Mendime
Nexhmedin Saqipi: Rikthimi i pashmangshëm në vendin ku e ke devijuar rrugën
E merkure, 05.02.2025, 06:55 PM
Rikthimi i pashmangshëm në vendin ku e ke devijuar rrugën
Nga
Nexhmedin Saqipi
Për
të pasur një mendim të shëndoshë, duhet të jesh vetë i shëndoshë. Është e qartë
se shumë pak njerëz kanë mbetur të paprekur mendërisht nga konfliktet dhe
luftërat në ish-Jugosllavi. Fatkeqësitë dhe përjetimet kanë prekur pothuajse të
gjitha shtresat e shoqërisë – nga ideologët, udhëheqësit politikë, komandantët,
intelektualët, mjekët, hoxhallarët, e deri te popujt e Ballkanit. Më të
prekurit nga kjo krizë janë shqiptarët e Kosovës, serbët, boshnjakët dhe
kroatët, ndërsa sllovenët dhe maqedonasit kanë pësuar më pak. Megjithatë, nuk
mund të injorohet popullata e Luginës së Preshevës, e cila gjithmonë ka
shërbyer si monedhë kusuritjeje dhe ende sot trajtohet si e tillë. Ky rajon ka
vuajtur më së shumti dhe ende po e paguan çmimin, duke pritur përfundimin e
lojës politike mes Kosovës dhe Serbisë.
Pas
luftës, politika ndërkombëtare u kthye në një vëzhguese pasive, duke ia lënë në
dorë zgjidhjen e çështjeve vetë popujve të përfshirë, gjë që është e pamundur.
Këta popuj kanë luftuar për shekuj për territore, herë në emër të fesë, herë të
nacionalizmit, herë të shovinizmit dhe herë të perandorive. Kur më në fund
erdhi koha për të zgjidhur problemet, çështja iu la në dorë atyre që kishin
luftuar mes veti. Por sipas psikologëve dhe sociologëve, këta njerëz duhej të
rehabilitoheshin dhe të largoheshin nga pushteti, e jo t’u jepeshin pasuri dhe
kompetenca. Fatkeqësisht, kjo ndodhi para syve të ndërkombëtarëve!
Nuk
do ta harroj momentin kur një delegacion ndërkombëtar më vizitoi në zyrën time,
kur isha kryetar i KBI-së në Komunën e Bujanocit. Më pyetën për paqen dhe
stabilitetin, dhe si e shihja situatën. Pa hezitim iu përgjigja: “Jam i
vetëdijshëm dhe i vendosur të ec në rrugën e paqes. Kam promovuar këtë ide në
Luginë gjatë gjithë kohës, duke vepruar dhe duke rrezikuar, vetëm e vetëm që të
shuhet zjarri i konflikteve.
Nuk
i jam frikësuar askujt. Kam dalë përballë çdo rrëmuje pa stres e pa hezitim,
sepse besimi im ishte i fortë. Në një kohë kur shumica ishin të infektuar me
urrejtje e frikë, të dalësh dhe të kërkosh ndalimin e armëve, që problemet të
zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, do të thoshte të ishe i rrezikuar
nga të gjitha anët. Por unë këtë e kam bërë, sepse i kam besuar rrugës së Zotit
dhe të mirës, jo rrugës së djallit dhe së keqes.
Gjithashtu,
i paralajmërova ndërkombëtarët: “Mos i ulni të gjitha palët në një tavolinë dhe
të kërkoni mendime, sepse vetëm do t’i zvarritni çështjet. Shqiptarët dhe
serbët, me sa i njoh, dinë si t’ju mashtrojnë edhe juve. Këta dy popuj kanë
luftuar së bashku kundër Perandorisë Osmane, kanë qenë partizanë bashkë, por
edhe kanë bërë luftëra mes vete për pushtet dhe pazare.”
Popujt
dhe mendësia e robit
Në
përgjithësi, popujt nuk kanë dëshiruar kurrë luftëra e konflikte, por ato u
janë imponuar nga qarqet e brendshme dhe të jashtme. Unë kam qenë në Sarajevë
para luftës, ku banoja në një banesë afër Bashçarshisë. Pronari ishte serb dhe
askush nuk besonte se do të kishte luftë – as unë nuk e besoja! Kisha shokë dhe
miq nga të gjitha anët. Por ndodhi ajo që ndodhi…
Sot,
më shumë se dy dekada pas luftërave, më shqetëson pyetja: Ku kemi arritur dhe
ku po shkojmë? Çfarë po ndodh para syve tanë? Sepse nesër të gjithë do të
mbajmë përgjegjësi dhe do të paguajmë faturën e gabimeve dhe lëshimeve.
Në
vend që popujt të edukohen, të kulturohen, të avancohen dhe të bashkëpunojnë
për një integrim të shpejtë në Bashkimin Evropian, ata mbështesin përsëri
populistë, njerëz konfliktuozë dhe ngatërrestarë, të cilët nuk mund të
mbijetojnë pa përçarje dhe kriza. Parlamentet, në vend që të shërbejnë për
dialog, janë kthyer në arena konfliktesh, me britma, fyerje dhe përçmime, duke
përdorur mediat si armë për të shpërndarë akoma më shumë urrejtje dhe ndasi.
Unë
besoj se zgjidhja e këtyre problemeve, të shkaktuara me vetëdije ose pavetëdije
nga aktorët politikë, duhet të nisë pikërisht aty ku rruga devijoi dy dekada më
parë. Një shoqëri që jeton me sharje, etiketime, fyerje e përbuzje nuk ka të
ardhme. Zjarri nuk shuhet me zjarr! Nëse duam një të ardhme të ndritur, duhet
të punojmë për paqe, edukim dhe bashkëpunim, jo për ndasi e konflikte të
pafundme.
(Autori është publicist dhe kryetar i
Shoqatës së Gazetarëve nga Lugina e Preshevës)