E merkure, 26.02.2025, 06:19 AM (GMT)

Intervista » Marku

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me studiuesin çam, Fahri Dahri - Për Çamërinë

E marte, 25.02.2025, 06:00 PM


INTERVISTË ME STUDIUESIN ÇAM, FAHRI DAHRI

PËR ÇAMËRINË

EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU

Fahri Dahri ka lindur më 18 dhjetor 1937 në Risian (Rrëzanj), në rrethin e Gumenicës, në Çamëri. Në vitin 1944, ai dhe familja e tij, bashkë me të gjithë çamët myslimanë të Thesprotisë, u dëbuan dhunshëm nga vendlindja për shkak të etnisë, besimit fetar, gjuhës dhe traditave, nën kërcënimin e politikës raciste etno-fetare të shtetit grek, duke pasuar strategjinë e famshme të "Megali Idea" (Ideja e Madhe) për popujt e gadishullit të Ballkanit.

Fahriu e mbaroi shkollën fillore në Qerret të Durrësit dhe shkollën shtatëvjeçare në Rrogozhinë. Vazhdoi arsimin e mesëm në Tiranë dhe në vitin 1964 mbaroi Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Gjatë karrierës, ka punuar në Ndermarrjen Industriale Shtetërore të Vaj-sapunit në Rrogozhinë, në Stacionin e Makinerive dhe Traktorëve në Peqin, në Ndërmarrjen Bujqësore të Belshit dhe Elbasanit, si dhe në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, ku ka mbajtur pozita të ndryshme, përfshirë kryespecialist, drejtor drejtorie dhe drejtor i përgjithshëm i ekonomisë, financave dhe kontrollit të revizionit.

Në periudhën aktive të punës, Fahriu ka investuar në rritjen e kualifikimit të tij profesional dhe akademik. Ka dhënë provime pasuniversitare dhe ka ndjekur trajnime ndërkombëtare në menaxhim në SHBA, Holandë, Itali, Çeki, Danimarkë dhe Rumani. Po ashtu, është trajnuar brenda vendit nga USAID/SARA. Ka shërbyer si kryetar i Komisionit të Provimeve Shtetërore në Universitetin Bujqësor Kamëz nga viti 1980 deri në 1989 dhe ka qenë pedagog i jashtëm. Për punën e tij të dalluar, është dekoruar me "Urdhrin e Punës, Klasa e III", nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pas daljes në pension, Fahriu ndoqi kurse për Ekspert Kontabël të Autorizuar dhe fitoi licencën "Audit", profesion që e ushtroi deri në prillin e vitit 2009. Ka audituar firma piramidale dhe ka ushtruar kontroll në Kontrollin e Lartë të Shtetit, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në periudhën para vitit 1990, ai ka botuar shkrime mbi ecurinë ekonomiko-financiare të sektorit të bujqësisë, duke kontribuar në revistat "Bujqësia Socialiste" dhe "Panorama". Gjatë tranzicionit, ka kontribuar në hartimin e ligjeve dhe rregulloreve që i përgjigjeshin kushteve të krijuara nga ndryshimi i sistemit ekonomiko-shoqëror, dhe ka botuar shkrime që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit.

Një pjesë e rëndësishme e botimeve të tij përfshijnë qëndrimet kritike ndaj korrupsionit, imoralitetit politik, ekonomik, social dhe nepotizmit, që kanë ndikuar negativisht në shoqërinë shqiptare gjatë gjithë tranzicionit. Ai ka analizuar ndikimin e uzurpimit të institucioneve shtetërore dhe ka vënë në dukje dështimet e individëve të paaftë dhe karieristë që morën pozita kyçe pas rënies së regjimit komunist.

Gjatë studimeve për historinë e rajonit të Thesprotisë/Çamerisë, Fahriu ka arritur përfundime të rëndësishme mbi faktorët e jashtëm që kanë ndikuar në fatin e banorëve të kësaj krahine, duke përfshirë periudhën e ndarjes së Ilirisë nga romakët, shpërnguljet gjatë mesjetës nga Bizanti dhe Otomanët, dhe pasojat e ndarjes territoriale nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913. Pas vitit 2003, ai ka zhvilluar dhe shtjelluar këto çështje në disa botime.

Fahriu ka marrë pjesë në disa konferenca ndërkombëtare dhe ka botuar shkrime në gazeta dhe portale të njohura.

Është anëtar i Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë.

Gjatë 25 viteve të fundit, ai ka kushtuar kohën e tij studimeve dhe hulumtimeve mbi rajonin e Thesprotisë/Çamerisë, duke realizuar me sukses botimin e 12 librave, kryesisht mbi "Problemet e Çamërisë" dhe historinë e banorëve të saj. Në librat e tij, ai ka dokumentuar marrëveshjet bashkëpunuese gjermano-zerviste kundër partizanëve grekë dhe popullsisë çame, duke përgënjeshtruar akuzat e shtetit grek për bashkëpunim me okupatorin.

Librat e tij të botuara përfshijnë: "Vatani Flet", "Arbëria dhe Thesproti", "Princesha e Ballkanit", "Amaneti Çam", "Të Njohim Vetveten", "Të Vërtetat që Duhet Të Njohim për Çamërinë", "Njohuri Historike për Thesproti/Çamërinë", "Në Rrjedhat e Kohës", "Realitete që Mundësojnë Akuzat Greke", "Dhimbja dhe Moshkalli i Çamërisë", dhe "Enigma e Çamërisë". Po ashtu, është bashkëautor i tre teksteve mësimore për "Kontabilitetin e (NB-ve) Ndërmarrjeve Bujqësore" dhe "Analizën Ekonomiko-Financiare të NB-ve", si dhe "Plani Kontabël i SMT-ve".

Fahriu është pensionuar në qershor të vitit 1997 dhe vazhdon të jetë në këtë status edhe sot.

Në këtë intervistë për Zemra Shqiptare me studiuesin e lindur në Çamëri, z. Fahri Dahri, do të diskutojmë mbi një periudhë historike tejet të rëndësishme: sulmin e përgjithshëm ndaj Çamërisë dhe gjenocidin grek ndaj një populli të pafajshëm dhe të pambrojtur.

Gjatë bisedës do të kemi mundësinë të mësojmë më shumë për Çamërinë nga një person që e ka përjetuar jo vetëm tragjedinë çame, por edhe atë familjare.

Kjo është shtëpia ku Fahri Dahri ka lindur 88 vjet më parë, në dhjetor të vitit 1937

GM: Çfarë mund të na thoni për vendlindjen tuaj? Si e mbani mend Çamërinë e asaj kohe?

FD: Çamëria!

a) Po e filloj me një thënie të marrë nga Unaza e Mbretit të Epirit- Pirros): "Është më i nderuari ndër të nderuarit ai që goditet prej fatit, pa pasur faj, dhe është më i poshtri ndër të poshtër ai që përkëdhelet nga fati pa e merituar".

***

Thesprotia/Çamëria nga viti 1913 ndodhet brenda kufijve të shtetit të Greqisë. Shtrihet në koordinatat: 39°35'N 20°20?L. Kryeqëndra është Gumenica. Çamëria, që ndodhet brenda kufirit të Greqisë, përbëhet nga tri prefektura: Prefektura e Thesprotisë me sipërfaqe 1,515 km/2; prefektura e Prevezës me sipërfaqe 1,O36 km/2, prefektura e Artës me sipërfaqe 1,662 km/2. Të tria prefekturat kanë një sipërfaqe prej 4,213 km/2. Ndërsa Epiri ka një sipërfaqe prej 9,203 km/2.

Thesprotia e lashtë në epokën e bronzit të vonë ishte pjesë e rajonit para-grek. Atje gjenden toponime të shpeshta dhe të shumta arkaike. Në antikitet, territori i Thesprotisë ishte i banuar nga fisi i lashtë i thesprotëve. Kufizohej me rajonet fqinje të fisit të mollosëve në lindje dhe të fisit të kaonëve në veri. Thesprotia përmendet në Ciklin Epik si një vend ku Odiseu lundroi dhe u martua me mbretëreshën vendase Callidice. Thesprotia u bë pjesë e Lidhjes Epirote përpara se të aneksohej nga Roma. Me pushtimin romak u bë pjesë e provincës romake të Epirit. Me ndarjen e Perandorisë Romake në Lindje dhe Perëndim, në vitin 1054,Thesprotia u be pjesë e Perandorisë Romake Lindore (Bizantine) deri në Mesjetën e vonë. Brenda asaj periudhe, ndodhi edhe sundimi bullgar në shekujt IX-XI. Ndërsa në vitin 1430 rajoni ra në duart e osmanëve. Nga shekulli VIII-IX deri në shekullin e XV-të, rajoni quhej Vagenetia, një emër që rrjedh nga fisi sllav i Baiounitai, që u shfaqen në fillim të shekullit të VII-të gjatë pushtimeve sllave në Ballkan, (kurse vendasit e quanin Dagavi). Në periudhën osmane, njihej si Çamëria dhe në vitin 1910 pjesa më e madhe e territorit të prefekturës së sotme të Thesprotisë njihej si Sanxhakaku i Reshadijes. Thesprotia mbeti nën sundimin osman deri në vitin 1913, kur iu dorëzua Greqisë pas disfatës së perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Me kalimin e saj si pjesë e Greqisë, provinca e Margëllëçit u bë pjesë e prefekturës së Prevezës; ndërsa krahinat e Paramëthisë dhe e Filiatit i kaluan prefekturës së Janinës. Sipas disa të dhënave, zona territoriale mbi lumin Acheron, në komunikimin zyrtar të qeverisë greke, deri në vitin 1937, referohej me emërtimin Çamëria. Mbas vitit 1937 u krijua prefektura e veçantë e Thesprotisë, emër që ka edhe sot. Në vitin 1923, sipas marëveshjes greko-turke, për këmbimin e popullsive sipas kriterit fetar, u dëbuan nga Çamëria 35,000 banorë autoktonë të besimit mysliman, të cilët u trajtuan si të kombësisë turke. Ndërsa nga fundi i L2B, banorët e mbetur myslimanë të Çamërisë së sipërme, u përballën me egërsinë kafshërore të gjeneralit grek Napoleon Zerva, i cili kreu masakra ç'njerëzore ndaj popullsisë autoktone. Vrau, theri, dogji në furrat e zjarrta fëmijë, gra, pleq, dhunoi e përdhunoi në masë banorët e zonës deri në dëbimin masiv, duke i ndjekur për vrasje gjatë ikjes drejt kufirit të Qafë-Botës. Veprime që sipas përcaktimit ndërkombëtar përmbushin kriteret e gjenocidit. Mbi bazën e të cilit Presidenti i Republikës së Shqipërisë në dekretin nr.7835, date 26.06.1994, vendosi: "Dekretoj shpalljen e 27 qershorit në kalendarin kombëtar, dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek dhe ngritjen e një memoriali në Konispol!".

a) Straboni e vendos territorin e Thesprotisë, në bregdetin e Epirit jugperëndimor. Thesprotia shtrihej midis Gjirit Ambrakisë në jug deri në lumin Thyamis (Kalama i sotëm) në veri; midis maleve të Pindit dhe në perëndim detit Jon. Ka mendime të ndryshme për emrin e Thesprotisë, por sipas një legjende, popullsia e mori emrin nga udhëheqësi pellazg dhe guvernatori i parë Thesprotisë, i cili ndërtoi qytetin Cichyrus (Cichorus), i cili më vonë u quajt Ephyra, kryeqyteti i Thesprotisë. Qytete të tjera të rëndësishme të Thesprotisë ishin  Pandosia, Titani, Cheimerium, Toryne, Phanote, Cassope,  Photice, Boucheta, Batiai dhe një qytet të quajtur Thesprotia që ndante të njëjtin emër me vetë fisin. Cichyrus i quajtur më parë Ephyra ishte kryeqyteti i Thesprotisë së lashtë, sipas mitit të ndërtuar nga udhëheqësi arkadian Thesprotos. Tukididi e përshkruan atë si të vendosur në rrethin Elaeatis në Thesproti, larg nga deti. Në vendin e tij ndodhet Necromanteion i famshëm (Necromanteion, "Oracle of the Dead"). I vendosur për herë të parë gjatë epokës së bronzit dhe i rivendosur në shekullin e 14 para Krishtit nga kolonistët me siguri nga Chaonia dhe rajoni perëndimor i Peloponezit, qyteti është rreth 800 m në veri të kryqëzimit të lumit Kokytos me Acheron dhe rreth 4.5 km në lindje të gjirit të fshatit Ammoudia. Pranë tij ishte dalja në detin e liqenit Akerusian. Straboni jep të njëjtin informacion dhe shton se në kohën e tij Efira quhej Kichyros. Emri ishte ndryshuar nga Ephyra në emrin më të lashtë rreth 200 vjet më parë. Epiri shtrihej nga gjiri i Aulonës (Vlorës) dhe malet Acroceraunian në veri deri në rrjedhën e poshtme të lumit Acheloos në jug dhe përfshinte ishujt veriorë të Jonit të Korfuzit, Lefkadës, Itakës, Cefalonisë dhe Zakinthos. Në shekull e IV p. erës së re Hesiodi e quan lisin e orakullit si "vendin ku rrinin pellazgët" dhe Efori bashkëkohës i Herodotit, në shekullin V p.e.s. na thotë se orakulli i Dodonës ishte themeluar nga pellazgët". Thesprotët ishin një fis i lashtë, i ngjashëm me mollosët, që banonin në mbretërinë e Thesprotisë në Epir. Së bashku me molosët dhe kaonët, ata formuan fiset kryesore që banonin në hapësirën territoriale në veriperëndim të Greqisë. Çamëria para shekullit 14 njihej me emrin Thesproti. Në territorin e Çamërisë ka mjaft objekte mitologjike të cilat vijnë nga lashtësi historike, një pjesë e mirë e tyre lexohen në veprat e Homerit si në Iliada, Odisea, etj. Kështu përmendim Dodonën, Hadhesin, lumin Aheron, plakun Keron, qenin me tre koka, etj. Le të përmendim dhe një legjendë që sipas Telegonisë (Cikli Epik) thuhet: Odiseu erdhi në tokën e Thesprotisë ku qëndroi për disa vite. Ai u martua me mbretëreshën thesprote, Calidikën dhe pati një djalë me të, të quajtur Polypoetes. Odiseu udhëhoqi thesprotët në luftën kundër një fisi të quajtur Brygoit (Brygëve), por e humbi betejën pasi Perëndia Ares ishte në anën e Brygoit, ndërsa Perëndesha Athena shkoi për të mbështetur Odiseun, duke përfshirë perëndinë e luftës në një tjetër konfrontim derisa Apolloni i ndau. Kur Callidice vdiq, Odiseu u kthye në shtëpi në ishullin e Itakës, duke lënë djalin e tyre, Polypoetes, të sundonte Thesprotinë.

b) Si e mbani mend Çamërin e asaj kohe?

Thesprotia  siç u tha, është vazhdim i kufirit jugor të Shqipërisë, kufizohet me me njësinë rajonale të Janinës në lindje dhe me Prevezën në jug. Deti Jon shtrihet në perëndim. Çamërisa ka male, kodra të buta, lugina dhe fudsha. Ka liqej, këneta, moçale. Tokat bujqësore ndodhen në luginat në pjesën qendrore, jugore dhe perëndimore. Dy nga lumenjtë e Thesprotisë janë legjendarë, lumi  Acheron dhe Thyamis (sot lumi Kalama) të mitologjisë, të veshur me kallamishte dhe rrape. Klima bregdetare e Thesprotisë është mesdhetare. Dimrat janë të ftohtë. Është klime gjysmë alpine që dominon në pjesën lindore dhe në lartësi të larta. Fushat të përmendura janë në Filipiadhë, në Frarit, hapësira Prevezë-Margllëç, luginat anës lumrnjëve, në Sajadhës, etj.

Prindërit e Fahriut

GM: Mund të na flisni për familjen tuaj në kohën e dëbimit/shpërnguljes nga Çamëria? Kush ishin anëtarët e saj?

FD: Familja ime kishte trashëgimi intelektuale prej 7 brezash. Gjyshi im, Nuhu, ishte shkolluar në Stamboll për histori-gjeografi. Me mbarimin e arsimit përkatës, u caktua mësues në Dhragumi (në atë kohë Dhragumia kishte rreth 250 shtëpi me banorë çamë autoktonë). Në vitet 1885-1886 ushtroi mësuesinë në fshatin Kuç të Vlorës (edhe ky fshat ishte me mbi 200 shtëpi). Po kështu vazhdoi dhe babai. Familja ime banonte në një fshat, në rrethin e Gumenicës. Kishte toka, mëraj (kullota) që ndodhej sipër fshatit në malin e Dulgës, bagëti, lopë dhe dy kuaj. Tokat punoheshin nga argatë, po kështu dhe bagëtitë, kundrejt  pagesës në natyrë,  (mall me mall).  Këmbimi bëhej me vaj, misër, grurë dhe ullinj), siç veprohej nga të gjithë në fshat. Nëna dhe gjyshja (nga babai) bënin punët e shtëpisë. Ato, sipas stinave mbillnin qepë, hudhra, bizele, bathë, spinaq etj. në kopshtin rreth e rrotull shtëpisë. Kopshtet në atë fshat ndaheshin me taraca. Mbushnin ujë në lumë, atje lanin edhe rrobat. Përgjithësisht gratë nuk shkonin të punonin në ara. Kryenin vizita miqësore brenda fshatit. Vajtjet dhe ardhjet ishin të zakonshme. Në kohën kur u larguam nga shtëpia dhe vatani, familja përbëhej nga 9 veta, babai, gjyshja, nëna, 4 motra, unë dhe vëllai më i madh. Gjatë udhëtimit, me shumë vuajtje, lodhje, të pa ngrënë, me frikë, mbas 20 ditëve arritëm në Sajadhë, në afërsi të kufirit shqiptar. Me kalimin e kufit, nga vështirësitë e shumta vdiq motra e vogël 11 muajshe, xhaxhai i babait rreth 70 vjeç. Mes vështirësive të shumëllojtja familja ime arriti në Durrës me 5/O1/1945.

GM: Si e kujtoni fëmijërinë tuaj në Çamëri? A keni kujtime të veçanta nga ato kohë që ju kanë mbetur të freskëta në mendje, qofshin ato momente të gëzueshme apo të vështira?

FD: Siç përmenda më sipër, në kohën e largimit nga fshati isha 6 vjeç e 7 muajsh. Shtëpia jonë ishte 2 kate. Në katin e parë mbaheshin zairetë e dimrit. Vargje misri, kasa me vaj ulliri, fiq të thatë (çapella), bukë fike (manure), voza (talëra) me ulli për ngrënie, hambar me grurë, etj. Në katin e dytë ishin dhomat e fjetjes. Njëra nga dhomat ishte guzhina (magjaria) ku rrinim të gjithë zakonisht kur mblidheshim në darkë. Në guzhinë ishte vatra dhe oxhaku. Brenda dhomës së guzhinës kishim edhe furrën, ku gatuhej buka, gjellët me tava si byrekë, qumështorë, etj. Përjashta shtëpisë ishte oborri i shtruar me rrasa guri, ishin tre pemë ulliri, njëri ishte mbi 400 vjeçar. Në fund të oborrit ishte magaza (streha e kuajve), brenda vendosej kashtë, ushqim për kafshët,  tërshërë, vendi ku pinin ujë. Në kopësht mbilleshin zarzavatet e stinëve. Fshati ishte në rrëzë të malit, nevojat për ujë plotësoheshin vetëm nga mbushja e enëve në lumë. Shtëpitë përgjithësisht ishin me avlli, mure me gurë. Nuk mbaj mënd rastet e vdekjeve dhe as varrezat e fshatit, sepse në raste të tilla i largonin fëmijët. Për dasma burrat mblidheshin përpara shtëpive në oborre. atje hidhnin valle dhe shtrohej për të ngrënë, ndërsa gratë rrinin brenda shtëpive, vallzonin dhe ushqeheshin. Më kujtohet kur flisnin në shtëpi se dasmë të madhe bëri filani, shtroi 25 lloje ushqimi. Në dasmat çame, nuk përdoreshin pije alkoolike, ky rregull ishte rrjedhojë e mos lejimit nga feja. Lojrat e fëmijëve ishin lobetë, vuva (një copë petë druje, lidhej me spango dhe vërtitej në ajër. Ajo bënte zhurmë- vuvuvu), kala dibrançe, kukamsheft, rrëvizga me petka, etj.

GM: Çfarë mjetesh kryesore përdorte komuniteti çam për të mbijetuar dhe zhvilluar jetesën e tij gjatë periudhave historike të ndryshme? Mund të na përshkruani disa nga aktivitetet, burimet dhe mjetet më të rëndësishme që ata përdornin për të siguruar ushqim, strehim dhe mirëqenie?

FD: Për rajonin e Çamërisë aktivitetet kryesore ekonomike ishin bujqësia, blegtoria, frutikultura dhe peshkimi që nga lashtësia. Peshë të rëndësishme zinte edhe prodhimi cilësor i kripës e cila tregtohej në Korfuz, Itali dhe deri në Azinë e Vogël. Vaji i ullirit kishte kërkesa të mëdha për cilësinë e lartë. Në qytete zhvillohej zejtaria, artizanati. Ndërsa në ditët e sotme vënd të rëndësishëm zë edhe turizmi që kushtëzohet nga vetë pozicioni gjeografik ku ka një bregdet mjaft të përshtashëm. Në kohët e sotme ka marrë zhvillim më të madh tregëtia me ndërtimin e autostradës Gumenicë-Selanik. Atraksionet kryesore turistike të rajonit janë plazhet e tij të shumta, veçanërisht plazhi i Volës (sot Sivota), Parga, Drepano (Gumenicë), Amoudia (Spllanca), gjatë bregdetit Prevezë-Pargë, si dhe ishujt në detin Jon, etj.  Interes të veçantë nga turistët janë mbetjet e qyteteve antike si Gitani, Dodona, Nikopoli, dhe kalatë e shumta të Mesjetës së hershme. Në vitin 1996 filloi ndërtimi i autostradës A2 dhe përfundoi në vitin 2009. Kjo rrugë u emërtua Rruga Egnatia e cila lidh bregdetin Jon në Gumenicë me Selanikun. Rrugë të tjera të rëndësishme në Thesproti përfshijnë Rrugën Kombëtare Gumenicë - Janinë - Larisa; Rruga Filiat - Paramëthi; Filat-Gumenicë - Margëlliç -Pargë- Prevezë - Artë dhe rruga Artë - Filipiadhë- Janinë. Në vitin 2009 filloi ndërtimi i autostradës së re që lidh Gumenicën me Sarandën, duke kaluar nga Sajadha në Qafë Botë, ku është pika kufitare me Republikën e Shqipërisë.

GM: A kishin shqiptarët e Çamerisë mundësi për shkollim në gjuhën shqipe para dëbimit?

FD: Kombi shqiptar, ishte fatkeq në fushën e arsimimit. Dihen masat e ashpra të shteteve fqinje dhe perandoritë e kohëve, që njëra pas tjetrës të folurit dhe të shkruarit në gjuhën shqipe ishin rreptësisht të ndaluara deri në vitin 1912. Mbas  pavarësisë së Shqipërisë çështja e arsimimit për shtetin shqiptar i shpëtoi censurës. Ndërsa rajoni i Çamërisë, i cili i kaloi padrejtësisht shtetit grek mbeti nën censurë të egër. Nga fundi i shekullit XIX-të dhe në fillimet e shekullit XX-të, shqiptarët e Çamërisë përpiqeshin të hapnin shkolla shqipe si një mënyrë për të ruajtur dhe përforcuar identitetin etnik të tyre. Çdo përpjekje që ndërmerrej përballej me qendrime të dhunshme dhe censurë të rreptë nga autoritetet greke. Shteti Grek, që nga aneksimi i rajonit ndoqi një politikë asimilimi dhe përjashtimi të elementëve shqiptarë nga sistemi arsimor zyrtar. Në Çamëri nuk lejoheshin shkollat shqipe, as librat dhe as të flitej në institucionet shtetërore gjuha shqipe. Kjo ndalesë vazhdoi derisa u bë masakra dhe gjenocidi grek ndaj çamëve në vitet 1944-1945. Në fshatin tona në vitet e fundit para dëbimit të dhunshëm dhe masiv të popullsisë vendase, u ndërtua një shkollë ku fëmijët mësonin vetëm në gjuhën greke. Në atë shkollë shkuan dhe dy motrat e mia (ishin më rritura nga vëllai dhe unë). Fëmijëve të çamëve mësuesit i këshillonin që "kur të shkonin për të fjetur, para se ti zinte gjumi të mbulonin kokën me jorgan dhe fshehurazi nga prindët të bënin kryqin". Veç kësaj qeveria greke filloi të realizonte një plan ku të rinjtë dhe të rejat e Çamërisë t’i përfshinte në organizatën e quajtur "NEOLE" (Rinia). Ish kryeministri grek, Joannis Metaxas kishte si qëllim që nëpërmjet kësaj organizate t'i kthente të rinjtë dhe të rejat çame në nacionalistë dhe si mbështetës të regjimit. Kjo organizatë kishte synim që të rinjtë  grekë dhe çamë të njiheshin me njëri-tjetrin, me piknike si dhe udhëtime të përbashkëta në shtete të tjera si në Itali. Kjo ngjalli indinjatë dhe revoltë tek të gjithë banorët. Ky "kurth" dështoi, në atë organizatë nuk shkoi asnjë nga të rejat dhe të rinjtë çamë. Banorët e rajonit etnik shqiptar të Çamërisë nuk dinin shkrim e këndim shqip, nuk u lejoheshin librat në gjuhën shqipe, nëse ndokush kapej me libra shqip dënohej. Disa prej intelektualëve çamë, në mënyrë tepër të fshehtë dhe shumë të kujdesëshme shkonin në Konispol me njerëz të njohur porosisnin në postë libra dhe mbas një muaji shkonin dhe i merrnin.

GM: Ju jeni përjetues i drejtpërdrejtë i tragjedisë çame, megjithëse në kohën e dëbimit ishit ende fëmijë. Rrëfimi juaj mund të mbështetet edhe në kujtimet e prindërve apo të afërmve tuaj. Kur filluat t'i vini re ndryshimet politike apo tensionet në Çamëri?

FD: Shqiptarët në Çamëri ishin minoriteti i shtypur, i grabitur nga vetë shteti i tyre, i pa përfaqësuar edhe pse kishin dhënë kontribut në themelimin e shtetit Grek gjatë gjysmës së parë të shekullit XVIII. Gjendja e rëndë vazhdonte të përkeqësohej më tej. Shqipëria protestonte nëpër organizatat ndërkombëtare për shkeljet e të drejtave të njeriut, për shkeljen e Marrëveshjes së Lozanës ku Greqia njihte minoritetin shqiptar me të drejta të plota, por asnjë reagim pozitiv nuk bëhej. Dy muaj para luftës italo-greke, të vitit 1940 qeveria fashiste e Metaksait burgosi në ishujt e Egjeut të gjithë meshkujt çamë nga mosha 16 deri 70 vjeç. Rekrutët çamë si shtetas grekë, të rekrutuar në vitet 1939, 1940 shteti Grek i vendosi në punë të rëndomta, në hapje rrugësh, thyerje gurësh. Kapiteni i xhandarmërisë së Filatit, Stavridhis, duke kërcënuar deklaronte publikisht: "Ju myslimanët e Çamërisë, pritni që të vijë këtu Italia dhe Shqipëria. Ju lajmëroj se ajo ditë nuk do të vijë kurrë, por edhe sikur të vijë, ne grekët jemi 7.5 milionë dhe nuk do të lemë të gjallë asnjë çam". Të tilla situata ishin krijuar nga shteti Grek që nga 1913 e deri para pushtimit italian e gjerman. E vërtetë që rrëzon akuzën greke për bashkëpunim me okupatorin. Po japim një bilanc për masakrat e kryera nga shteti grek me zervistët e Napoleonit:

Vitet 1944-1945

-Masakruar dhe  vrarë… 2.777, veta;

-Të vdekur në internim burrra e djem… 500, veta

-Të humbur, rrëmbyer, burra, gra, djem, vajza, fëmijë… 2.300, veta

-Te vdekur nga dhune, uria, semundjet, torturat, pleq, gra fëmijë… 2.755, veta

-Gjithësej humbjet nga gjenocidi grek… 8.332 banorë, ose 29,65% e popullsisë shqiptare të Çamërisë nga 28.081 banorë myslimanë që ishin para eksodit, arritën të shpëtonin gjallë 19.755 veta, të cilët në mes tmerreve u shpërngulën në shtetin shqiptar. Janë plaçkitur dhe djegur 5.800 shtëpi në 68 fshatra. Sipas një liste, disa nga humbjet materiale janë llogaritur: 110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 25.000 tonë grurë dhe 8.000 tonë vaj ushqimor. Në vitin 1941 pasuritë rurale të popullsisë shqiptare në Çamëri arrinin në dy milionë e gjashtë qind mijë (2.600.000) strema (dynymë) ose 260 mijë hektarë, që përfshin: tokat bujqësore, lëndinat, kopshtet, pyjet dhe kullotat. Pasuritë e paluajtshme ku përfshihen: shtëpi, punishte dhe fabrika, hotele dhe dyqane shërbimi, ndërtesa publike, etj. shumica e të cilave janë djegur dhe shkatërruar. Sipas vlerësimeve të asaj kohe, pasuritë vlerësoheshin mbi 100 milionë franga ari. Banorët myslimanë që i shpëtuan vrasjeve, u përndoqën dhe u  dëbuan egërsisht nga shtëpitëi e tyre.

Nga hulumtimet e bëra, arrita të zbuloj arësyen pse u përkrah Napoleon Zerva në gjenocidin ndaj çamëve nga gjeneralët anglezë. Sipas historianit të kohës së mesjetës, profesor Pëllumb Xhufit: "Eleuthérios Venizélos, ua prishi mendjen anglezëve me një premtim që u bëri në 1914-tën: "Ne do i japim Anglisë, Qipron dhe ishujt e tjerë të Mesdheut, do t'i vëmë në dispozicion të flotës angleze vetëm të na jepni Vorio-Epirin". Këtë e thonë punimet shkencore të vetë anglezëve dhe jo të miat (P. Xhufi). Ata thonë ka qenë ky premtim në tavolinë edhe pas L1B, në Konferencën e Paqes dhe pas L2B  në '46-ën po në Konferencën e Paqes në Paris, Anglia i mbështeti pretendimet e Greqisë sepse në thelb ishte interesi politik, të kontrollonte Mesdheun. [Marrë nga Dritare Tv/dritare .net]. Kjo marrëveshje ndikoi në lejimin e shtetit grek nga Anglia për të kryer masakrat dhe dëbimin masiv të banorëve autoktonë të Epirit, përfshi Çamërinë dhe jugun e Shqipërisë. Napoleon Zerva, me përkrahjen e Winston Churchillit, harruan të drejtat e popujve të vegjël dhe dogjën një popullsi, embrionin e pellazgjisë.

GM: Si ishte përvoja juaj kur mbërritët  në Shqipëri? Si ju priti komuniteti dhe si iu përshtatët mjedisit të ri pas largimit nga Çameria?

FD: Çamët në gjëndje të mjeruar, të uritur, të rraskapitur fillimisht mbasi kaluan kufirin u gjendën në një Shqipëri, e cila nuk ishte çliruar plotësisht nga okupatori. Në zbatim të afateve kohore, çamëve iu dha statusi "refugjat", veprim që u lejonte qëndronin në Shqipëri.

Për ndërkombëtarizimin e problemit të tyre krijuan (KAEÇ) Komitetin Antifashit të Emigrantëve Çamë. Krijimi i kommitetit synonte të siguronte nga ndërkombëtarët të drejtat e tyre, kryesisht kthimin në vendlindje. Ndërsa shteti shqiptar në vitin 1946 e ngriti "Çështjen Çame" në Konferencën e Paqes në Paris. Megjithatë ato përpjekje për të gjetur të vërtetën nuk dhanë rezultat. Kështu që në fillim të viteve 1950 "Çështja Çame", u trajtua problem i mbyllur. Mbas këtij akti Presidenti i Kuvendit Popullor, më 19 prill të vitit 1953,  miratoi dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare çamëve që banonin në Republikën Popullore të Shqipërisë. Pas tre vitesh aktiviteti dhe përpjekjesh si KAEÇ dhe institucionet shtetërore nuk e realizuan dot kthimin e çamëve në vendin e tyre dhe as ta ndërkombëtarizonin problemin e gjenocidit grek ndaj çamëve. Megjithatë në dhjetor të vitit 1945, Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Rimëkëmbjen miratoi 1,45 milionë dollarë amerikanë për refugjatët çamë që u strehuan në Shqipëri. Duhet theksuar se politika e ndjekur nga shteti i at'hershëm përkeqësoi marrëdhënieve me perëndimin. Në këtë situatë shteti i kohës ndaloi çdo ndihmë financiare e humanitare. Në mënyrë të përmbledhur shteti shqiptar deri në vitin 1991, nuk u muar me "Çështjen Çame". Ajo u la në harresë. U diktua heshtja dhe censura ndaj atij komuniteti. Me ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri, pati përpjekje për trajtimin e "Çështjes Çame", por me shumë droje. U ngritën zërat edhe nga Shoqëria Politike Atdhetare e Çamërisë deri në vitin 2004, pastaj erdhi përsëri heshtja. Në fillim të marrjes së pushtetit nga e majta në vitet 2013-2014 pati një lëvizje dhe u tentua të trajtohet në marëveshjet bilaterale me shtetin grek, por u përball me ngurtësi refraktare greke, duke deklaruar me forcë se nuk ka "Çështje Çame", ajo nuk ekziston dhe se nëse pala shqiptare do ta ringrejë do të përballet me "veton" kundër anëtarësimit në BE.

GM: Si e vlerësoni rolin dhe trajtimin e Çamërisë në historinë kombëtare shqiptare? A mendoni se i është dhënë rëndësia e duhur në studimet historike, tekstet shkollore dhe diskursin publik, apo besoni se ka ende hapësirë për një reflektim më të thelluar dhe një njohje më të gjerë të çështjes çame?

FD: Mendoj se kjo pyetje do të sqarohet gjatë zhvillimit të shtjellimit të intervistës. Megjithatë ardhja e emigrantëve çamë në Shqipëri, si në çdo rast të lëvizjeve të popujve nga një vend në tjetrin ka patur ulje ngritjet e saj. Përjashto vëllazërimin e këtyre dy popujve të të njëjtit gjak, është karakterizuar kryesisht nga marëdhënie të mira, të mirëkuotuar dhe në fillimin e ardhjes u gjet mikpritja, ndihma në strehim të përkohshëm dhe ushqime. Kjo mirësi nuk mund të thuhet për rregjimin e kohës. Do të njihemi më tepër gjatë zhvillimit të bisedës.

GM: Si e vlerësoni qasjen e deritanishme të Shqipërisë ndaj Çështjes Çame dhe çfarë veprimesh mendoni se duhet të ndërmerren në të ardhmen për të mbrojtur të drejtat e komunitetit çam në aspektin politik, diplomatik dhe historik? FD: Shanset historike, kanë qenë në disfavor të çështjes shqiptare në tërësi, veçanërisht momentet historike në atë kohë ishin të ashpra, të pamëshirshme, vdekjeprurëse, kundër Çëmërisë dhe çamëve fatkeq të saj. Ndër faktorët kryesorë që ndikuan negativisht për rajonin e Çamërisë dhe banorët e saj veçojmë:

-Mungesa e theksuar e elitës udhëheqëse dhe drejtuese. Kjo si efekt i persekutimit social, kulturor, të ushtruar nga pushtuesit ndërshekullor, mdaj atij komuniteti.

- Paaftësinë diplomatike në përballje me diplomacinë mashtruese greke, e cila me mjeshtëri kamufloi faktorin ndërkombëtar në favor të dinakërisë së saj për realizimin e genocidit etno-fetar ndaj myslimanëve shqiptarë të rajonit të Çamërisë.

- Mungesa e faktorit "forcë", qoftë numerike, materiale, administrative (pasi rajoni ishte njësi më vete, por drejtohej tërësisht vetëm nga elementi njerëzor etnik grek) dhe morale, të cilat palës greke jo vetëm nuk i mungonin, por i përdori masivisht dhe në të gjitha drejtimet kundër bashkëqytetarëve të saj, si dhe nën mbikqyrjen e aleatëve qofshin politikë, uzhtarakë dhe fetarë, ndërsa popullsia çame nuk siguroi asnjë përkrahje, ajo ishte nën shtypjen, dhunimin dhe vrasjen nga shteti i saj. Shteti grek ishte i ndërgjegjshëm për spastrimin etnik të Çamërisë, prandaj për të shmangur eakuzat ka përdorur edhe metodat e fshehjes e të fshirjes, për të siguruat mbylljen e "Çështjes Çame". Realiziminin e fshehjes dhe fshirjes e arriti nëpërmjet urdhërave dhe qarkoreve të ndryshme për zhdukjen e gjithë dosjeve me dokumente ku pasqyroheshin të gjitha ngjarjet në Çamëri, deri në  korrespodencat konfidenciale, veprime që i’u besuan Ministrisë greke të Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe prokurorive rajonale.

Mendoj se në të ardhmen për të mbrojtur të drejtat e komunitetit çam në aspektin politik, ekonomik, social e kulturor, kërkohen edhe këto veprime:

- Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë të deklarohet lidhur me miratimin ose jo të Rezolutës së "Çështjes Çame" të vitit 2004, mbasi ka patur dhe ka disa mëdyshje.

- Me prononcimin e Gjykatës Kushtetuese, për vlefshmërinë e Rezolutës Çame të vitit 2004, Parlamenti Shqiptar të zhvillojë një sesion të posaçëm për Çështjen Çame, nga ku institucionet përkatëse, të sigurohet informimi dhe të realizohet diskutimi i gjërë, ku të vendoset hartimi i Rezolutës dhe Relacioni nga ana e Komisionit përkatës paralamentar për ta paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërise.

- Me miratimin e Rezolutës nga Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë të hartojnë Akt-Akuzën për genocidin grek ndaj pakicës kombëtare shqiptare, të njohur si "çamët myslimanë të Thesproti-Çamërisë". Akt-akuza të dorëzohet në Ambasadën Amerikane, Gjermane, Britanike, Greke, në Këshillin e Europës, dhe krahas tyre të dorëzohet në Prokurorinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.

- Dosja për "Çështjen Çame" duhet të përfshijë rikthimin e çamëve në trojet e tyre, njohjen e genocidit grek ndaj asaj popullsie, mbeshtetur edhe me dëshmitë e të mbijetuarve, sigurimi i dokumenteve për të bërë të mundur provat e duhura për krimet kundër njerëzimit të kryera nga qeveritë greke nga viti 1913 deri në 1945, si dhe kërkesa legjitime për rikthimin e pronave brenda normave ligjore ndërkombëtare. Rajonit dhe banorëve legjitimë të Çamërisë t'u kthehet identiteti.

- Rëndësi të veçantë t'i kushtohet mundësisë së dialogut me palën greke, për "Çështjen Çame", i cili është i domosdoshëm, sidomos në forcimin e marrëdhënieve mes shteteve tona. Krijimit të komisioneve të përbashkëta, të cilat do të shqyrtojnë dhe zgjidhin anët ligjore për dëmshpërblimet, vendosjen dhe caktimin e institucioneve të nevojshme të pajtimit, të problemeve sociale, kulturore, politike, demografoke, etj.

GM: Sa e informuar mendoni se është bota ndërkombëtare lidhur me çështjen çame? A mendoni se ka pasur një ndërgjegjësim dhe njohje të mjaftueshme nga institucionet ndërkombëtare, mediat dhe organizatat e të drejtave të njeriut për këtë çështje?

FD: Shkurtimisht mendoj se nuk është arritur një ndërkombëtarizim i plotë i "Çështjes Çame", me gjithë përpjekjet e palës shqiptare, siç u trajtuan edhe gjatë kësaj interviste. U arrit diçka kur komisioneri Hahn ngriti problemin, por nuk pati ndonjë mbështetje reale. Flitet në përgjithësi nga SHBA dhe segmente të veçanta të BE-së për faktin që kombit shqiptar i është bërë padrejtësi duke e coptuar në 5 pjesë. Në këtë coptim nënkuptohet se po krijohet një atmosferë në favor të elementit kombëtar shqiptar, ku përfshihet edhe i rasti i popullsisë së Çamërisë. Të shpresojmë se në të ardhmen do të arrihet të vendoset drejtësia për kombin tonë.

GM: Arti dhe kultura çame mbartin një trashëgimi unike historike dhe shpirtërore. Çfarë elementesh kryesore do të veçonit lidhur me muzikën, vallet, poezinë, traditat dhe vlerat kulturore çame? Si mendoni se këto aspekte ndikojnë në identitetin dhe trashëgiminë e komunitetit çam sot?

FD: Çamëria, është thesar i çmuar i eposit shqiptar me trashëgiminë e artit dhe kulturorës së saj. Është e vërtetë se banorët e saj para dhe pas Krishtit kanë patur dhe kanë etnitet, traditë dhe zakone vetëm shqiptare.

-Dialekti i të folurës çame përmban edhe sot elementë të lashtësisë Iliro-pellazge. E folura dialektore çame ka ruajtur origjinalitetin linguistik. Është ruajtur e tillë për vetë kushtet gjeografike, nuk pati ndonjë kërkesë për njësimin me gjuhën zyrtare të shqipes. Dialekti çam është ruajtur nga intervenimet e gjuhëve të popujve fqinj, ndaj ruan shumë elementë të gjuhës së pellazgjisë.

-Arti dhe Kultura çame edhe në ditët tona shpreh vlera të veçanta të një populli të lashtë. Lidhur me këtë temë do të përdor shkrime nga autorë të ndryshëm, mbasi nuk kam shumë dijeni. Studiues dhe historianë të huaj konkludojnë se arti dhe kultura çame është me trashëgimi të lashtë Pellazgo-Ilire. Studiues gjermanë në librin "Këngët e çamëve" tregon se këngët çame përmbajnë shtresë shumë të vjetët të muzikës shqiptare.

-Veshja çame ka lënë përshtypje të veçanta edhe tek personalitetet e vendeve të tjera, të cilët në udhëtimet e tyre gjatë mesjetës kanë vlerësuar veshjet e tyre. Diplomati dhe shkrimtari François Pouqueville në vitet 1820, shkruante: "...Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyera dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir...".(marrë nga Klan Plus). Të larmishme dhe tepër elegancë kanë veshjet dhe vallet e grave çame. Deri në fund të shek. XIX veshja më e përhapur për burra si tek ata të besimit mysliman dhe tek ortodoksët, ishte fustanella e shoqëruar me stoli të qëndisur me fije argjendi me gjunjakë (rrip i gjerë që e mbështjellin rreth gjurit për ta mbrojtur nga goditja/ kalca), xhamadan, mëngore, këmishë të shkurtër me mëngë të gjëra, qeleshja me majucë, opingat me xhufka të kuqe dhe çorapet e bardha. Pjesë tjetër shoqëruese e kësaj veshje konsideroheshin zbukurimorja e gjoksit e punuar nga argjendarët e qytetit të Janinës si dhe silahu i zbukuruar me fije argjendi i cili i vendosur mbi brez, shërbente për të mbajtur armët e brezit si dhe koburet.

- Çamëria ka një trashëgimi të madhe kulturore, edhe me këngët, zakonet. Të gjitha këto janë vlera të cilat populli shqiptarë duhet t'i ruajë dhe t'i mbrojë sepse përbëjnë një thesar të çmuar të eposit shqiptar. Arti dhe kultura e shqiptarëve të Çamërisë me emigrimin në Shqipëri, nga viti 1944 deri në vitin 1978 kishte rënë në heshtje, arësyet dihen. Veç kushteve të vështira të jetesës, ishte trajtimi i diferencuar i këtij grupi njerëzish nga organet shtetërore. Ishte festivali kombëtar folklorik i Gjirokastrës i vitit 1978 ku u dëgjua kënga e parë polifonike çame "Kënga e Çelo Mezanit". Këngë e cila në vitin 1973, si efekt i censurimit nuk u lejua të këndohej. Mbas vitit 1992, krahas këngëve shpërthyen edhe vallet çame si vallja e "Osman Takes", etj. të cilat rritën vlerat muzikore dhe valltare të kombit shqiptar.

GM: Nga personalitetet çame, cilët do të veçonit si më të rëndësishmit dhe për çfarë arsye? Cili është kontributi i tyre në historinë, kulturën, politikën apo shoqërinë shqiptare? Si e vlerësoni ndikimin e tyre në identitetin dhe çështjen çame?

FD: Personalitetet nga Çamëria. Kjo përgjigje don të jepet sipas  "Forum-Al".

1.  Akili dhe Odisea, këta luftëtarë të shquar të Luftës së Trojës (1250 p. k.), janë Thesprotas, nga Çamëria e sotme.

2.  Aleksandri i Madh. Thesprotas çam nga e ëma, Olombia, rrjedh nga dera e Pirros.

3. Pirrua i Epirit, pasardhës i Akilit, është nga Ledheza e Çamërisë, dhe Odisea është nga ishulli i vogël i Çamërisë, Itaka.

4. Ptolemejtë. Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, për gati 3 shekuj vazhdoi dinastia Çame e Ptolemejëve në Egjipt, ku u krijua qyteti i Aleksandrisë me bibliotekën dhe akademinë e vet.

5. Papa Shën Eleuteri. Çamëria i dha krishterimit në fillimet e tij një Papë si Shën Eleuteri në shek. II, i cili e shtriu krishterimin deri në Angli.

6. Mihal Artioti – Trivoli, i njohur në Rusi me emrin Maksim. Ky shenjtor i Kishës Ruse është bir i Artës së Çamërisë.

7. Figura të Çamërisë: Gjin Bua Shpata dhe vëllai i tij, Zguro Shpata, dhe më vonë i biri Maurik Shpata, qëndruan në krye të shtetit shqiptar (Despotatit Epirit të Artës) nga viti 1379 – 1418, për katër dekada, si shtet i pavarur.

8. Merkur Bua Shpata, me 400 kalorës Çamë, ka qëndruar në kështjellat e Evropës për më shumë se 60 vjet (1496-1560), në kështjellat e Spanjës, Francës, Gjermanisë, Venedikut dhe Vatikanit të Papës. Ndërsa Ibrahim Shpata, i cili u konvertua në mysliman, u bashkua me turqit kundër dinastisë Serbe. Pushtimi sllav mori fund. Edhe sot e kanë halë në sy Sërbët.

9. Mehmet Esat Janinasi dhe Jani Koduni, të dy nga trojet e Çamërisë. Mehmeti në shek. XVIII, filozof dhe dijetar, përktheu në osmanishte veprën e Aristotelit, të bërë me kompetencë të plotë nga humanisti i Rilindjes Europiane. Ndërsa Jani Koduni e përktheu edhe në latinisht.

10. Dionis filozofi, 1541-1611, është nga Paramithia e Çamërisë. Murg i ri në manastirin e Shën Demetrios, Diohuni, në veri të Paramithisë. Në vitin 1591 u shugurua kryepeshkop.

11.Abedin Dino lindi më 5 prill 1843 në Prevezë ose Nikopol. Më 10 qershor 1880 u emërua Ministër i P. J. të Perandorisë Osmane. Në këtë kohë, krijohet "Lidhja e Prizrenit" me figura si Abdyl dhe Sami Frashëri, Ali pasha i Gucisë, Iljaz Pasha i Dibrës, Sheh Mustafa i Tetovës, Ymer Prizreni, Abedin Dino etj.

12. Emri i Prof. Hoxha Hasan Tahsinit nga fshati Ninat i Konispolit (Filatit) Çamëri. Një personalitet që krijoi Universitetin e parë Osman, etj.

13.Dora d'Istria, bashkohësja dhe bashkëvendësja me rrënjë, nga Parga e Çamërisë. Akademike, shkrimtare, publiciste etj. Xhaxhai i saj, Jon Gjika, ishte themeluesi i Akademisë Rumune të Shkencave.

14. Legjendari Haxhi Mehmet Dalani, bir i Çamërisë nga Konispoli – Heroi i Libanit dhe i Kretës. Ishte personalitet i shquar krahas Marko Boçarit dhe Ali Pashë Tepelenës.

15. Muhamet Kuçukut, dijetar. Autor i veprës kryesore "Erveheja". Dhe valltari i madh Osman Taka, që me këtë emër njihet edhe vallja e tij, e cila është një perlë botërore.

16. Vëllezërit Zosimea. Të përmendur janë vëllezërit Zosimea, shqiptarë të Janinës. Ata ngritën vatërën e kulturës në Janinë, të quajtur "Zosimea". Dallohen si diplomatë Rasih Dino me të bijën, Lejlën, që në Konferencën e Versajës bënë të pamundurën për të shpëtuar Çamërinë. Ali Dino, piktor i shquar, do të mbronte çështjen çame në parlamentin grek (si deputeti i tij).

17. Marko Boçari lindi më 1790-1823 në Sul të Çamërisë. Marko Boçari ishte një udhëheqës heroik në kryengritjen shqiptaro-greke për liri e pavarësi. Lordi anglez Bajroni e quajti Marko Boçarin legjendë të Çamërisë.

18. Kostandin Kanari ka hyrë në histori si "Admiral". Kanarët e Pargës, të Çamërisë, emigruan, një pjesë në Gjenovë dhe Korsikë në shek. XIV. Kanari u bë ministër dhe kryeministër i Greqisë, vdiq në Kipseli të Athinës, më 3-9-1877.

19. Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, nga Arta e Çamërisë. I ati, Pandi, i biri Pasko Kutelit, u shpërngul në fillim të shek. XIX për në Rumani, më vonë erdhi në Shqipëri, në Pogradec. U shkollua në Selanik e më vonë në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, ku mori titullin "Doktor i Shkencave Ekonomike, Bankare e Monetare". Bashkë me Ernest Koliqin janë themeluesit e prozës moderne shqipe.

20. Kolë Idromeno. I ati i tij quhej Arsen Andre. Familja e tij ishte nga më të njohurat e Pargës së Çamërisë, e vendosur në Shkodër, ku u martua me Roza Saraçin, nga një familje qytetare shkodrane. Kolë Idromeno ishte piktor, arkitekt, urbanist, fotograf, skenograf, siparist, muzikant, kompozitor i këngëve shkodrane. Më 1878 iu bashkua lëvizjes patriotike të "Lidhjes së Prizrenit".

21. Papa Kristo Negovani. Është nga Negovani i Follorinës, Çamëri. Ky e ktheu shtëpinë e tij në shkollë shqipe dhe kishën në meshë të gjuhës shqipe. Ka lindur më 1875 dhe u vra barbarisht nga grekët më 12 mars 1905. Më 10 shkurt 1905, erdhi vetë në Negovan kryeagjenti i Patrikanës, dhespoti i Kosturit, Karavangjeli, por Papa Kristo, si zakonisht, e tha meshën shqip edhe para dhespotit! I egërsuar nga ajo që i panë sytë, "njeriu i Zotit" doli nga kisha duke mallkuar priftin: "Mos të gjetë e nesërmja!". Dhe urdhëroi fshehtas çetën andarte të Jan Bullatës, që brenda 24 orëve të vriste 25 veta. Më 12 mars 1905, në orën 3 të natës ata vranë Papa Kriston me katër të tjerë. Të pesë i copëtuan me sopata.

22. Sabri Preveza. Ishte financuesi i gazetave që botoheshin jashtë vendit, në mbrojtje të interesave kombëtare si "Drita e Sofjes", "Liria" e Selanikut etj. U caktua mësues i gjimnazit turk në Prevezë, ishte ndër të parët që dha mësimin në gjuhën shqipe. Shkriu gjithë pasurinë për gjuhën shqipe. Vdiq në mjerim të madh, në Sarandë më 1925.

23. Spiro Xhakulla Lindi në fshatin Potam të Paramëthisë, më 1887-1944. Kreu studimet për drejtësi në Athinë. Filloi punën si Avokat në Paramithi. U arrestua nga zervistët më 27 qershor 1944. E nxorën në gjyq, ai refuzoi të përgjigjej në gjuhën greke, për këtë kërkoi përkthyes. Trupi gjykues dhe prokurori po çmendeshin nga zemërimi. I sollën përkthyes për gjuhën shqipe dhe filloi të përgjigjej: "Unë jam shqiptar dhe luftoj për Shqipërinë"... Iu dha dënimi: "I lidhën të dy këmbët me litar dhe një kalorës e tërhoqi zvarrë përgjatë kalldrëmit të qytetit, duke e çuar te vendi i pushkatimit. Ky është shqiptari i madh Xhakulla."

24. Asaf Ajdonat Çami, veprimtar i shquar i arsimit shqiptar (1888-1965). Lindi në Paramëthi. Kreu studimet e larta për mjekësi (kirurgji). Ngriti klubin e Paramëthisë dhe Margëllëçit. Së bashku me patriotin Spiro Xhalluka, organizuan qëndresën heroike në shkallën e Paramëthisë, kundër forcave greke më 1913. Më 23 qershor 1921 i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, për kërkesën e të drejtave të kryengritësve të Kosovës, Shkodrës, Çamerisë dhe Maqedonisë. Kjo kërkesë ishte e firmosur nga Asaf Çami, Bedri Pojani, Kol Batri etj. (Shoqata kulturore shqiptare "Migjeni", Lubjanë 1990). Ai ishte shok i Dr. Omer Nishanit, Muharem Rushitit, Riza Cerovës, Salih Çekës.

25. Qenan Musareja, nga Meçova e Grebenesë (Çameri), është përfaqësuesi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

26. Muharem Rushiti. Ka lindur në fshatin Koskë të Çamërisë. Krijoi Çetën e tij, e cila u ngrit në lëvizjen popullore të udhëhequr dhe drejtuar nga vetë Muharemi. Çeta e tij veproi në vitet 1909 deri në vitin 1920.

27. Faik Konica. Rrjedh nga një familje feudale nga Konica e Çamërisë. Studioi në Shkodër, në Kostandinopojë, në Francë dhe në SHBA. Më 1912 u diplomua për letërsi në Universitetin e Harvardit në SHBA, me medalje ari. Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912, ai u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli janë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në Amerikë.

28. Musa Demi, lindi në Filat, më 1876, në një familje me tradita patriotike. U lidh ngushtë me patriotët Mehmet Zeqirjanë, Sabri Prevezën, Namik Delvinët e shumë atdhetarë të tjerë. Historia e Çamërisë identifikohet nga figura të mëdha të shekujve të fundit prej: Dinejve, Pronjatëve, Çaparenjve, Dematëve, Sejkatëve etj. Pena e Musa Demit, Mehmet Haki Sejkos, Qamil Izetit etj. dhe pushka e Muharem Rushitit bënë të dëgjohej zëri dhe të krijoheshin lidhjet me Klubin e Manastirit, me Kristo Dakon në Bukuresht, me Rasim Dinon në Prevezë.

29. Osman Taka. Ka lindur (1848-1887). Vallja e Osman Takës është një nga më të bukurat dhe më burrëroret e Çamërisë. Ky patriot i kohës, u kap dhe u burgos në burgun e Janinës, ku dhe u dënua me varje. Para se ta varnin, shprehu dëshirën, për një orkestër të luante vallen çame para litarit. Osman Taka nisi të kërcente para valiut të Janinës dhe të shoqes së tij. Kur mbaroi vallja, e shoqia e valiut kërkoi faljen e tij dhe atij iu fal jeta. Më vonë Taip Madani nga Konispoli, me kërcimin e tij brilant në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në tetor 1978, e bëri vallen e Osman Takës një nga vallet më të bukura dhe më të vlerësuara të atyre viteve.

30. Alush Taka, u shqua si politikan dhe patriot, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

31. Sali Çeka lindi më 20 gusht 1882 në Filat të Çamërisë, në një familje atdhetarësh. Kreu arsimin e mesëm në shkollën Zosimea të Janinës. Shkollën e lartë e bëri në Istitutin Pedagogjik të Bezansonit në Francë. Më 1913 vihet në dispozicion të Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Më 27 shtator 1913 emërohet mësues në Normalen e Elbasanit. Më 1922 drejtor i Normales së Elbasanit. Më 1923 inspektor i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë.

32. Azis Çami, nga Filati i Çamërisë. U dërgua në akademinë ushtarake në Torino të Italisë, ku u diplomua si oficer artilerie. U kthye në Shqipëri dhe u lidh me patriotët si: Ahmet Lepenica, Riza Cerova, Hysni Lepenica, Halim Xhelo etj. Në vitin 1920, në Luftën e Vlorës, u caktua Komandant i Artilerisë. Mori pjesë në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942.

33. Rexhep Plaku, i biri i Aqifit dhe i Shuquranes, lindi më 1898, në Konispol. Rexho Plaku dhe Mustafa Qilimi ngritën në këmbë gjithë pellgun e Delvinës në Lëvizjen Nac.Çl. Rexhua u caktua anëtar i shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër dhe komandues direkt i Pellgut të Delvinës. Në këtë Zonë u ngritën batalionet "Çameria", "Thans Ziko" dhe "Pandeli Boçari".

34. Haki Rushiti, lindi më 13 maj 1905 në Konispol. Bashkë me Hazis Çamin mbaruan shkollën e oficerëve në Itali, ku u diplomua me gradën toger për artileri. Ishte përkrahës i Nolit dhe komandant i xhandarmërisë në Lushnjë.

35. Bilal Xhaferi. Lindi në Ninat-Konispol (1936-1986). U arratis në Greqi në gusht të vitit 1969, për të shkuar në SHBA. Dy vjet punoi në gazetën "Dielli" të shqiptarëve të Amerikës. Në Çikago themeloi gazetën e Lidhjes Çame "Krahu i shqiponjës". Vdiq në rrethana të dyshimta, pas një operacioni në kokë më 1987 në Çikago. Për emigrimin e çamëve të ndjekur nga zervistët grekë shkruajti: "Na tregojnë drejtimin plumbat që vërshojnë në errësirë, Na ndriçojnë rrugët flakët që gjithë tokën kanë përpirë...dhe rrugët zgjaten e zgjaten për në veri. Ne, popull muhazhir ecim nëpër shi...Lamtumirë Çameri!"

36. Qamil Buxheli, nga fshati Pandalejmon i krahinës së Çamërisë, nënprefekturës së Konispolit. Poema për Çamerinë është një kryevepër e tij. Qamil Buxheli është një nga penat më të spikatura të humorit shqiptar.

37. Teme Sejko, lindi më 25 gusht 1922 në Konispol. Më 1945-1948 dërgohet në Akademinë Ushtarake "Frunxe". Nga viti 1949-1955 bëhet drejtor i zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe prej vitit 1955-1958 studion në Akademinë Ushtarake "Voroshillov" në Moskë. Në verën e vitit 1960, doli në skenë i ashtuquajturi "Komploti i grupit çam" me Teme Sejkon në krye. Një skenim i përsosur për ti vënë "kazmën Çamerisë".

38. Niko Stillo lindi më 19 prill 1946, shqiptar nga Preveza, me banim në Gjermani. Vepra e tij e fundit "Etruskishte -Toskërishte", është pritur dhe përcjellë me nderime nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Ka ligjëruar në shumë konferenca shkencore. Argumenton shkencërisht se në themel të mitologjisë greke, është mitologjia pellazgo-iliro-shqiptare. Niko Stillo, në vitin 2011-2012 tregon se "Etruskët flasin shqip". Nëpërmjet toskërishtes-çamërishtes shpjegohen rreth 140 tabela me mbishkrime etruske të gjetura në Itali, Nikua i ka deshifruar ato të gjitha.

39. Ibrahim Daut Hoxha, ka lindur më 15 prill 1923 në Konispol. Ka mbaruar Universitetin në Tiranë, në fakultetin "Histori Filiologji". Ka botuar 12 libra me karakter historik në përgjithësi dhe në veçanti për Çamerinë. Kohët e fundit nxori në qarkullim "Fjalorin Enciklopedik Shqiptar" me dy botime. Ibrahimi është i biri i Daut Hoxhës, luftëtarit trim të Çamërisë. (Të dhënat janë marrë nga Forumi-Alb).

(Të dhëna janë marrë nga Forumi-Alb).

GM: Gjenocidi përkufizohet si 'vrasja e qëllimshme e një numri të madh njerëzish nga një komb ose grup etnik i caktuar, me synimin për ta shkatërruar atë'. Çamët janë përballur me vrasje, dëbime, përdhunime dhe shpërngulje masive. Mbi 20,000 shqiptarë të Çamërisë thuhet se janë masakruar. Pse bota ende nuk e njeh këtë gjenocid?

FD: Siç shprehet qartë në këtë pyetje, gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ishte program afatgjatë i hartuar me të gjitha detajet që inspironte "Megali idea" (idea e madhe), platformë politike e qarqeve shoviniste greke që synonte, duke filluar prej fundit të shek. XVIII, krijimin e një shteti të madh grek në kufijtë e Perandorisë Bizantine. Megallo idea u ngrit në Asamblenë Kombëtare të Greqisë (1844). Kryeminstri grek i asaj kohe, J. Koleti e shpalli atë themel të ekzistencës politike të Greqisë. Gjatë shek. XIX dhe në fillim të shek. XX nga Megali Idea u frymëzuan qarqet drejtuese të Athinës  për të realizuar "Megali Idean" në Shqipëri nëpërmjet të ashtuquajturit Vorio-Epir, përkatësisht aneksimit të krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës. Ishte ajo platformë politike e cila u projektua për tu zbatuar në Çamëri dhe si  akt i fundit i gjinocidit ishte data 27 qershor e vitit 1944 ku nisi  tragjedia mbi shqiptarët e Çamërisë. Popullsia çame myslimane u vendos nën terror për të mohuar identitetin dhe besimin fetar. Terror masiv fillimisht me vrasje të parisë duke përdorur të gjitha mënyrat masakruese. Nga zbatimi i platformës politike të vitit 1844, vetëm brenda vitit 1944 deri në mars 1945, siç theksuam më lart u vranë, u therën, u coptuan me sopata e hanxharë, u dogjën me benzinë, u mbyllën nëpër shkolla apo shtëpira me disa dhoma për disa muaj gra dhe fëmijë pa ushqim, pa rroba për fjetje, përdhunim dhe lënie të vdekurit dy-tre ditë brënda turmës, janë numëruar gjithësej mbi 8,332 frymë. Ndërsa banorët-çamë që arritën të shpëtonin nga masakrat, pjesa më e madhe rreth 20,000 persona kaluan në kufirin e Shqipërisë nga Qafë-Bota.

Në përkujtim të gjenocidit grek ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, Republika e Shqipërisë, që nga viti 1997 e njeh "datën 27 qershor si Dita e Gjenocidit ndaj Shqiptarëve të Çamërisë nga forcat shoviniste greke".

GM: Ju e keni pasur mundësinë të ktheheni për të vizituar vendlindjen tuaj. Çfarë emocionesh ju ngjalli ky rikthim?

FD: Mbas 60 viteve (korrik 1944, qershor 2004) që ishim dëbuar dhunshëm, mu krijuan kushte dhe arrita të shkel në dheun ku kisha lindur, në tokën e të parëve të mi. Ishte rastësi, një dhuratë e pa paramenduar e bërë nga djali, në një mëngjes qershori u nisëm për të shkuar në Çamëri. Emocione të forta më pushtuan gjatë gjithë atij udhëtimi që u krye mbas humbjes së çdo shprese se mund të vizitohej vatani ynë. Që nga viti 1944 kufijtë ishin të kyçur me porta të hekurta dhe me lloza të pa përkulur. Nuk kishim asnjë informacion për ecurinë e jetës të atij vendi prej 60 vitesh të larguar. Shumica e njerëzve të ikur në vitet 1944 - mars 1945, kishin ndërruar jetë. Po udhëtoja drejt vendit tim, por i panjohur. Asnjë informim, veç tregimeve që na bënin prindërit. Nuk kishim mjete të teknollogjisë siç i kemi sot. Falë zhvillimeve, sot me përdorimin e teknologjive të reja kemi nivel njohjeje të lartë. Ndalemi tek emocionet. Zbritëm nga trageti dhe nisëm udhëtimin për në fshat. U informuam për rrugën që do të ndiqnim dhe mbas rreth 20 minutave u gjendëm në fshat. Shumica e shtëpive të shkreta, rënë çatitë, nëpër oborre dergjeshin gurët e rëna të avllive, gjëmba, ferra, degë të thyera. Një batërdi e vërtetë. 60 vjet fshati nën mëshirën e fenomeneve të natyrës. Disa shtëpi ishin të mirëmbajtura dhe banonin familje të ardhura mbas largimit tonë. Shtëpia ime ishte e rregullt, banohej. U afrova por nuk shkova brenda, oborri ishte plot gjemba, ferra barishte. Dy rrënjë ullinj të vjetër ruanin hijeshinë ashtu si të 60 viteve më parë. Ndërsa ullinjtë e mbjellë nga babai, sipër xhades ishin rritur goxha. Kumbullat e kohës time ishin zhdukur. Kujtesa ishte e mangët, e vakët, por duke shetitur nëpër fshat disa objekte filluan të më kujtoheshin, por pak, shumë pak. Mu kujtua dhromi që shkonim në lumë kur nënat lanin rrobat dhe mbushnin ujë; shkolla nën xhade, fusha e Potamesë. Kaq ishte kujtesa. E vizituam gjithë Çamërinë duke u nisur nga Qafë Bota, Sajadha, Filati, Gumenica, fshatra afër xhades deri në Margëlliç, Pargë, Prevezë, Filipiadhë, Artë, Paramëthi dhe Janinë. Një udhëtim i qetë, të mbushte me frymë, ajër i pastër. Emocion i vazhdueshëm gjatë gjithë udhëtimit. Për mua ishte një rajon i panjohur, vërtet ishte vendi im, por diçka e mistershme më mundonte. Malli (vendi) im, thosha me vehte, por që nuk e jetoj dot. Kudo më ndiqte një si biçim frike, por jo të më trembte, le ta quajmë trishtim. Gjatë udhëtimit në Çamëri më shqetësonin tre probleme;

a) Po shkoja në vendin tim, por që ish e ndaluar rreptësisht për ta vizituar. Kjo më ngacmonte në çdo moment, po të më diktonin do më kthenin, do ndërpritej udhëtimi aq shumë i dëshiruar nga të gjithë ne ish të dëbuarit.

b) Më pushtoi ndjenja mallëngjyese që nuk ishin me mua familjarët me të cilët u dëbuam 60 vite më parë. Sa shumë mall dhe dëshira të vazhdueshme shprehnin prindërit për shtëpinë, fshatin dhe vendin e tyre. Më vinin ndër mend tregimet, malli i tyre dhe mallëngjehesha.

c) Isha fëmijë kur na dëbuan, por ja që isha i padëshiruar për vëndin tim, sepse shteti grek edhe sot që jam i moshuar më trajton si bashkëpunues me okupatorin. Në atë moshë nuk kisha asnjë ide se si ishta lufta, pa le të merrja pushkën e të vrisja grekët!!! Vitet ikin dhe po afron shekulli me plot zhvillime të reja, por ai shtet vazhdon të jetojë po atë kohë me pretendimin "baba" i demokracisë. Një marrësi antinjerëzore, antidemokratike, shtet që nuk njeh pakicat qoftë etnike apo fetare, shtet që ka kryer gjenocid të mirëfilltë dhe nuk zbaton ligjet ndërkombëtare për të Drejtat Universale të Njeriut.

Mbas kthimit, vizitës në Çamëri i kushtova  librin "Princesha e Ballkanit".  Shpresohet se e drejta do të fitojë mbi mashtrimet, mbi të keqen! Vlen të citoj karakterin grek sipas Glykatzi-Ahrweiler, helene, e cila shprehet: "Greket si popull nuk e durojnë dot të vërtetën".

GM: Përveç artikujve që publikoni këtu në Zemra Shqiptare dhe në media të tjera, jeni gjithashtu autor i shumë librave. A mund të ndani me ne një përshkrim të hollësishëm mbi përmbajtjen dhe tematikat kryesore të veprave tuaja? Cilët janë aspektet historike, kulturore dhe sociale që trajtoni dhe çfarë mesazhi synoni të përcillni tek lexuesit tuaj?

FD: Kam bërë artikuj, kryesisht të fushës së bujqësisë, për probleme të eknomisë para vitit 1991. Mbas vitit 1999 e në vazhdim veç artikujve të fushave ekonomike, juridike, politike dhe sociale, një vënd të rëndëdishëm kanë zënë historiku i rajonit, problemet, ngjarjet më kryesore të banorëve të Thesproti/Çamërisë. Janë botuar 12 libra dhe janë për botim dhe 2 të tjerë. Botimet e librave janë kryer nga shtëpitë botuese brenda vendit; ndërsa artikuj janë botuar kryesisht në portalet jashtë vendit. Disa nga portalet janë: Zemra Shqiptare; Fjala e Lirë; Bashkimi i Shqiptarëve; Bota; Drini; Nacional; Koha Jonë; Dita; gazeta Sot; Panorama; revista Bujqësia socialiste, gazeta Bashkimi etj. Mbi përmbajtjen e botimeve, në vija të përgjithshme u shtjelluan gjatë disa nga përgjigjet e sipërme. Mesazhi, ose përkushtimi në artikujt dhe botimet e librave ishte informacion sa më i plotë i çdo ngjarjeje historike, politike, sociale, ekonomike apo juridike, si para erës së re dhe në  dymijëvjeçarin pas Krishtit. Jam përpjekur të përzgjedh ato ngjarje të cilat kanë vërtetësi, që lexuesit të marrin dijeni për të vërtetat, ashtu dhe për mashtrimet, shpifjet, kamuflimet dhe fallsifikimet, të cilat janë përdorur me shumicë ndaj kombit tonë, veçanërisht ndaj banorëve autoktonë të rajonit etnik shqiptar të Çamërisë, të cilat vazhdojnë të na rëndojnë edhe në ditët tona. I jam përmbajtur parimit që "nëse nuk njeh të shkuarën, nuk mund të ndërtosh të ardhmen". Theksoj se shqiptarëve të Çamërisë që nga 1912,1913 u kanë munguar informacionet pasi u ishte ndaluar me ashpërsi, ata nuk arritën ta njihnin të kaluarën. Kjo e drejtë themelore vazhdoi tu ndalohej edhe nga viti 1945 deri në vitin 1991. Ndaj atyre nuk ju dha mundësia për të zgjidhur të ardhmen. Shpresojmë se me dijet dhe informacionin e shumtë të marrë pas '90-tës, të dinë, që nën kujdesin e shtetit shqiptar të arrijnë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e të parëve të tyre.

GM: Cili është mesazhi juaj për komunitetin çam dhe për shqiptarët në përgjithësi, duke pasur parasysh historinë, sfidat dhe aspiratat e tyre për të ardhmen?

FD: a- Mos harroni se të vërtetën e madhe e keni mes jush, tek ata që janë më të mëdhenj se ju, ata mbartin edhe të vërtetat e brezave para tyre. Të gjitha ngjarjet e shkuara, për ju janë të reja, ndërsa për ata jo! Mbani parasysh se ngjarjet para se t’i lexoni, apo dëgjoni, krijoni kujtesën se etnia shqiptare e kudo ndodhur në gadishillin e Ballkanit, i ka ndjerë, si i thonë fjalës, në "mishin dhe thoin" e tij, të gjitha mashtrimet, përbuzjet, fyerjet, diferencimet profane (përdhosëse). Kanë prekur spastrimet etnofetare, shpërnguljet me dhunë, të cilat kanë hyrë n? vetëdijen e traumatizuar fizike dhe shpirtërore të brezave para jush.

b-. Mos u besoni deklarimeve greke, qofshin dhe te pranueshme! Në brendi të tyre fshihen gënjeshtrat, mashtrimet, hipokrizia. I degjoni dhe me kujdes e durim i hetoni! Këto, jo vetëm të dihen, por në vazhdimësi të vigjëlohen!

__________

I nderuar z. G. Marku. Ju falenderoj dhe ju jam mirënjohës juve që më dhatë mundësi, të informoj lexuesit tuaj të respektuar për rajonin etnik shqiptar të Çamërisë, si dhe për historinë e ngjarjeve të pazakonta, antinjerëzore që kaloi komuniteti çam. Respekte dhe punë të mbarë.

Studjues Fahri Dahri

Tiranë, me 25/shkurt/2025-



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin Frank Shkreli - Komunizmi në Shqipëri Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me gazetarin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Frank Shkreli Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me poetin dhe shkrimtarin Gëzim Murajza Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me studiuesin dhe publicistin Fahri Xharra Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (III) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (II) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Prof. Dr. Sami Repishtin, ish i burgosur politik (I) Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me artistin shumë-dimensional Frederik Ndoci Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin e mirënjohur Pëllumb Vrinca Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me publicistin atdhetar Bardh Nëngurra Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me ish të burgosurin politik dhe publicistin e njohur z. Reshat Kripa Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me Sociologen Entela Binjaku, kandidate për deputete e FRD Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me poeteshën dhe publicisten, Alma Papamihali Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me Poetin, Studiusin dhe Pedagogun Gjekë Marinaj Gëzim Marku: Intervistë ekskluzive me këngëtarin, kompozitorin, poetin dhe publicistin, Demir Krasniqi Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me këngëtaren e mirënjohur Miranda Hashani Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me kampionin e botës Kreshnik Qato Gëzim Marku: Intervistë Ekskluzive me shkrimtarin Lazër Stani

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora