E shtune, 22.02.2025, 06:50 PM (GMT)

Mendime

Sevdail Hyseni: Ismail Ismaili - angazhimi i pashuar për çështjet shoqërore dhe politike në vendlindje dhe diasporë

E marte, 18.02.2025, 06:50 PM


Portret që flet

Ismail Ismaili - angazhimi i pashuar për çështjet shoqërore dhe politike në vendlindje dhe diasporë

Nga Sevdail Hyseni

Ismail Ismaili, nga Tërnoci, Komuna e Bujanocit, është një figurë e njohur dhe angazhuar politikisht, një aktvist rinor i njohur që ka lënë shenjë në jetën shoqërore dhe politike, si në Luginë të Preshevës, Kosovë, po ashtu edhe në Zvicër.

Aktiviteti i tij ka nisur në vitet e rinisë, kur ai mori pjesë aktive në grupin teatral "Akraballeqet", një pjesë e rëndësishme e Festivalit Republikan të Serbisë, që e ndihmoi të bëhej i njohur për angazhimin e tij kulturor dhe shoqëror.

Pas fillimit të angazhimit në këto aktivitete, Ismaili u bë pjesë e lëvizjeve rinore dhe në vitin 1977, ai themeloi fletushkën "Jehona", një iniciativë që reflektonte interesimin e tij për ngjarjet dhe zhvillimet politike dhe shoqërore në vendlindje. Kjo periudhë e angazhimit të tij shënon një hap të rëndësishëm në formimin e një ndërgjegjeje të fuqishme për situatën sociale dhe kulturore të Kosovës.

Pas disa viteve pune në Radio Gjilan, Ismaili migroi në Zvicër në vitin 1983, si shumë të rinj të tjerë që kërkonin mundësi më të mira jetese dhe punësimi. Ndërkohë që e la pas punën në Radio dhe u largua nga pena, ai nuk i harronte kurrë ngjarjet që ndodhnin në vendlindje dhe mbeti gjithmonë i angazhuar për çështje shoqërore dhe politike. Ai u bashkua me aktivitetet e institucioneve zvicerane dhe u bë pjesë e Partisë Socialiste (PS), duke u angazhuar në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të majta dhe progresive.

Në vitin 2011, Partia Socialiste e kandidoi Ismailin për këshilltar komunal me mandat 5-vjeçar në Zvicër. Ky ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e tij politike, dhe ai vazhdoi të kontribuonte për zhvillimin e komunës dhe për përmirësimin e kushteve sociale dhe politike të atij komuniteti.

Në vitin 2016, ai u kandidua sërish, duke treguar angazhimin e tij të fortë për rritjen e ndikimit të socialistëve në politikën lokale. Në legjislaturën e 2016-2021, ai, është zgjedhur për herë të parë i vetmi këshilltar shqiptar, në radhën e 60 të tjerëve, sa kishte Kuvendi i Belmont Broye.

Në zgjedhjet e 2021, Ismaili u bë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste për Kuvendin e Komunës Belmont Broye në Kantonin Fribourg. Për herë të parë, ai e pati mundësinë të kandidonte bashkë me vajzën e tij, Valentinën, e cila kishte përfunduar shkollimin në Zvicër dhe fliste gjuhën frenge. Pas konfirmimit të zgjedhjes së tyre, PS i delegoi Ismailin në Komisionin Komunal për Natyralizim dhe Valentinën në Komisionin për Kulturë të kësaj komune. Në vitin 2021, Ismaili zgjidhet për të dytën here në Kuvend, kurse vajza vetëm për here të pare.

Gjatë periudhës së angazhimit të tij në Kuvendin Komunal, Ismaili ka zhvilluar punë me shumë përkushtim dhe ka mbrojtur vlerat e njohura të socialistëve dhe të gjelbërve, duke kontribuar në promovimin e të drejtave sociale dhe zhvillimin e politikave progresive. Ai ka debatuar gjithashtu me figura të njohura të Partisë Socialiste, si Cristian Levrat, kryetari i PS Zvicër, mbi çështjet sociale dhe të drejtat e njeriut.

Sot, pas pensionimit, Ismaili vazhdon të jetë aktiv, si në Kuvendin Komunal, ashtu edhe në Komitetin e PS të Belmont Broye, duke kontribuar në përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2026. Ai, mbetet një shembull i angazhimit të vazhdueshëm për çështje shoqërore dhe politike, duke ruajtur një lidhje të fortë me të kaluarën dhe duke kontribuar në të ardhmen e komunitetit të tij.

Foto:

Ismaili Ismaili me vajzën Valentina Xheladini, deputetë në Kantonin Fribourg-ut në Zvicrës.

Ismail Ismaili, në Listën e zgjedhjeve gjatë vitit 2011 dhe në zgjedhjet e 2016-tës – Zvicër

Imail Ismaili, kandidat mes socialistëve në zgjedhjet e 2016-tës – Zvicër

Në legjislaturën e 2016-2021, Ismaili u zgjodh për herë të parë i vetmi  këshilltar shqiptar në radhën e 60 të tjerëve, sa kishte Kuvendi i Belmont Broye

Ismail Ismaili, me Cristan Levrat, kryetarin e PS Zvicerane

Ismail Ismaili, me bashkëshorten

Ismail Ismaili, me nipat e mbesat në Zvicër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora