Speciale
Vepror Hasani: Maskrat greke mbi shqiptarët nuk patën të sosur
E marte, 04.03.2025, 05:29 PM
Maskrat greke mbi shqiptarët nuk patën të sosur
Nga
Vepror Hasani
U krijuan 5000 shkolla
për greqizimin e shqiptarëve
Mbledhja e shkollave shqip në Bukuresht
çoi tek Sulltani në Vjeshtën e 3-të të vitit 1898, një tejshkronjë (telegram),
ku i kërkonte lirinë për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat që kishte çelur
qeveria në Shqipëri.
Telegrami ishte ky: Mbledhja e
shkonjave të shqiptarëve u organizua nga vetë shqiptarët, nga të dyja fetë
(myslimanë e të krishterë, dhe nga çdo vend i Shqipërisë). Mbledhja u bë në emër
të kombit shqiptar. Shqiptarët, duke parë që edhe pse qeverisë i jepnin pagesa
të mëdha, ku një pjesë e tyre duhej te shkonte për shkolla kombëtare, dhe në
vendin tonë përsëri nuk kishte shkolla shqipe, ndërsa të huajtë kishin 5 mijë
shkolla, çoi në një organizim të ri. Dhe pas këtij organizimi gjendja
ndryshoi: gjuha shqipe u pajis me libra,
ditarë dhe mësonjës, më tëpër se njëqind mijë shqiptarë e shkruanin gjuhën
shqipe dhe një tok të diturish të Evropësë e dinin që çdo vonim në moslejimin e
shqiptarëve të mësonin gjuhën e tyre, do t'u soste durimin dhe do t'i nxiste të
punonin kundër Turqisë. Nisur nga ky këndvështrim u bë mbledhja e shkollave,
dhe të gjithë, me një zëm dërguan te Fron' i Madhësisë lutjen e nxehtë, që t'i
urdhëronte të vihej edhe gjuha shqip në të gjitha shkollat që ishin në atë kohë
në Shqipëri. (Marrë nga “Kalendari kombiar” 1899, f. 9-10).
Por ende vijonte të ishte kohë mallkimesh
Shenjtorët e abetares u vranë një pas
një. Ishte kohë mallkimesh, por zoti kishte qënë me të mallkuarit dhe jo me
mallkonjësit. Hijetarët e kishave, dhespotët dhe mitropolitët kishin marrë
rrugën e satanait. Ishte koha kur djalli shitej si i shenjtë dhe shenjtori
konsiderohej si i paudhë.
U mallkua Naum Veqilharxhi, sepse
krijoi alfabetin e gjuhës shqipe. U tha se 20 vitet e krijimit të afabetit nga
Naum Veqilharxhi kishin qenë marrëzi e mallkim.
U mallkua Petro Nini Luarasi, sepse
rendte sa në një krahinë në një tjetër për të mbjellë farën e gjuhës shqipe.
Mitropolitët Qirilli, Gregori dhe Fillaret Vafidhi
përgatisnin mallkime pa rreshtur.
U mallkua Gjerasim Qiriazi, sepse hapi
të parën shkollë të vashave në Korçë më 23 tetor 1891, bashkë me motrat
Sevastinë dhe Parashqevinë.
U mallkua At Naum Cerja, i lindur në
Rehovë të Kolonjës sepse bënte thirrje: “Lexoni
librat e Naimit!”.
U mallkua Gjergj Qiriazi. Ai dinte t’i
fliste mirë greqishten, bullgarishten, vllahishten dhe turqishten, por u
mallkua vetëm seppse dinte të fliste shqipen. Dhe kjo ndodhte kur ai kishte
lindur në Peras të Kolonjës, ku aty kishte mësuar gjuhën e nënës.
Ilmi Pasha i
Manastirit thërriste i nervozuar “Do ta vras Gjergj Qiriazin”!
U mallkua Baba Braho Qesaraka sepse,
sipas tyre, kishte “lënë rrugën e zotit” dhe kishte marrë atë të djallit.
Teqenë e kishte kthyer në mësonjtore dhe mes shkëmbinjve të Qesarakës dhe
errësirës së netëve fshihte dhe shpërndante abetaret shqip.
U mallkua Sevasti Qiriazi, mësuesja e
parë e Shkollës së Vashave, ku bashkë me të do të vinte nga Manastiri dhe Fanka
Efthimi, e cila qëndroi në Korçë për 21 vjet, por historia shkroi shumë pak për
të.
U mallkua Themistokli Gërmenji nga
fshati Gërmenj i Kolonjës, sepse bashkë me kapedanë të tjerë si, Shahin
Kolonja, Mihal Grameno etj.,dolën në mbrojtje të shkronjave shqipe.
U mallkua At Papa Kristo Negovani, nga
fshati Valanj i Kolonjës, sepse predikimi i tij ishte: “Zoti ynë në qiell është
Shqipëria”.
Dhespot Kara Vangjeli formulonte mallkimet më të frikshme
për vdekjen e At Cerjes.
Mallkimi ndoqi edhe vëllezërit Stefan
Postenani, priftin Nikolla Ikonomi, Kristo Luarsin, Ilo Mitkë Qafzezin, Fetah
Qinamin, Hasan Qinamin, Sefer Gostivishtin etj, etj. Kolonja përjetonte valën e
zezë të mallkimeve pa fund.
Thirrja e atdhetarëve ishte: “Lexoni librat e Naimit!”
Po kështu, më 3 korrik 1911 grekomanët
e Follorinës vranë patriotin Jan Dini (Kotori), afër varreve të Pleshovicës në
rrugën Negovan - Follorinë, sepse patrioti në fjalë po themelonte një shkollë
shqipe, dhe kishte dhuruar 40 napolona për tulla e tjegulla.
Shqiptarët kanë të njëjtin identitet
etnik pavarësisht fesë që përkasin
Këtë dukuri te shqiptarët e shekullit
XIX, gjuhëtari dhe etnografi më i madh i Rilindjes Kombëtare Serbe, Vuk
Karaxhiq (1787-1864), e shpjegonte kështu: ‘Edhe ata (arnautët) kanë fe
katoliko-romake (e ndoshta edhe ortodokso-greke), ndaj quhen të gjithë arnautë.
Dhe le të themi se e urrejnë njëri-tjetrin pak, por sipas traditës së tyre,
para popujve të tjerë jetojnë si vëllezër, sikur të ishin të gjithë të një
feje. Kështu, një arnaut i fesë islame do të vriste dhjetë turq të vërtetë për
një arnaut të fesë katolike-romake, ashtu sikurse një arnaut i fesë
katolike-romake do të vriste dhjetë italianë për një arnaut të fesë
islame". Pothuajse për shumë
udhëtarë dhe studiues të shekullit të nëntëmbëdhjetë që kishin vizituar
Shqipërinë, gjykohet njëzëri se ky fenomen shqiptar ishte unik për kushtet e
Europës Juglindore dhe Qendrore në shekullin e nëntëmbëdhjetë!
Gjenocidi serbo-malazezo-grek mbi myslimanët
Nga Prof. Dr. Bajram Xhafa, Universiteti ‘L. Gurakuqi” Shkodër
“Në Korçë… grekët urdhëruan menjëherë të flitej në gjuhën
greke dhe jo shqip. Shumica dërmuese e banorëve të krahinës ishin myslimanë dhe
nuk kishin asnjë dëshirë të bëheshin shtetas grekë… Kisha orthodhokse me
programet kundër çifutëve në Rusi dhe me bëmat e saj në Ballkan, mban rekordin
botëror për mizoritë fetare. Ashtu si në Mal të Zi, edhe këtu dëshira e
pushtuest ishte që ta shfaroste ose ta dëbonte popullsinë shqiptare sidomos
pjesën myslimane.
“Tani që serbët erdhën në Ohër dhe grekët në Korçë, -
shkruante Edit Durham, - fillova ta ndiej veten fajtore pse dikur kisha uruar
që turku të largohej nga Evropa. Sa ishte turku aty, shpresat nuk ishin shuar.
Ndërsa këta pushtues të “krishterë” ishin njëqind herë më të këqinj. Por të
vënë në tehun e hanxahrit, shqiptarët u zgjuan. Të njëjtat skema makabër
zhvilloheshin edhe në jug të Shqipërisë nga masakrat e ushtrisë greke”.
Mars 1911, bandat greke, terror në jug të Shqipërisë
314 fshatra myslimanësh u dogjën
Në Parlamentin Anglez raportohej për
“mizoritë e frkshme që ishin duke kryer bandat greke në jug… ku refugjatë
shqiptarë shkonin drejt Vlorës nga Berati dhe Korça (të cilët ranë në duart e
grekëve), numri i muhaxhirëve të grumbulluar në kodrat me ullinj përreth
qytetit të Vlorës shkonte në më shumë se 100.000,
sepse vendi ishte shkretuar, muhaxhirët lanë shtëpitë e tyre për shkak të
ashtuquajturës kryengritje epirote, kryengritje kjo e kamufluar si “lëvizje”
për “autonominë e Vorio-epirit”, por në fakt bëhej fjalë për agresionin
ushtarak grek mbi pjesën jugore të Shqipërisë.
“Në furinë e këtij shpërthimi barbar, -
shkruante Abaz Eremeni, - u dogjën e u bënë shkrumb e hi 314 fshatra
myslimanësh”. Arkivat e Washingtonit, bënin fjalë për 400 fshatra të djegur dhe
të shkatërruar krejtësisht, - shkruante historiani shqiptar i diasporës Stavro
Skendi. Tashmë te shqiptarët kishte mbërritur zgjimi kombëtar, pjesërisht në
mënyrë graduale, pjesërisht si rrufe dhe tronditje.
Dhe duke qenë se me objektiva të tilla
ishin projektuar këto luftra, kjo edhe për faktin tjetër, sepse pjesa myslimane
e popullsisë përbënte shumicën, ndaj asaj i ra edhe barra kryesore e qendresës
kundër ushtrive pushtuese të shteteve ballkanike. Dhe sigurisht, mbi të ra dhe
do të binte furia e urrejtjes dhe e egërsisë fetare e shoviniste. Në një
artikull drejtuar vetëm myslimanëve, Faik Konica vinte në dukje se për ata (për
myslimanët) po afrohej një rrezik eminent. Dukej e sigurtë, otomanët do të
dëboheshin prej Evropës, dhe shqiptarët myslimanë rrezikonin kështu, të
përziheshin edhe ata mbasi vendi i tyre do të ndahej.
Kleri katolik këtë rrezik e parandjeu
herët (qysh në mars të vitit 1911), ose më drejt, disa anëtarë me influencë të
tij, si Dom Ndre Mjeda dhe Dom Luigj Bumçi të cilët menduan t’i shpëtonin të
keqes duke u orvatur të zgjeronin kuptimin e Kultus-protektoratin. Shkelja e
priviligjeve shekullore për shërbimin ushtarak dhe taksat në bazë të
marrëveshjes midis feve të lira dhe qeverisë turke qe një prishje e kësaj
marrëveshjeje. Ata kërkonin ndërhyrjen austriake, sepse për shqiptarët
myslimanë qe e natyrshme të luanin rolin kryesor në procesin e zgjimit
kombëtar. Ata përbënin shumicën dhe pa ata nuk mund të kishte Shqipëri, -
shkruante Stavro Skendi. Lufta e Shkodrës dhe e Janinës, lufta e Kakarriqit,
qendresa në Qafën e Kolesianit, në malësinë e Dibrës e të Pukës janë përballje
me armikun të bëra tërësisht nga popullsi myslimane.
100,000 të vdekur, 500,000 po vdesin
urie
Ushtria greke terrorizoi Devollin dhe
Korçën, por jo vetëm kaq: Avancimi i saj në dhjetor të vitit 1912 bëri që shumë
familje myslimane të Devollit të zbrisnin në Korçë, të detyruara nga
persekutimi i grekëve. Burra, gra, fëmijë të zhveshur e të zbathur iknin nëpër
dëborë e akull të lemerisur, duke lënë të shkreta shtëpitë e tyre, plaçkat e
bagëtitë.
Në fillim të qershorit 1915, - shkruan Haris Silajxhiç, - në
“Shqipëri dhe SHBA në arkivat e Washingtonit” Fondi për Ndihmë Shqipërisë i
dërgoi një letër presidentit të SHBA-ve, nëpërmjet së cilës e njofton për
situatën e vështirë në Shqipëri, (është
fjala për Shqipërinë Jugore, ku gjysmë milioni po vdesin nga uria, ndërsa
100.000 kishin vdekur), shifra këto që
nuk i gjen në tekstet mësimore as të nivelit akademik.
Shqiptarët kërkesë Europës për dëmshpërblim
Për shqiptarët foli edhe ish-ambasadori amerikan: E lashë Shqipërinë në
vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës, - shkruan George Fred
Williams, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi e në Mal
të Zi. (v. 1913-1914).
Dhe nuk vij të flas
si mik i njerëzisë, por vij si mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. Dashuroj
Shqipërinë, dashuroj burrat e Shqipërisë, siç dashuroj Amerikën, siç dashuroj
burrat që i kanë dhënë lirinë Amerikës. Shqipëria do të jetë e lirë. Shqipëria i ka dhënë
pesë imperatorë Romës dhe gjaku i shqipeve ka forcuar kombet e tjerë. E lashë
Shqipërinë në vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës, e cila tani po
lan gjynahet e saj. Unë protestova kundër paudhësisë së Europës kundrejt
Shqipërisë, lashë vendin tim zyrtar dhe ju siguroj, që unë besoj se ajo ditë që
unë protestova për Shqipërinë, është dita më e lumtur e jetës sime… Tregtia e
Amerikës duhet të jetë e lirë për kombin shqiptar, që është vëllai i kombit
amerikan. Unë jam gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e Shqipërisë,
edhe me jetën time.
Shqiptarët nuk kanë vetëm të drejtë t’i kërkojnë Europës
drejtësi, por t’i kërkojnë asaj edhe dëmshpërblim.
Europa e krishterë është e përgjegjshme
për robërinë dhe varfërinë e popullit shqiptar. Unë mund të dëshmoj që me
gjithë protestat e mia, Europa e krishterë është shkaku i eksodit të dhimbshëm
të 100.000 fshatarëve që duhet t’i linin vatrat dhe pasurinë e tyre dhe të
vinin si refugjatë në Vlorë ku ata do të vdisnin nga uria dhe sëmundjet, pa
numëruar ata që janë pa ndihmë dhe mbështetje. Kundër gjithë gënjeshtrave dhe
akuzave se shqiptarët janë egërsira unë citoj fjalët e Eriksonit, këshilltar
amerikan, që ata e kanë dashur dhe e duan, pse ai ka punuar e jetuar midis
tyre: “Nuk ka popull më të dëshirueshëm
dhe më të dashur në gjithë Europën se Shqiptarët. Ata kanë në të njëjtën kohë
elementët e forcës, burrërinë, kurajon, të lidhura me devotshmërinë më të butë
dhe më të ligjshme!”. Nga George Fred
Williams, ish–ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi e në Mal
të Zi. (1913-1914).
Përkrah
shqiptarëve kishte dalë edhe Milan Shuflaj,
albanologu i njohur kroat me prejardhje hebreje. Ai i pengonte serbët me
punimet e tij shkencore mbi kombin shqiptar. Për këtë punë Shuflaj u rrah deri
në vdekje më 1931 në një nga rrugët e Zagrebit. Ai ishte duke shkruar edhe një
libër me emrin "Codex Albanicus", dorëshkrim, të cilin serbët ia
vodhën.
Albert Einstein (Ajnshtajn) dhe Heinrich Mann reaguan për
vrasjen e Milan Šufflay-it nga serbët.
Ligësitë e grekëve nuk kishin fund
Për ligësirat e vojtjet e Shqiptarëvet
duhet të kesh një det me mellan për t’i shkruar, se nuk numërohen dot, po vetëm
të pakat numërojmë që të mundë bota të kuptojnë. Burgjet e Janinës,
Gjinokastrës dhe të Korçës janë
mbushur me shqiptarë dhe me qenë se nuk nxë të tjerë po i dërgojnë në Greqi.
Edhe për këtë çështje Qeveria greke dha urdhër, siç duket faqezaj, që të mos i
çonin të gjallë por vetëm emrat, ndaj gjatë udhës i rrihin mirë, i mundonin dhe
i vrisin të mjerët Shqipëtarë! Sot na arriti një lajm i zi nga Korça:
atdhetarin dhe luftëtarin Goni Toljo
Katundin e vranë udhës kur e shpinin në Follërinë. Këtë atdhetar, me të
vajtur grekët në Korçë, e
rrahën dhe e burgosën, ku nga të rrahurit u sëmur për vdekje dhe pas kësaj e
lëshuan. Tani, me të mbetur Korça
Shqipëri, Toljon e muar
përsëri, por këtë herë e mbushnë detyrën plotërisht se e vranë! (Përlindja
e Shqipëniës, Vit' i I, N. 14, e shtunë 14/27. vjesht' e I, 1913, f.4)
Barbarizmat greke shtoheshin!
“Sa më shumë afrohej koha për t’u
çporur barbari grek nga vendet e Shqipërisë, aq më shumë po shtoheshin
barbarizmat e tij. Nuk ka ditë nga Perëndia që të mos marim lajme të zeza për
vëllezërit tanë, të cilët, fat' i zi i dënoi të bien nën sundim të egërsirave
greke! Po sa vjen aq më shumë po i shtojnë dhe kush e di sa do të vuajnë gjer
atë ditë kur do të lirohen. Megjithkëto kanë paturpësinë të numërohen njerëz të
qytetëruarë dhe duan lirinë por, mjerisht, koha i vërtetoi të gjitha që greku
është lindur dhe do të vdesë barbar i egër! Për grekun nuk ka gjë të shenjtë në
këtë botë! Ai është ai që ka qenë dhe kështu do të vdesë. Mjerr dhe mjerr ajo
gjindje q'u dënua të rrojë nën qeverimin grek! Sot jo vetëm neve po dhe gjithë
Evropa, të cilës për pak kohë mundën t'i fitojnë me gënjeshtra simpathinë, i
kuptoi çfarë barbarë janë edhe gjith’ ato që ishin kundra bullgarëvet u kthyen
kundra grekëve duke parë me sy barbarizmat që kishin kryer!” (Përlindja e Shqipënisë Vit' i I, N. 14, e shtunë 14/27. vjesht' e I, 1913, f.4)
Ne s'besonim që ligësia e Grekëve të
shkonte aq lark sa t'i vdesin me të rrahur ata që s'mendonin grekësisht. Por,
më së fundi: ç’nuk bën greku? Le të ujitet pra atdheu me gjakun e fëmijës së
tij, me gjakun e tyre duhet të shkruhet historia kombëtare duke u treguar të
gjithve cilët janë barbarët Grekë! Por kur këta veprojnë, kanë dhe paturpësinë
të shkruajnë kundra Shqipëtarëvet që bëjnë ligësira në Elinët! Po qysh mor
Faraonë janë për t’u besuar këto gënjeshtra pa kripë? Mund të vrasë vetëvehten
shqipëtari se Elinë (grekë) as për ilaç nuk ka Shqipëria, vetëm doni që me këtë
mënyrë të fshini barbarizmat e gjakpirjet tuaj! Shkruar Plasaraku”. (Përlindja e Shqipëniës Vit' i I, N. 14, e shtunë 14/27. vjesht' e I, 1913, f.4)
Luftë në Nikolicë, mbi 1500 ushtarë
grekë
Të enjte pa gdhirë mirë një fuqi greke
prej 1500 ushtarë nën komandën e Vardës hapi zjarr kundër fuqisë shqiptare prej
65 veta të xhandarmërisë në Nikolicë. Pas një orë lufte të rreptë fuqia
shqiptare u forcua me 150 shpirt vullnetarë. Trimëria e Demir Aliut që kishte
nën komandë 65 xhandarma, si edhe kurajua e madhe e plakut trim kapedan Kajos
mundi të thyej fuqinë e armikut pas një lufte të rreptë edhe të tmerruar prej
12 orësh. Në këtë luftë mbetën të vrarë 300 grekë edhe 65 të plagosur rëndë të
cilët i ngritën edhe i shpunë në Kostur.
7 maj 1914, grekët, nën komandën e
oficerit Varda u sulën sërish nga an’ e Nikolicës; luftë e madhe u bë në këtë
fshat dhe në Arrzë. Numri i ushtarëve shkonte më shumë se 1,500 veta; goditja u
bë e rreptë dhe grekët u thyen duke lënë shumë të vrarë.
Në kujtimet e mësonjëses Sevasti Qiriazi, thuhet: “Në luftën e Nikolicës shumë fëmijë edhe gra u vranë dhe u
plagosnë. Shkolla jonë (e Vashave në Korçë, - shkruan mësonjësja Sevasti
Qiriazi), - u bë spital për gratë dhe fëmijët e plagosur, gjersa u bënë
përgatitjet e duhura për një vend të veçantë. Referuar (Yll’ i Mëngjezit, Vol.
5 Boston, Mas., Decembër, 1919, nr 9, f. 272).
Luftime të rrepta me grekët
4 Maj 1914: betejë
në Kolonjë. Tanët janë në Butkë e në Shtikë, Grekët në Selenicë e Qinam. Lufta
mbajti tërë ditën por drekët u mundën dhe lanë shumë të vrarë, megjithkëtë
kufiri mbetet në Ersekë e në Starje.
7 Maj 1914: Këto
ditë grekët nën komandën e oficerit Varda, u sulën nga ana e Nikolicës, ku u bë
luftë e madhe në këtë fshat dhe në Arrëz, Grekët ushtarë zyrtarë ishin më tepër
se 1500 veta. Goditja u bë e rreptë dhe grekët u mundën, duke lënë shumë të
vrarë. Edhe në fshatrat e Vakëfeve, Korçë, u bë një betejë me grekët, të cilët
u hoqën deri në mes të urave, ku dogjën edhe qytetin e bukur të Leskovikut
8 Maj 1914: Në Korçë
u protestua kundër Venomeve (vendimeve) që kërkon greku në Epir.
15 Maj 1914: dërgohen
telegrame nga Korça të nënshkruara prej Dhimigjerondisë dhe Parisë, tek Mbreti
dhe Komisioni i Kontrollit, ku protestohet kundër kërkesave të grekëve.
3 shkurt 1914, pa
ndonjë shkak fare dhe pa ndonjë nxitje nga ana jonë, grekët në Skrapar dogjën 7
fshatra: Qesarakë (teqenë, konakët dhe 5 shtëpi), Kaltanj 10, Selenicë 13,
Panarit 150, shtyllë 3, Muzenckë 2, Malind 4. Dy njerëz i dogjën në Selenicë:
Gjik prift Trebickën dhe Peçi Halin. 3 njerëz i dogjën në Vilë të Panaritit:
Naum Nikolla Trebickën, Toli Dhosi Treskën dhe Mehmet Kolonjën.
6 mars 1914. Në
Odriçan oficeri grek ftoi oficerin shqiptar që të vejë të marrë teslim
(ngarkim) vendin. por me t’u qasur xhandarmëria shqiptare, grekët me të pabesë
hapë zjarr: u vranë 12 njerëz dhe u plagos oficeri Qani. Po atë ditë grekët në
Devoll bënë djegie të shumta: fshatin Gracë u dogjën 64 shtëpi, në Poloskë
16 shtëpi, në Vërlen 2 shtëpi; kurse në Gracë masakruan 9 veta: 6 burra dhe tri
gra prej të cilëve një burrë dhe një grua (bashkëshortë). Po këtë ditë (6 mars 1914), grekët i ranë
Kovaçishtës afër Postenanit; nga ne mbetën 3 të vrarë dhe 3 të plagosur. Më 12
prill u bë një goditje në grykën Postenan-Lashovës, me synimin për të zgjeruar
kufirin e shënuar. Nga tanët mbetën 3 të vrarë. Më 24 mars grekët u sulën
përëri mbi xhandarët tanë prej kufisë së Leskovikut, dhe u vunë zjarrin
fshatrave Radanj, Hoseckë, Vrëpckë dhe Radimisht.
Fuqitë e mëdha: Greqisë
do t’i jepen ishujt kur të largohet nga Shqipëria. Ky është teksti i notës që i dhanë përfqësonjësit e Fuqive të
Mëdha Qeverisë së Athinës për çështjen e nisive (ishujve) t'Egjeut e të
Shqipërisë Jugore. Sipas artikullit 5 të traktatit të Londrërs të datës 17 /30
maj 1913, mes Turqisë e Shteteve të lidhura ballkanike dhe pas tregimeve
t'artikullit 15 të traktatit të nënshkruar n'Athinë midis Greqisë e Turqisë në
të parën ditë të nandorit 1913, Qeveria greke është lidhur që t'i lërë gjashtë
Fuqive të Mëdha të kujdesen për të vendosur se ç'lypet të bëhet për ishujt e
detit Egje.
Nga kjo, gjashtë Fuqitë e Mëdha
vendosën t'i japin Greqisë gjithë ishujt e detit Egje që ka zaptuara tani,
përveç ishujve Tenedos Imbros e Kastellorizzo të cilat lypet t'i kthehen
Turqisë.
Fuqitë e Mëdha vendosën që përveç
(ishujve) që janë ndarë t'i mbeten Greqisë; do t'i jepen garancira të mjafta
edhe Turqisë nga qeveria greke; që këta ishuj as s’do të forcoheshin dhe as
s’dotë përdoreshin kurrë për një qëllim anietar (navale) ushtëruar dhe të
merren masa të mjafta për të ndaluar kontrabandën midis nisive e vendeve
Otomane. Gjasht Fuqitë e Mëdha janë lidhur të përdorojnë influencen e tyre mbi
Qeverinë greke për të siguruar, të sosurit drejtësisht e të mbajturit e këtyre
konditave. Përveç kësaj gjashtë Fuqitë kërkojnë nga Greqia që të jape garancira
të kënaqshme mbi mbrojtjen e pjesës së vogël myslimane ndër ishujt që po merr
sipas vendimit të gjashtë Fuqive q'u përmendën sipër.
Pra, të dhënit përfundimisht Greqisë ishujt që Fuqitë ndanë
që t’i mbaj në pushtimin e saj s'do të bëhet efektive përveçse kur ushtritë
greke kanë për të zbrazur viset që janë ndarë t'i jesin (mbeten) Shqipërisë pas
protokollit të Firencës 17 dhjetorit 1913, që ësht ngjitur këtu, ashtu dhe
ishullin e Sazanit, dhe kur Qeveria greke do të lidhet plotësisht që mos bëjë
kurrë një kundërshtim, dhe mos përmbajë dhe mos zotnojë drejtpersëdrejti as
pasdoret kurrë-një kundershtim në çfarëdo mënyre gjendjes së punëve që janë
venduar nga Fuqiet e Mëdha në Shqipërinë e Jugut. (“Përlindja e Shqipërisë”, Vjet’ i II, N.12, e
shtunë 8/21 shkurt 1914, f. 3).
Zbrazja filloi më 1 të marsit
(allafranga) duke u hequr (larguar) ushtëritë greke nga kazaja e Korçës e nisia
(ishulli) i Sazanit, i cili ka për t’u zgjatur, papushuar, gjer në 31 të marsit
(alla franga), datë që do të marrë fund të ikurit e ushtrive greke nga kazaja e
Delvinës. Të gjashtë Fuqitë e Mëdha kanë besim se vendimet e mësipërme kanë për
t'u nderuar drejtësisht nga qeveria greke.
(“Përlindja e Shqipërisë”, Vjet’ i II,
N.12, e shtunë 8/21 shkurt 1914, f. 3)
Vepror
Hasani