E hene, 31.03.2025, 06:43 AM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: Flet Dr. Enriko Ceko: Tek ne bën karrierë njeriu pa asnjë aftësi

E shtune, 22.03.2025, 07:55 PM


Flet Dr. Enriko Ceko: Tek ne bën karrierë njeriu pa asnjë aftësi, njohuri dhe kompetencë duke shfrytëzuar njohjet personale e familjare, mitmarrjen dhe gjëra të tjera trupore.

-Faktorët e varfërisë në vendin tonë janë inflacioni, zhvillimi i ngadalshëm, tregu i kufizuar, konkurrenca e ulët dhe niveli i ulët i arsimit.

-Politika e gabuar ekonomike ka bërë që edhe pse paga mesatare është ende e ulët, përsëri çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur në vazhdimësi, duke i bërë ato më të shtrenjta.

-Shqipëria ka një treg të vogël dhe mundësi të kufizuara për konkurrencë, për shkak të monopolizimit, apo oligopolizimit të tregjeve.

Intervistoi: Albert ZHOLI

Ditët e fundit në tregun mediatik shqiptar po diskutohen të dhënat e fundit të Eurostat, për të ardhurat për frymë si dhe testi PISA për arsimin. Le të marrim së pari të ardhurat për frymë....Ndonëse ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë pas pandemisë dhe turizmi ka arritur rekorde, kjo nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët e Shqipëria.Të dhënat e fundit të Eurostat, të përditësuara për vitin 2024 e vendosin sërish Shqipërinë në fund të Evropës për të ardhurat për frymë me 35 për qind të mesatares evropiane, nga 34 për qind që ishte në vitin 2022. Shqipëria është në të njëjtat nivele me Bosnjën, ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë. Rritja ekonomike e nxitur kryesisht nga fluksi i lartë i ndërtimeve dhe shitjeve të pasurive të paluajtshme, apo dhe numri i lartë i turistëve nuk duket që të kenë përmirësuar mirëqenien e shqiptarëve në dy vitet e fundit. Maqedonia e Veriut kishte të ardhura sa 41 për qind e BE-së, me rënie me një pikë përqindje nga viti i mëparshëm. Serbia e kishte këtë tregues 46 për qind, nga 44 për qind vitin e mëparshëm. Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 52 për qind, nga 50 për qind vitin e mëparshëm. Edhe në tregues të tjerë, atë të konsumit individual për frymë (AIC), i cili mat fuqinë blerëse të mallrave e shërbimeve, Shqipëria renditet e fundit, me 42 për qind të mesatares evropiane, nga 41 për qind vitin e mëparshëm, duke u renditur e fundit në Europë, 2 pikë përqindje më pak se Bosnjë Hercegovina që e ka rritur këtë tregues në 44 për qind (në 2022 ishim në të njëjtat nivele). Nivelin më të lartë e ka Mali i Zi me 65 për qind (nga 63 për qind në 2022), e ndjekur nga Serbia me 54%, me rritje me 1 pikë përqindje dhe Maqedonia e Veriut me 52 për qind, nga 50 për qind në 2022. Sipas shpjegimit të Eurostat, megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme. Gjatë vitit 2023, ekonomia shqiptare u rrit me 3.4%, duke u ngadalësuar në krahasim me zgjerimin prej 4.86% të 2022-t. Rreth gjysma e kësaj rritjeje erdhi nga ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, që u zgjeruan përkatësisht me 9.7% dhe 11.3%. Duket se kjo rritje që po vjen nga ndërtimi nuk po arrin të përmirësojë mirëqenien e shqiptarëve, që vijojnë të mbeten më të varfrit e Evropës. Nga ana tjetër...A është e lidhur varfëria me arsimin? Le t'i referohemi testit PISA...Testi i PISA, Shqipëria ndër vendet me rënien më drastike! Rezultate më të dobëta se në 2018 në lexim, shkencë e matematikë! Ndikoi pandemia dhe tërmeti. Studimi ndërkombëtar i arsimit PISA që vlerëson nivelin e nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë ka nxjerrë rezultatet e testimit të vitit 2022, ku Shqipëria ka shfaqur një rënie drastike. Shkak, deklarohet se ka qenë jo vetëm pandemia, por edhe tërmeti i vitit 2019. Rënie e ndjeshme e nivelit të nxënësve regjistrohet edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka shënuar rënie të madhe në testin e PISA 2022, një program vlerësimi ndërkombëtar për njohuritë e nxënësve në nivel parauniversitar, në matematikë, shkencë dhe lexim. Në krahasim me testimin e vitit 2018, sipas raportit të fundit të PISA, Shqipëria ka humbur më shumë vende se thuajse 81 vendet e analizuara. Rënien më të madhe Shqipëria e ka pësuar në matematikë, ku ka humbur 69 vende. Përsa i përket leximit, vendi ynë është në të njëjtat nivele me Republikën Domenikane, Autoritetin Palestinez dhe Filipinet. Në këtë sektor, vendi ynë ka humbur 47 vende. Edhe në shkencë numri i vendeve të humbura është 41. Megjithatë, kjo rënie e niveleve në testimin e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), nuk është vetëm për Shqipërinë, por në 81 vendet që janë studiuar. Krahasuar me vitin 2018, performanca mesatare globale ra me dhjetë pikë në lexim dhe me pothuajse 15 pikë në matematikë. Raporti vëren se ndikim ka pasur edhe ndërprerja e procesit mësimor gjatë pandemisë së Covid 19. Teksa për vendin tonë këtë rënie në testim, PISA e lidh edhe me tërmetin e vitit 2019, që preku Shqipërinë, por edhe me mospërkushtimin e nxënësve pjesëmarrës. Ja si shprehet për këto dy probleme për Telegraf.al, Dr. Enriko Ceko....

- "Ndonëse ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të mirë pas pandemisë dhe turizmi ka arritur rekorde, kjo nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetaret e Shqipëria! Duke studiuar Eurostat del natyrshëm gjendja e varfërisë në vendin tonë. Pse Shqipëria është vendi më i varfër në Europë, por me çmimet më të larta në shumë artikuj?

Kjo dukuri është rezultat i disa faktorëve, që janë të lidhur me ekonominë e vendit dhe ndikojnë shumë në ecurinë ekonomike, rritjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik.

Ndër këta faktorë mund të rendisim inflacionin, zhvillimin e ngadalshëm, tregun e kufizuar, konkurrencën e ulët dhe nivelin e arsimit.

Në lidhje me rritjen e çmimeve dhe inflacionin Shqipëria në 35 vitet e fundit ka përjetuar një rritje të vazhdueshme të çmimeve dhe kjo ka qenë shpesh edhe si pasojë e ndikimit të ecurisë së tregjeve ndërkombëtare dhe ndryshimit të burimeve të lëndëve të para dhe strategjike në botë, që reflektohen në ekonomitë e çdo vendi, por këtu duket fuqia ekonomike, sepse në kohë të vështira, ekonomitë e forta adaptohen dhe krijojnë më shumë mundësi për bizneset e tyre. Edhe pse paga mesatare është ende e ulët krahasuar me shumicën e vendeve të tjera evropiane, dhe më tej, përsëri çmimet e produkteve dhe shërbimeve janë rritur në vazhdimësi, duke i bërë ato më të shtrenjta për qytetarët shqiptarë dhe për një pjesë edhe më të madhe të tyre të papërballueshme. Në lidhje me zhvillimin e ngadalshëm, është tepër e dukshme se Shqipëria ka një ekonomi, që ende është duke u zhvilluar, zhvillim që pengohet nga nivele të ulëta investimesh në sektorët kyç dhe strategjikë si teknologjia, infrastruktura, arsimi, etj, që janë faktorët që nëse investohet në ta, atëherë ka shanse që të shtojmë produktivitetin dhe pastaj ky produktivitet në rritje të ndihmonte dhe kontribuonin në rritjen e të ardhurave për individin, familjen, shoqërinë dhe të ndikonte në ecurinë edhe më pozitive të biznesit dhe në rritjen ekonomike në aspektin e ekonomisë kombëtare. Në lidhje me konkurrencën e ulët, pavarësisht se tregu është i vogël dhe i kufizuar, problem mbetet konkurrenca, pasi ka edhe shumë vende të tjera në botë që janë të vogla, por i kanë të ardhurat e popullsisë shumë herë më të mëdha se në Shqipëri. Në pothuajse të tërë gamën e produkteve dhe shërbimeve, përfshirë të tëra produktet dhe shërbimet që futen në mallrat e konsumit të përgjithshëm, Shqipëria ka një treg të vogël dhe mundësi të kufizuara për konkurrencë, çka ndikon në çmimet e artikujve dhe kjo vjen jo thjesht për arsyen e masës së tregut, por për shkak të monopolizimit apo oligopolizimit të tregjeve, gjë që ndikon në çmimet e larta, të cilat kanë vazhduar të qëndrojnë të larta dhe me prirje për rritje në vazhdimësi për një kohë shumë të gjatë, edhe pse kjo nuk është ndihmuar nga prodhimi, por nga konsumi, që është ky konsum që ka qenë karakteristika kryesore e ekonomisë shqiptare që nga viti 1990, duke lënë mënjanë prodhimin, realizimin e produkteve dhe shërbimeve që janë të nevojshme dhe të domosdoshme në treg, që në fakt pothuajse të tëra importohen. Në lidhje me arsimin mund të them se aftësitë me njohuritë dhe kompetencat që [përcjell shkolla shqiptare te nxënësit në të tëra nivelet e saj le shumë për të dëshiruar dhe kjo, sepse në përgjithësi vlera e punonjësit të arsimit është përtokë dhe kjo si rezultat i politikave të gabuara ndaj dijes dhe njohurive dhe për shkak të ngritjes në piedestal të tipave VIP që i bëjnë paratë me mënyra nga më të ndryshmet, por jo bazuar në aftësi, njohuri dhe kompetenca. Si pasojë, modeli i njeriut të punës, që ecën përpara dhe konkurron në një treg së bashku me të tjerët, ka rënë duke i lënë vendin modelit të njeriut që pa asnjë aftësi, njohuri dhe kompetencë bën përpara duke shfrytëzuar njohjet personale e familjare, mitmarrjen dhe gjëra të tjera trupore.

2. Pse shkolla shqiptare doli me rezultatet më të ulëta në testin PISA? Cilat janë arsyet dhe kush ndikon? Po shteti a  është fajtor në këtë situatë alarmante?

Testi Pisa (Programi i Vlerësimit të Nxënësve nën 15 vjeç) mat arritjet e nxënësve në fusha të ndryshme si matematikë, shkencë dhe lexueshmëri. Disa nga arsyet për rezultatet më të ulëta të shkollës shqiptare mund të përfshijnë:

Mungesa e investimeve në arsim.

Mungesa e trajnimit të mësuesve.

Mungesa e kushteve për mësim të personalizuar.

Pabarazia sociale dhe ekonomike.

Në lidhje me mungesën e investimeve në arsim duhet thënë se sistemi arsimor shqiptar ka përballuar sfida të mëdha lidhur me buxhetin e ulët dhe infrastrukturën e mangët. Shumë shkolla nuk kanë mjetet e nevojshme për të ofruar një mësim cilësor dhe për të siguruar kushte të mira për nxënësit dhe mësuesit.Në lidhje me mungesën e trajnimit të mësuesve duhet thënë se mësuesit janë një komponent kyç i suksesit të sistemit arsimor. Në shumë raste, ata nuk kanë mundësi të marrin trajnim të vazhdueshëm apo mundësi për të përmirësuar aftësitë e tyre didaktike dhe metodologjike, duke ndikuar kështu në cilësinë e mësimit dhe rezultatet e nxënësve. Në lidhje me mungesën e kushteve për mësim të personalizuar duhet thënë se shumë herë, mësimi nuk mund të adaptohet për nevojat e individëve, dhe nxënësit që kanë vështirësi në të mësuarit nuk marrin mbështetje të mjaftueshme. Kjo shkakton një hendek në rezultatet mes atyre që e kuptojnë materialin dhe atyre që kanë vështirësi. Në lidhje me pabarazinë sociale dhe ekonomike mund të thuhet se nxënësit nga familje me kushte më të vështira ekonomike mund të kenë mundësi më të kufizuara për të marrë një arsim cilësor, çka reflektohet në performancat e tyre në testet ndërkombëtare si PISA. Në përgjithësi, këto janë disa nga arsyet kryesore që ndihmojnë për të shpjeguar situatën e Shqipërisë sa i përket varfërisë dhe arsimimit. Por ajo që është më e rëndësishme është fakti se pikërisht, lidhja midis rezultateve të dobëta në testin PISA dhe varfërisë ekonomike është shumë e ngushtë dhe ka ndikime të drejtpërdrejta në zhvillimin e një vendi. Ja si mund të lidhen këto dy aspekte: Mungesa e investimeve në arsim dhe zhvillimi ekonomik ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik afatgjatë. Nxënësit, që dalin nga shkollat me rezultate të ulëta, siç tregon testi PISA, kanë më pak mundësi për të zhvilluar aftësitë e nevojshme për të konkurruar në tregun e punës global. Pavarësisht se Shqipëria ka përjetuar një rritje të çmimeve dhe inflacionit, kjo ndodhi pa një zhvillim të mjaftueshëm të aftësive profesionale dhe teknologjike të fuqisë punëtore. Për shembull, një nxënës që nuk merr një arsim të mirë në matematikë, shkencë, ose lexueshmëri ka më pak mundësi të gjejë një punë të mirëpaguar në sektorët e teknologjisë, apo industrive që kërkojnë aftësi të larta. Kjo do të thotë që fuqia punëtore mbetet e mangët dhe e varfër, duke e bllokuar zhvillimin e ekonomisë. Përgjegjësia e arsimit për pabarazinë ekonomike është gjithashtu e rëndësishme. Kur shkollat nuk mund të ofrojnë mundësi të barabarta për të gjithë nxënësit, kjo krijon një hendek të thellë mes grupeve të ndryshme sociale dhe ekonomike. Nxënësit nga familjet e varfra, që janë më të prirur të kenë rezultate të dobëta, nuk mund të përfitojnë nga mundësitë e avancuara që do t'i mundësonin të ngrihen ekonomikisht. Kjo ka efekt në rritjen e pabarazisë dhe mban nivelin e varfërisë të lartë, pasi ata që nuk mund të zhvillojnë aftësi profesionale nuk mund të kontribuojnë në rritjen e ekonomisë. Një tjetër efekt i lidhur me rezultatet e ulëta në testin PISA është mungesa e zhvillimit të "burimeve njerëzore". Një arsim i dobët e bën të vështirë për një komb të zhvillojë industri inovative, të përparojë në teknologji apo të përballojë konkurrencën globale. Shqipëria, për shembull, mund të ketë një numër të vogël të profesionistëve të specializuar, që mund të krijojnë mundësi të reja punësimi dhe të tërheqin investime të huaja. Ky fenomen bllokon rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe ruan statusin e një vendi me të ardhura të ulëta dhe çmime të larta. Cikli i varfërisë dhe pamundësisë për edukim të përshtatshëm çon në një cikël vicioz varfërie, dhe ky cikël më pas ndikon në cilësinë e arsimit për brezat e ardhshëm dhe në ekonominë e tyre individuale dhe familjare. Kjo më pas reflektohet në shoqëri. Fëmijët që rriten në kushte të varfra kanë më pak mundësi për të marrë një arsim të mirë, që do të thotë se ato do të kenë më pak mundësi për të gjetur punë të mirëpaguajtur dhe do të kontribuojnë më pak në rritjen e ekonomisë. Ky cikël vazhdon dhe thellohet përmes brezave, duke e bllokuar zhvillimin ekonomik. Kur arsimi është i dobët, mungon aftësia e fuqisë punëtore për të mbajtur një punë që kërkon aftësi të avancuara. Kjo do të thotë se vendi mund të mbetet i varur nga sektori i shërbimeve me vlerë të ulët ose nga punët manuale, të cilat shpesh paguhen më pak dhe kanë më pak mundësi për zhvillim. Shqipëria, për shembull, ka një numër të madh të rinjve që emigrojnë për të kërkuar mundësi më të mira pune, pasi nuk mund të gjejnë mundësi të mjaftueshme në vendin e tyre për shkak të niveleve të ulëta të arsimimit.Në këtë mënyrë, dështimi në testin PISA ndikon drejtpërdrejt në varfërinë e vendit, pasi një arsim i dobët nuk mund të krijojë një fuqizim të individëve dhe grupeve shoqërore. Kjo i bllokon mundësitë për zhvillimin ekonomik dhe i mban çmimet e larta, ndërkohë që niveli i të ardhurave mbetet i ulët. Zgjidhja e këtyre problemeve kërkon një reformë të thellë në arsim, me investime në cilësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx