Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Shtjefën Gojçaj, mërgimtari malësor me zemër bujare që ëndërron bashkimin e trojeve shqiptare
E marte, 18.02.2025, 06:57 PM
Shtjefën Gojçaj, mërgimtari malësor me zemër bujare që ëndërron bashkimin e trojeve shqiptare
Nga
Gjekë Gjonaj
Çdo punë e mirë, çdo vepër e madhe, çdo detyrë e rëndësishme,
kur kryhet me vullnet e ndërgjegje të pastër shpirtërore, pa dyshim, sjell gëzim
në mendje, zemër e shpirt të çdo personi. Kështu mund të thuhet edhe për mërgimtarin malësor me zemër bujare ,
Shtjefën Gojçaj, i cili dëshiron
bashkimin e trojeve shqiptare. Ai
u lind në vitin 1948 , në fshatin Skorraq –
Traboin të krahinës së Hotit, në një
familje të thjeshtë, me prindër dhe paraardhës që janë dalluar për trimëri, atdhetarizëm, mikpritje, ndershmëri
dhe ndjenja përparimtare. Fëmijërinë e kaloi në vendlindje ndërmjet varfërisë, vështirësive familjare dhe
rrethanave jo të favorshme politike të kohës për shqiptarët, por me
përkujdesjen dhe dashurinë prindërore, që nuk ia zëvendësoi asgjë në botë.
Ai ka një përvojë, pjekuri
dhe veprimtari atdhetare
mbi 50 vjeçare të
grumbulluar në mjedisin e tij të lindjes
, në shkollimin fillor në Arzë dhe në Tuz , në shkollën e mesme
profesionale ekonomike në Gjakovë dhe në
vazhdimin e studimeve me korrespondencë në Prishtinë.
Ka
qenë ekonomisti i parë i diplomuar në
Malësi. Ka punuar si sekretar në Shkollën Fillore “ Jedinstvo” ( Bashkimi) në Arzë, pastaj në
Kombinatin e Aluminit në Podgoricë
dhe së fundi në bankë. Gjendja jo e
lakmueshme ekonomike dhe situata e tensionuar politike e regjimit të atëhershëm
titist e shtynë që të largohet nga
vendlindja, më 11 tetor 1984. Prej atëherë jeton në Detroit me fëmijët, Antonin, Artën dhe Arianën dhe bashkëshorten, Gjysten.
Është
njeri i edukuar me frymën e pagëzimit kombëtar, misionar i thjeshtë, njeri i
aksionit dhe i sfidave, duke e ruajtur dinjitetin e shembujve të ndritshëm të paraardhësve
të vet, të cilët nuk kursyen as gjënë më
të shtrenjtë- jetën për mbrojtjen e tokave shqiptare nga zaptuesit e kohës.
Kontributet në vendlindje
Në
çdo fazë të jetës së tij , përveç edukimit familjar në frymën e vlerave dhe traditës shqiptare , mirëqenies dhe arsimimit të tyre, ka kontribuar
për transformimin dhe zhvillimin e
vendlindjes dhe është angazhuar në aktivitete dhe veprimtari të ndryshme
kombëtare.
Ky biznesmen punëtor dhe
veprimtar i palodhur u angazhua me
zell e përkushtim të rrallë në të gjitha aktivitetet për ringjalljen e jetës në Hot. Ai refuzoi punën në Gjykatën
Komunale në Gjakovë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Beograd, për t’u ndihmuar bashkëfshatarëve ( popullit) të vetë të shumëvuajtur, asokohe pa kushte elementare për jetesë. Në moshë të re, 18 vjeçare, rikthehet në vendlindje. Falë aftësive
të tij profesionale dhe gatishmërisë në organizimin e aktiviteteve
të shumta infrastrukturore dhe
arsimore ka zgjedhur bashkëpunëtorë dhe miq, me të
cilët ka ndarë ide dhe veprime të përbashkëta. Ndjehet krenar dhe i privilegjuar që pati rastin të bashkëpunojë me burrat ( figurat) më të shquar të Hotit të asaj kohe, Nikollë Lucë Keqin Gjonaj, Rrok Pjetër Gilën Gojçaj, deputetë në
Kuvendin e Malit të Zi, pastaj me intelektualin,
mësimdhënësin, drejtorin, gazetarin, studiuesin
dhe mbledhësin e
krijimtarisë gojore të Malësisë, Mirash Lucë Gojçaj, Martin Gjonaj,
Luigj Junçaj, Nua Gojçaj e shumë veprimtarë të tjerë, që
lanë gjurmë të pashlyera në fusha të ndryshme të jetës.
Shtjefën
Gojçaj punoi në vendlindje vullnetarisht pa asnjë kompensim me shumë pasion e përpikëri plot 14 vite (
1970-198). Numri i aktiviteteve dhe kontributeve të Shtjefën Gojçajt në vendlindje janë të shumta, por ne po
përmendim vetëm disa prej tyre, siç janë: ndërtimi i shkollës fillore në
Arzë, elektrifikimi i fshatrave të
Hotit, zgjerimi dhe asfaltimi i
rrugëve lokale deri në qytezën e Tuzit, hapja e linjës së
autobusit Hot - Titograd ( sot
Podgoricë) , themelimi i bashkësisë lokale të Hotit, etj.
Ka
pasur rast dhe mundësi të aktivizohet në
rrjedhat politike të Malit të Zi , ndoshta më shumë se të tjerët që pranuan
poste të ndryshme. Moto e jetës së tij
ishte dhe mbeti : “ Të mos gënjejë, të mos vjedhë dhe të mos spiunojë për asnjë përfitim
personal”. Duke e njohur si të tillë
strukturat malazeze e kanë lënë rehat.
Nuk
kurseu asgjë për të ndihmuar të tjerët
Malësorët
e kanë pasur traditë ndihmën ndaj njëri -tjetrit. Këtë tipar ( virtyt) nga prindërit ( familja) e ka trashëguar
edhe Shtjefën Gojçaj . Çdoherë ka pasur dëshirë të ndihmoj njerëzit në nevojë. Për
këtë gjë nuk ka kursyer kohën as paratë.
Nuk kam qenë i pasur, thotë ai, por natyra e punëve që kryeja më mundësoi të njihem
me të gjitha punët administrative dhe financiare ku jetoja
dhe veproja. Në këtë drejtim,
shton ai, kam qenë i interesuar që
brenda mundësive të mia të ndihmoj
njerëzit pavarësisht se kush janë.
Gjithmonë
është përpjekur të kujdeset të gëzojë
dhe të bëjë të lumtur shumë njerëz. Ai kurrë nuk i ka ndarë njerëzit përveç nëse janë të mirë apo të këqij. Të mirëve t’u ndihmojë që të jenë edhe më të
mirë, kurse të këqijtë të përpiqet t’i udhëzojë në një mënyrë të këndshme dhe
të mirë që të pendohen dhe të ndryshojnë .
Të
gjitha kontributet, të cilat ai i quan simbolike, në të vërtetë janë të mëdha, sepse janë dhënë me shumë dëshirë e vullnet, prandaj ato
i sjellin kënaqësi.
Person
i nderuar në komunitetin shqiptar në Amerikë
Shtjefën
Gojçaj njihet në komunitetin shqiptar në Amerikë si njeri fisnik me shpirt
njerëzor, me zemër bujare , biznesmen i ndershëm
, atdhetar i palëkundur dhe ithtar i bashkimit kombëtar. Ai ishte pjesëmarrës në shumë protesta e fushatave
lobuese antiserbe të organizuara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës , jo vetëm në Detroit por edhe në Çikago, Nju-Jork, Uashington e vende të tjera. Asohere ishte mjaft e
vështirë për të marrë pjesë në to, ngase para Ambasadës jugosllave shqiptarët i
merrnin ( inçizonin ) me kamera, dhe regjimi i atëhershëm jugosllav nuk
lejonte udhëtimin e këtyre njerëzve në vendlindje , mbase ka pasur raste që
disa nga ata të arrestohen dhe keqtrajtohen nga ajo qeveri.
Përveç
kësaj është mbështetës dhe kontribuues financiar i fondit “ Vendlindja thërret”. Nuk ka munguar
në aktivitetet e ndryshme që ka
organizuar komuniteti shqiptar në Amerikë. Është njëri ndër themeluesit e Shoqatës Shqiptaro - Amerikane “ Malësia e Madhe” në Michigan. Ka ngritur zërin për përparimin ( avancimin )
e të drejtave të shqiptarëve dhe padrejtësive që u
bëheshin atyre në trojet stërgjyshore. Po ashtu ka qenë
organizator i Simpoziumit shkencor “ Hoti në rrjedhat e shekujve”, organizator për grumbullimin e kontributeve
financiare për të ndihmuar vendlindjen,
dhe koordinator për grumbullimin e mjeteve financiare për ndërtimin e shtëpisë muze të heroit tonë kombëtar , Dedë
Gjo’ Lulit në Bardhaj të Hotit.
Kështu
i ka diktuar zemra dhe nuk kërkon kurrfarë privilegji. Ai , siç e njoh unë, i
do shqiptarët. Dëshiron ta shohë mirë
Malësinë. Kur populli shqiptar është
mirë, kam përshtypjen se, ndjehet i përmbushur dhe
pushon pa shqetësime.
Aspirata
për bashkimin kombëtar
Për
Shtjefën Gojçaj bashkimi i shqiptarëve
është dhe mbetet një ëndërr që nuk shuhet. Ai dëshiron dhe shpreson që shqiptarët të festojnë një ditë bashkimin kombëtar nën
flamurin e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut brenda kufijve të vet natyror,
në paqe dhe bashkëpunim me fqinjët e tyre dhe si pjesë e integruar dhe e
pandarë e Evropës, aty ku historikisht e ka vendin kombi shqiptar. Në pyetjen
time se
a do të rikthehet përgjithmonë në Malësi, që e mbanë në zemër dhe në mendje
ditë dhe natë, u përgjigj: “Do të kthehem vetëm nëse ndodh
bashkimi i trojeve shqiptare në një
Shqipëri etnike”.