Kulturë
Albert Zholi: Kur pena e Feti Zenelit frymon fllad Vjose dhe erë Buzi
E enjte, 20.02.2025, 06:49 PM
Kur pena e Feti Zenelit frymon fllad Vjose dhe erë Buzi
-
Shkrimtari duhet të njohi ligjet e perspektivës, të dritës dhe të hijes ashtu
siç i kanë ligjet piktura ose muzika
Nga
Albert Z. ZHOLI
Para disa ditësh në Gjirokastër u promovuan
tri libra të shkrimtarit Feti Zeneli: "Tafil Buzi, Nderi i Kombit",
"Buzi në publicistikën time" dhe "Baladë për Tafil Buzin".
Personalisht jam marrë me botimin "Buzi në publicistikën time"
që përmbledh 40 vite krijimtari (dhjetor 1984 – dhjetor 2024). Pra katër dekada
krijimtari. Një libër me 612 faqe ku përmblidhen portrete, skica, ese,
reportazhe, përshkrime, editoriale, analiza, tema shoqërore, vëzhgime... Të
organizosh një veprimtari të tillë në Gjirokastër në Universitetin që mban
emrin e të shquarit, Eqerem Çabej, për promovimet e librave të Feti Zenelit,
tregon një përgjegjshmëri, një vlerësim dhe një angazhim total të shtrirë në
kohë. Dhe ja, sot falë këtij angazhimi në këtë Universitet të nderuar po
zhvillojmë këtë aktivitet, që shënon një pikë kulmore në krijimtarinë e Fetiut,
të organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore "Tafil Buzi". Kam vite
që ndjek shkrimet e Fetiut dhe disa i kam botuar edhe në gazetat ku punoj
"Telegraf", "Labëria" dhe "Kushtrim Brezash" dhe
me thënë të drejtën, krijimtaria e Fetiut ka një specifik, pasqyrimin e
realitetit, besnikërinë ndaj gjuhës shqipe, detajet në përshkrimet e ngjarjeve
dhe situatave dhe mbi të gjitha përgjegjshmërinë artistike dhe estetike. Duke
ju përmbajtur titullit të librit, autori që në krye të herës shprehet: " Në momente prezantimi tek të panjohur të ndryshëm, si vend të
origjinës sime, në jo pak raste, kam përmendur Buzin. Kjo dhe për faktin se, në
pasaportën time dhe të bashkëfshatarëve të mi, deri në fund të viteve '80, tek
vendlindja na shënohej togfjalëshi: "Selckë e Madhe, Buz, Tepelenë".
Buzi është krahina e vendlindjes sime; i banuar që në motet e lashtësisë, qysh
në kohën e Atintanëve... Ndaj duke
lexuar dhe studiuar disa herë këtë libër nga ku kam mësuar shumë gjëra për
Krahinën e Buzit më kanë bërë përshtypje dy gjëra tek krijimtaria e Fetiut: Së pari reportazhet dhe së dyti portretet njerëzorë.
Reportazhet janë një gjini shumë e vështirë, shumë me përgjegjësi, sepse
disa herë ata gazetarë, apo krijues duke mos e njohur thelbin e tij, harrojnë
të fusin në përshkrime elementin njeri, që është më i domosdoshmi, më protagonisti,
më elitari dhe më koherenti. Ngjarja ngelet e njëjtë, por njeriu ndryshon me
kohën dhe protagonisti në atë moment të përshkrimit sjell frymën e gjallë
të kohës, virtytet, zakonet, traditat, veset, mangësitë, por mbi të gjitha një
pjesë historie të asaj kohe. Sot ata që shkruajnë reportazhe janë pakësuar
në numër ashtu siç janë pakësuar edhe ata që shkruajnë novela, romane, apo
tregime. Nëse është 100 fishuar numri i poetëve është reduktuar deri në me dy
shifra numri i krijuesve prozator. Ndaj e veçoj Fetiun dhe e rendit me bindje
në rrethin e artë të atyre personaliteteve të artit që dinë të bëjnë reportazh.
Dinë të formojnë me elegancë ideimin dhe ndërtimin e një reportazhi që ka
brenda jetën, zhvillimet, kontradiktat, debatet, sukseset, dështimet dhe vizionin
e kohës. Këta elementë të ndërtimit të reportazhit jo çdo gazetar i njeh mirë,
ndaj sot, ata që ndërtojnë reportazhet i ngjajnë atyre skalitësve të vjetër të
gurit që i sheh shumë pak në treg. Ju sjell një shembull konkret. Deri në vitin
2013, në Shqipëri ishin rreth 21 gazeta të përditshme dhe 39 gazeta periodike (
dhe për turp të kombit tonë aktualisht në Kosovë nuk ka asnjë gazetë të
shkruar). Sot janë vetëm 6 gazeta të përditshme dhe rreth 10 gazeta periodike.
Dhe në të gjitha këto gazeta ato që mungojnë më së shumti janë reportazhet.
Janë këto pasi mungojnë specialistët e mirëfilltë të reportazhit. Mungon
investimi për këtë gjini. Ndaj sot personalisht i shpreh vlerësimet më të mira
Fetiut që në vijimësi në jetën e tij krijuese mbetet një ndër gazetarët e paktë
që kanë lënë gjurmë në gjininë e reportazhit. Reportazhi është
pasqyrë e ngjarjes ashtu siç e ka përjetuar autori. Ajo që e bën reportazhin te
jetë formë artistike e gazetarisë është radhitja artistike, narrative dhe
lidhja e të dhënave dhe fakteve. Reportazhi është një gjini letrare dhe publicistike, që përfaqëson
një mënyrë të veçantë të pasqyrimit të realitetit përmes përshkrimit të
ngjarjeve, aktiviteteve ose situatave të përditshme, të cilat gazetari i ka
vëzhguar dhe përjetuar personalisht. Është një kombinim i shkrimit informativ
dhe narrativ që e sjell lexuesin apo dëgjuesin më afër ngjarjes, duke i ofruar
një perspektivë të drejtpërdrejtë dhe të hollësishme. Tiparet e
reportazhit: Vërtetësia dhe saktësia... Përjetimi personal...Detajet e
gjalla... Struktura narrative. Të katërt këta elementë Fetiu në çdo reportazh i
ka harmonizuar si një trup njerëzor, që funksionon në mënyrë perfekte.
Personalisht jam një lëvrues i kësaj gjinie dhe kam lexuar me etje reportazhet
e Agollit, Spahiut madje kam si udhërrëfyes një reportazh të Kadaresë për
Liqenet e Lurës, ndaj mund të them se: me kaq përgjegjshmëri dhe nivel artistik
janë dhe reportazhet e Fetiut. Po jap një shembull. Sot në ato pak gazeta të
përditshëm që janë në treg vihen lajmërime për gazetarë. Rrallë afrohen rrallë
pasi gazetaria e shkruar është përgjegjësi individuale, sepse e shkruara
mbetet. Të gjithë duan gazetarinë e lehtë atë vizive apo fonike. Ndaj dhe
lëvruesit e reportazhit po shterojnë dhe mbetet meritë e Fetiut që di ta lëvrojë
dhe në këtë situatë të vështirë për shtypin shqiptar.
Të vijmë tek portretet...
Nëse do të ndalem tek portretet njerëzorë apo minimonografitë si do
t'i quaja unë këto portrete të librit, duhet të flisja gjatë për Fetiun ...Portretet
për mua janë një mini-monografi ku tek ne nuk kanë pasur ndonjë traditë të gjatë,
prandaj ky zhanër shkrimi, disi ka mbetur në margjina dhe pothuajse i harruar
në zona të caktuara. Dikur sikur ishte formuar bindja se Monografitë janë
personale, familjare dhe nuk kanë ndonjë vlerë të përgjithshme dhe me interes.
Unë, mendoj se është e kundërta. Hartimi i Monografive individuale, kanë
shumëçka universale dhe hedhin dritë mbi personalitete e ngjarje të përfillshme
për një individ, fis, fshat, qytet, krahinë dhe vend. Në përgjithësi portretet
e luftëtarëve, heronjve, dëshmorëve, intelektualëve janë pjesë e vogël e
historisë së fshatit, qytetit, krahinës madje dhe vendit kur bëmat e
personazhit të skalitur me penë i kalojnë kufijtë e njohjes fshat-krahinë. Portreti i
një personazhi për mua është një gjini në kufijtë e minimonografisë. Mbi të
gjitha për ndërtimin e një portreti njerëzor, i cili mund të jetë çoban,
naftëtar, minator, bujk, mjek, artizan, intelektual etj.,në ndërtimin e figurës
së tij duhet të kihet parasysh zbërthimi psikoanalitik. Pra autori të hyjë në
brendësi të personazhit, ta zbërthejë atë me të gjitha karakteristikat,
cilësitë, virtytet, vetëmohimin, përparësitë, dhe nivelin e tij profesional. Ky
zbërthim nuk është i lehtë pasi kërkon durim, përvojë, intelekt, përgjegjshmëri.
Dhe ndaj them se dhe në ndërtimet e portreteve njerëzorë Fetiu është
treguar i kujdesshëm, si ata skalitësit e gurit që figura të dali e lëmuar.
Ndaj e theksova se portretet janë një minimonografi... pasi... Monografia është
një vepër e të shkruarit të specializuar (për dallim nga punimet referuese )
ose ekspozitave në një temë të vetme ose një aspekt të një teme, shpesh nga një
autor ose artist i vetëm, dhe zakonisht në një temë studimore. Ja një
fragment... nga
"GJURMË MUZEORE" TË TAFIL BUZIT... "Mësuesi më pyeti: Nga je ti
Feti?" Nga Selcka. "Ku bie kjo Selcka?" Pak më tej Buzit.
"Nga Buzi i Tafilit?... Tafil Buz mustaqeziu... Andej është dhe
Fetiu", perifrazoi vargjet e njohura të poezisë popullore, duke i shoqëruar
me atë buzëqeshjen karakteristike, që e bënte edhe më të hijshme fytyrën e tij
prej babaxhani. Pastaj iu drejtua klasës: "Fetiu e ka bërë hartimin në
vargje..." Dhe filloi të lexojë disa vargje. Mua më dukej sikur kisha
shkruar Iliadën, dhe jo disa vargëzime të thjeshta, i ndikuar nga ato pak poezi
popullore që kishim trajtuar në lëndën e Folklorit... Do të kalonin vite që
figura historike e Tafil Buzit të rikthej në vëmendjen time për ta njohur ashtu
siç duhej, në të gjithë dimensionet e saj. Ishin javët e para të vitit 1988...
-Një dialog, një bisedë,
një përshkrim i thjeshtë, por shumë i bukur. Kështu ka shkruar Fetiu në gjithë
këtë libër voluminoz, me dashuri, përgjegjësi, realizëm, madje disa herë dhe në
prozë poetike; një gjini pak e njohur, shumë e vështirë për t'u realizuar dhe
që të lë mbresa të veçanta. Kjo është gjuha e dashurisë për fshatin, heronjtë,
krahinën, njerëzit e thjeshtë të punës, për shokët, për intelektualët, poetët,
shkrimtarët. Aty ku punohet me dashuri dalin vepra të bukura thotë inxhinieri i
shpirtrave njerëzorë shkrimtari i madh Cvajg. Dashuria për librin, për
krijimtarinë për historinë kanë qenë tiparet dalluese të Fetiut në këtë libër
ndaj dhe libri ka dalë i bukur. Shkrimtari
duhet të njohi ligjet e perspektivës, të dritës dhe të hijes ashtu siç i kanë
ligjet piktura ose muzika. Dhe Fetiu i ka njohur që në fillesat e tij këto
ligje ndaj dhe krijimtria e tij frymon fllad Vjose dhe erë Buzi. Kënaqësia më e
madhe e shkrimeve të tij janë muzikaliteti i brendshëm në fjalët magjike që
burojnë letërsi dhe vetëm letërsi të pastër.