| E premte, 31.01.2025, 06:56 PM |
DASHURIA QË MBETET NË MUNGESË
Nga
Timo Mërkuri
Poezia
“Andej të mos vish” e Ilirian Zhupës shpalos befasi në çdo varg e strofë, duke
ndërtuar një univers poetik ku përsëritja nuk është e zakonshme, por një
mekanizëm i fuqishëm emocional dhe ritmik. Çdo varg i saj sjell një variacion
të ri, një thellim të ndjenjës së humbjes dhe përplasjes mes dëshirës për të
mbajtur pranë dhe refuzimit të rikthimit nga rruga e ikjes. Ritmi mantrik i
poezisë, ndërtuar mbi thirrjet e përsëri-tura "mos ik" dhe "mos
vish," krijon një lëvizje mes
pranimit dhe mohimit, kujtesës dhe harresës, duke e shfaqur poezinë si një lojë
të tensionuar mes ndjenjës dhe strukturës, ku ekspresionizmi shpirtëror
përvijohet përmes një forme mjeshtërisht të disiplinuar stilistikisht, dhe bën
që lexuesi të përjetojë ankthin, mallin dhe tronditjen e poetit.
I-Në
qoftë se në ndonjë poezi të mëpatëshme kemi venë në pah dukurinë e anonimatit gjinor
të heroit, te poezia "Andej të mos vish," krijojmë bindjen se ruajtja
anonimatit gjinor është veçori e përdorur në mënyrë të qëllimshme nga poeti, pse
i jep poezisë një dimension universal, ndaj e vlen që kjo dukuri të
analizohet nga disa aspekte dhe të lidhet me qëllimin e autorit:
1.Duke
mos e specifikuar gjininë e heroit, Zhupai shpalos universalitetin e përvojës emocionale dhe shmang kufizimin e saj
si histori personale apo konkrete. Kjo e bën poezinë të pranueshme nga çdo
lexues, pavarësisht nga gjinia, duke e transformuar dhimbjen, mallin dhe dëshirën
në ndjenja që mund të përjetohen nga të gjithë.
2.Nëpërmjet
anonimiteti gjinor poeti zhvendos vëmendjen nga portreti i individit tek ndjenjat
dhe situatat në poezi. Kështu psh në kushtet e anonimitetit theksi bie mbi
dhimbjen e ndarjes, humbjen, dëshpërimin etj. dhe jo mbi marrëdhënien mes dy
personave konkretë.
3.
Poeti zbut e kufijtë e identitetit duke mos përcaktuar gjininë e subjektit
dhe krijon një ndjenjë fluiditeti. Kjo
ka vlerë të rëndësishme pse tregon se ndjenja e humbjes dhe vuajtjes nuk lidhet
me statusin gjinor, por ka vlera më të
gjera.
4.
Natyrshëm që anonimiteti shton në poezi elementin mistik dhe enigmatic, ku lexuesi nuk është i detyruar dhe nuk i
intereson të dijë kush është personi real, objekt i fjalës së poetit, por përjeton
poezinë si krijim artistik nëpërmjet ndjenjave të tij, madje e bën atë (poezinë)
të hapur ndaj shumë interpretimeve.
5.Poeti
Ilirian Zhupa, luan me universalizimin e emocioneve, ai largohet nga narrati-vat
tradicionale që kufizohen te historitë e dashurisë mes dy individëve me status
gjinor të ndryshëm. Kjo është gjetje
artistike e Zhupës, e cila përforcon idenë se arti shkon përtej individit dhe
flet për përvojën njerëzore në tërësi. E parë në këtë kontekst, poezinë e mësipërme
mund ta lexojmë në dykuptimshmëri gjinore të heroit, por me mirëkuptimin e
lexuesit ne po vijojmë të përdorim statusin gjinor të heroit.
II-Në
këtë poezi, dy kahjet e lëvizjes: "mos
ik" dhe "mos vish"
krijojnë një tension të fuqishëm emocional dhe dinamizëm artistic, që shfaqin
ndërlikimet shpirtërore të heroit. Këto dy shprehje, ndonëse duket se shfaqin
kundërshti, në realitet formojnë një dialog të brendshëm që thellon përjetimet
e dhimbjes dhe humbjes, nëpërmjet vlerave emocionale dhe vlera artistike që
paraqesin. Le ti analizojmë konkretisht këto elemente.
1.Vlera
emocionale
a.Thirrja
"mos ik" përcjell ndjenjën
e frikës së heroit për humbjen e të dashurës,ajo është një lutje apo përpjekje
për ta mbajtur pranë atë që po largohet, pa dhënë shpjegime për arsyen. Vargu:
"Mos ik! – të
thërras me gjithë zë,
të thërras me gjithë zë
marrëzisht,"
shfaq
dëshpërimin e heroit që nuk pajtohet me
largimin, pavarësisht autorit të fajit
apo gabimit. Përdorimi i fjalës “me
gjithë zë” dhe sidomos “marrëzisht”
shfaq shkallën e dëshpërimit të tij, që i jep poezisë një ngarkesë emocionale
dhe e fut lexuesin në gjendjen shpirtërore të poetit. Tonaliteti i zërit dhe
melodiciteti plot dhimbje që ai mbart, e bën lexuesin ta përjetojë me një pauzë
leximi para se të vijojë të strofa tjetër.
b.Shprehja
"mos vish" te vargu: "Të lutem nga ike mos vish”shpalos një
ndjenjë tjetër, atë të refuzimit të ringjalljes te vajza të një situate që e ka
shndruar atë në në dhimbje dhe gërmadhë me ikjen e saj. Në vargun:
"Të lutem nga ike
mos vish,
nga ike mos vish, se gërmadhë,
gërmadhë dhe pyll është
atje,"
shfaqet
pamja që ka shkaktuar ikja e saj. Heroi nuk dëshiron që ajo, e dashura e tij të
përjetojë tragjedinë që ka shkaktuar duke u larguar prej tij. Ka një qasje me këngën:
“Hanko mos shko nëpër varre” madje me vargjet e para të saj: “Ç’deshe ti në
Kamenicë, Kamenica është kapicë”, pse fshati ishte i masakruar dhe shkatërruar
dhe rapsodi nuk dëshiron që ajo, vajza e fshatit Kamenicë e martuar në një derë
të fisme të Zhulatit, të shihte si ishte djegur dhe braktisur fshati i saj.
Kështu dhe heroit i ishin shkatëruar ëndrrat dhe i ishin vrarë këngët nga ikja
e saj. Por ai nuk do të marrë hakë për shkatërimin e tij, ai do që ajo të mos e
dijë apo të mos e përjetojë gjëmën që la
pas në shpirtin e tij. Sinqerisht të vjen më shumë keq për këtë dimension
shpirtëror që përjeton heroi në mbrojtje të vajzës se sa për humbjen e
dashurisë së tij, pse pikërisht kjo është dëshmia më e qartë e thellësisë së
dashurisë së tij.
Në
këtë kontekst themi se kombinimi i këtyre dy shprehjeve: "mos ik" dhe
"mos vish përcjell një gjendje shpirtërore të ndërlikuar, ku heroi as nuk e
ndal largimin, as nuk dëshiron rikthimin e vajzës nëpër atë rrugë që iku, ai
thjeshtë përjeton dhimbjen e tij, dashurinë që ende e ka në shpirt.Megjithë atë
lind pyetja: si është rruga që ajo “iku” dhe ai nuk dëshiron që të “vijë” po
andejë? Sigurisht që rruga nga është larguar e dashura nuk është një hapësirë
fizike, por një rrugë simbolike e ndarjes dhe humbjes. Në kontekstin e poezisë,
ajo rrugë përfaqëson rrënimin e dashurisë, një hapësirë ku dikur ka pasur lule
ndjenjash të forta, por tani ka mbetur vetëm boshësia dhe “gërmadha” shpirtërore.
Poeti nuk dëshiron që e dashura të
kthehet, sepse rikthimi do të përballte të dy me realitetin e trishtë, ajo që
dikur ishte “lëndinë lulesh”, tashmë është “gërmadhë” dhe “pyll” .
Në
këtë kontekst rrugën që ajo mori në “ikje” është një proces i pakthyeshëm, një
distancë që nuk matet me kilometra, por me rrëzimin dhe rrënimin e ndjenjave dhe
të një bote të përbashkët.
2.Vlera
artistike
a."Mos ik" dhe "mos vish" janë dy kahe të kundërta
që krijojnë tension dinamik në poezi dhe përdorimi i tyre ndihmon në ndërtimin
e një strukture poetike të mbushur me kontradikta të brendshme, duke i dhënë kështu
poezisë kompleksitet e thellësi artistike.
b.Shprehjet
"mos ik" dhe "mos vish" përmes përsëritjes
i japin poezisë cilësi ritmike dhe
muzikale. Realisht kjo përsëritje përçon ndjesinë e insistimit dhe obsesionit,
e fut lexuesin në ciklin e mendimeve dhe ndjenjave të poetit. Edhe lexuesi më
sipërfaqësor e përjeton këtë cilësi
ritmike dhe muzikale, qoftë dhe në mënyrë instiktive.
c.Fraza
"Mos ik" është thirrje për
të ndaluar humbjen, largimin, ndërsa "mos
vish" është thirrje për të shmangur përballjen me pasojat e “ikjes”. Ky kontrast thekson përplasjen e
ndjenjave dhe përjetimeve të heroi, duke e bërë poezinë më të pasur artistikisht.
Si
përfundim themi se qëllimi i poetit në krijimin e këtyre dy shprehjeve në poezi nuk është vetëm
një element stilistik, por është një mënyrë dhe qëllim për të ndërtuar një
univers emocional dhe artistik. Ato reflektojnë ndërlikimin e ndjenjave
njerëzore : dëshirën për të mbajtur atë që synon të largohet dhe frikën nga
rikthimi i dhimbjes . Kjo lojë e kaheve të lëvizjes e bën poezinë tërheqëse dhe
universale, duke prekur në mënyrë të thellë përjetimet e lexuesit.
III-Kemi
thënë që Ilirian Zhupa është një mjeshtër i minimalizmit poetik në përdo-rimin
e fjalëve, por duhet të shprehemi se
poezia "Andej të mos vish”
është një shembull etalon i këtij minimalizmi, ku një numër i kufizuar fjalësh
përdoret për të ndërtuar një hapësirë të gjerë sa kuptimore aq dhe emocionale.
Ky minimalizëm artistik nuk e dobëson poezinë, përkundrazi, e fuqizon atë
përmes kombinimit mjeshtëror me përsëritjen, duke e shndërruar çdo fjalë në një
element thelbësor dhe të rëndë kuptimor. Shtoi kësaj faktin që ky minimalizën
shoqërohet me përsëritjen dhe insistimin, atëherë shohim se kemi një krijim ku
forca poetike shfaq një goditje ritmike, që imponon jo vetëm lexim por edhe përjetim
të vargut. Le ta shohim konkretisht këtë dukuri që nuk e gjejmë shpesh në
poezinë shqipe.
1.Minimalizmi
në poezi
Poezia
përmban një leksik të thjeshtë, por të ngarkuar emocionalisht, ku çdo fjalë dhe
frazë është zgjedhur me kujdes për të krijuar ndikim të fortë. Psh, në vargun:
"Ti je fati im që
humb,
fati im që humb nëpër
udhë,"
përdorimi
i fjalëve si "humb" dhe
"udhë" përcjell idenë e një
fati të pafavorshëm për ta mbajtur atë. Kjo e bën çdo fjalë të duket si një
peshë emocionale e veçantë. Në këtë kontekst minimalizmi shfaqet në strukturën
e vargjeve, ku poetikja ndërtohet jo nga një bollëk fjalësh, por nga
ekonomizimi i tyre, duke krijuar një efekt të fuqishëm emocional.Te këto dy
vargje kemi vetëm dy fjalë që përdoren vetëm një herë, fjalët “nëpër” dhe “udhë”. Vargjet u ngjajnë dallgëve të detit që godasin bregun: vargu
i parë "Ti je fati im që humb” është
dallga e parë që godet bregun dhe tërhiqet shpejt, por vjen dallga e dytë “fati im që humb nëpër udhë," e cila merr përpara dhe pjesët e dallgës së
parë që është në tërheqje (len vetëm frazën “ti
je” e cila poetikisht themi se është
shndruar në stërkala) dhe e godet bregun më forcën e saj të dyfishuar. Shikoni,
një figurë të tillë artistike me qasje dallgët e detit mund ta krijojë vetëm një
poet që e njeh detin dhe formimin e goditjen e dallgëve në breg. Flasim për
dallgë dhe jo për valë lozonjare, pse forca e vargut vjen si dallgë dhe jo si
valë. Mos harroni që Ilirian Zhupa është bregdetas, se do na shërbejë përsëri
kjo njohuri. Le ta shohim këtë dukuri dallgësh deti dhe te strofa e fundit e
poezisë e cila pasqyron kulmin emocional te saj:
Në kthefsh ndonjë ditë
për shpirt,
ndonjë ditë për shpirt e
për be,
për shpirt e për be e
për fe,
të lutem nga ike mos
vish,
nga ike mos vish, se gërmadhë,
gërmadhë dhe pyll është
atje.
Siç
shihet te vargu i dytë hiqet fjala “në
kthefsh” si pjesë e valëve që shndrohet në stërkalë dhe merr si shtesë
“dallge” fjalët “e për be”, te vargu
i tretë hiqet pjesa e parë e vargut të dytë “ndonjë ditë” dhe shtohet pjesa “e
për fe”. Vargu i katërt është një varg –dallgë e re me tekstin e ri: “ të lutem nga ike mos vish”, te vargu I
pestë hiqet fjala “të lutem” e vargut
të katërt dhe shtohet fjalët “se gërmadhë”
duke mbritur te vargu i fundit ku hiqet “nga ike mos vish,se” dhe i shtohen fjaalët “dhe pyll është atje”. Pra është tepër e dukëshme forma goditëse si
dallgët e detit dhe kjo dukuri është baza mbi të cilën është ndërtuar poezia.
2.Përsëritja
dhe insistimi në poezi nuk janë elemente
dekorative, por mënyrë për të krijuar ritëm, tension dhe insistim të fortë
emocional. Përsëritja nuk e bën poezinë e Zhupës të tingëllojë monotone;
përkundrazi, ajo shton intensitetin, forcën dhe thellësinë e mesazhit. Psh,
strofa e dytë:
"Pas teje unë
ngelem si guaska,
ngelem si guaska në
breg,
si guaska në breg që
trishton,"
tregon
sesi figura e "guaskës"
ripërsëritet për të thelluar ndjenjën e braktisjes dhe të zbrazëtisë nëpërmjet
rishfaqjes së saj. Përsëritja dëgjohet në poezi si një klithmë e brendshme, si
një thirrje që përsëritet disa herë për tu dëgjuar nga dikush që ndoshta është
larg apo nuk i kupton mirë fjalët. E kemi përjetuar këtë dukuri, ndaj nuk po
zgjatem më tutje.
3.Minimalizmi
dhe insistimi si forcë artistike
a.Te
poezia"Andej të mos vish e Zhupës shohim se si kombinimi i minimalizmit me
përsëritjen përqendron të gjithë emocionin te disa fjalë dhe fraza, që për nga
funksioni që u është ngarkuar duken si fjalë dhe fraza kyçe. Lexuesi e ndjen rëndësi-në e çdo fjale
dhe përjeton thellësinë e saj. Psh vargu: "Të lutem nga ike mos vish," është i thjeshtë në formë, por i
mbushur me tension emocional dhe dramatik që përcillet përmes përsëritjes së
refuzimit sa që mund të marrë edhe formën e një shprehejeje (fjalë) të urtë.
b.Po
ta lexosh me vemëndje poezinë ndjen, më shumë se sa kupton se minimalizmi dhe
përsëritja i japin poezisë cilësi muzikore, një ritëm që ngjason me një mantra,
ku mantra është një fjalë, frazë, tingull ose varg që përsëritet për të
përqendruar me-ndjen, për të ndihmuar në meditim, ose për të sjellë qetësi
shpirtërore e mendore. (Fjala”mantra” rrjedh nga sanskritishtja:
"man" (mendje) dhe "tra" (mjet ose vegël), që nënkupton
"mjet për mendjen" Në shqip gjen përdorim psh në shprehjet e tipit: çdo
gjë do shkojë mirë, do na dalë për mvbarrë etj). Fjalët përsëriten jo për të
lodhur lexuesin, por për ta futur në një cikël ndjenjash e mendimesh që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore
të poetit.
c.Me
pak fjalë nëpër vargje dhe me një ndërtim të kujdesshëm përmes përsëritjes,
poezia arrin të prekë tema universale dhe përvoja të përbashkëta njerëzore.
Pra, në thelb minimalizmi në poezinë "Andej të mos vish" të Zhupës nuk
është kufizim, por është një strategji artistike që e bën çdo fjalë të
tingëllojë si një notë thelbësore në simfoninë emocionale të poezisë.
Përsëritja e fjalëve dhe frazave krijon një ndjenjë insistimi, duke theksuar
çdo emocion dhe mesazh të poezisë, duke e bërë atë një krijim që mbetet në
mendje dhe zemër. Nga kjo nxjerrim si përfundim se Ilirian Zhupa është jo vetëm
një poet i frymëzuar por edhe një mjeshtër i vargut poetik.
ç.
Këtu vlen të theksojmë se Ilirian Zhupa arrin të krijojë poezi të fuqishme emocio-nalish duke përdorur fjalë të
thjeshta, por të ngarkuara me ndjenjë dhe tension poetik. Ai nuk ka nevojë për
fjalë të mëdha apo struktura të ndërlikuara; pikërisht thjeshtësia e gjuhës i
jep poezisë një ndjesi të drejtpërdrejtë dhe prekëse. Le ta shohim forcën e
fjalëve të thjeshta që shfaqen te vargjet:
"Pas teje unë
ngelem si guaska,
ngelem si guaska në
breg,
si guaska në breg që
trishton"
ku,
metafora e guaskës së braktisur në breg e përçon ndjenjën e vetmisë dhe
boshësisë me një imazh të bukur dhe të
ndjeshëm. Po ashtu, në strofën e fundit:
"Nga ike mos vish,
se gërmadhë,
gërmadhë dhe pyll është
atje."
Këtu,
fjalët "gërmadhë" dhe
"pyll" nuk janë të
zbukuruara, por në thjeshtësinë e tyre shfaqin një realitet të ftohtë e të
pakthyeshëm, dhe përshfaqin ndjesinë e
shkatërri-mit shpirtëror që ka lënë pas largimi i personit të dashur. Sdi pse
këto fjalë më ngjajnë me gurët e thjeshtë gëlqerorë me të cilët ndërtohen
kështjellat.
IV-
Le të bëjmë një analizë strukturore dhe artistike të strofave dhe vargjeve të
tyre për të parë qartazi si funksionon kjo poezi e Zhupës, tepër e veçantë. Strofa
e përbëhet nga vargje të organizuara me një përdorim të kujdesshëm të
përsëritjeve, të cilat krijojnë një ritëm të ngjeshur dhe një ndjenjë të thellë
emocionale. Strofa e parë:
Ti je fati im që humb,
fati im që humb nëpër
udhë,
që humb nëpër udhë –
dashuri,
përzënë nga dimrat dhe
verat,
nga dimri dhe verërat e
erërat,
dhe verërat e erërat me
shi.
1.E
dukëshme është përsëritja e frazave, si fjalë dhe elemente natyrore e
konkretisht:
a.Përsëritja
e frazës "Fati im që humb"
realizohet dy herë në dy vargjet e para, duke theksuar ndjenjën e pashmangshme
të humbjes. Kjo përsëritje ngulitet në mendjen e lexuesit, duke e bërë idenë
kryesore më të fuqishme. "Që humb
nëpër udhë" vazhdon motivin e humbjes dhe izolon fjalën "udhë" si simbol të largimit.
b.Elementet
natyrore"Dimrat dhe verat,"
"dimri dhe verërat e erërat," "verërat e erërat me shi"
në përsëritje krijojnë një progresion që ndërthur stinët me kushtet
atmosferike, në funksion të intensitetin
emocional. Kjo përsëritje sugjeron një cikël të pafund përzënieje, përndjekjeje
ku natyra bëhet bashkëfajtore e humbjes.
c.Në
poezi përsëritja krijon ritëm të njëtrajtshëm, i cili pasqyron gjendjen
emocionale të qëndrueshme të personazhit lirik: dhimbjen dhe ndjenjën e
pashmangshme të humbjes. Përsëritja i jep poezisë një tonalitet melodik të
dëshpëruar dhe figurativisht ngjason me një njeri që qëndron mbi një shkëmb në
anë të detit dhe që nuk guxon të hidhet në tokë nga forca e dallgëve që përthyhen
pikërsiht teshkëmbi ku ai qëndron.
2.
Ecuria e poezisë përmes përsëritjes realizohet nga individualja te universalja
pse: a.Strofa fillon me deklaratën "Ti
je fati im që humb." Fati lidhet drejtpërdrejt me "ti," përemri i një figurë qendrore që përfaqëson perssonin
e dashur të larguar. Vendosja e “humbjes” në "udhë,", në ikje sugjeron një ndjenjë universale braktisjeje.
b.Në
vargjet "përzënë nga dimrat dhe
verat," përsëritja e stinëve në progresion thekson vazhdimësinë e
humbjes në kohë. Personazhi lirik përjeton braktisjen si një përjetim që
tejkalon stinët, duke sugjeruar pafundësinë e dhimbjes. Vargu përmby-llës,
"dhe verërat e erërat me shi,"
pasqyron idenë e një bote të ftohtë, të pasigurt, ku dashuria është përzënë nga
fuqitë e natyrës (dhe fatit).
3.
Figurat letrare dhe ndikimi i tyre në strukturë:
Metafora:
"Fati im që humb" është një
metaforë që shfaq dashurinë si fat të paraca-ktuar , por që humbet në rrugë.
Simbolika:
"Dimrat," "verat,"
dhe "erërat me shi"
simbolizojnë jo vetëm ndryshimin e stinëve, por më tepër kushtet shpirtërore të
ndryshuara. Poeti mund të përdorte edhe figura të tjera të tipit:”Në mes të
beharit seç më plevitose”, por ai ka preferuar gradacionin sinekdotik ku
elementët e natyrës përfaqsojnë kalimin e kohës. Përsëri-tja kumulative, ku çdo
varg sjell një element të ri, duke shtuar intensitetin dhe zgjeru-ar
ndjeshmërinë emocionale i jep strofës një ndjesi përshkallëzimi.
Pra,
në thelb përsëritjet në strofa nuk janë
vetëm një mjet stilistik, por një formë për të ndërtuar ecurinë e poezisë, duke
krijuar një ndjenjë ciklike dhe të pashmangshme. Përmes strukturës së
përsëritur dhe progresionit të detajuar, strofa shpreh fuqishëm ndjenjat e
dëshpërimit dhe boshllëkut që mbizotërojnë në të gjithë poezinë. Duke qenë se këto
dukuri shfaqen në të gjitha strofat, le të shohim shkurtimisht strofën e fundit
për të krahasuar progresivitetin e
poezisë:
Strofa
e pestë: Në kthefsh ndonjë ditë për
shpirt,
ndonjë ditë për shpirt e
për be,
për shpirt e për be e
për fe,
të lutem nga ike mos
vish,
nga ike mos vish, se
gërmadhë,
gërmadhë dhe pyll është
atje.
1.Analiza
e strukturës dhe elementeve të reja në çdo varg
Vargu
i parë: "Në kthefsh ndonjë ditë për
shpirt,"
a.Strofa
hapet me një shpresë, por kjo shpresë është hamendësim “në kthefsh” dhe shoqërohet me një kusht hipotetik”për shpirt” që simbolizon rikthimin për një arsye morti, term që të
kujton vizitat e vonshme të njerëzve që banojnë larg në shtëpitë e të afërmve që
u ka ndodhur një fatkeqësi.
b.
Vargu:"Ndonjë ditë për shpirt e për be," përshkallëzohet emocionalisht
me shtimin e "për be," që
simbolizon një premtim solemn (be, betim, premtim) duke theksuar vlerën apo arsyen e kthimit.
c.
Vargu:"Për shpirt e për be e për fe,"shton dimension e lartë fetar, në kuptimin se
ndoshta kthehet për Pashkën e Madhe etj festa fetare. Mirëpo përfshirja e
"për fe" mund të nënkuptojë një lidhje të shenjtë (të
premtuar dikur) midis personazheve.
ç.Një
kthesë e papritur ndodh te vargu"Të
lutem nga ike mos vish,", këtu lutja
nuk është për kthimin, por për shmangien e kthimit, më qartë, për shmangien e
kthimit nga rruga nga iku. Arsyen e kësaj
shmangieje e shohim te vargu:"Nga
ike mos vish, se gërmadhë", por ne e shpjeguam më sipër.
d.Imazhi
i "gërmadhës," simbolizon
rrënimin emocional dhe shkatërrimin e lidhjes së tyre, duke krijuar një ndjenjë
dëshpërimi dhe pamundësie për të rindërtuar atë që ka humbur.
e.
Te vargu imazhist:"Gërmadhë dhe pyll
është atje." "Pylli" sugjeron një hapësirë të egër, kaotike,
ku imazhi i “pyllit”plotëson atë të "gërmadhës,"
duke përforcuar idenë se kthimi do të përballej me një peizazh emocional të
shkatërruar dhe të pasigurt. Te kjo strofë poezia arrin kulmin emocional, pse
kombinon shpresën dhe refuzimin në një tension të brendshëm. Përsëritja e
shprehjeve ("për shpirt,"
"për be," "për fe") krijon një solemnitet, ndërsa kontrasti me thirrjen
"nga ike mos vish" thekson
realite -tin e pakthyeshëm të humbjes. Imazhet e "gërmadhës" dhe "pyllit"
përforcojnë idenë e një dashurie të shkatërruar, duke e mbyllur poezinë me një
ndjenjë të fortë të humbjes së pakthyeshme fizike por duke shfaqur egzistencën
e dashurisë brenda shpirtit të heroit.
V-Në
poezinë "Andej të mos vish", Ilirian Zhupa ndërton mjeshtërisht një
portret të ndërlikuar të një dashurie të humbur, ku gjithsesi ndarja fizike nuk
njësohet me ndarjen shpirtërore. Heroi lirik e pranon se personi i dashur është
larguar, por brenda tij kjo dashuri vazhdon të jetojë. Kjo ndjesi dyfishe: humbja fizike, e jashtme dhe mbajtja
e brendshme shfaqet qysh në strofën e dytë:
"Pas teje unë
ngelem si guaska,
ngelem si guaska në
breg,
si guaska në breg që
trishton,
jo heshtja, po malli për
ty,
po malli për ty
fishkëllen,
për ty fishkëllen deri
vonë."
ku,
poeti e krahason veten me një guaskë të braktisur në breg, një imazh që
sugjeron boshësinë dhe vetminë e tij, por në vend që ta pranojë këtë mungesë si
diçka statike, ai e shpreh atë në mënyrë dinamike përmes tingullit të "mallit që fishkëllen deri vonë", duke tregon se edhe pse personi
është larguar fizikisht, prania e saj ndihet fuqishëm në shpirtin e heroit.
Në
strofën e fundit, ky konflikt mes pranimit të ndarjes dhe vazhdimësisë së dashu-risë
arrin kulmin. Poeti i lutet të dashurës të mos kthehet andej nga ka ikur: “se gërmadhë,/gërmadhë dhe pyll është
atje." duke treguar qartë se, edhe pse heroi lirik ende e ruan ndjenjën
e dashurisë brenda vetes, ai është i vetëdijshëm se kthimi nuk do të
ribashkonte me atë atë, pasi rikthimi i saj do ishte “për shpirt, e për be”, i
ngjashëm me vizita morti në të dyzetat, në vitin apo nëpër varre. Ky varg në
realitet përforcon një paradoks emocional: heroi lirik vazhdon ta mbajë brenda
vetes dashurinë, por njëkohësisht është i vetëdijshëm se kthimi i saj në
realitet është i pamundur. Ai e do ende, por e do si një kujtim i shenjtëruar.
E
parë në këtë kontekst themi se, poezia nuk është thjesht një elegji për dashurinë
e humbur, por është së pari një meditim mbi mënyrën se si ndjenjat vazhdojnë të
jetojnë brenda nesh edhe pasi realiteti ka ndryshuar. Përmes përsëritjeve,
imazheve kontrastuese dhe tensionit emocional, Zhupa arrin të kapë dhe të japë
atë moment të dhimbshëm kur një njeri e kupton se, edhe pse një ndjenjë mbetet
e fortë brenda tij, kthimi pas nuk është më një mundësi për tu realizuar.
Sarandë, Janar 2025
ANDEJ
TË MOS VISH
Ti
je fati im që humb,
fati
im që humb nëpër udhë,
që
humb nëpër udhë – dashuri,
përzënë
nga dimrat dhe verat,
nga
dimri dhe verërat e erërat,
dhe
verërat e erërat me shi.
Pas
teje unë ngelem si guaska,
ngelem
si guaska në breg,
si
guaska në breg që trishton,
jo
heshtja, po malli për ty,
po
malli për ty fishkëllen,
për
ty fishkëllen deri vonë.
-Mos
ik! – të thërras me gjithë zë,
të
thërras me gjithë zë marrëzisht,
me
gjithë zë marrëzisht – mardhmërisht,
dhe
trupin mes rrugëve e lë,
mes
rrugëve e lë pa mëshirë,
e
lë pa mëshirë e të brishtë.
Ku
humb as vetë nuk e di,
as
vetë nuk e di ku firoj,
nuk
e di ku firoj e ç’kërkoj,
me
mend paskam ardhur tek ti,
paskam
ardhur tek ti që të vdes,
tek
ti që të vdes e të rroj.
Në
kthefsh ndonjë ditë për shpirt,
ndonjë
ditë për shpirt e për be,
për
shpirt e për be e për fe,
të
lutem nga ike mos vish,
nga
ike mos vish, se gërmadhë,
gërmadhë
dhe pyll është atje.
“Të gjallë dhe të vdekur”)