Kulturë
Llesh Ndoj: Shënime nga përkujtimi i 2 Marsit 1444 në qytetin e Lezhës
E marte, 04.03.2025, 05:27 PM
PATRIOTIZMI JUAJ MERITON MONUMENT DASHURIE, VËLLEZËR!
Shënime nga përkujtimi i 2 Marsit 1444 në
qytetin e Lezhës
Nga
Llesh NDOJ
Me 2 Mars, për çdo vit Lezha përkujton me dinjitet Besëlidhjen Shqiptare të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, si një rit i cili paraprinë propozimet, tashmë edhe të institucionalizuara, që kjo datë të shënohet në kalendarin e pasur të festave kombëtare mbarëshqiptare. Ndoshta për simbolikën e kësaj date kemi nevojë më shumë se për mjaft gjëra të tjera, pasi historia dhe aktualiteti dëshmojnë më shumë përçarje mes nesh se sa bashkim, qoftë edhe për probleme madhore të cilat vënë në pikëpyetje çështjen kombëtare shqiptare. Sivjet, 581 vjetori i kësaj ngjarje kaq simbolike, historike dhe përbashkuese, u parapri nga një aktivitet i pasur kulturor e artistik, organizuar nga Bashkia e Lezhës, aktivitet që kulmoi me vendosjen e shtatores së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, për herë të parë në Lezhë, vepër e skulptorit të talentuar Ardian Pepa. Është vërtetë paradoksale kur mendon se shtatore të heroit tonë kombëtar ka në shumë vende në Shqipëri e Kosovë, por edhe në vende të tjera evropiane, ndërsa në vendin ku Gjergj Kastrioti krijoi Besëlidhjen Shqiptare, aktin madhor historik që bashkoi principatat shqiptare për të siguruar ekzistencën e kombit nga rreziku i asimilimit e zhdukjes, e ku drejtoi aktivitetin e shtetit të parë shqiptar të organizuar, kjo shtatore vjen kaq vonë, e për më tepër, përmes një kalvari të gjatë diskutimesh, aprovimesh e mosaprovimesh për vendin ku duhej të vendosej. Ky diskutim shterpë e mbajti atë për më shumë se 5 - 6 vite diku në ndonjë magazinë, mbuluar nga pluhuri fizik, por fatmirësisht jo nga pluhuri i harresës, falë interesimit të drejtuesve aktualë të bashkisë e në veçanti të studjuesit të përkushtuar z. Paulin Zefi, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pranë Bashkisë së Lezhës.
Edhe pse fokusi i këtij shkrimi nuk është kjo,
vendvendosja e shtatores dhe vonesa e pa justifikuar në kohë, por kënaqësia e
realizimit të saj, nuk mund të mos them se justifikimet për këtë kanë qenë e
janë absurde.
Para
disa vitesh, patën nisur edhe punimet e bazamentit, diku në një skaj të sheshit
“Gjergj Kastrioti”, punime që u prishën si ndërtim pa leje! Ai vend do të ishte
shumë i përshtatshëm, me një një fushëpamje të konsiderueshme, me sfond
vendvarrimin historik, por… Dikush në Tiranë u kujtua se aty qenka zonë
arkeologjike! Kjo, siç mora vesh privatisht, ishte edhe arësyeja që prap
shtatorja u vendos në një vend jo dhe aq sa duhet të përshtatshëm, jo në vendin
më të mirë të mundshëm, diku në lulishten përballë memorialit. Ndoshta më bukur
do të dilte të vendosej para memorialit, në sheshpushimin e shkallëve që të
çojnë tek hyrja e memorialit, në një pozicion disi të ngritur dhe me pamje të
plotë për kalimtarët e vizitorët, me sfond pas vetes Kalanë e vetë memorialin,
por… është zonë arkeologjike e nuk lejohet! Le të sqarohem: Jam i lumtur që u vendos
dhe Bashkia Lezhë, kryetari i saj z, Pjerin Ndreu, përgjegjësi i kompleksit
memorial e muzeal, studjuesi i njohur Paulin Zefi, e kushdo tjetër që ka
kontribuar për këtë, meritojnë mirënjohjen time e të qytetarëve lezhjanë.
Merakun e kam tek ata që se lejuan vendosjen aty ku shtatorja e tij të ishte e
madhërishme, sa vetë historia e tij dhe jo që të përkulesh para shtatores të të
duhet t’i kthesh shpinën vendvarrimit, apo që ta fotografosh atë në sfond të
del rruga nacionale, pjesë të pa sistemuara të lagjes “Nënë Tereza”, apo kisha
ortodokse e Lezhës pa besimtarë. Bashkia jonë, shumë vite më parë i ka gjetur
vend nderi edhe një skulpture, artistikisht e arrirë, por e vendosur jo në
vendin e përshtatshëm, krahas shtatores së At Gjergj Fishtës, dhe para
bibliotekës së qytetit “Gjergj Fishta”, për teka të dikujt. Ajo skulpturë mund
të ishte fort e denjë për një lulishte a park, por kurrsesi jo aty! Pak më tej,
gjithë sheshi para bashkisë dhe rruga para memorialit është zonë arkeologjike,
por është lejuar ndërhyrja (gjykoj me të drejtë për punimet e projektit të
Rilindjes Urbane!), zona rreth memorialit ka plot ndërtime, edhe të paligjshme,
edhe të shëmtuara nga ana arkitektonike, zona rreth kalasë ka plot shtëpi
banimi të paligjshme, e pse shtatorja e Gjergj Kastriotit të mos vihej kudo,
mjafton t’a shfaqte në çdo moment gjithë madhështinë e saj si vepër arti dhe të
personazhit që i kushtohet, si figura më e madhe historike shqiptare e të
gjithë kohërave.
Le të kthehemi tek ceremonia e vendosjes dhe gjithë aktiviteti i këtyre ditëve festive në Lezhë. Personalisht, çdo masë organizative e festive nga Bashkia e Lezhës e gjej në lartësinë e eventit. Jam i bindur se ftesa nuk i ka munguar askujt edhe personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar, por… Qytetarët e nderuan dhe e mirëpritën Heroin tonë Kombëtar në shtëpinë e vet, ndërsa shtetarët, jo! Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja i pranishëm, tashmë si i shtëpisë në Lezhë për shkaqe kryesisht të aktivitetit politik dhe partiak, ishte pak për madhështinë e kësaj dite.
Vjen Kryetari i shtetit të Kosovës,
presidentja e nderuar, Shkëlqësia e saj zj. Vjosa Osmani, ministri i brendshëm
i Qeverisë së Kosovës, z. Xhelal Zveçla, shumë ministra të tjerë të Qeverisë së
Kosovës, kryetarja e Komunës së Preshevës, zj. Ardita Sinani, kryetari i
Komunës së Ulqinit, z. Genc Nimanbegu, kryetarët e komunave të Kosovës: z.
Gazmend Muhaxherri, Pejë, z. Ramiz Lladrovci, Drenas, z. Ekrem Kastrati,
Malishevë, z. Ferit Idrizi, Vushtrri, personalitete të artit, kulturës e
letrave shqipe e plot të tjerë, vijnë figura të politikës shqiptare nga
Maqedonia e Veriut si z. Talat Xhaferri e z. Ali Ahmeti dhe disa shqiptarë nga
Mali i Zi. Nuk munguan e s’mungojnë kurrë, as arbëreshët e Italisë në
aktivitete të tilla kombëtare. Pra sheshi identifikohej bukur me prani të
shtuar të vllezërve kosovarë dhe nga të gjitha trojet etnike për rreth, por
drejtuesit e shtetit shqiptar, nuk ishin…! As Presidenti i Republikës, as
Kryetarja e Kuvendit, as Kryeministri! Nuk dallova as drejtues të bashkive të tjera
(ndonëse mund të ketë patur ndonjë, e unë si pjesmarrës i thjeshtë qytetar, nuk
mund t’a vija re, nuk pashë as përfaqësues të përfaqësive diplomatike,
komuniteteve fetare, veç të zakonshmëve përfaqësues zonalë të klerit katolik,
as… Jo se mbeti gjë mangut, por duke shpresuar që nga viti i ardhshëm kjo datë
të përkujtohet si festë kombëtare, m’u duk se vlerësimi nuk shkonte paralel me
madhështinë e simbolikës së kësaj date.
Kosovarët
vllezër mbeten shembull i patriotizmit. Pashë sot, veç personaliteteve
shtetërore e politike, disa prej të cilëve i përmenda më lart edhe plot njerëz
të thjeshtë, pa funksione politike e shtetërore, që kishin udhëtuar me orë të
tëra vetëm për të mos e humbur këtë moment. Takova mes tyre prof. Pal Canajn
ardhur nga Klina, shumë të tjerë që edhe i njoha, disa i dallova thjesht nga të
folurit, nga entuziazmi, nga dashuria që shfaqnin e që iu lulëzonte në sy e në
shpirt. Sikur ky të ishte i vetmi rast, ndoshta nuk ia vlen të thuhet kaq
shumë, por patriotizmi i vllezërve kosovar shfaqet kurdo e kudo me shumë
përulësi. Bregdeti ynë dominohet nga pushuesit shqiptar të Kosovës jo vetëm për
ato që ai afron, por edhe si dashuri e patriotizëm i tyre. Disa syresh kanë
investuar e mendojnë të investojnë këtu kursimet e tyre, jo thjesht si biznesmenë,
por edhe si patriotë, shumë kanë blerë e vazhdojnë të blejné shtëpi e prona të
tjera në Shqipëri, ndoshta me çmime të kripura e të krahasueshme me bregdetin
kroat a malazez, edhe për patriotizëm. Po ne a e shfaqim patriotizmin në të
njejtën shkallë? A japim aq sa duhet ndihmë ndaj shtetit të ri të Kosovës dhe a
do të duhet të kemi një program kombëtar, shoqëruar nga masa të detajuara e të
zbatueshme hap pas hapi, shumë herë më të shkurtër e më të thjeshtë se dhjetëra
marrëveshje qeveritare pompoze që janë hartuar me zhurmë shurdhuese, ndoshta pa
e menduar asnjëherë zbatimin e tyre në praktikë!
Bashkimi
kombëtar në një shtet të vetëm, ndoshta vjen i vështirë për shkaqe të
ekuilbrave gjeopolitike, por bashkimi kombëtar, me kufij vetëm në hartat zyrtare
e imagjinare dhe jo në terren, duhet të ndodhë e për këtë jemi vonë. Kultura,
festat, eventet kistorike, shkenca, ekonomia, arsimi, shëndetësia, mundet
gradualisht të përafrohen e të njejtësohen, lehtësuar kjo nga gjuha jonë e
përbashkët, e kjo i “zhduk” kufijtë fizik, diferencat politike e kuptimore, pa
patur nevojë pëe t’i kërkuar leje askujt. S’duhet të presim vetëm ngjarjet e
kobshme, siç ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës, shoqëruar nga shpërngulja masive
e shqiptarëve prej serbëve, tërmetet etj, që t’a shfaqim dashurinë dhe
respektin ndaj njëri - tjetrit e patriotizmin tonë, por na duhet t’a gatuajmë
atë ditë për ditë, si ushqim që na ngroh shpirtin e vetëdijen kombëtare. Jo
vetëm patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës meriton monument dashurie, por edhe
dashuria e shqiptarëve kudo ku jetojnë në trojet etnike meriton më shumë
respekt, dashuri e vëmendje nga shteti shqiptar, për t’i përfaqësuar e mbrojtur
interesat e tyre në arenën ndërkombëtare, pse jo, edhe për zhvillimin e
arsimit, shëndetësisë e kulturës e mbajtur ata larg nevojës ekstreme për t’i
braktisur trojet e tyre. Shpresoj dhe besoj që 2 marsi i vitit që vjen, të
festohet si festë kombëtare zyrtare, me gjithë madhështinë e simbolikës
historike që përfaqëson.
Lezhë, më 2 mars 2025