota të dramës "Mustaqet", dhe i përmbledhjes me tregime "Kandili i kuq", etj. Për këto dy librat e fundit Konica i kishte kërkuar Federatës Vatra në "Dielli" gjatë vitit 1923 ndihmë financiare për t'i botuar, por për mungesë fondesh ato mbetën pa u botuar.

Në atë arkë duhet të kenë qenë dhe qindra letra në dorëshkrim të Konicës me personalitete botërore si shkrimtari francez Apoliner, baroni austriak Zwiedinek, me shkrimtarë shqiptarë si Atë Gjergj Fishtën, Mitrush Kutelin, etj dhe letra të ambasadorit Konica. F. Noli ishte mirë të kishte kërkuar që pasuria që la F. Konica të ishte inventarizuar duke shkruar e botuar në "Dielli" gjithë titujt e 2.500 librave dhe të dorëshkrimeve, sepse lënia në heshtje e kësaj pasurie kombëtare dha mundësi, që ajo të shpërdorohej e vidhej që në atë kohë e më pas.

Studiuesi Agron Alibali punoi disa vjet për të gjetur, mbledhur e dorëzuar në Bibliotekën Kombëtare tv Tiranës librat e antikuarit të F. Konicës, por pjesa dërmuese e tyre ishin zhdukur. Ai mblodhi gjithsej më pak se dhjetë copë, nga më pak të rëndësishmet.

Diktatori Enver Hoxha: Nënvlerësimin më të madh F. Konicës, ia bëri diktatori Enver Hoxha. Së pari ky nuk pranoi kërkesën e F. Nolit për të varrosur në atdhe kufomën e F. Konicës. Më tej ai dha urdhër që të mos shkruhej asnjë fjalë vlerësuese për të, por vetëm kritika e sharje, sepse sipas tij F. Konica ishte "armik i popullit", "mbrojtës i bejlerëve". Mirëpo gjithë jetën dhe shkrimet e tij ky atdhetar ia kushtoi çlirimit dhe demokratizimit të Shqipërisë. Ai ishte i vetmi intelektual aristokrat që e kishte tradhëtuar klasën e vet. Ai i vlerësonte njerëzit jo sipas ndarjes klasore, ose fetare, por sipas përkushtimit ndaj atdheut. Diktatori komunist e luftoi F. Konicën sepse ky e kishte kritikuar hapur komunizmin gjatë viteve 1923-1930 si sistem që "nuk mund të jepte frute në Shqipërinë e vogël e të varfër".

Intelektualët shqiptarë, që u formuan në Shqipëri gjatë viteve 1945-1990, duke mos e njohur veprën e F. Konicës dhe duke iu bindur vijës së partisë shtet, shkruan kritika ndaj tij.

Edhe unë e kam kritikuar Faik Konicën. Kur punoja në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave më ngarkuan të shkruaja për "Enciklopedinë e Popullit Shqiptar" botim i vitit 1985, zërin për F. Konicën. E kritikova jetën dhe veprën e këtij kolosi, kurse shefat e mij kur e redaktuan shkrimin e nxinë edhe më shumë. Uroj me këtë rast studiuesin Kastriot Gjika për hartimin me seriozitet shkencor të zërit "Faik Konica" tek botimi "Fjalori Enciklopedik Shqiptar" 2009, Vëll. II, f. 1263-1264.

Ismail Kadare. Për fat të keq edhe eruditi e shkrimtari më i talentuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, intelektuali me famë botërore, Ismail Kadareja, përsëriti me fjalë të tjera mendimin e gabuar se Konica "ka qenë kontradiktor në mendimet e veta". I Kadareja në esenë e tij që u botua në vëllimin "Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë" ONUFRI, 1998, theksoi se Faik Konica "kishte optikë kundërthënëse".

Kuzhinat e huaja antishiptare, ose shqiptarë të paguar prej tyre. Në vitin 1990, kur u kuptua se kapitullimi i sistemit komunist do t'i sillte mundësi të reja zhvillimi popullit shqiptar, kuzhinat e huaja antishqiptare, për të ngjallur urrejtje tek populli shqiptar ndaj dy kolosëve: F. Konicës dhe F. Nolit, hodhën në qarkullim dy shpifje. 1. Sikur F. Konica kishte thënë: "Shqipëri të kam dhjerë, s'më kuptove asnjëh", dhe 2. Sikur F. Noli kishte shkruar: "Po të duash t'i vësh botës zjarrë, merr me vete tre a katër kosovarë". Këto dy thënie nuk janë gjetur në asnjë shkrim të botuar prej këtyre autorëve, as prej Ilir Ikonomit dhe asprej F. Andreas, të cilët janë studiuesve më të mirë të jetës dhe të veprën së tyre. Këto thënie nuk janë përmendur as prej miqve e bashkëpunëtorëve të tyre, që kanë jetuar me ta.

F. Konica në shkrimet e tij ka kritikuar disa dobësi të popullit shqiptar, por i nisur nga qëllimi që ta ndihmonte t'i korrigjonte dobësitë e tij dhe jo që ta mohonte si popull. Ai i kushtoi jetën çlirimit, emancipimit dhe demokratizimit të popullit dhe atdheut të vet.

Po ashtu dhe F. Noli deri më 1912 shkroi disa herë për trimëritë e luftëtarëve shqiptarë të Kosovës, dhe më vonë shkroi për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit shtypës serb. Prandaj them me bindje se këto dy thënie nuk janë krijuar prej F. Konicës e F. Nolit, por prej kuzhinave antishqiptare, ose prej ndonjë shqiptari të paguar prej tyre.

Të gjitha nënvlerësimet, kritikat dhe shpifjet që i janë bërë F. Konicës do të bien poshtë pasi të lexohen dhe studiohen shkrimet e tij të përmbledhura në antologjinë "Faik Konica – Për një Shqipëri Europiane", vepër madhore, që hap një epokë të re në studimet koniciane. Mbi bazën e këtyre shkrimeve vlen të krijohet një cikël leksionesh prej Fotaq Andreas, ose studiuesve të tjerë të F. Konicës, për t'u mbajtur në fakultete e universitete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut.

Kritikat që ka bërë F. Konica ndaj atdhetarëve të kohës, ndonëse të ashpra, kanë qenë të drejta e të moralshme, dhe ishin shkruar të shtyra prej atdhedashurisë.

Sot, kur po përpiqemi të hyjmë në Bashkimin Europian, na duhet të mënjanojmë epitetet fyese në kritikat tona, të zhdukim zilinë ndaj kolegëve që janë po aq të aftë, ose më të aftë se ne, dhe të mos shprehim mendime për vepra e personalitete, që nuk i kemi njohur vetë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx