Intervista » Marku
Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Xhelal Zejneli - Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
E marte, 04.03.2025, 05:30 PM
INTERVISTË ME PROFESORIN DHE PUBLICISTIN XHELAL ZEJNELI (II)
SHQIPTARËT
NË MAQEDONINË E VERIUT
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Në pjesën e dytë të intervistës me profesorin dhe publicistin Xhelal Zejneli, do të shqyrtojmë gjendjen aktuale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut - sfidat, arritjet dhe perspektivat e tyre. Synimi është të ofrojmë një pasqyrë të qartë dhe gjithëpërfshirëse, duke analizuar faktorët që ndikojnë në pozitën e tyre shoqërore dhe institucionale. Intervista do të trajtojë gjithashtu mundësitë për përmirësim, reformat e nevojshme dhe hapat konkretë drejt një shoqërie më të barabartë dhe të integruar.
GM: Nga përvoja juaj ose nga
perspektiva e komunitetit, si është sistemi arsimor dhe gjendja e arsimit në
gjuhën shqipe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut? Cilat janë sfidat kryesore
që përballen nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë?
XHZ: Sistemi i
arsimit në Maqedoninë e Veriut duhet të reformohet. Ka tridhjetë vjet që flitet
për një reformë të mundshme, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Një prej
matjeve të cilësisë së arsimit të një vendi është edhe testimi PISSA. Disa herë me radhë, prej 80
vendeve të testuara, Maqedonia është renditur e katërta në botë, nga
fundi. Unë kam qenë një prej vlerësuesve të testimit PISSA. Këtij
vlerësimi ndërkombëtar i nënshtrohen nxënësit 15-vjeçar. Testi është i hartuar
me plan-programet e shkollës fillore. Matet aftësia e nxënësit për të gjykuar
me kokën e vet. Me këtë çështje është marrë psikologu amerikan Benxhemin Blum (Benjamin Bloom,
1913-1999). Parimet e tij njihen si Taksonomia e Blumit (Bloom’s Taxonomy). Reforma në arsim
nënkupton prerje, e kjo është e dhimbshme. Nuk mjafton vetëm të çelim shkolla
dhe universitete. Nevojitet edhe administrim cilësor i tyre. Shkollat duhet të
ndahen në gjimnaze dhe në shkolla profesionale. Sot kemi një ndarje formale.
Regjistrimi në gjimnaze duhet të bëhet me provim pranues. Rreth 30% e nxënësve
këtë provim s’do të mund ta kalonin. Si rrjedhojë, shumë profesorë do të
mbeteshin pa punë. Këtë nuk mund t’ia lejojë vetes asnjë qeveri dhe asnjë parti
politike. Pushtetarëve u interesojnë votat dhe jo cilësia në arsim. Shumë
pushtetarë kanë diploma të pabazuara në vlera dhe në cilësi. Çfarë magjistri
dhe doktori shkence është ai që nuk di as edhe një gjuhë të huaj, që s’i ka
shkelur këmba në asnjë panair libri, që s’ka parë gjatë jetës asnjë librari të
mirëfilltë, që s’ka hyrë në asnjë arkiv të ndonjë shteti tjetër, punimi i
magjistraturës apo i doktoratës të të cilit në ndonjë universitet prestigjioz
do të vlerësohej jo më shumë se një punim seminari. Madje pushtetarët as që e
dinë se ç’duhet të përfshijë reforma në arsim. Nuk përjashtohet nga shkolla as
nxënësi që i ka bërë 123 mungesa. Nuk ngel në klasë as nxënësi që ka 12 nota të
dobëta. Edhe plagjiatura vlerësohet si punim doktorate. Nxënësit e dalluar
shkojnë në mjekësi, kurse mesatarët – në shkollat e mësuesisë. Kuptohet, aty
kas edhe përjashtime. Shkollat profesionale figurojnë vetëm formalisht. Në
Slloveni e kryen shkollën e mesme profesionale, brenda disa ditëve punësohesh
dhe merr një rrogë prej 1500 deri në 2000 euro. Në Maqedoninë e Veriut dhe në
vendet e tjera të rajonit nuk mund të punësohesh as për 400 euro ngase në to
nuk ka industri. Hallkat e sistemit të arsimit, si Byroja për Zhvillimin e
Arsimit, Inspektorati i Arsimit, këshilltarët e arsimit, njësitë rajonale të
Ministrisë së Arsimit, Qendra Shtetërore e Provimeve (merret me maturën
shtetërore), Ministria e Arsimit - nuk funksionojnë si duhet, për të mos thënë
fare. Ta japësh provimin në fakultet, pa hyrë fare në provim, kjo është
tragjedi. Të ndodhë një gjë e tillë në Evropën e shekullit XX dhe XXI është e
dhimbshme. Jo çdokush është për fakultet. Shoqëria nuk ka nevojë që çdokush të
kryejë arsimim universitar. Nxënësja me 12 nota të dobëta duhet ta dijë se ka
floktare të cilat gjatë tre muajve të verës fitojnë mbi tridhjetë mijë euro. Ka
që thonë se fituakan 50 mijë euro.
USAID-i vite me radhë investoi në arsim në
Maqedoni. Megjithëkëtë, në testimin PISSA
nxënësit e saj vazhdimisht renditeshin ndër të fundit në botë. Nuk mbahet
shkolla me trajnime mësuesish apo profesorësh. Për arsim cilësor nevojitet sistem
arsimor i fortë. I tërë cikli duhet të jetë i fortë, e kjo s’bëhet dot pa para,
pa mjete financiare, pa i shpërblyer si duhet punëtorët e arsimit. Rroga apo
paga e mësuesit, e arsimtarit apo e profesorit të shkollës së mesme duhet të
jetë mbi 1000 euro. Deri para do kohe punëtorët e arsimit mbyteshin me një
rrogë prej 350 eurove. Dhe dikush pret cilësi. Çdo qytezë nuk mund të ketë
universitet. Kjo është tragjedi. Shkolla nuk duron eksperimente dhe improvizime. Arsimi në Maqedoninë e Veriut,
si në shumë vende të rajonit, është i politizuar skajshëm, ndodhet nën thundrat
dhe kthetrat e partive në pushtet. Aty mos prit arsim cilësor.
Ka raste kur
anëtari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë poston në rrjete
sociale një tekst më të shkurtër se një faqe. Aty mund të gjeni një mori
gabimesh gjuhësore – drejtshkrimore, morfologjike dhe sintaksore. E tmerrshme!
GM: Si e vlerësoni rolin e Shqipërisë
dhe Kosovës në mbështetjen e arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut? A ka pasur
angazhim të mjaftueshëm nga institucionet e të dyja shteteve për të ndihmuar…?
XHZ: Në vitet 1968
e këndej, shumë shqiptarë nga Maqedonia kanë studiuar në Universitetin e
Prishtinës. Prej këtu ka dalë një numër i madh i kuadrit, profilesh të
ndryshme. Ky universitet ishte i respektueshëm dhe prestigjioz. Përpos
profesorëve të Kosovës, aty kanë ligjëruar edhe profesorë nga Tirana, Beogradi
dhe Zagrebi. Pa këtë ndihmë të Universitetit të Prishtinës, shqiptarët në
Maqedoni do të mbeteshin në errësirë. Në periudhën e pluralizmit, shumë
shqiptarë nga Maqedonia ndoqën studimet në Shqipëri. Edhe kjo ishte një ndihmë
e konsiderueshme për shqiptarët e kësaj pjese të Ilirisë. Kur u themelua
Universiteti i Tetovës, shumë ligjërues erdhën prej Shqipëria dhe Kosove për të
mbajtur ligjërata. Ishin profesorë të respektuar, me vlera etike dhe
profesionale të larta. Angazhimi i
profesorëve të Tiranës dhe të Prishtinës, sidomos të profileve
deficitare, nuk duhet të ndërpritet. Për ta ngritur cilësinë e arsimit,
shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet të pajisen me tekste shkollore nga
Shqipëria. Tekste të arsimit fillor, të mesëm dhe universitar, sidomos të
matematikës dhe të shkencave të natyrës. Kësaj pune i dalin zot edhe disa
studiues shqiptarë në RMV, por ka raste kur tekste të caktuara përkthehen nga
maqedonishtja në mënyrë joprofesionale dhe diletante. Përkthimi i teksteve
shkollore dhe atyre universitare nuk është punë tezgash. Mungojnë sidomos
tekste për shkollat e arsimit profesional. Furnizimi i shkollave profesionale
shqipe në RMV me tekste të caktuara nga Shqipëria do të prodhonte sinergji,
por antishqiptarëve u pengon madje edhe një abetare e përbashkët që do të
përdorej në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc,
Medvegjë), në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi.
Shqipëria dhe
Kosova nuk mund të japin ndonjë ndihmë tjetër për arsimin shqiptar në RMV.
Përveç kësaj, nuk duhet harruar se në testimin PISSA Kosova renditet më keq se Maqedonia e Veriut. Prej 80 vendeve
të përfshira në testim, ajo renditet e treta në botë nga fundi. Shqipëria
qëndron pak më mirë.
GM: Si e përkufizoni identitetin
shqiptar në Maqedoninë e Veriut? Si mund të ruhet dhe zhvillohet identiteti
shqiptar, duke qenë pjesë e një shteti multietnik?
XHZ: Me
Marrëveshjen e Ohrit nuk është përcaktuar saktë dhe prerë statusi politik dhe
juridik i shqiptarëve në Maqedoni. Me të janë përcaktuar kryesisht të drejta të
caktuara politike dhe juridike. Sipas marrëveshjes së lartpërmendur, shqipja
është gjuhë zyrtare aty ku ata janë mbi njëzet për qind. Të tillë janë
kryesisht prej Struge deri në komunën e Likovës, në perëndim të Kumanovës.
Çështja e gjuhës është përfshirë edhe në kushtetutën e këtij vendi dhe për këtë
ka edhe ligj. Me ligj, shqipja mund të përdoret si në pushtetin vendor, ashtu
edhe në atë qendror. Madje në shumë institucione të pushtetit qendror. Sa
zbatohet në praktikë, kjo është çështje tjetër. Për zbatimin e saj nuk tregojnë
interesim, as LSDM-ja, as VMRO-DPMNE-ja, sidomos kjo e dyta. Por edhe faktori
shqiptar nuk tregon angazhim të duhur për ta jetësuar përdorimin e shqipes në
praktikë. Madje rezulton që shqipja të mos jetë as gjuhë e përkthyer. Për të qenë e tillë nevojitet një shërbim
përkthimesh ku të përktheheshin të gjitha materialet që nxirren prej organeve
të qeverisë.
Shqipja
përkufizohet si gjuhë që e flasin 20% e popullsisë. Faktori politik shqiptar
duhet të angazhohet që shqipja të mos përkufizohet si 20 përqindësh. Sot
lindshmëria ka rënë. Ka edhe shpërngulje. Si pasojë, në zona të caktuara
shqiptarët mund të bien nën 20%. Kjo i krijon mundësi një të çmenduri të
kërkojë privimin e shqiptarëve nga të drejta të caktuara.
Një popull e ruan
identitetin e vet kur e gëzon të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare. Këtë të
drejtë shqiptarët e gëzojnë që nga viti 1945 e këndej. Shqiptarët në Maqedoninë
e Veriut duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë gjuhës shqipe, historisë së
gjuhës, gramatikës së saj, letërsisë kombëtare, historisë kombëtare, heronjve
kombëtarë, artit kombëtar, muzikës kombëtare, gjeografisë kombëtare. Duhet t’i
studiojnë vlerat popullore të këtyre anëve, vlerat etnografike, ato
koreografike, fjalët e rralla, fjalët që janë në zhdukje e sipër, të folmet e
shqipes në zona dhe vise të caktuara. Kjo kërkon punë, angazhim, organizim dhe
investim.
Nuk duhet harruar
se në disa rajone të RMV-së numri i shqiptarëve është i vogël. Këtu bëjnë pjesë
disa fshatra të Velesit, Prilepit, qyteti i alfabetit – Manastiri, Krusheva,
Prespa, komuna të caktuara të Shkupit etj. Faktori politik shqiptar kujdeset
për ta vetëm kur ka zgjedhje. Ka raste kur atyre u mohohet edhe shkollimi në
gjuhën amtare, sidomos shkollimi i mesëm. Shumë prej tyre shpërngulen për në
Amerikë, të tjerë ndërkaq – asimilohen. Qyteti i alfabetit u shërben
politikanëve shqiptarë vetëm për t’u fotografuar. Në Manastir vijnë edhe politikanë
prej Shqipërie. Fotografohen dhe ikin. Askush s’pyet për fatin tragjik të
shqiptarëve të atyshëm. Politikanë nga Shqipëria kanë qenë edhe në Preshevë.
Kanë hedhur valle në sheshin e qytetit dhe janë kthyer në Tiranë. Asnjë prej
tyre s’ka bërë gjë për ta sensibilizuar para faktorit ndërkombëtar gjenocidin e
heshtur që zbaton ndaj tyre Beogradi.
Shumë të rinj
shqiptarë të RMV-së i marrin në sy rrugët pa kthim të mërgimit. Në rrethana të
tilla, për çfarë ruajtjeje apo kultivimi të identitetit mund të flitet në këtë
shtet dyetnik!
In ultima linea, në shtetin ku vjedhin pushtetarët,
prokurorët, madje edhe avokati i popullit, shpërngulja e të rinjve nuk ndalet
kurrë! Në një kapitalizëm të tipit të qindvjeçarit XIX, dallimet sociale janë
të frikshme. Njëri mezi i ushqen fëmijët, kurse tjetri jeton në vilë që ka një
çmim astronomik. S’ka hajdut në botë që s’e arsyeton pasurinë e vet. Dikush
vjedh qindra mijë euro, për të mos thënë miliona, kurse tjetri një biçikletë që
kushton jo më shumë se 20 euro.
GM: Cilat janë elementët më të
rëndësishëm të kulturës shqiptare që jo vetëm mbahen gjallë, por gëzojnë
shëndet të plotë në Maqedoninë e Veriut?
XHZ: Shqiptarët në
RMV e zhvillojnë kulturën kombëtare, si në mënyrë popullore, ashtu edhe në mënyrë institucionale.
Studentët shqiptarë kanë mundësi të arsimohen në gjuhën amtare në disa
universitete, si: Universiteti i Tetovës, i themeluar në vitin 1994,
Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) privat-publik, me seli në Tetovë, i
themeluar në vitin 2001, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, i themeluar në
vitin 2015.
Institucioni i
parë në Maqedoni që merret me ruajtjen, kultivimin dhe avancimin e trashëgimisë
kulturore historike të shqiptarëve të këtyre hapësirave është Instituti i
Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, me seli në Shkup. Është institucion publik shkencor i
themeluar në vitin 2007.
Në vitin 2007 u themelua në Tetovë Galeria e Arteve. Në
vitin 2009 u themelua në Manastir “Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe”. Në
vitin 2010, po në Manastir, u themelua Muzeu i Kongresit të Manastirit. Në
Shkup u themelua Muzeu i Lirisë,
kurse në vitin 2018 u themelua Ansambli i Këngëve dhe i Valleve Popullore
Shqiptare. Në Tetovë u themelua Teatri i Tetovës. Në këtë qytet zhvillojnë
veprimtari edhe: Festivali i këngës qytetare “Teuta”, Festivali ndërkombëtar i
poezisë “Ditët e Naimit”, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, Klubi i
shkrimtarëve “Oeneum”, etj.
Në vitin 2009,
kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski (1970- ) e hapi në Shkup Shtëpinë
përkujtimore të Nënë Terezës.
Festat kombëtare
shqiptarët i festojnë shqiptarisht. Nëpër dasma valon flamuri kombëtar. Nëpër
manifestime të ndryshme këndohen këngë popullore shqiptare, luhen valle
shqiptare. Ndër burra dhe gra ende përdoren veshjet popullore dhe etnografia
kombëtare. Dëgjohen me ëndje këngët lirike patriotike dhe ato të trimërisë.
Shqiptarët e këtushëm e kanë në zemër Shqipërinë dhe Kosovën. Pushimet e verës
i kalojnë në brigjet detare të Shqipërisë, e vizitojnë kompleksin e Jasharajve. Vendosin lule në monumentin
e Gjergj
Kastriotit (1405-1468) në Shkup dhe në Dibër. Nxënësit që në klasë të parë
mësojnë prej mësueseve të tyre vjersha për Skënderbeun dhe për Nënë Terezën (1910-1997).
Pothuajse në të
gjitha qytetet shqiptare në RMV ka shoqata që zhvillojnë veprimtari kulturore.
Disa prej këtyre manifestimeve mbështeten financiarisht nga Ministria e
Kulturës. Disa sponsorohen edhe prej sipërmarrësve. Gjatë këtyre manifestimeve
organizohen evenimente letrare, shënohen data historike, organizohen konferenca
shkencore, promovohen libra, përkujtohen heronj kombëtarë, personalitete të
rëndësishme të këtyre anëve, veteranë të arsimit, ish-të burgosur politikë etj.
Në këto anë kemi
edhe persona që merren me krijimtari letrare artistike, poetë, prozatorë,
dramaturgë. Në disa qytete ka edhe trupa teatrore, aktorë, regjisorë. Veprojnë
edhe shoqëri kulturore artistike. Drama dhe komedi kanë shfaqur edhe trupa
teatrore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Që andej kanë ardhur shumë poetë dhe
prozatorë. Ka qenë edhe Inva Mula.
Kultura shqiptare
në RMV, grosso modo zhvillohet dhe kultivohet në rrethana të
sipërthëna.
GM: Si e vlerësoni zbatimin e
Marrëveshjes së Ohrit? A mendoni se ajo është zbatuar në përputhje me qëllimet
e saj, apo ka ende elementë që kërkojnë përmirësim dhe vëmendje të veçantë?
XHZ: Si çdo
marrëveshje, edhe Marrëveshja e Ohrit
paraqet kompromis midis dy palëve. Duhej të ishte implementuar qysh në vitin
2004. Zbatimi i saj u zvarrit, u prolongua. Ka pasur edhe interpretim të
njëanshëm të saj. Sipas sllavo-maqedonasve ajo është implementuar plotësisht. U
nënshkrua në Shkup më 13 gusht 2001. Me të nuk është prekur karakteri unitar i
Maqedonisë. Maqedonasit konsiderohen trashëgues të shtetësisë dhe mbartës të
shtetësisë. Me marrëveshjen e Ohrit shqiptarët nuk e kanë statusin e popullit
shtetformues apo kombformues. Lidhur me këtë shpesh bëhen manipulime nga anë të
ndryshme. Kemi edhe keqinterpretime të Marrëveshjes apo edhe interpretime të
njëanshme. Ka pasur edhe të tillë që nuk e kanë kuptuar atë. Marrëveshjen mund
ta interpretojnë drejt vetëm ekspertët e drejtësisë dhe studiuesit e shkencave
politike. Sipas saj, shqiptarët janë një bashkësi etnike me të
drejta të caktuara, të garantuara me Kushtetutë dhe me ligjet që burojnë prej
saj. Në realitet, shqiptarët posedojnë
sovranitet të caktuar kryesisht aty ku përbëjnë mbi 20%.
Marrëveshja nuk e
përkufizon Maqedoninë si një shtet dyetnik. Shqiptarët nuk kanë entitet, siç e kanë serbët Republikën Serbe në Bosnjë dhe
Hercegovinë. Në Maqedoni nuk ka një
kuvend me dy dhoma: Dhoma e Bashkësive Etnike dhe Dhoma e Qytetarëve.
Deputetët shqiptarë në Kuvend nuk e kanë të
drejtën e vetos. Me Marrëveshjen e Ohrit Maqedonia nuk është shtet federativ.
Në vend të vetos
së deputetëve shqiptarë, funksionon parimi i shumicës së Badinterit. Ky
parim i mbron shqiptarët nga mbivotimi apo nga majorizimi. Ligjet që kanë të
bëjnë me interesin e shqiptarëve apo të pakicave të tjera, nuk mund të
miratohen në Kuvend pa e zbatuar parimin e shumicës së Badinterit. Në komunat
në të cilat shqiptarët paraqesin shumicë, parimi i Badinterit zbatohet për t’i
mbrojtur nga mbivotimi maqedonasit.
Robert Badinteri (1928-2024) ka qenë jurist francez me
prejardhje hebraike. Babanë ia kanë vrarë nazistët në kampet e përqendrimit.
Badinteri ka qenë profesor i drejtësisë në Sorbonë. Ka qenë edhe ministër. i
Drejtësisë. I përkiste Partisë Socialiste të Francës. Në vitin 1991 ka qenë
kryetar i Komisionit të arbitrazhit të Konferencës së paqes për Jugosllavinë.
Në vitin 2001 u angazhua për zgjidhjen e problemeve ndëretnike në Maqedoni.
Do të ishte
nihilizëm të thuhej se gjatë periudhës së pluralizmit shqiptarët në Maqedoni
nuk kanë arritur të drejta të caktuara. Maqedonasit pandehin se po t’u japin
shqiptarëve më shumë të drejta, ky vend do të gllabërohej prej tyre. Prandaj
shqiptarëve u janë dhënë të drejta në shtratin e Prokrustit.
Sipas shqiptarëve,
në Maqedoni ka 30% shqiptarë. Sipas maqedonasve, ky numër është më i vogël.
Sipas shqiptarëve, maqedonasit nuk janë më shumë se 50%.:Të tjerët janë:
vllehtë, romët, turqit, boshnjakët, serbët, bullgarët.
Shpesh thuhet se
në Maqedoni s’mund të ketë qeveri pa shqiptarët. Në Marrëveshjen e Ohrit kjo
nuk figuron askund. Mirëpo pa shqiptarët në qeveri, ky vend mund të rrëshqasë
në sistem paralel. Shqiptarët do ta formonin një kuvend të vetin. Zhvillimet e
tilla nuk do t’i ndihmonin asnjërës palë. Një grusht serbë në veri kërkojnë
asociacion, kurse për shqiptarët në Maqedoni që përbëjnë 30% të popullsisë, një
gjë e tillë nuk duket se mbështetet prej ndërkombëtarëve.
Marrëveshjet nuk
janë libra të shenjtë që nuk ndryshohen apo që nuk plotësohen. Por asnjë
marrëveshje në histori nuk është ndryshuar dhe nuk është plotësuar kur i është
kujtuar dikujt. Ndryshimet dhe plotësimet e tyre ndodhin pas një periudhe prej
pesëdhjetë apo njëqind vjetësh.
Me rëndësi është
Maqedonia e Veriut të bëhet shtet ligjor, shtet i së drejtës. Ndryshimi i
kufijve shpie në konflikt. Nga lufta s’fiton dot kush. Maqedonia e Veriut dhe
mbarë rajoni duhet të hyjnë në BE. Në kuadër të proceseve integruese mund të
relativizohen edhe kufijtë. Në kuadër të proceseve integruese mund të ndodhë
edhe bashkimi kombëtar i shqiptarëve. I tërë rajoni ballafaqohet me rënien e
lindshmërisë (natalitetit) dhe me shpërnguljen e të rinjve, përfshi edhe ikjen
e trurit. Po qe se kësaj nuk i kushtohet rëndësi, rajoni do të popullohet prej
qytetarëve të vendeve aziatike.
Të rinjtë duhet të
rinë këtu për ta luftuar korrupsion dhe nepotizmin. Një poet thotë: “Rini këtu, se dielli i qiellit të huaj,
sikur ky, jo, nuk ka për t’ju nxehë, e hidhët do të jetë kafshata, atje ku
vëllanë dhe tëndin s’ke”.
GM: Si e vlerësoni pozicionin politik
të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut? A mendoni se shqiptarët kanë ndikim të
mjaftueshëm në proceset politike dhe vendimmarrëse të vendit?
XHZ: Faktori politik shqiptar në RMV nuk ka qenë
sa duhet i konsoliduar. Në gjirin e tij ka pasur përçarje. Partitë politike
shqiptare e kanë parapëlqyer hyrjen në qeveri. Në raste të caktuara, edhe pa e
kushtëzuar palën tjetër. Kur pala tjetër e vëren etjen tënde për të qenë pjesë,
jo e qeverisjes, po e qeverisë, ajo atëherë nuk e përfill sa duhet asnjë kërkesë
tënden. Politika kombëtare nuk shkon me lakminë. Këto dy dukuri e përjashtojnë
njëra-tjetrën.
Shqiptarët në RMV
nuk duhet të kenë më shumë se dy parti politike. Kështu është situata në të
gjitha hapësirat shqiptare në rajon. Më shumë parti se popull. Më shumë
universitete se studentë të mirë. Me interesin kombëtar apo me arsimin kombëtar
nuk bëhet biznes dhe tregti. Zgjidhja e kauzës kombëtare kërkon nga politikanët
shqiptarë të jenë idealistë, të jenë atdhetarë, të jenë të shkolluar, të kenë
vlera etike, të kenë aftësi udhëheqëse, të kenë integritet dhe dinjitet.
Politikani shqiptar që hyn në politikë për t’u pasuruar vetë apo ndonjë i afërm
i tij, nuk është atdhetar. Ai është antikombëtar. Sidoqoftë, ky popull i voton.
Përse i voton?! I voton ngase është popull social, ekonomikisht i varfër. Si i
tillë, ka shpresa se do ta punësojë, për dy-treqind euro, djalin, vajzën, renë.
Për një punësim të thjeshtë, skamnori të voton 30 vjet sepse s’ka nga t’ia
mbajë.
Nuk mund të mohet
fakti se shqiptarët në RMV kanë pasur ministër të Mbrojtjes, ministër të
Financave, ministër të Punëve të Jashtme, kryeministër qeverie, kryetar
kuvendi. Kanë edhe një numër të caktuar ambasadorësh në disa vende të botës.
Ndonëse funksionarët e sipërthënë e kanë zbatuar Kushtetutën e RMV-së e cila
për dikë mund të duket diskriminuese, qenia e tyre nëpër funksionet e
lartpërmendura nuk duhet të shpërfillet.
Do të ishte
nihilizëm të thuhej se shqiptarët në RMV nuk kanë ndikim të caktuar në proceset
politike dhe në ato të vendimmarrjes. Një mendim nihilist do ta zhvlerësonte
luftën e 2001-shit. Një shpërfillje dhe mohim të luftës së sipërthënë historia
s’do t’ia falte askujt. Që nga dita e parë e shkëputjes së Maqedonisë nga
amalgama jugosllave e deri më sot, shqiptarët nuk janë ndalur së kërkuari të
drejta, barazi, demokraci dhe liri. Dhe ia kanë dalë. Shqiptarët janë popull
vital dhe askush s’i ndal dot në rrugën e tyre drejt lirisë. Kauza e tyre është
e drejtë prandaj janë të fortë. Ata kurrë s’e kanë kërkuar të huajën. Kanë
luftuar dhe janë sakrifikuar për të veten. Për çështjet me rëndësi jetike,
faktori politik shqiptar duhet të jetë unik, ndryshe kauza shqiptare mund të
përplaset nga scila në haribdë.
GM: Cilat janë sfidat kryesore me të
cilat përballen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut sot? A ka ndryshime në qasjen
e shtetit ndaj shqiptarëve që ndihmojnë integrimin e tyre më të mirë në
shoqëri?
XHZ: Me Lidhjen
Social-Demokrate të Maqedonisë (LSDM) shqiptarët në fillim patën përplasje të
caktuara. Me kalimin e kohës arritën njëfarë pajtimi. Kjo parti e pa se
shqiptarët në këtë vend përbëjnë realitet, ndaj duhej ta ndryshonin qëndrimin.
Dhe pak a shumë e ndryshuan. VMRO-DPMNE-ja hiqet si parti nacionaliste
maqedonase. Na qenkësh ajo që i ruajtka të drejtat historike të tyre. Duke qenë
nacionaliste, kjo parti s’ka se si të mos jetë edhe antishqiptare. Ajo ka
mbetur e pareformuar. I trajton shqiptarët, jo si popull autokton në vend të
vet, por si qiraxhinj. Është parti anakronike dhe retrograde. Fiton mbështetje
ndër maqedonas në saje të ideologjisë së saj nacionaliste. Çdo kërkesë të
shqiptarëve e ka pritur në teh të shpatës. Por janë shqiptarët ata të cilët
tehut të shpatës kanë ecur prore. Ishin shqiptarët ata të cilët, përballë
stuhive të furishme, si një mal i vetmuar, të patundur qëndruan.
VMRO-DPMNE-ja nuk
e përfill sa duhet grupin politik VLEN që është pjesë e qeverisë. Ajo nuk do ta
përfillte as Frontin Demokratik ku bën pjesë edhe Bashkimi Demokratik për
Integrim. Përse?! Kështu sepse VMRO-ja ka numër të madh deputetësh dhe thotë: “S’kemi nevojë për shqiptarët. Ata mund të
jenë pjesë e qeverisë, por pa kërkesa të mëdha”. Kjo parti e fajëson
LSDM-në dhe i thotë se për ta ruajtur pushtetin ka lëshuar pe para kërkesave të
BDI-së. VMRO-ja e cilëson BDI-në si parti të korruptuar. Me këtë VMRO kanë qenë
partner të bashkëqeverisjes të gjitha partitë shqiptare, të pozitës dhe të
opozitës. Kjo tregon se partive shqiptare, përpos kauzës kombëtare, u ka
interesuar edhe lakmia për kolltukë. Të qenët në kolltuk të sjellë përfitime
dhe privilegje. Kur të qëndrosh një kohë të gjatë në pushtet, ti mësohesh me të
dhe s’mund ta paramendosh veten jashtë tij.
Për të fituar
vota, partia shqiptare në pushtet i ka mbushur me të rinj dhe të reja zyrat e
administratës publike. Qeveria e re i largon të punësuarit e tillë. Një gjë të
tillë Elon Musk (1971- ) në Amerikë
e bënte në mënyrë ironike me sharrë.
Duhet besuar se
grupi i partive shqiptare VLEN që janë në qeveri do t’ia dalin ta ruajnë
pozitën e shqiptarëve, t’i ruajnë të drejtat e fituara që VMRO-DPMNE-ja synon
t’ua reduktojë.
Kur të gjitha
partitë politike shqiptare synojnë të hyjnë në qeveri, atëherë ato e depozicionojnë
njëra-tjetrën, ia dobësojnë njëra-tjetrës pozicionin. Politika kombëtare
s’bëhet në këtë mënyrë. Pala tjetër e vëren se shqiptarët mezi presin të hyjnë
në qeveri, jo për interesa të përgjithshme por për interesa personale dhe të
grupit.
GM: Si
i vlerësoni marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në
kontekstin e lidhjeve me Shqipërinë dhe Kosovën?
XHZ: Marrëdhëniet
e Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë dhe me Kosovën janë tejet të mira dhe
ashtu duhet të jenë. Në interes të tre vendeve, marrëdhëniet duhet të jenë
akoma më të mira. Maqedonia e Veriut eksporton në Kosovë sasi të madhe
mallrash, ndërsa Kosova nëpërmjet saj kalon për në vendet e Mesdheut dhe të
Evropës. Shqipëria dhe Kosova ndaj
Maqedonisë së Veriut duhet të ndjekin politikë fqinjësie të mirë dhe politikë
konstruktive. Në rrethana të përtashme, një Maqedoni e qëndrueshme është në
interes të shqiptarëve. Për dallim nga serbët, bullgarët dhe grekët, shqiptarët
kurrë s’e kanë mohuar identitetin e popullit maqedonas. Por ata fare s’e kanë
çmuar këtë qëndrim të shqiptarëve ndaj tyre. Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe
Kosova duhet t’u kushtojnë rëndësi më të madhe marrëdhënieve ekonomike,
qarkullimit të lirë të njerëzve dhe të mallrave dhe zhvillimit të turizmit. Për
problemet eventuale të shqiptarëve në RMV, Shqipëria dhe Kosova duhet të
reagojnë qetësisht dhe në rrugën diplomatike. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut
vetë duhet t’i dalin zot vetvetes. Kanë sistem arsimor, universitete,
inteligjencie, njerëz me tituj akademikë dhe nuk janë pa ekonomi. Le t’i lënë
mënjanë mikrovlerat dhe mikrosistemet, të mos veprojnë në mikroplan. Le të
ndërtojnë makrovlera dhe makrosisteme, le të veprojnë në makroplan.
Filozofi francez Zhan-Pol Sartrë (Jean-Paul Sartre,
1905-1980) thotë: “Njeriu vetë është
fajtor për fatkeqësinë e vet”.
GM: A mendoni se ka mundësi për një
bashkëpunim më të madh rajonal mes shqiptarëve të Maqedonisë, Kosovës dhe
Shqipërisë për të forcuar pozicionin politik dhe ekonomik të komunitetit
shqiptar në Ballkan?
XHZ: Nuk duhet
besuar se maqedonasit do të ishin të gatshëm të lidhen gjithaq me shqiptarët në
rajon. Përkundër mosmarrëveshjeve që i kanë, ata janë të lidhur me Serbinë, me
Greqinë dhe me Bullgarinë. E çojnë mirë edhe me Turqinë. Ata ende kanë
paragjykime për shqiptarët. Dikur vmro-istët brohoritnin: “Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”; “Dhoma gazi për shqiptarët”. Nëpër stadiume ndaj femrës shqiptare
përdornin fjalë fyese. Askush nuk reagonte. Kjo dëshmonte për shkallën e ulët
të shoqërisë maqedonase. Brohoritnin
“Avioimpex”, duke aluduar për
aeroplanin që u rrëzua në Ohër më 20 nëntor 1993. Në atë tragjedi ajrore
humbën jetën mbi 100 shqiptarë të Kosovës, 10 shtetas të Maqedonisë, 2
stjuardesa ruse dhe dy stjuardesa maqedonase.
Sot ka shumë
mundësi që sipërmarrësit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut të bashkëpunojnë me
ndërmarrjet ekonomike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kjo do të prodhonte sinergji.
S’do të ishte keq të krijohej një treg i përbashkët shqiptar, një ekonomi
kompatibile të shqiptarëve në rajon. Shqiptarët s’kanë nevojë për një Ballkan
të hapur me mbizotërimin e Serbisë.
Ekzistencialisti
francez Alber Kamy (Albert Camus,
1913-1960) thotë: “Ekziston e vërteta
jote, por dhe e vërteta ime”. Megjithëkëtë, në gadishull mund të ekzistojë
vetëm një e vërtetë, ajo e shqiptarëve dhe jo edhe e sllavëve. Kauza shqiptare
në rajon është çështje e popullit të ndarë, të rindarë dhe të shtypur. Ndaj
shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) ushtrohet
gjenocid. Shqiptarët në Mal të Zi dëbohen heshtazi për në ShBA. Shqiptarët në
Maqedoninë e Veriut, ndonëse përbëjnë rreth 30% të popullsisë së vendit, nuk e
kanë statusin e popullit shtetformues. Athina zyrtare nuk pranon të flasë për
çështjen çame.
GM: Si e vlerësoni rolin e mediave
shqiptare dhe ndikimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale në Maqedoninë e
Veriut, në lidhje me mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe
identitetit shqiptar?
XHZ: Në Maqedoninë
e Veriut ka mediume shqiptare - publike dhe private. Mediumet publike veprojnë
në kuadër të shtetit. Mediume të pavarura nuk ka në asnjë vend të Ballkanit. Si
mediumet e shkruara, ashtu edhe ato digjitale apo elektronike janë në shërbim
të faktorit politik, në shërbim të oligarkëve, në shërbim të pushtetarëve,
qoftë të pushtetit vendor, qoftë të atij qendror, në shërbim të qeveritarëve.
Mediumet kontrollohen prej partive politike që janë në pushtet, por edhe prej
atyre që janë në opozitë. Kontrollohen prej pushtetarëve për arsye se mbështeten financiarisht prej tyre. Pa
mbështetjen financiare të të kamurve mediumet nuk mund të funksionojnë dhe nuk
mund të ekzistojnë. Ka edhe mediume që janë në funksion të shërbimeve të huaja:
serbe, greke, ruse, perëndimore, turke, arabe, iraniane. Këto mediume nuk
dallohen prej atyre të kohës së Josip Stalinit (1879-1953). Atëherë ka pasur
censurë. Censurë ka edhe sot. Edhe sot mungon liria e fjalës, liria e shtypit,
liria e shprehjes, mungon mendimi kritik. Aty ku s’ka mendim kritik, s’ka as
progres. Mendimi kritik ndalohet në vendet parake apo primitive, të
prapambetura, të varfra, të mjera dhe të shkreta. Një shoqëri ku mungon mendimi
i lirë është shoqëri injorantësh dhe poltronësh. Një shoqëri e tillë vlon prej
oportunistëve dhe konformistëve. Shoqëria e tillë nuk posedon inteligjencie.
Akademia dhe universiteti janë në gjumë. Ajo shoqëri udhëhiqet prej
pseudo-intelektualëve. Mediumet e kontrolluara kanë edhe infrastrukturë
mediatike. Këta janë të ashtuquajturit analistë dhe ndërtues të opinioneve.
Këta farë analistë janë shërbëtorë të faktorit politik, të pushtetarëve dhe të
qeveritarëve. Janë të shitur dhe të blerë katërçipërisht. Këta ta shpëlajnë
trurin, të bardhën e shesin për të zezë. S’kanë moral, as integritet, as
dinjitet. Ka raste kur për para i ndërrojnë edhe mendimet. Atë që e ka thënë
sot, pas një jave e ndryshon, e thotë të kundërtën. Ka moderatorë që hiqen se i
dinë të gjitha punët e botës. Sot janë në rolin e mjekut, pas nja tri ditëve në
rolin e agronomit, pastaj bëhen ustallarë të kriminalistikës etj. Thua ti se
janë eruditë dhe enciklopedistë.
Mediumet duhet të
jenë të paanshme. Ato duhet ta mbrojnë interesin kombëtar, t’i afirmojnë vlerat
kombëtare, sistemin kombëtar të vlerave. Partitë shkojnë e vijnë, populli
mbetet. Në këto kohë të turbullta dhe të frikshme, mediumet duhet ta hulumtojnë
interesin strategjik të kombit shqiptar. Në këtë çaste tërmetesh gjeopolitike,
mediumet duhet ta trasojnë rrugën e perspektivës historike. Çfarë mediumi është
ai që nuk e stigmatizon korrupsionin, vjedhjen, nepotizmin, blerjen e diplomave
universitare...?! Nuk duhet lejuar që shqiptarët ta vjedhin vendin e vet,
popullin e vet, këtë popull të varfër.
Mediumet mund të
bëjnë shumë në promovimin e kulturës shqiptare, në mbrojtjen e identitetit
shqiptar, në ndriçimin e tragjizmit shqiptar, të periudhave historike dhe të
figurave të kombit të lëna në harresë. Ta pyesim një të shkolluar shqiptar të
anëve tona se kur e ka lexuar librin e fundit? Para sa vjetëve? Kur ka qenë në
teatër për së fundi herë për të parë një dramë, një komedi? Kur ka qenë në panairin
e librit në Tiranë, në Prishtinë, në Zagreb? Kur i ka shkelur këmba në librari
për së fundi herë? Jemi lodhur nga mirënjohjet pa kurrfarë vlere që ia japin
njëri-tjetrit poetët që s’i lexon kush.
Ç’njeri është ai që ri në rrjete sociale 24 orë në ditë. Domethënë, gjithë ditën. Madje ky farë burri apo gruaje, pandeh se është dikush, e konsideron veten të rëndësishëm, bile-bile edhe atdhetar. Atdhetarizmi nuk është mall tregu që blihet e shitet në pazar.
GM: Si ka evoluar roli i shqiptarëve në
Maqedoninë e Veriut gjatë dekadave të fundit?
XHZ: Në monizëm
shqiptarët në Maqedoni ka qenë më të bashkuar, më kompakt. Sistemi pluarlist ka
rregulla të tjera. Dikur shqiptarët preokupim parësor e kanë pasur punën me
nder, ekzistencën, krijimin dhe ngritjen e familjes, shkollimin cilësor. Edhe
në regjimin komunist shqiptarët e Maqedonisë kanë vajtur në kurbet, në vendet
perëndimore dhe gjetkë. Kanë shkuar dhe pas një kohe janë kthyer. Në dekadat e
fundit situata ka ndryshuar me të madhe. Kemi rënie drastike të lindshmërisë,
kemi tendencë shpërnguljeje, kemi politizim dhe partizim të shoqërisë. Shkaku i
partive ka pasur mosmarrëveshje dhe zënka në familje, në lagje, në farefis,
madje edhe midis bashkëshortëve. Ky vend ende ndodhet në tranzicion. Kudo ka
korrupsion, mitë dhe ryshfet. Të gjithë duan të ndjekin studimet, pavarësisht
nga fakti se nuk kanë aftësi dhe afinitet për një gjë të tillë. Megjithëkëtë,
ia dalin të marrin diploma. Kemi inflacion diplomash dhe titujsh akademikë.
Krejt kjo s’shtë as komunizëm, as kapitalizëm, por gjysmëbarbarizëm. Shpirtin e
njeriut e ka kapluar materializmi.
“Paraja bën çmos, ajo është jeta vetë” thoshte romancieri francez Onore dë Balzak (Honoré de Balzac,
1799-1850).
Para 30 vjetëve
njerëzit lexonin më shumë se sot. Sidoqoftë, sot ka një begati më të madhe se
dikur. Tridhjetë vjetët e fundit partitë politike shqiptare kanë punësuar shumë
të rinj dhe të reja. Nëpër shkolla janë hapur degë dhe profile të ndryshme.
Shumë njerëz janë angazhuar nëpër universitete, në administratën publike, në
organet e pushtetit qendror, në ato të pushtetit vendor. Verës vijnë
mërgimtarët dhe sjellin mjete financiare. Askush s’ka ku e parkon veturën ngase
çdo shtëpi ka veturë. Disa kanë nga dy, tri e më shumë sosh. Çdo i ri di
anglisht. Legjenda thotë se në një fshat, një fëmijë katërvjeçar e paskan
dërguar në kursin e shqipes ngase folka
vetëm anglisht. E ëma s’e ka ditur anglishten ndaj s’ka mundur të komunikojë me
të birin. Sot, në krahasim me të kaluarën, edhe sasia e ushqimit është më e
madhe. Por sot njerëzit lexojnë shumë më pak se dikur. Legjenda thotë se dy
studentë shqiptarë nga Maqedonia paskan banuar në një banesë në Tiranë. Zonja e
moshuar i ka lutur që t’ia kthejnë librin në bibliotekë dhe t’ia marrin një
tjetër. Këta ia sjellin librin e kërkuar. Pas një jave ajo përsëri i lut për
një titull tjetër. Këta habiten dhe i thonë njëri-tjetri: “Ne për së fundi herë kemi lexuar vepër letrare para pesë vjetëve,
kurse kjo për një javë i lexoi dy”.
Bujqësia dhe
blegtoria janë lënë pas dore. Askush s’do ta punojë tokën. Arat kanë mbetur
djerrina. Njerëzit e kanë mendjen në Gjermani.
GM: Si e shihni ndikimin e fesë në
jetën e përditshme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut? A ka pasur religjioni
një ndikim në forcimin ose zbehjen e identitetit shqiptar? A është shqetësimi
për turqizimin dhe sllavizimin e disa shqiptarëve aty i justifikuar?
XHZ: Shqiptarët
janë popull që u përkasin tri feve. Ruajtja e tolerancës ndërfetare ka rëndësi
të madhe për shqiptarët. Rilindësit kanë thënë: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Feja e shqiptarit është gjuha
shqipe. Prishja e tolerancës midis feve do të ishte fatale dhe tragjike për
shqiptarët. Këtë do ta donin armiqtë e shqiptarëve apo shqiptarët që u
shërbejnë të huajve.
Shqiptarët janë
evropianë. Humanistët shqiptarë si Gjon
Gazuli, (1400-1465), Marin Barleti
(rreth 1450-1512), Mikel Maruli
(1453-1500), Leonik Tomeu
(1456-1531), Marin Biçikemi
(1468-1526) u përkasin traditave humaniste të Rilindjes evropiane. Autorët e
letërsisë së hershme shqiptare, si Gjon
Buzuku (shekulli XVI), Lekë Matrënga
(1567-1619), Pjetër Budi
(1566-1622), Frang Bardhi
(1606-1643), Pjetër Bogdani (rreth
1630-1689) kanë shkruar shqip me alfabet latin. Ata ishin formuar si
intelektualë në institucionet arsimore të Italisë.
Shqiptarët nuk
duhet të harrojnë se gjeografikisht jetojnë në Evropën e krishterë. Për këtë
arsye ata duhet të funksionojnë me sistem perëndimor vlerash. Ndryshe, mund t’u
përsëritet historia. Edhe një vonim në histori, kombi shqiptar nuk do të mund
ta përballonte. Shqiptarët duhet ta përkufizojnë interesin kombëtar të tyre, interesin strategjik. Ky interes është
lidhja e tyre e përhershme me botën perëndimore dhe me qytetërimin perëndimore.
Çdo lidhje e shqiptarëve me botën joperëndimore do të ishte fatale për ta.
Autoritetet fetare të shqiptarëve duhet ta mbrojnë interesin e kombit shqiptar.
Kleri ortodoks grek, kleri ortodoks serb, kleri ortodoks sllavo-maqedonas,
kleri ortodoks rus janë në shërbim të interesave kombëtare të popujve të tyre.
Po qe se kleri ortodoks shqiptar anon kah Greqia, kleri katolik kah Roma,
ndërsa kleri mysliman kah Turqia, kah bota arabe apo kah Irani, atëherë kjo do
të ishte tragjike për kombin shqiptar.
Çështja shqiptare
nuk është fetare, është kombëtare. Serbia dhe Vasa Çubrilloviqi (1897-1990) kurrë nuk ua kanë ndaluar shqiptarëve
xhamitë. Ua kanë ndaluar shkollat. Shumë mësues i kanë burgosur dhe i kanë
dënuar me dënime drakonike. Kurrë s’kanë parë rrezik prej xhamive. Rrezik kanë
parë prej shkollave. Shkollën shqipe e ndalonte edhe Greqia. Sipas të dhënave
të caktuara, mësuesin, publicistin dhe veprimtarin e shquar të lëvizjes
kombëtare Petro Nini Luarasin (1865-1911) e helmoi patrikana greke.
Besimi fetar është
çështje personale dhe private. Në shoqërinë shqiptare ka edhe ateistë apo edhe
agnostikë. Vitet e fundit vërejmë edhe politizimin e feve. Shtete të caktuara,
nëpërmjet feve synojnë të ndikojnë në botën shqiptare. Keqpërdoren edhe shumë
shoqata humanitare. Shoqatat e tilla mund të jenë çdo gjë, vetëm humanitare
s’janë. Klerikët nuk duhet të jenë përçues të interesave të huaja ndër
shqiptarë, mbrojtës dhe mbështetës të interesave të huaja në hapësirat
shqiptare. Zhvillimet dhe proceset gjeopolitike të përtashme si dhe
konstelacioni i forcave në planin global kërkojnë prej shqiptarëve që në këto
rrethana historike komplekse, të orientohen drejt. Nuk është në interes të
shqiptarëve të lidhen me shtete apo me qytetërime që nuk mund t’i dalin zot as
vetvetes, e ku më shqiptarëve. Islami politik mund t’i privojë shqiptarët nga
integrimi në familjen perëndimore.
Shqiptarëve në
Maqedoninë e Veriut nuk u kanoset as rreziku i turqizimit, as ai i sllavizimit.
Shqiptarët e kanë gjuhën, identitetin, lashtësinë e racës, pastërtinë e racës,
autoktoninë, historinë e lavdishme, heronjtë historikë. Shqiptarët janë popull
historik dhe popull politik. Rinia shqiptare në Maqedoninë e Veriut është e
shkolluar, e arsimuar, e emancipuar. E emancipuar është edhe femra shqiptare.
Çdo i ri dhe e re sot flet anglisht. Krahas anglishtes, ka që flasin edhe
gjermanisht. Rinia shqiptare këtu te ne ka vetëdije kombëtare të lartë. Të
rinjtë krenohen me të qenët shqiptarë. Sot shqiptarët gëzojnë respekt në gjithë
botën. Ditën e Pavarësisë e kremtojnë me flamurin në gji.
“Dielli shqiptar lind në Perëndim!” – Naim
Frashëri
GM: Si e vlerësoni rolin e shoqërisë
civile shqiptare në Maqedoninë e Veriut? A ka organizata që po punojnë për të
mbrojtur të drejtat e shqiptarëve?
XHZ: Shoqëria
civile shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk luan ndonjë farë roli, për të mos
thënë nuk luan kurrfarë roli. Kjo farë shoqërie civile duket si inekzistente, e
paqenë. Nuk i dëgjohet zëri kund. Edhe kur vepron ndonjë farë organizate
joqeveritare, ajo lehtë instrumentalizohet prej pushtetarëve dhe prej partive
politike. Për funksionimin e shoqërisë civile nevojiten kushte dhe rrethana të
volitshme, frymë demokratike, liri veprimi, mbështetje financiare, guxim,
vullnet, moral të fortë, nivel intelektual. Shoqëria civile apo të
ashtuquajturat organizata joqeveritare nuk funksionojnë në asnjë vend të
Ballkanit. Madje edhe në do vende të rajonit që janë anëtare të BE-së. Po të
kishin ekzistuar këto farë shoqëri civile, vendet e rajonit nuk do të ishin
katandisur në këtë gjendje të mjerë. Vështirë është të flitet për shoqëri
civile në mjediset me mendësi provinciale. I gjithë rajoni i ngjan një
province. Diskursi politik apo narracioni që përdorin politikanët ballkanas
ndaj njëri-tjetrit dhe kundër njëri–tjetrit tregon se ky rajon, edhe shumë kohë
s’e meriton të bëhet pjesë e BE-së. Për çfarë shoqërie civile mund të flitet në
Maqedoninë e Veriut, kur ky vend zë ndër vendet e para në boto me korrupsionin
dhe vjedhjen në nivelet më të larta të shtetit. A është parë diku në botë që
krye-prokurori të burgoset dhe të dënohet për mitë, ryshfet dhe shpërdorim
detyre?! Kjo ka ndodhur në RMV. A është parë kund në botë që kryeministri t’i
mbushë çantat me para, nëpër male të largohet nga vendi dhe të kërkojë strehim
në një vend, anëtar i BE-së dhe i NATO-s?!
USAID-i vite me radhë i ka trajnuar në
Maqedoni gjyqtarët, kurse gjyqësisë në këtë vend i besojnë vetëm 2% e të
pyeturve. E tmerrshme! Nga kjo del se USAID-i paskësh bërë punë Sizifi.
GM: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të
artit dhe kulturës shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
XHZ: Përkundër
themelimit të institucioneve të caktuara kulturore dhe shkencore, mendoj se
arti dhe kultura në Maqedoninë e Veriut nuk janë në gjendje të lakmueshme.
Institucionet publike të artit dhe të kulturës duhet të zhvillojnë veprimtari
më dinamike dhe më sistematike. Po qe se
veprimtaritë kulturore nuk realizohen në mënyrë të institucionalizuar, atëherë
mbetet të realizohen nga shoqatat
kulturore apo nga shoqëritë kulturore artistike. Në rast të tillë këto
shoqata duhet të financohen prej institucioneve të shtetit, prej Ministrisë së
Kulturës, prej organeve kompetente të pushtetit vendor. Që nga Struga deri në
Likovë veprojnë një numër i konsiderueshëm i shoqatave kulturore apo i
shoqërive kulturore artistike. Nuk duhet harruar se ndaj shqiptarëve në
Maqedoni, sllavo-maqedonasit, me ndihmën e Beogradit, kanë ndjekur politikë
diskriminuese. Kjo ka lënë pasoja që reflektohen e dhe sot. Infrastrukturën
artistike, muzikore, kulturore që e kanë shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë,
nuk e kanë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Nuk mjafton të organizosh një
mbrëmje poetike apo një manifestim kulturor. Duhet parë sa është interesimi i
publikut, i shoqërisë, i rinisë, i inteligjencies. Në kohë krizash ekonomike
dhe morale deklamimi i poezisë duket një luks. Për çfarë veprimtarie kulturore
mund të flitet kur të rinjtë ikin nga vendi. Për kë poezi, art dhe kulturë kur
ballafaqohemi me ikjen e trurit. Sidoqoftë, shtëpitë teatrore të qyteteve që i
posedojnë ato, duhet të jenë më vepruese. Në botë ka qytete ku çdo mbrëmje
shfaqet ndonjë pjesë teatrore. Në qytetin rrëzë Sharrit ka rreth dhjetë vjet që
ka filluar ndërtimi i teatrit dhe i bibliotekës së re. Bëhet fjalë për një
ngrehinë të madhe, për kushtet tona – gjigante. Kur do të përfundojë objekti,
s’e di kush. Për zvarritjen e punimeve s’reagon kush, as nxënësit, as
studentët, as mësuesit, as arsimtarët, as profesorët, as ligjëruesit, as
magjistrat, as doktorët e dijes, as shoqëria civile. Askush. Po si ri ky popull
pa bibliotekë, pa teatër, pa operë, pa simfoni, pa balet, pa dramë, pa komedi,
pa melodramë, pa kinema!? Si ri kjo shoqëri pa një librari moderne dhe pa
panair libri. Në anën tjetër, dasmat e kushtueshme dhe pelegrinazhet fetare nuk
kanë të ndalur.
Sidoqoftë,
shoqatat joqeveritare përpiqen ta mbajnë gjallë kulturën shqiptare në këto
hapësira. Ministria e Arsimit nuk i mbështet sa duhet financiarisht. Pa mjete,
manifestime t tyre rrezikojnë të shndërrohen në improvizime. Kultura nuk duron
improvizim. Ka ndër ne krijues letrarë, poetë, më rrallë edhe ndonjë prozator.
Por s’ka vlerësues të krijimeve të tyre. Apo ka fare pak. Shpesh ndodh që ata
ta vlerësojnë njëri-tjetrin, t’i japin mirënjohje njëri-tjetrit. Numri i
lexuesve të tyre është vogël. Nivelin artistik të krijimeve të tyre duhet ta
vlerësojnë studiuesit letrarë të mirëfilltë. Midis tyre qëllon të ketë edhe
mediokër. Do prej tyre e kanë bërë praktikë të konkurrojnë çdo vit në
Ministrinë e Kulturës për të nxjerrë ndonjë lek. Pavarësisht nga krejt kjo,
veprimtaria e mbartësve të veprimtarive kulturore duhet të mbështetet
financiarisht. Ka edhe krijues të brezit më të ri, por ata nuk mund të dalin aq
lehtë në sipërfaqe. Më lehtë e shkruan një roman se afirmohesh si krijues.
Kafkën në të gjallë s’e kanë njohur fort, për të mos thënë fare pak.
GM: Cilët individë shqiptarë nga
Maqedonia mendoni se kanë lënë gjurmë të rëndësishme në historinë kombëtare dhe
për të cilët duhet të shprehim mirënjohjen për kontributet e tyre në ruajtjen
dhe forcimin e identitetit shqiptar?
XHZ: Në vitet
1843-1844, në periudhën e Rilindjes Kombëtare, e kemi kryengritjen antiosmane
të Dervish Carës. Ky ka lindur në
fshatin Pallçisht afër Tetovës. Kryengritja u zhvillua në Kosovë dhe në trevat
lindore të Shqipërisë. Kryengritja u përkrah nga popullsia shqiptare e Shkupit,
Karadakut, Tetovës, Prizrenit, Kumanovës, Prishtinës, Vranjës. Kryengritësit
luftuan edhe në Gostivar, Preshevë, Bujanoc,
Kaçanik, Prizren, Pejë, Gjakovë, Shkodër etj. Për ta shtypur
kryengritjen, Porta e Lartë dërgoi kundër kryengritësve forca të mëdha. Duhet
përmendur edhe veprimtarin dhe udhëheqësin ushtarako-politik të trevave
verilindore të Lëvizjes Kombëtare, Mehmet
Hasan Derrallën (1847-1918). Ka qenë ministër i parë i Luftës në Qeverinë e
Përkohshme të Vlorës. Ka lindur në Gradec të Tetovës. Në lëmin e artit janë dy
shkrimtarë nga fshati Gajre i Tetovës, prozatori dhe poeti Murat Isaku (1928-2005) dhe poeti, prozatori e shkrimtari për
fëmijë Abdylazis Islami (1930-2005).
Nuk duhet harruar mësuesit e parë të cilët e kanë nisur arsimimin e nxënësve
shqiptarë pas Luftës II Botërore. Gjatë luftës, një numër të caktuar mësuesish
ka dërguar në Maqedoni dhe Kosovë Ernest
Koliqi (1903-1975). Prej vitit 1944 e këndej, shumë shqiptarë në Maqedoni
janë dënuar me dënime të rënda burgu. Të dënuarit kanë kërkuar të drejta, barazi,
liri, demokraci. Ka pasur edhe të tillë që kanë synuar bashkimin kombëtar. Në
të vërtetë, që të gjithë kanë luftuar për shqiptari. Janë dënuar shqiptarë që
nga Struga deri në Kumanovë. Një numër i madh i shqiptarëve u dënuan në vitin
1968 kur shpërthyen në Tetovë demonstratat masive. Po kështu, shumë shqiptarë u
dënuan edhe në vitin 1981 kur shpërthyen demonstratat në mbarë Kosovën.
Të gjithë të
burgosurit shqiptarë në Maqedoni që luftuan për kauzën kombëtare, populli i
nderon dhe i konsideron heronj. Midis tyre, demiurgë të frymës kombëtare janë Sadudin Gjuara (Shipkovicë, Tetovë,
1926-1960), Memetriza Murtezani – Gega
nga Tetova (1921-2006), Rahim Neziri
(Shipkovicë, Tetovë, 1932-2023), Rafi
Halili (Gajre, Tetovë, 1950-2023), Zaim
Beqiri (Shipkovicë, Tetovë, 1947-2013).
Një rrugë në Çair
të Shkupit u emërtua Memetriza
Murtezanit - Gega. Asnjë rrugë në Tetovë nuk e mban emrin e këtyre heronjve të
kombit. Ka edhe heronj të tjerë që u torturuan barbarisht në kazamatet e errëta
dhe të ftohta të Serbisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi. Ndaj tre milionë
shqiptarëve në Jugosllavi, boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd
(Podgoricë) ka ushtruar gjenocid. Edhe në demokraci dhe pluralizëm shqiptarët
s’tregojnë aftësi për t’i emërtuar rrugët dhe institucionet e qyteteve të tyre
me emrat e heronjve të sipërthënë. Për palën maqedonase, këta luftëtarë të
shqiptarisë vazhdojnë të jenë armiq të Jugosllavisë.
Në hapësirën
shqiptare në Maqedoni kanë lënë gjurmë sidomos Fadil Sulejmani, Arbën Xhaferi,
Ali Ahmeti dhe të tjerë. Fadil Sulejmani
(1940-2013) nga fshati Bozovcë i Tetovës është themelues i Universitetit të
Tetovës. Gjatë këtij misioni historik, pranë tij qëndruan edhe një grup
intelektualësh të tjerë nga të gjitha hapësirat shqiptare në Maqedoni. Nisma e
tij u mbështet nga Tirana, nga Prishtina dhe nga faktori ndërkombëtar. Arbën Xhaferi (Tetovë, 1948 – Tetovë, 2012) është ideolog i
mendimit politik bashkëkohor shqiptar, kurse Ali Ahmeti i lindur në vitin 1959 në Zajaz të Kërçovës është udhëheqës
i luftës së 2001-shit në Maqedoni. Më 26 shkurt 2001, Ushtria Çlirimtare
Kombëtare e zhvilloi Betejën e Tanushës që shënon fillimin e luftës në
Maqedoni. Më 14 mars 2001 lufta shpërtheu në
zonën e Tetovës. Autostrada Prishtinë – Shkup e mban emrin e Arbën Xhaferit.
GM: A ka ndonjë mundësi ose iniciativë
që do të donit të theksonit, e cila mund të ndihmojë zhvillimin e mëtejshëm të
komunitetit shqiptar në Maqedoni?
XHZ: Shqiptarët në
Maqedoni kanë nevojë për ngritjen e cilësisë në arsim. Faktori politik shqiptar
duhet të krijojë klimë të volitshme për të sjellë investime të huaja në
hapësirat shqiptare në RMV. Kjo mbase do ta zbuste shpërnguljen e të rinjve dhe
ikjen e trurit për në Perëndim. Të rinjtë shqiptarë duhet të punojnë për
depolizimin dhe departzimin e shoqërisë, të institucioneve publike dhe të
administratës. Duhet luftuar korrupsionin në nivelet më të larta, si të
pushtetit vendor, ashtu edhe atij qendror. Duhet luftuar edhe nepotizmin.
Shtresa e privilegjuar e shoqërisë i ka zaptuar padrejtësisht të gjitha
institucionet, në të shumtën e rasteve pa kurrfarë merite. Shqiptarët duhet t’i
kushtojnë rëndësi profesionalizmit dhe vlerave etike të individit dhe jo
pozitës së prindërve. Nëpër pozitat që i kanë uzurpuar padrejtësisht prindërit,
tani i sjellin edhe fëmijët e tyre. Pak më vonë do t’i sjellin edhe nipat dhe
mbesat. Ai që s’është në atë rreth le të largohet sa më parë, s’e ndal kush.
Faktori politik duhet të mendojë për të krijuar kushte për kthimin e eventual
të atyre që i kanë braktisur vatrat. Dikush prej tyre mund të investojë edhe në
vendlindje. Të gjitha këto duken utopi, ëndërr e parealizueshme. Faktori
politik nuk duhet t’i amplifikojë arritjeve politike. In
ultima linea, kjo është detyrë e tij. Partitë politike duhet ta dinë se
përfitimet koniunkturale nuk mund të shiten si arritje kombëtare. Interesi i
një grupi nuk përbën interes të përgjithshëm.
GM: Cilat janë shpresat tuaja për të
ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut? A ka ndonjë mundësi për një
zhvillim më të mirë në të ardhmen?
XHZ: Nga
përgjigjja e mësipërme rezulton se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk i pret
ndonjë e ardhme e ndritshme. Ndonjëherë shpresat dhe optimizmi mund të jenë të
dëmshëm. Shqipëria do ta ketë ca më lehtë ngase i ka detet, e ka turizmin. Mbi dhjetë
milionë turistë që pritet të shtohen në 15 milionë sish. Sidoqoftë, s’ka kush e
ndal shpopullimin e trojeve shqiptare dhe të mbarë Ballkanit. Kushdo që të vijë
në pushtet, shpërngulja s’ka për t’u ndalur. Shqiptarët janë shpërngulur
pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, të majtët apo të djathtët. Industri
s’ka, ekonomi më hiç, bujqësia dhe blegtoria janë lënë krejtësisht. Të gjithë
duan punë në zyra. Administrata është e stërngarkuar. Kush i paguan këto
punësime fiktive!? Në një zyrë punë ka për dy vetë, kurse në të kanë futur edhe
3-4 të tjerë. Kush mbërrin, punëson. Punësime partiake. Një administratë të
mbingarkuar s’mund ta përballojë as edhe një shtet i fuqishëm. Askush s’bëhet
pasanik pa e shfrytëzuar djersën e tjetrit. Edhe patriot edhe hajdut, këto nuk
shkojnë bashkë.
GM: Cili është mesazhi juaj për
shqiptarët, veçanërisht për brezat e rinj në Maqedoninë e Veriut, në lidhje me
sfidat dhe mundësitë që ata mund të përballen në të ardhmen?
XHZ: Le të zgjohen
herët, t’i lajnë sytë me ujë të ftohtë, t’i rreken punës, vetëm puna me nder të
bën të lirë, të bëhen realistë, të lexojnë çdo ditë, të përsosen në profesionet
e veta, të mos jenë materialistë, të mos tjetërsohen, ambiciet t’i harmonizojnë
me mundësitë reale, të prevalojë tek ata virtyti mbi vesin, të krijojnë
familje, të mos u binden demonëve, djajve, luciferëve dhe Mefistofelit.
“Liri ke aq sa lufton për të; fitorja
i përket atij i cili shkon çdo ditë në luftë për të” – Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832).