Kulturë
Jusuf Buxhovi: Kronika e një krimi të paralajmëruar lufte
E diele, 09.02.2025, 06:56 PM
KRONIKA E NJË KRIMI TË PARALAJMËRUAR LUFTE...
William
G. Walker: “Reçak – historia e një krimi lufte", botoi “Dukagjini”,
Prishtinë, 2024, faqe 376
Nga
Jusuf BUXHOVI
Ka
një ngjashmëri tematike midis veprës së shkrimtarit të madh Markez “Kronika e
një vrasjeje të paralajmëruar” dhe veprës së ambasadorit William G. Walker
“Reçak – historia e një krimi”, ndonëse e para, vrasja e një arabi në një
ambient katolik të Amerikës Latine
shfaqet ngjarje e imagjinuar, ndërsa kronika e Walkerit – shfaqet si dokument
autentik i një krimi lufte, në një katund të Kosovës, të quajtur Reçak, të
kryer nga forcat policore jugosllave më 15 janar të vitit 1999. Ndonëse
përmasat e krimit imagjinar te vepra e Markezit sillen rreth një arabi, që
duhet të vritet pse është arab i vyeshëm
dhe tejet i ndërgjegjshëm midis fanatikëve katolikë latinomerikanë, janë
individuale, ndërsa ato në Reçak janë të përmasave kolektive (vriten 45 persona
shumica të moshuar, gra dhe fëmijë) dhe të kryera nga forcat e policisë
jugosllave, që të dy krimet kanë të përbashkët urrejtjen deri në shfarosje.
Referimi
veprës së Markezit në raport me atë të një dokumentari të shkruar nga
ambasadori William G. Walker, i cili kishte udhëhequr Misionin Verifikues në Kosovë (KVD) me mandatin e
OSBE-së rreth një krimi të paralajmëruar në rrafshin imagjinativ dhe në atë
dokumentar, lidhet me analogjinë e ngritjes së
historisë së një krimi në përmasat botërore, madje edhe universale nga
shkaku se ato ndodhin të paralajmëruara
dhe të papenguara, sy botës, siç ndodh me vrasja imagjinare të arabit dhe me
atë të banorëve shqiptarë të katundit malor të Reçakut.
Vrasja
imagjinare e arabit të Markezit dhe ajo
reale e katundarëve të Reçakut, megjithatë marrin epilogje të kundërta. Nëse në
prozën e Markezit, vrasësi kryen një krim pa dënim, tek vrasja reale, ajo e
Reçakut, krimi, megjithatë merr dënimin. Dhe ky dënim, vjen nga bashkësia
ndërkombëtare, nga vendet e NATO-s, të drejtuara nga SHBA-të, të cilat, ndaj krimeve të luftës të soditëses së
Milloshevqit nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina, më në fund, nga 24 marsi deri më 10 qershor
1999 përdorin bombat, me çka Kosova çlirohet na Serbia dhe vihet përkohësisht
nën administrimin ndërkombëtar.
Në
të vërtetë, historia e bombave që do të hedhen ndaj forcave policorë dhe
ushtarake jugosllave në Kosovë dhe në disa pjesë të Serbisë, casus bellin e ka
tek masakra e Reçakut, me të cilën duhej t’i jepej fund një lufte që kishte vu
në shënjestër shfarosjen e një popullate me mjetet e luftës, siç ishte ajo e
Kosovës. Leximi me vëmendje i rrëfimit të ambasadorit Walker rreth ngjarjeve që
i paraprinë masakrës së Reçakut si dhe
gjatë masakrës kur ai pa hezituar, pra pa pritur ekspertizat dhe
veprimet tjera, më 16 janar, në konferencë për shtyp ngjarjen e Reçakut e
kishte vlerësuar krim lufte, ishin thirrje NATO-s për bombardim. Kjo shihet nga
biseda e ambasadorit Walker me sekretarin gjeneral të NATO-s Solanën dhe zonjën
Olbrajt, kur thotë “bombardim”!
I
gjithë rrëfimi dokumentar i Walkerit në libër që mund të thuhet se mbështetet
mbi kërkesën-klithmë “Bombardim”, në ato dy javë dramatike, paraqet
përkushtimin e jashtëzakonshëm profesional, por mbi të gjitha moral, të një
misionari, i cili është i vetëdijshëm se nëse Millosheviqi, këtë herë, do të
shpëtonte pa bomba, atëherë, ai do të vazhdonte zbatimin e planit të tij për
dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre etnike, me çka sendërtohej
njëra ndër pikat kryesore të projekteve hegjemoniste serbomëdha të filluara me
“Naçertanjen” dhe të vazhduara me Memorandumin e Çubrilloviqit dhe atë të
fundit të Qosiqit nga vitit 1986 nën firmën e Akademisë Serbe dhe Arteve dhe të
Shkencave në bashkëveprim me Kishën Ortodokse Serbe. “Megjithatë, kjo masakër,
ku jo më shumë se dyzet e pesë fshatarë shqiptarë u ekzekutuan , u kthye në një
pikë historike kthimi, sepse ofroi prova të qarta të asaj që Millosheviqi do të bënte nëse do t’i jepej liri e mëtejshme
veprimi.” Për Walkerin, “ekspozimi i madh mediatik botëror ndaj kësaj masakre
të vetme u bë shkëndija që ndezi përpjekjet amerikane, evropiane dhe ruse për
të gjetur një zgjidhje paqësore, duke çuar kështu në Konferencën e Rambujesë”,
por kur “të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dështuan, kërcënimi i ndërhyrjes
së NATO-s u bënë të domosdoshme për të parandaluar një Srebrebicë dhe shumë
Reçake të tjera”.
Sipas
Walkerit, koha nga kërcënimi ndërkombëtar MIlosheviqit, Rambujeja e deri tek
bombardimet, nxori në pah edhe faktorët që ishin frenues përbrenda misionit
verifikues që ai e drejtonte. Ndër ta, përmendet ndihmësi i tij, francezi
Keller, i cili, gjatë gjithë kohës përpuqej që të minimizonte veprimet
luftarake të policisë serbe dhe të paraqiste UÇK-në si nxitëse të luftës, meqë
sipas francezit UÇK-ja provokonte. Ajo që paraqet kulmin e veprimeve proserbe
të francezit Keller, lidhet me atë se ai
ishte kundër vlerësimit të Walkerit që e dha në konferencën për shtyp më 16
janar kur masakrën e Reçakut e quajti
“krim kundër njerëzimit të ushtruar nga forcat policore jugosllave”. Sipas
Walkerit, Kelleri, kërkonte që të pritej vlerësimi i hetuesve jugosllavë dhe
autopsia, gjë që ato kishin për qëllim që masakra të vlerësohej si konflikt
midis forcave policore jugosllave dhe pjesëtarëve të UÇK-së, të provokuar nga
UÇK-ja, dy ditë më parë me vrasjen e tre policëve afër Shtimjes.
Duke
iu referuar mosmarrëveshjeve me francezin
Keller rreth vlerësimeve në konferencën për shtyp pa ekspertizë dhe
qëndrimin e gjykatës jugosllave për ngjarjen, që dihej se si do të ishin, pra
në përputhje me direktivat e Millosheviqit se
Reçaku ka qenë “përgjigje nga provokimet e terroristëve të UÇK-së”, Walker thotë se
“kure përshkrova masakrën në Reçak si
një krim kundër njerëzimit, thjesht po bëja detyrën time si drejtues i misionit
më të madh në terren të OSBE-së, me një mandat për të mbrojtur të drejtat
njerëzore dhe civile të popullsisë së Kosovës. Nëse nuk do të kisha folur
përballë një mizorie kaq flagrante, atëherë cili është qëllimi i një misioni të
tillë? Kur përballesh me një njeri si Millosheviqi, ishte e domosdoshme që
asnjë sfidë të mos lihej pa përgjigje. Të kthesh shikimin nga ana tjetër, të
pranosh shpjegime absurde për aktet e tmerrshme të njerëzve të tij, të dukesh i
pavendosur për të reaguar shpejt dhe me forcë, do të interpretohej si dobësi dhe mundësi vendosmërie. Kjo do të
kishte inkurajuar sjelljen më të keqe”.
Në
fund, mund të thuhet pa hezitim, se libri i Walkerit “Reçaku – historia e një
krimi lufte”, i botuar çerek shekulli pas ndodhjes së kësaj masakre, paraqet
një dëshmi ndër më autentiket e krimeve
të organizuar të forcave policore dhe
ushtarake jugosllave që kishin për qëllim ta finalizonin spastrimin etnik të
Kosovës e me këtë ta legjitimonin ndërkombëtarisht një krim të paralajmëruar,
të ngjashëm me atë të prozës së Markezit. Ishte fat, që në krye të një misioni
ndërkombëtar në ato rrethana tejet kritike, u gjend një William G. Walker, që
detyrimeve profesionale që kishte ua atribuoi aspektin moral, që rëndom
politika e përjashton.