Kulturë
Albert Zholi: Luftar Paja - Emrin e kam Luftar, por nuk kam marrë pjesë në asnjë luftë
E merkure, 26.02.2025, 06:48 PM
Flet "Artisti i Popullit" Luftar Paja: Edhe unë kur e kujtoj "Po ai që e vodhi nuk kishte faj?" qesh me vete
-
Në demokraci populli ynë trim dhe liridashës rri dhe pa bukë, por jo pa
politikë
-
Emrin e kam Luftar, por nuk kam marrë pjesë në asnjë luftë
Nga
Albert Z. ZHOLI
Sa herë ulem me aktorin e madh të humorit patjetër do të zbuloj
diçka të re. Ai është si një minier ari pasi ka njohje të shumta, me
intelektualë, aktorë, regjisorë, shoferë, kamerierë, njerëz të thjeshtë, por
edhe të ndërlikuar. Kjo është merita e tij që e gjen gjuhën me të gjithë. Në
bisedat me të për disa çaste i harron hallet. Bota e tijë emocionale është kaq
e gjerë dhe interesante, sa kushdo në raportin aktor-spektator e kupton se nga
çdo karakter i tij buron humor, ngrohtësi e mirësi. Për mua dhe shumë të tjerë
"Çobo Rrapushi me shokë", dhe "Po hajduti nuk ka faj", janë
dy nga rolet që ndoshta i kanë sjellë lavdinë e përjetshme dhe ngacimet e tërë
hapësirës mbarëshqiptare. Këto dy personazhe të veçuara (ndoshta nuk është
vetëm mendimi im) janë tipa kaq karekteristik (të marrë nga masa e gjerë), saqë
duket se, ato personazhe dha ato portrete, kanë lindur enkas për të, apo
ndoshta këto tipa nuk erdhën rastësisht dhe u ndalën tek ai. Ja si shprehet ai
për Telegraf.al....
- Ka kohë që Luftari është
shmangur tërësisht nga politika, por e ndjek politikën. Por shihet se sot
politikanët janë pjesë e humorit. Pra shihet një tendecë sot në disa krijues të
humorit për të futur gjerësisht humorin politik ?
- Ky lloj humori është bërë
pjesë e jetës sonë pasi shumë politikanë e kanë bërë veten për humor. Eshtë një
risi në humorin e sotëm për vetë faktin se, në monizëm thuajse nuk ekzistonte
një humor i tillë. Ishte e pamundur të talleshe me një antar të Byrosë
Politike. Ndërsa sot, rrugët janë të hapura për këtë humor. Bile, duke pasur
parasysh se populli ynë trim dhe liridashës rri dhe pa bukë, por jo pa
politikë, ky humor gjen shumë terren. Ka shumë humor me politikanët e sotëm.
Ata vetë dashje pa dashje të japin material të bollshëm. Por edhe në këtë rast,
tejkalohet masa. Kalon masa, prishet cilësia. Raportet janë të domosdoshme në
humorin kërkues. E them kërkues, pasi e kërkuara ka jetgjatësi. E konsumuara
"vdes" pas minutës që interpretohet. Rendja shpesh herë pas gjestikulacioneve
të sforcuara, i heq personazhit kostmumin e bukur të fjalës, interpretimit. Ky
kostum do të thosha është magjik. Magjia e fjalës është e pazvëndësueshme në
një skeç. Sado të jesh një aktor i madh me një plastikë mahnitëse, pa fjalën e
bukur, të ndërtuar në funksion të plastikës, skeçi apo humori do të ishte
artificial, i sforcuar, duke ju shmangur lidhjes organike, plastik- ndërtim
lënde.
-Të flasim tani për dy rolet që për mua përbëjnë majën e aktrimit
tek ju. "Po ai që e vodhi nuk kishte faj?" dëgjohet të transmetohet
si pyetje tek Luftari sa herë ai del xhiro rrugëve të Tiranës. Ku është magjia
e kësaj shprerjeje të goditur ?
- E vërtetë! Me këtë shprehje
më ka gjetur beleja. Aq sa dhe vetë kur e mendoj qesh. Ndonjë thotë iku dhe
Luftari, ka filluar të qesh me vete. Se në këtë botë, tani të gjithë flasin me
vete. Kush më pak dhe kush më shumë. Por kur qesh me vete, ndryshe se kur flet,
ka diçka akoma më të veçantë. Sepse, sot vjedhja është kthyer në një ves masiv
të dembelëve dhe parazitëve. Dhe ti vësh faj në një shoqëri demokratike,
pronarit dhe jo hajdutit, është diçka paradoksale. Fabula e humorit është e
gjetur, e spikatur në ëmbëlsinë e të thënit bukur dhe me humor. Humori i bazuar
tek fjala e gjetur, e bukur, tek fjala inteligjente, është humori më perfekt,
më i latuar, më i saktë që të lë mbresë. Ndryshon tejet nga humori i bazuar në
fjalën e keqtrajtuar apo zhargonet. Ndoshta, kjo është arsyeja që kjo batutë
është bërë kaq popullore. Hallet, problemet, shqetësimet gjejnë fjalë të rralla
dhe ngjizin karaktere të spikatur.
- Flitet shumë për humorin sot madje thuhet se nuk ka humor të
bukur, elegant, real. Me sa më lart mos vallë mund të themi se sot humori është
në krizë?
- Jo se është në krizë tamam,
tamam. Por nuk është në vendin që i takon. Humori është një nga gjinitë më të
vështira të krijimtarisë. Humori do studim, hulmutim, përqasje nga krijuesit.
Janë shumë arsye që deri diku e kanë çuar në një farë krize humorin. Mos pasja
e një tregu konkurues, investimet e pakta në këtë lloj tregu krijimtarie,
veprimtari të shkëputura, krijimtari pa kritikë, institucione të specializuar
thuajse inegzistente, krijimi i rretheve vicioze në mes aktorëve etj. Sot me sa
shoh unë, në drejtim të humorit rendet pas sasisë, se sa pas cilësisë. Ndoshta
ekonomia e tregut nuk ka arritur në atë stad që të gjehet e duhura por e lira,
e lehta, konsumueshmja. Si puna fruta perimeve në tregun fshatar, të gjithë
rendin tek më e lira tek më e konsumushmja, ku gjurma është e papërfillshme.
Koha do ta çoj në vendin e duhur humorin. Humori është bukuria dhe jetgjatësia
për njerëzit. Nuk duhet t'ja heqim këtë funksion dhe rol që e ka fituar në
shekuj. Edhe humori në një sistem demokratik duhet t'i përshatatet rregullave
të ekonomisë së tregut "Nuk jam i pasur që të blej lirë".
- Humori më i mirë, si njeri i thjeshtë në ç'moment është për
Luftarin ?
- Ndoshta nuk do ta besosh as
ti, por as lexuesi. Ndoshta është një tek e karakterit tim, apo ndoshta një
dhunti e veçantë që zoti e ka futur pa dashje tek unë. Por për të shuar
kureshtjen, e them me plot gojën dhe buzën në gaz se, kur jam i mërzitur kam më
shumë humor.
-Ju bëni të tjerët të qeshni. Po ndonjë ngjarje që ndoshta ke
hasur që të ka bërë natyrshëm të qeshin të tjerët, por edhe vetë?
-Një ditë komshia më bëri të
qesh me vete, por edhe komshijve të tjerë që ishin prezent në oborr. Komshia
m'u drejtua: "Këtu në pallat mua nuk ma var njeri, se jam grua pa
burrë". Unë i thashë do vetë të rrish beqare apo pallati ?
Ajo ngriti supet, ndërsa unë duke vazhduar përgjigjen i them? "Vëri një
gur zemrës dhe martohu, që dhe komshijtë të ta varin. Jo gabim, të të
respektojnë".
- Kush është në qendër të kritikës në humorin tuaj?
- Veset. Ato më të këqijat,
që mundohen të përhapen si murataja në shoqërinë e sotme. Ato vese që të mbysin
Në radhë të parë, të gjithë ato karaktere njerëzore që janë me këmbët në ajër.
Pastaj më pëlqen t'ju heq nga një kamzhik hajdutëve, kriminelëve, politkanëve
gënjeshtarë, femrave lakuriqe, tregëtarëve hileqarë... edhe atyre që vjedhin
...lopët e fukarenjëve.
- Ç'urreni më tepër në jetë?
- Ata që qeshin kur është për
të qarë dhe e kundërta.
- A jeni i kënaqur nga jeta?
- Jeta është e bukur. Ajo
është me ngjyrat e ylberit dhe ne duhet ti shohim këto ngjyra. Nuk jam dakort
me ata që e shohin jetën bardhë e zi. Apo vetëm me syze të errëta. Ngjyrat e
Ylberit në jetë janë famlja, nipërit dhe mbesat.
- Flitet shumë për emrin tuaj...Luftar Paja emër interesant, shumë
pa i përhapur në Shqipëri, ç'mendim keni për veten tuaj ?
- (Qesh). Pak veta e kanë.
Shumë më thonë Luftëtar! Emrin e kam Luftar, por nuk kam marrë pjesë në asnjë
luftë. Luftrat nuk i kam qejf. Dua paqe, gaz dhe mirëqënie për të gjithë.
Luftoj më shumë për të sjellë në humor të tjerët dhe t'u heq nga mendja luftën
dhe krismat. Se ne shqiptarët në ç'do kohë, pa pak kallash dhe barot nuk rrimë
dot. Na ngjiten vetë pas gishtit. Jo se i kërkojmë. Ata janë në faj, jo ne. Pra
Kallashi dhe baroti që janë dashuruar me ne dhe jo ne me ata. Pra me shumë
fjalë dhe pak peshë, Luftar Paja në jetë është Paqësor Paja. Në skenë Luftar
Paja. Aty jam në luftë me vetveten. Për të arritur më të mirën. Prefeksionin.
Aty luftoj deri në fishekun e fundit.