Speciale » Basha
Sabile Basha & Tefik Basha: Në krahinën e Çamërisë
E diele, 02.03.2025, 06:59 PM
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
NË
KRAHINËN E ÇAMËRISË
(Pjesa
e Katërt)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Çamëria, një vend magjik në zemër të Epirit të lashtë,
shtrihet si një perandori drite përgjatë brigjeve lindore të detit Jon, nga
Butrinti e Bistrica deri në Gjirin e Prevezës. Emri i saj i shenjtë lidhet
ngushtë me çamët, popullin autokton që dikur mbushte këtë tokë të bekuar. Në
kohët moderne, Çamëria shpesh përfshin të gjitha trevat shqiptare të Greqisë,
duke u shtrirë në Epirin e sotëm dhe një pjesë të Maqedonisë Perëndimore.
Në kohët antike, Çamëria ishte pjesë e Epirit, deri
kur romakët e ndanë në dy njësi administrative: Epirin e jugut dhe atë të
veriut. Kështu, zona veriore, e njohur nga vendasit si Çamëri, u përfshi në
letërsinë romake si Epiri verior, por ndarja burokratike nuk mundi të zhbëjë
emrat dhe identitetin e fortë të popullit të kësaj toke.
Kur sllavët pushtuan Ballkanin, Çamëria mbeti një nga
ato treva që nuk iu nënshtruan ndikimeve të tyre. Në ndarjen që Bizanti bëri
sipas përkatësisë fetare dhe etnike – grekët, shqiptarët dhe ardhacakët
sllavo-turk – kjo tokë ruajti krenarinë dhe fisnikërinë e saj. Luftërat mes
liderëve për kështjellat e Çamërisë ishin të ashpra, dhe popullsia shqiptare
vuajti shumë nga mizoritë e ekstremistëve fetarë bizantinë. Por në mes të kësaj
errësire, doli ndihma nga perëndimi i Ballkanit dhe familjet shqiptare që
ruajtën traditat e qëndresës.
Skënderbeu, i njohur si princi i Shqipërisë dhe
Epirit, u shfaq si simbol i guximit dhe luftës për liri. Pas betejave të ashpra
në Ballkanin Lindor kundër bizantinëve dhe sllavëve të krishterë, në vitin
1449, Çamëria ra nën sundimin osman. Në periudhën osmane,
Greta dhe Sabile Keçmezi-Basha, Kalaja e Janinës, qershor 2024
Janina u bë qendra administrative e një prej
vilajeteve shqiptare, ndërsa Ali Pasha Tepelena u shqua për përpjekjet e tij
për të bashkuar popullin e Çamërisë dhe për ta organizuar në një shtet
shqiptar.
Ka një histori që lidhet me emrin e Çamërisë, që
thuhet të ketë origjinën nga lumi Thyamis, i njohur më pas si Glyks apo
Kalamas, që rrjedh në këtë krahinë. Gjatë sundimit osman, tingulli
"Th" u transformua në "Ç", duke reflektuar ndryshimin
gjuhësor të turqishtes që nuk përdorte tingullin "Th". Studiuesi grek
Georgion Nikokles sugjeron se fjala “Çam” nënkupton pishën, dhe “Çamëri”
përkthehet si vendi i pishave, një teori që mbështet autoktoninë e pjesshme të
shqiptarëve në këtë zonë.
Çamëria sot ndahet në katër rrethe kryesore: Filati,
me 54 fshatra; Paramithia, me 51 fshatra; Igumenica, me 54 fshatra; dhe Parga,
me 34 fshatra. Çdo rrëfim, çdo kodër, çdo kështjellë e kësaj toke mbart me vete
histori të lashta, plot mister dhe lavdi, që qëndrojnë si gurë të fortë në
kujtesën e kombit shqiptar.
RRUGA PËR JANINË...
Të nesërmen, më 19 qershor 2024, u zgjuam në agun e
një dite të re, të përgatitur për të vazhduar udhëtimin tonë nëpër shtigjet e
jetës. Me Tefikun kemi kaluar shumë, kemi shkelur nëpër rrugët e botës dhe kemi
zbuluar mrekulli të ndryshme, por herë pas here, në disa vende ndjehej një gjë
e çuditshme, një mister që na transportonte në një dimension tjetër, një botë
që ende mbetej e padukshme për të tjerët.
Kjo ndjesi më kishte përfshirë edhe atë mëngjes.
Janina dhe Parga më dukeshin si vende të një kontinenti të largët, si ishuj të
fshehur që unë isha e para që po i zbuloja. Kjo përvojë e thellë, një ndjesi që
më kishte ndodhur edhe më parë në vende të tjera që më kanë lënë pa frymë,
ishte një shkrirje e realitetit me magjinë e zbuluar. Nuk di se cilin vend do
të veçoja; ndoshta Izraeli me misteret e tij të thella, Egjipti i lashtë me
hijeshinë e përjetshme, Palermo me atmosferën e saj mesdhetare, San Marino,
Monako, Porto, Andorra – të gjitha këto vende kishin lënë një gjurmë të
pashlyeshme në shpirtin tim.
Kudo që kemi udhëtuar, kemi ndjerë një lidhje të
veçantë, si të ishim pjesë e një historie që po zbulohej për herë të parë. Por
sot, rruga për Janinë kishte një magji të veçantë, një magji që më bënte të
ndihesha si eksploruese në një botë të re, një botë që po më përqafonte me të
gjitha misteret dhe mrekullitë e saj të pazbuluara.
Dhe në një mëngjes të thjeshtë dhe të qetë, u larguam
nga qyteti i Selanikut dhe nisëm udhëtimin drejt Janinës. Qytetarët na kishin
siguruar se rruga ishte e shkëlqyer dhe trafiku i lehtë, por unë shpesh nuk
mund të ndihmoja veten që ta krahasoja këtë udhëtim me ato që kam përjetuar në
Itali. Sidomos, rruga nga Bolonja për në Romë më dukej si një ekuivalenc e
mundshme.
Nga fillimi, bukuria e rrugës na çmendi. Autostrada
kishte katër korsi dhe ishte e qetë, pa ndonjë densitet trafiku që të
shqetësonte. Siç kalonim kilometrat, rruga bëhej gjithnjë e më magjepse.
Tunelet, të vendosura një pas një, na përshëndetnin si porta hyrëse në një botë
të re. Çfarë kisha lexuar për këtë rrugë, se ishte më e shtrenjta në Evropë dhe
kishte mbi 94 tunele, po shndërrohej në realitet para syve tanë.
Malet e kodrat e shumta nuk na shqetësonin. Tefiku,
ishte një vozitës i padiskutueshëm, dhe vozitja e tij e qetë dhe vazhdueshme
ishte një përvojë pa stres. Kur e pyesja herë pas here nëse ishte i lodhur, ai
përgjigjej me buzëqeshje dhe një lëvizje të kokës që "jo", duke e
bërë këtë udhëtim të lehtë dhe të këndshëm.
Me çdo kilometër që kalonim, shenjat në rrugë na
tregonin se sa afër ishim destinacionit. Kur distanca e mbetur u ul nën 100
kilometra, ndjeva një gëzim të thellë, sepse e prisja me padurim të arrinim në
Janinë, destinacionin tonë të parë në Çamëri.
Ndërsa shihja emrat e qyteteve që kisha dëgjuar shpesh
– Igumenica, Arta, Preveza, Parga – isha e magjepsur nga bukuria dhe ngjyra e
peizazhit. Por emri që më tërhoqi më shumë ishte SUEL. Ky emër u përsërit disa
herë dhe, kur e pyeta Tefikun, ai qeshi dhe më tha se ishte fshati Sul, një fshat
shqiptar që i përkiste rrethit të Paramithisë. Ai më kujtoi trimëreshat e Sulit
që kishin rënë në liqe, duke refuzuar të mos i dorëzoheshin Sulltanit. Ky fakt më la të
habitur dhe më hodhi në një botë të panjohur të historisë dhe krenarisë
shqiptare.
JANINA
Kilometrat rridhnin me padurim, si hapa drejt ëndrrës
që e kishim ndjekur me zemër të fortë e shpirt të palodhur: Janina, qyteti i
shumëpritur, i fiksuar në mendjet tona prej kohësh. Në navigatorin tonë, një
tabelë na tregoi se duhej të ktheheshim djathtas – më shumë se një shenjë, ajo
ishte një përshëndetje e bukur që paralajmëronte fundin e udhëtimit tonë. Çdo
kilometër tjetër shkrihej në pamje të reja, dhe në atë përzierje të peizazheve,
Janina filloi të shfaqej para syve tanë, si një oazë e largët e dëshiruar prej
kohësh. Me entuziazëm të lartë, thirrëm "Janina!" dhe unë, me një
ndjenjë gëzimi të pastër, fotografova tabelën e qytetit, që shkëlqente me
shkronja të mëdha: “Janina.”
Pas dy kilometrave, navigatori ynë ngadhënjyes arriti
tek hoteli “Grand Serai Congress & Spa.” Rrugëtimi prej më shumë se 300
kilometrash u shkri në një ndjenjë triumfi, dhe lodhja u tret në ajrin e
ngazëllimit të mbërritjes. Dyert e mëdha të hotelit u hapën me një ndjenjë
madhështie, dhe ne hymë brenda, ku u përshëndetëm me mirësjelljen e portierit
që na drejtoi me kujdes për parkimin dhe bagazhet. Pamja e hotelit ishte
madhështore, me një kopsht të mbushur me lule që rrezatonin ngjyra, dhe një
fuaje elegante që të ftonte të hyje në një botë qetësie dhe hijeshie. Na dhanë
çelësin e dhomës, dhe një djalosh i ri na ndihmoi të vendoseshim rehat, duke na
treguar për oraret e darkës dhe mëngjesit, dhe pastaj na la të shijonim çdo
çast të mbërritjes sonë.
Në ndarjen me Agonin, mes përshëndetjeve të shumta, ai
na kishte kërkuar të lajmëroheshim sapo të mbërrinim në Janinë. Pas një kafeje
të shijshme që e pimë me kënaqësi të madhe, e morëm në telefon dhe i treguam se
ishim në hotel. Meraku i tij ishte i dukshëm, por ne e siguruam me gëzim se
gjithçka kishte shkuar për mrekulli, dhe e përshkruam me entuziazëm udhëtimin
tonë dhe qytetin që na kishte magjepsur. Ai na pyeti nëse dinim për Ali Pashë
Tepelenën që kishte jetuar aty, dhe ne qeshëm, duke i thënë se nuk kishte
nevojë të na kujtonte historinë, sepse e dinim...qesha.
Fotografia e Ali Pashë Tepelenës në dhomën e hoteli Grand Serai, Janinë, qershor 2024
Ndërsa bisedonim për Ali Pashën dhe për bukurinë e
dhomës tonë, ai na befasoi duke thënë, “Mam, a e ke parë portretin e Ali Pashë
Tepelenës në murin e dhomës suaj?” Kjo rastësi e mrekullueshme na bëri të
qeshnim edhe më shumë.
Kur e pyeta për ditët e tij në det, ai u përgjigj me
një ton të trishtuar, “Keq, shumë keq… po na mungoni shumë...” Dhe ne, me një
ndjesi të ngrohtë në zemër, e mbajtëm këtë bisedë si një kujtim të ëmbël të
udhëtimit tonë dhe dashurisë që na lidhte përtej çdo largësie.
Malli nga ndarjet e
përkohshme
Në stinët e vjeshtës dhe pranverës, shpesh na gjente
rruga drejt qytetit bullgar të Sandanskit, një oazë qetësie dhe relaksimi.
Ishte si të kërkonim strehë nga zhurma e përditshmërisë, në krahët e natyrës që
na përqafonte me ngjyrat e saj të ngrohta. Agoni, me përkujdesjen e tij të
zakonshme, na përcillte me makinë, dhe pas dhjetë ditësh kthehej për të na marrë,
së bashku me Albinën dhe Benin. Megjithatë, kishte diçka çuditërisht
paradoksale në këtë skemë – ata qëndronin me ne vetëm dy apo tre ditë, përpara
se të ktheheshin sërish në Kosovë. Dhe atëherë, pas largimit të tyre, një
boshllëk i thellë na mbulonte mua dhe Tefikun. Pushimi, që dikur ishte
arratisje nga rutina, kthehej në një mërzi të padurueshme, çdo orë dukej më e
gjatë, çdo moment më i rëndë.
Sabile Keçmezi- Basha & Tefik Basha, hoteli
Grand Serai, Janinë, qershor 2024
Dy vjet më parë, nuk e durova më këtë ndjenjë të rëndë
që më kaplonte. Një ditë, ia shpreha Agonit brengën time. I tregova se,
megjithëse ishim mirënjohës që na dërgonte në pushime, dita kur ai dhe të
tjerët niseshin për në shtëpi ishte më e vështira për mua. "Pse ndodh
kështu, mamë?" më pyeti ai me një ngasje të butë. "Ne dëshirojmë të
jemi me ju, veçanërisht që Beni të kalojë disa ditë me ju." Por unë i
tregova se ndihesha keq pas largimit të tyre dhe i kërkova që herët tjera të
mos vinin, që të mund të qëndronim vetëm ne dhe të riktheheshim në paqe. Ai, me
mirëkuptimin e tij të zakonshëm, pranoi pa kundërshtim. Dhe kështu, gjatë
këtyre dy viteve, ne nuk i lamë të vinin më me
ne. Kështu, qëndrimet në Sandanski filluan të bëheshin më të lehta, si
një qetësi e përmbushur, pa hijet e largimit që rëndonin mbi pushimin tonë.
Kohët e fundit, teksa bisedonim nga Janina dhe ai po
ankohej për ditët e ngadalta që vinin pas largimit tonë, një buzëqeshje e
ngadalshme më shndriti fytyrën. Para se të arrija t’i tregoja për përjetimin
tonë në Sandanski, ai më ndërpreu me një zë të ngrohtë. "Mos e
thuaj," më tha, "ne gjithashtu e përjetuam atë që ju përjetonit në
Sandanski, kur ne iknim për në shtëpi." Ishte e vërtetë – kishte diçka të
rëndë në atë ndarje, një boshllëk që as pushimi s’mund ta mbushte kur një pjesë
e familjes largohej.
Me këto fjalë të qeta dhe të ngrohta, u përshëndetëm.
Dëshira jonë mbeti e pandryshuar – të kalonim mirë të gjithë së bashku, duke
mbushur çdo moment të përbashkët me gëzim dhe ngrohtësi, pa peshën e ndarjes që
e bënte çdo pushim të dukej më i gjatë.
Vizita në Qytet
Pas
bisedës me Agonin, me një padurim të ngrohtë, ne prisnim momentin e daljes për
të shijuar qytetin në ritmin tonë të ngadaltë. Në recepcionin e hotelit, i
pyetëm se si mund të shkonim deri në qendrën e qytetit pa përdorur veturën. Ata
u habitën dhe na u përgjigjën se qendra ishte këtu pranë. Ne kërkuam të
vizitonim kalanë dhe liqenin e mrekullueshëm të Janinës. "Të gjitha janë
afër," na thanë ata. "Mund të shkoni në këmbë." Me çantat e
mbështjella në shpinë, dolëm nga hoteli.
Pas
vetëm dhjetë minutash ose edhe më pak, në horizont u shfaq liqeni i bukur, duke
dremitur nën rrezet e diellit. Rreth tij, disa turistë ecnin ngadalë, si ne, në
kërkim të një mjeti për të shijuar qetësinë e ujit. Fillimisht na dukej se
vendi ku ankoroheshin barkat ishte afër, por për të arritur atje, na u desh të
përshkonim një rrugë të gjatë dhe të bukur, që na dha mundësinë të zbulojmë
secilën ndalesë të këtij qyteti të mrekullueshëm.
Qyteti i Janinës gjatë
historisë
Janina,
kryeqyteti i rajonit të Epirit në Greqi, është një qytet që ndan me ne sekretet
e kohës së kaluar. Me rreth 70,000 banorë, qyteti është një pasqyrë e bukur e
periudhës osmane, një kujtesë e ndritshme e historisë që shpërfaqet në çdo
ndërtesë të saj. Para vitit 1913, Janina ishte qyteti më i madh jugor shqiptar,
një qendër e kulturës dhe e jetës shqiptare.
Sot,
pas shpërnguljeve të mëdha dhe masakrave, shqiptarët janë të paktë në këtë
qytet, dhe rrënojat e historisë dhe asimilimit të ashpër kanë lënë gjurmët e
tyre. Janina ndodhet në një lartësi prej 480 metrash mbi nivelin e detit dhe
përqendrohet në brigjet e Liqenit të Janinës, një peizazh që shpalos magjinë e
tij çdo ditë.
Qyteti
është i lidhur me qytetet e tjera të mëdha, duke qenë 100 km nga Gumenica, që
ndodhet në perëndim të Janinës. Në të kaluarën, para vitit 1923, Janina
përfshinte lagje të njohura si Dederuç, Pazari i Drithërave, Guraba, Ibrahim
Pasha, Kalluça, Karavatja, Luca, Mitropolia, Namazgjah, Shëngjergji (Aj Jorgji),
Mejdan dhe Siri Xhami, secila me historinë dhe karakterin e vet, që tani janë
vetëm reminishenca të një kohe të shkuar.
Antikiteti dhe Mesjeta e
Hershme
Në
thellësitë e Janinës, ku hapat e njeriut jehojnë prej paleolitit, rreth 20,000
vjet më parë, gjurmët e Molosëve ngjallin kujtime të lashta. Qyteti i fushuar
nga kohët klasike, i përmbysur nga pushtimi romak, nuk e humbi kurrë plotësisht
jetën, ndonëse forma e tij urbane u shndërrua.
Në
misterin e historisë së tij, përmendet themelimi i qytetit nën Justinianin I,
por fortifikatat helenistike flasin për një të shkuar më të lashtë, të
rindërtuar më vonë nga duar bizantine e osmane.
Në
vitin 879, Janina del në dritë me emrin e saj, në aktet e Këshillit të Katërt
të Konstandinopojës, e lidhur me Peshkopin Zaharia. Muret e saj ngrihen si
mburojë gjatë shekujve, përballë Normanëve dhe duarve të pushtuesve, duke e
bërë Janinën një perlë të Epirit që lindi mes legjendave e historisë.
Mesjeta e Vonë (1204–1430)
Nën
Mihalin e I, Janina filloi të rilindë si një pikturë që merr jetë të re, ku
refugjatët e Kostandinopojës gjetën strehë dhe qyteti mori frymë të re.
Sabile Keçmezi-Basha,
hoteli Grand Serai, Janinë, qershor 2024
Edhe
pse banorët u përpoqën t’i largonin në vitin 1232, Janina u rrit, duke fituar
rëndësi. Prania e varangianëve dhe emri i saj në shkrimet e kishave e bënin
qytetin një qendër të rëndësishme. Pas betejës së Pellagonisë, Janina u çlirua
nga duart e Nikejve, ndërsa sulmet e mëvonshme nga perandoritë dhe sundimtarët
lokalë nuk e thyen shpirtin e saj.
Deri
në vitin 1430, kur trupat osmane u shfaqen para mureve të saj, qyteti u
dorëzua, por ruajti autonominë e premtuar, duke qëndruar krenare në histori si
një vend i rezistencës dhe rifillimit.
Janina gjatë Shekujve 15-16
Nën
sundimin osman, Janina u bë një qendër administrative që lulëzoi në stabilitet
të qetë. Në fillim, 50 familje myslimane dhe 1,250 të krishtera formuan
strukturën e saj, dhe me kalimin e viteve, hebrenjtë gjetën vend në qytet.
Në
vitin 1611, një kryengritje e Dionisi Sqillosofit trazoi popullsinë, duke i
sjellë fund privilegjeve të krishterëve, të cilët u dëbuan nga kështjella.
Asllan Pasha, me hakmarrje të pamëshirshme, rrënoi manastirin dhe ngriti
xhaminë e tij mbi rrënojat, simbol i një epoke të re. Nga shkrimet e Evlija
Çelebiut në vitin 1670, qyteti përshkruhej si një mozaik i lagjeve myslimane,
të krishtera, hebreje dhe rome, duke gjetur ekuilibrin e tij në një botë të
ndryshueshme.
Janina gjatë Shekujve 17-18
Megjithë
shtypjen dhe konvertimet e shekullit të 17-të, Janina ruajti zemrën e saj të
krishterë. Gjuha greke, mbizotëronte ndërsa turqishtja ishte për zyrtarët
osmanë dhe shqipja për banorët shqiptarë. Grekët dhe shqiptarët ndanin këtë
qytet të gjallë, ku kulturat bashkëjetonin dhe gjuha lidhte shpirtin e tyre.
Pas
trazirave, qyteti u shërua shpejt dhe në fund të shekullit të 17-të, Janina
ishte një qendër tregtare e lulëzuar me 1,900 dyqane. Lidhjet me Venedikun dhe
Livornon e shndërruan qytetin në një portë të artë të shkëmbimeve kulturore dhe
ekonomike.
Sundimi i Ali Pashës
(1789-1822)
Në
shekujt 18 dhe 19, Janina u ngrit nën hijen madhështore të Ali Pashë Tepelenës,
që nga zemra e qytetit të tij sundonte një perandori të përzierë, përfshirë
Shqipërinë jugore dhe Greqinë veriperëndimore. Ai ndërtoi lidhje me figurat
kryesore të Evropës, ndërsa Janina lulëzonte me pasuri dhe dije, por edhe
mbante mbi vete hijen e mizorive të tij. Nën sundimin e tij, qyteti u bë simbol
i armëve, parasë dhe letrave, një qendëre gjallë kulturore, pavarësisht dhunës
që e rrethonte. Kur Ali Pasha u vra më 1822, një epokë e trazuar mori fund.
Megjithatë, një dritë shprese u ndez me themelimin e Zosimeas më 1828, një
shkollë dijesh që sfidoi furtunat e kohës, duke u rilindur dhe qëndruar simbol
i kulturës dhe dijes në Janinë.
Greta, Sabile
Keçmezi-Basha, Sabirja, Kalaja e Janinës, qershor 2024
Shekulli i Fundit Osman
(1822-1913)
Në
fundin e sundimit osman, Janina u përball me ringjallje dhe pasiguri. Zjarri
shkatërrues i vitit 1869 dogji zemrën e qytetit, por falë përkushtimit të Ahmet
Rashim Pashës dhe ndihmës së arkitektit Holz, Janina u rilind me hijeshi të re.
Tregu dhe kishat u rindërtuan me ndihmën e shqiptarëve të diasporës, duke i
dhënë qytetit një shkëlqim të ri.
Në
shekullin e 19-të, qyteti njohu një lulëzim të ri ekonomik e kulturor. Banka
Osmane solli zhvillim, ndërsa shqiptarët dhe grekët kërkonin të drejtat e tyre
kombëtare, secili në udhën e vet drejt identitetit dhe lirisë.
Periudha Moderne (nga viti
1913)
Më
21 shkurt 1913, Janina u dorëzua pas betejave të Luftës së Parë Ballkanike,
duke hyrë nën flamurin grek dhe hapi një kapitull të ri. Por, pas paqes,
ndërrimet e dhimbshme të popullsisë myslimane dhe refugjatëve grekë e
transformuan qytetin.
Nga
komuniteti shqiptar-mysliman mbetën vetëm disa familje, një kujtim i largët.
Lufta e Dytë Botërore solli bombardime të tmerrshme dhe shkatërrimin e
bashkësisë hebraike nga nazistët. Megjithatë, në vitin 1970, me themelimin e
Universitetit të Janinës, qyteti rigjeti frymën e tij intelektuale, duke hapur
horizonte të reja.
Ishulli i Janinës
Në
bregun e liqenit Pamvotidh, ishulli i Janinës ngrihet si një margaritar, ku
historia dhe natyra vallëzojnë bashkë. Të magjepsur nga hijet e pemëve dhe
dritat që shndrisnin ujërat, u nisëm me një barkë drejt këtij vendi të lashtë,
ku misteri i Ali Pashës ende jetonte.
Nën
diellin e zjarrtë, liqeni na freskonte ndërsa përjetonim bukurinë e rrugicave
të ngushta dhe manastireve të lashta. Mes përjetimit të futbollit dhe gëzimit
për Shqipërinë, i ftohti i një bokalli me ujë e luleshtrydhe na rigjallëroi.
Ishulli,
me pyje të harlisura dhe brigje të buta, fshehte histori të rrëfyera nëpër muze
dhe rrugë, një vend që lidh kohërat e vjetra me të sotmen.
Ishulli
i Janinës, qershor 2024
Muzeu i Ali Pashës
Në zemrën e ishullit të Liqenit të Janinës, një kuptim
i thellë i historisë priste për të na zbuluar misteret e tij. Muzeu i Ali Pashë
Tepelenës, një dritare në të kaluarën e ndritshme të këtij regjioni, shfaqej me
elegancën e një ndërtese të vjetër manastiri, ku në të kaluarën kishte ndodhur
një ngjarje e madhe – vrasja e Pashait legjendar.
Ndërtesa, me formën e saj tradicionale popullore
janitase, ishte e mbushur me objekte të çmuara nga jeta e përditshme e kohëve
të hershme. Çdo send i ruajtur ishte një dëshmi e jetës dhe kulturës së atyre
ditëve, që tani ishin aty për të nderuar dhe rikujtuar vizitorët.
Një pamje e paharrueshme në muze ishte piktura e
dorëzimit të kokës së Ali Pashës te Sulltani, një skenë që kapte momentin
dramatik të fundësis së tij. Piktura të tjera gjithashtu tregonin pamje nga
jeta e tij si pasha, duke ofruar një pasqyrë të gjallë të historisë së tij të
lavdishme dhe të trishtuar. Një befasi e veçantë ishte dyshemeja, ku ishte e
mendohej se kishte kaluar plumbi vdekjeprurës – një përkujtim i tragjedisë së
përjetuar.
Sabile Keçmezi-Basha & Tefik Basha, Kalaja e Janinës, qershor 2024
Në këtë ishull të mbushur me histori, mund të gjeni
gjithashtu suvenire të ndryshme, nga libra dhe bizhuteri të bukura deri në
objekte të tjera interesante që mund të mbani si kujtime të paharrueshme. Një
udhëtim me varkë nga skela e qytetit ishte një përvojë që ia vlen të bëhet, për
të eksploruar këtë vend të mbushur me thesare të panumërta, ku çdo kënd dhe çdo
objekt rrëfen histori të pasura dhe emocionuese.
Kalaja e Janinës
Rrugëve
të Janinës ecnim, duke soditur me kureshtje të madhe gjurmët e së kaluarës që
ende mbeteshin të ruajtura në këtë qytet të bukur. Kalaja, si një kurorë e
historisë, qëndronte krenare në zemër të qytetit, duke i ofruar çdo cepi të saj
një pamje të mahnitshme që të bënte të ndiheshe i lidhur me madhështinë e
veprave njerëzore të së kaluarës. E ndërtuar gjatë epokës osmane, kjo kala ruante
në gjirin e saj edhe fragmente të tjera më të vjetra, bizantine, që e bëjnë atë
një dëshmi të gjallë të historisë.
Në
brendësi të kalasë, dy kalatë qëndrojnë në harmoni, si dy motra që ruajnë
sekretet e së kaluarës. Në akropolin verilindor, dikur pallatet e sundimtarëve
bizantinë, sot mbretëron Xhamia e Aslan Pashës, një dëshmi e viteve 1618.
Ndërsa në juglindje, Ich-Kale, kalaja e brendshme, mban në qendër Muzeun
Bizantin, ndërsa Xhamia Fethiye dhe varri i Ali Pashës i qëndrojnë pranë, si
roje të palodhura të historisë.
Rrugëve
të kalasë, mes shtëpive të vjetra të vendbanimit, gjenden Soufari Sarai,
shkolla e kalorësisë së Ali Pashës, biblioteka turke, sinagoga hebraike dhe
rrënojat e banjës bizantine. Edhe pse të rrënuara, ato qëndrojnë si kujtime të
një kohe të largët, një mozaik i pasur i kulturave që kanë kaluar këtu. Kulla e
Bohemundit dhe ajo e Thomait, të vendosura në hyrje të kalasë, janë dëshmitare
të epokës bizantine, duke ruajtur me krenari kujtimet e kohëve të shkuara.
Sot,
brenda mureve të kalasë, ende ka jetë; shtëpitë e vjetra janë të banuara dhe
banorët, me mirësjellje të natyrshme, na përshëndesnin duke kaluar rrugicave të
kalldrëmit. Ata ishin të mësuar me pranin e turistëve, të cilët ecnin në kahe
të ndryshme, të tërhequr nga bukuria dhe historia që kjo kala ofronte, si një
urë që lidh të shkuarën me të tashmen.
Muzeu Bizantin i Janinës
Pas
një udhëtimi të gjatë në ishullin e liqenit të Janinës, kur lodhja kalëronte në çdo hap dhe dielli ndriçonte çdo
skaj të peizazhit, qyteti i Janinës vazhdonte të fshihte thesare të tjera për
të zbuluar. Në distancë, kalaja e Ali Pashë Tepelenës ngrihej me krenari, dhe
në zemrën e saj, muza e historisë priste të na shpaloste sekretet e saja.
Muzeu
Bizantin, një gur i çmuar në këtë bastion të lashtë, shfaqej si një ndërtesë
mbretërore e integruar në brendësi të kalasë. Ndërtuar në vitet 1960 si një
pavijon mbretëror, ky muze magjepsës ishte hap për publikun në vitin 1995. Ai zinte
një vend të rëndësishëm në kalanë e Janinës, duke përfaqësuar një lidhje të
thellë me të kaluarën e lavdishme të qytetit.
Në
këtë tempull të kulturës dhe historisë, ne mund të admironim një koleksion të
mrekullueshëm që përfshinte skulptura të hershme të krishtera dhe bizantine, si
dhe argjendarinë e pasur që ndodhet në një ndërtesë të akropolit të shekullit
të 19-të. Më tej, koleksionet e gjetjeve nga Arta, qeramika e rafinuar, librat
dhe paleotipat, si dhe ikonat postbizantine ofronin një pasqyrë të gjerë të
artit dhe kulturës bizantine.
Koleksioni
i argjendarisë, me shkëlqimin e tij të ndritur dhe formave të shquara, ishte
një kujtim i jashtëzakonshëm i mjeshtërive të artizanëve të dikurshëm. Secila
pjesë e këtij muzeu është një fragment i rrëfimeve të lashta, një udhëtim nëpër
kohë që na lidh me një epokë të largët dhe të lavdishme.
Muzeu
Bizantin i Janinës është më shumë se një koleksion objektesh; është një
pasaportë në të kaluarën, një udhëtim në një botë të ndryshme ku historia dhe
arti bashkohen në një simfoni të jashtëzakonshme. Pas këtij udhëtimi, u kthyem
në qytet, ku kalaja e bardhë dhe xhamia madhështore mbetën kujtime të
paharrueshme.
Takimi me Gratë Shqiptare
Ndërsa shëtisnim rrugës “Ali Pash Tepelena” në Janinë,
zëri i gëzuar i disa grave shqiptare na tërhoqi vëmendjen nga larg. Shumë
shpejt, bisedat e tyre të ngrohta dhe qeshjet e këndshme na bënë të ndalim dhe
t’i vështronim. Ato kishin zënë një kënd të ngrohtë në anën e rrugës, ku mbi
një stol ishin vendosur disa libra dhe një pano e madhe e cila shpallte: “Të
mësojmë bashkë Biblën e Zotit.” Në atë moment, fjalët shqipe që shihnim ishin
si një përrallë e gjallë për ne.
Qyteti i Janinës. 2024
Ngadalë u afruam dhe i përshëndetëm ato, që na u
përgjigjën me ngrohtësi në shqip dhe greqisht. Gratë, të cilat ishin të
sjellshme dhe të hijshme, ishin befasi për ne. Pas një bisede të shkurtër, ku morëm
informacion të vlefshëm për aktivitetet e tyre, ato na
treguan se jetonin dhe punonin në Janinë, ku ishin bërë mikesha të ngushta në
mes veti. Ato na informuan se sot ishin në pushim dhe kishin dalë në rrugë për
të ndihmuar ata që ishin të interesuar për fenë dhe për të shpërndarë njohuri
të shenjta.
Pasi na treguan për jetën e tyre të përditshme, ku
punonin në disa punë për të mbajtur familjet e tyre, u ndjemë të afërta me to.
Ndërsa i pyesnim për profesionet e tyre, ato na përshkruan përkushtimin në punë
me një buzëqeshje dhe humor, duke na ndihmuar të kuptojmë se sa të përpikta dhe
të dedikuara ishin.
Pasi iu treguam se ishim kalimtarë dhe vetëm për vizitë
ishim në Janinë, Olimbia, më e moshuara, na pyeti nëse e kishim vizituar kalanë
e Ali Pashës. Kur i thamë se ajo ishte e mbyllur, Greta, e cila duket më e re
dhe më energjike, u ofrua të na udhëheqë. Me entuziazëm dhe dashuri për qytetin
e Janinës, ajo dhe Sabirja, si dy guida të pasionuara, na shpjeguan çdo
detaj të kalasë dhe na dhanë një pamje të thellë për historinë dhe legjendat e
saj.
Pjesë e këtij udhëtimi ishte dhe një zbulim tjetër:
Greta na tregoi për një tunel të fshehtë nën liqen, që Ali Pasha përdorte për
të kaluar në mënyrë të fshehtë. Ajo na informoi se burri i saj kishte guxuar të
hynte në të, por kishte ndaluar për shkak të frikës. E gjithë kjo na bëri të
ndiheshim si pjesë e një historie të madhe dhe të mistershme.
Kur doli ora 19 e mbrëmjes dhe filloi të errësohej, na
u desh të largohemi nga kalaja, por jo pa parë edhe një herë qytetin që
rrethohej nga një atmosferë e gjallë. Sabirja na tregoi për përvojat e saj,
punën e saj në komunën e Janinës dhe jetën e saj në këtë qytet, duke ndarë me
ne sfidat dhe sukseset.
Ndërsa qyteti vazhdonte të jetë i zhurmshëm dhe i
gjallë, grave iu ofruam të provonim akulloret që dukeshin të shijshme, dhe
megjithëse fillimisht ishin të ngurruara të pranonin, e më vonë e bënë me
kënaqësi në një vend të bukur. Kur u ndamë, na pyetën për hotelin tonë dhe
Greta qeshi kur mori vesh se kishim zgjedhur një nga hotelet më të mira të
qytetit.
Përpara se të ndaheshim, ato na treguan se tani, pas
dite do të shkonin në punën e tyre të dytë, por gjithmonë gjenin kohë për të
ndihmuar dhe për të shpërndarë njohuri në rrugë. Një detaj i veçantë ishte
rituali i cingërimës së telefonave në orën 21, që përfaqësonte thirrjen e
familjarëve për në shtëpi, një zakon që po përsëritnin çdo ditë.
Në këtë takim, ne u ndamë të mbushur me njohuri dhe
përvojë, duke ruajtur kujtime të bukura nga një grup i veçantë dhe të
paharrueshëm të grave shqiptare.
Greta
Të nesërmen, në mëngjesin e vonë, në restorantin e
hotelit “Grand Saraj” po shijonim mëngjesin, ndjeva dy duar të ngrohta që
mbyllën sytë e mi nga pas. Frika më kaploi për një çast, por mendova menjëherë
se Tefiku ishte aty dhe asgjë e keqe nuk mund të ndodhte. Një qeshje e gëzuar u
përhap pas meje dhe duart më përqafuan ngrohtësisht. Kur ktheva kokën, pashë
menjëherë Gretë-n, atë grua të njohur nga nata e kaluar. “Ooo Greta!” thirra e
habitur, “Si ke ardhur këtu?”
Ajo qeshi dhe na tregoi se punonte si kameriere në atë
restorant. “Mbrëmë nuk desha t’ju tregoj se punoja këtu, sepse doja t’ju bëja
një befasi,” tha ajo, duke buzëqeshur. “E shihni, ja pati sukses.” Me një
buzëqeshje të ngrohtë, ndihmoi që të zgjedhim më të mirën nga mëngjesi dhe na
tregoi se nuk ishte zakon të kishim mysafirë nga Kosova.
“Kam dëgjuar për Kosovën dhe për luftën e saj,” tha
Greta, “e di se ka pasur shumë dhimbje dhe krime, por besoj se Zoti do të
ndëshkojë ata që bënë keq.” Greta ishte një besimtare e përkushtuar dhe besonte
se një ditë drejtësia do të bëhet. Ajo na tregoi edhe historinë e emrit të saj
të bukur.
Megjithëse Greta kishte studiuar për mësuese
matematike, ajo kurrë nuk kishte ushtruar këtë profesion. Në vend të kësaj,
kishte punuar në shumë profesione të tjera. “Jemi të shtypur këtu,” tha ajo me
sy të mbushur me lot, duke na prekur thellë me historinë dhe fatin e saj.
Pasi mbaruam mëngjesin dhe u përshëndetëm me Gretën,
morëm rrugën për Pargë. Agoni kishte rezervuar një hotel për ne për katër ditë.
Rruga drejt Pargës, vetëm 98 kilometra larg Janinës, ishte e drejtë dhe
llogaritëm se mund të arrinim atje brenda një ore.
(vijon)